E më së fundmi, momenti shumë i komentuar e që do mbahet mend për shumë kohë- përlotja e Mogherinit gjatë deklaratës për shtyp pas sulmeve terroriste- duke nxjerrë në pah anën e brishtë të një protagonistit më të rëndësishëm të politikës së jashtme të Unionit.
Zgjedhja e Federica Mogherinit në postin e Përfaqësueses së Lartë, nuk u mirëprit nga të gjithë vendet e BE-së, gjithashtu nuk u kalua pa reagime nga përfaqësues të ndryshëm politikë dhe analistë që shfaqën dyshimet dhe skepticizmin e tyre ndaj përzgjedhjes në këtë post të një gruaje të re me vetëm gjashtë muaj eksperiencë në qeverinë italiane në postin e Ministrit të Jashtëm. ”Federica Mogherini ka shumë për të mësuar”,- reagonin analistët dhe kritikët e saj. Mungesa e eksperiencës dhe mosha e re theksoheshin më shumë teksa e krahasonin atë me paraardhësen e saj Baroneshën angleze Catherine Ashton. Disa media shkuan aq larg sa ta shikonin emërimin e Mogherinit si diçka vërtet negative për Europën: gazeta franceze Le Monde do të shkruante në një artikull që dita e emërimit të Mogherinit në këtë detyrë është “një ditë e trishtueshme për Europën”. Federica nuk u ndal nga kritikat ndaj saj, “Nuk jam aq e re. Jam 42 vjeç. Kur u bë Barack Obama president i Shteteve të Bashkuara? Sa vjeç ishte ai?”. Sipas një interviste realizuar për Vogue Magazine Mogherini shprehet se këto reagime lidhen dhe me perceptimin se një grua e re është më e re se një djalë i ri, të qenurit e re dhe grua është një kombinim që i bën njerëzit më shumë skeptikë dhe kritikë duke mos besuar në aftësinë për të realizuar detyra të rëndësishme si ajo e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së.
Cilat ishin ato karakteristika që i dhanë mundësinë Mogherinit të merrte postin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, ekuivalent më atë të një Ministri të Jashtëm të një vendi apo të Sekretarit të Përgjithshëm Amerikan? Për të kuptuar ngritjen në karrierë të Mogherinit si fillim, duhet analizuar jeta e saj, formimi profesional por edhe tiparet personale. E lindur dhe e rritur në Romë, nga një baba skenograf dhe një nënë arkitekte e mësuese, sipas fjalëve të Mogherinit ajo mund të kalonte gjithë të dielën me babain e saj duke edituar filmat, duke luajtur dhe duke i prerë ato dhe siç është shprehur dhe vetë njësoj si në Cinema Paradiso, ndërsa nëna ishte personi që i mësoi rëndësinë e të qenurit e pavarur, si dhe aftësinë për tu kujdesur për veten. E diplomuar për Shkenca Politike në Universitetin e La Sapienzës në Romë, pasioni i saj ishte të lexonte gazeta dhe ëndërronte që në të ardhmen të bëhej gazetare. Gazetat nga ana tjetër i shtuan më shumë kuriozitetin për Islamin dhe botën arabe, gjë që shpjegon edhe tezën e diplomës së Masterit që ajo përzgjodhi mbi Islamin politik. Ky pasion e ndoqi dhe në vazhdimësi, kur sot ajo mund të cilësohet si një nga negociatoret më të suksesshme të BE-së për sa i përket vendosjes së marrëdhënieve me vendet e Lindjes së Mesme, specifikisht suksesi i arritur në marrëveshjen me Iranin.
Në periudhën e rinisë ajo mund të cilësohet si një komuniste idealiste, duke qenë dhe anëtare nga 1988-1996 e Federatës së Komunistëve të Rinj Italianë dhe madje do të bëhej anëtare aktive e Partisë Demokratët e së Majtës e përbërë nga shumë ish-komunistë të tjerë. Në 2008 kjo parti dhe të tjera u bashkuan me partinë e qendrës së majtë Partinë Demokratike italiane, ku Mogherini do të fitojë mandatin e parë si deputete e parlamentit, edhe pse shumë pak e njihnin në Itali. Në 2014 në moshën 40 vjeçare ajo emërohet Ministre e Jashtme e shtetit Italian, si personi më i ri që mban këtë pozicion në Itali si dhe e treta grua në këtë post për gjithë historinë e politikës italiane. Gjithsesi Mogherini nuk qëndroi gjatë si Ministre e Jashtme e Italisë, pasi vetëm 6 muaj në detyrë ajo do të kandidohet si Përfaqësuese e Lartë e BE-së.
Ndërkohë që kritikët shpreheshin se ishte shumë e re për shkak të moshës për të marrë një post të tillë, faktet tregonin që ajo nuk ishte e re kur vinte puna për eksperiencën në politikën e jashtme. Përpara se të bëhej ministre ajo ka qenë dhe Kryetare e Delegacionit Italian në NATO, dhe ekspertë që kanë punuar pranë saj si Ettore Greco, drejtor i Institutit për Çështje Ndërkombëtare në një intervistë dhënë për The Guardian, e cilëson atë si një person që punon shumë, dhe gjithmonë e karakterizuar nga qetësia. Sipas Grecos ajo mund të shikohet pa frikë si një mediatore mjaft e mirë. Michele Nones, një analist i politikave për një think tank në Itali shprehet se ajo është mjaft e përgatitur, i lexon të gjitha dosjet dhe mbi të gjitha është entuziaste. Sipas kolegut të saj Politi gjatë angazhimit në NATO, Mogherini është në habitatin e saj kur bëhet fjalë për kontekstin dhe çështjet ndërkombëtare. Impakti i parë pozitiv i Mogherinit ishte që në momentin kur ajo foli anglisht, që për çudinë e të gjithëve ishte pothuajse perfekte dhe në ndryshim të plotë nga anglishtja e kryeministrit italian Matteo Renzi.
Kur emri i saj u vendos si kandidaturë për postin e Përfaqësuese së Lartë të BE-së, sipas analistit Tim Hedges ishte momenti i duhur dhe më i mirë për të. Italia po plotësonte të gjitha kërkesat që BE i kishte kërkuar, duke dhënë imazhin e ‘europianit’ të mirë, ndryshe nga Franca dhe vendet e tjera të BE-së. Renzi premtoi uljen e borxhit italian dhe reformimin e ligjeve të punës në Itali, duke marrë kështu pëlqimin e Gjermanisë. Gjithashtu dhe fitorja e fuqishme në zgjedhjet e majit 2014 për Parlamentin Europian tregoi pozicionin dhe fuqinë e Renzit dhe partisë së tij. Ndërkohë të tjerë e kundërshtonin kandidimin e saj, ku kundërshtitë më të forta erdhën nga vendet e Europës Lindore, me pretekstin që Italia ishte mjaft e butë me Rusinë dhe Vladimir Putin. Kjo u vu re kur Mogherini akoma në postin e Ministres së Jashtme ftoi Putin në një samit të ekonomisë që do të zhvillohej në Milano në tetor të 2014. Marrëdhënia e Mogherinit me Rusinë do të merrte një dimension tjetër në momentin që kriza në Ukrainë filloi, dhe BE e dënoi sulmin e Rusisë duke paralajmëruar sanksione. Qëndrimi i Italisë por edhe i Mogherinit nuk ishte i butë në këtë moment, duke lehtësuar kështu dhe hedhur poshtë frikërat që kishin pasur vendet e Europës Lindore.
Kriza e Ukrainës, ka qenë një pikë e rëndësishme për Mogherinin e cila më 14 mars 2016 përkujtoi dy vjetorin e aneksimit të bërë të Krimesë dhe qytetit të Sevastopolit nga Rusia, të cilësuar të paligjshëm nga BE. Për Mogherinin në deklaratën e mbajtur, aneksimi nga shteti rus është një shkelje e madhe e ligjit ndërkombëtar dhe integritetit territorial të Ukrainës. Gjithashtu ajo shprehu vendosmërinë e BE-së për të zbatuar plotësisht sanksionet e vendosura dhe masat kufizuese ndaj Rusisë, si dhe bindjen për të mos e njohur këtë aneksim. Një arritje në bisedime është edhe Marrëveshja e Minskut, ku Mogherini ka luajtur një rol me mjaft rëndësi dhe kyç për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të mirë për të dyja palët. Kjo marrëveshje armëpushimi në Ukrainën Lindore është kushti kryesor për ndryshimin e qasjes europiane ndaj Rusisë. BE dhe Mogherini kanë vendosur sanksione që janë të vlefshme deri më 16 korrik 2016. Qëllimi i tyre nuk është thjesht të dëmtojnë Rusinë, por ta bëjnë atë të ndryshojë kursin e veprimit dhe të tërhiqet nga ky akt, si mënyrë për të vendosur sërish paqen, respektimin e të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar. Shumë nga sanksionet janë diplomatike dhe financiare si ngrirja e aseteve apo moslejim të udhëtimeve dhe të lëvizjes së qytetarëve apo përfaqësuesve rus, ndërprerje të zbatimit të marrëveshjeve apo programeve të bashkëpunimit me Rusinë siç janë edhe bisedimet për vizat.
Politika e jashtme e BE-së dhe krijimi i një figure më të fuqishme mendohet se mund të arrihet me një përfaqësuese të diplomacisë europiane si Federica Mogherini. E apasionuar dhe e interesuar për kulturën e Lindjes së Mesme, mjaft e thelluar në këtë drejtim gjatë punës së saj ajo kishte në fokus sigurisht dhe situatën atje dhe marrëdhëniet strategjike me vendet e këtij rajoni. Marrëveshja me Iranin, një vend problematik me një regjim autoritar dhe fetar, i pajisur me armë nukleare duke u kthyer në një kërcënim për sigurinë strategjike dhe globale, ia vështirësuan Mogherinit procesin e bisedave dhe negociatave me përfaqësuesit e këtij vendi. Sipas The Commentator, gjatë negociatave besohet se Mogherini ka paralajmëruar Ministrin e Jashtëm iranian Javad Zarif, se nëse Irani nuk i pranon të gjitha kushtet, atëherë negociatorët mund edhe thjesht të largohen. Kjo e ka nxehur ministrin iranian: “Mos e kërcëno asnjëherë një iranian”, -mendohet të ketë thënë ai, teksa Mogherini është shprehur: “Se nuk mund të presësh se një italian dhe një iranian të jenë të sjellshëm me njëri-tjetrin”. Gjithashtu teksa e ka krahasuar mënyrën iraniane të negociatave të ngjashme me atë mesdhetare ajo nuk ka lënë pa përmendur që jo detyrimisht femrat janë më të butat në një tryezë negocimi.
Marrëveshja mes Iranit dhe BE-së jo më kot u cilësua si një marrëveshje historike, ku Irani vendosi të heqë dorë nga pjesa më e madhe e programit të tij nuklear. Por ky sukses nuk është vetëm i BE-së, por edhe i vetë Mogherinit si aktori kryesor në realizimin e këtij pakti. Dita e zbatimit të Marrëveshjes, Planit Gjithëpërfshirës të Veprimit ishte data 16 janar 2016. Kjo u arrit vetëm pasi u verifikua që Irani i ka zbatuar të gjitha angazhimet që rrjedhin në marrëveshje dhe kjo bën që BE, SHBA dhe OKB të lehtësojnë sanksionet financiare dhe ekonomike që ishin vendosur kundër politikës nukleare te shtetit të Iranit. Kjo solli një kthesë vendimtare nga programi nuklear i Iranit, që filloi zbatimin e detyrimeve që në korrik të 2015 kur marrëveshja u konkludua. I gjithë procesi u koordinua nga Bashkimi Europian, me një rol vendimtar nga Përfaqësuesja e Lartë, Mogherini.
Puna e saj si Përfaqësuese e Lartë e BE-së, ka ndryshuar dhe mënyrën e saj të jetesës me familjen duke filluar me largimin nga Roma, qyteti me dritë që Mogherinit duket se i mungon shumë. Udhëtimet janë një pasion i saj, por për një javë ajo mund të udhëtojë në më shumë se 5 shtete të ndryshme në skaje të ndryshme të botës, nga Lindja e Mesme në Azi, nga Azia në Europë e më pas në Amerikë. Interesante është që në shumë raste ajo preferon klasin ekonomik gjatë udhëtimeve. Puna dhe angazhimet nuk i lënë kohë për familjen, për bashkëshortin Matteo dhe dy vajzat 5 dhe 11 vjeç. Vetëm në dy orët e para të mëngjesit 6 me 8 ajo ka kohë ti kushtohet atyre por të paktën ka një mbështetje të madhe nga bashkëshorti në mirërritjen e fëmijëve dhe menaxhimin e punëve në shtëpi. Sipas saj kjo nuk është tipike për një mashkull italian, por siç duket Federica ka qëlluar me fat.
Krahasuar me paraardhësen Catherine Ashton, a pritet që Federica Mogherini të sjellë ndryshime në politikëm e jashtme të BE-së? Si rezulat i qëndrimit të Ashton, analistët kanë vlerësuar që pozita e Burimeve Njerëzore ishte minuar apo dobësuar. Nuk duhet lënë pa përmendur konteksti i ri gjeopolitik në të cilin Mogherini operon, me detyrën specifike që i është ofruar HR nga Këshilli në dhjetor 2013. HR të ri i ofrohet një mandat dhe përgjegjësi e qartë për të zhvilluar, jo një institucion i ri si në rastin e Ashton(EEAS), por një strategji e re dhe politikat të reja për BE-në si një e terë. Çdo përfaqësues i lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Sigurisë është përgjegjës për organizimin dhe menaxhimin efektiv të Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm(EEAS). Rëndësia e kësaj çështjeje qëndron në faktin se personeli i EEAS përgati porpopozimet e politikës së jashtme dhe përfaqëson BE-në me palë të treta. Duke marrë në konsideratë pabarazitë strukturore dhe të personelit si rrjedhojë e mënyrave në të cilat EEAS dhe politikat e rekrutimit kanë funksionuar sipas paraardhëses së Mogherinit, duke ndjekur Rishikimin E EAS 2013, Këshilli mandatoi HRVP aktuale të reformojë EEAS gjer në fund të 2015. Në aspektin organizativ, edhe pse reformat e Mogjerinit duken të jenë gjithpërfshirëse, nga një inspektim i afërt ata jan më të gjera. Nga na tjetër,Mogherini ka prezantuar ndryshime të rëndësishme në personel, duke cuar EEAS në drejtimin e duhur.
Cila është përmbajtja e fjalës “politikë e zgjuar” e diskutuar së shumti si po aplikohet kjo në shërbimin e jashtëm? Një politikë e zgjuar është e qartë, e përshtatshme me objektivin e synuar dhe e arritshme. Ashton i kushtoi shumë kohë Lindjes së Mesme më shumë se asnjë zone tjetër gjeografike. Por nuk ishte e qartë ajo që shpresonte të arrinte, ndërkohë që arritjet aktuale ishin ekstremisht modeste. Sukseset e saj diplomatike-Kosova dhe Irani erdhën më shumë si pasojë e cilësive të saj personale sesa finesës diplomatike. Ndërkohë që Ashton mbajti vijën britanike e ambivalende ndaj Politikës së Përbashkët të Mbrojtjes (CSDP)duke e trajtuar me indiferencë e duke shprehur një preferencë të qartë ndaj NATO, Mogherini beson fuqishëm dhe i kushton rëndësi të veçantë mbrojtjes europiane të bashkëpunimit, të cilën e percepton si domosdoshmëri në ndërveprim harmonik me NATO-n. Procesi i rishikimit strategjik nuk duhet nxituar. Në këtë fazë të parë, është arritur të kuptohet qasja në mjedis global,vlerësimi i ndryshimeve të brendshme brenda Unionit dhe implikimet e politikës së jashtme, si dhe shqyrtimi i instrumenteve të politikës së Jashtme të BE-së( CSDP, kibernetike, të energjisë, tregtia, zhvillimi, kundër terrorizmi).
Mogherini është kritikuar shpesh kur është shprehur se Islami është pjesë e Europës. Duke iu referuar dhunës në Paris dhe Bruksel, ajo ka theksuar se emrat e terroristëve janë arabe, por pasaportat e tyre janë europiane. “Ata duan të sulmojnë aftësinë tonë e të jetuarit së bashku. E gjitha kjo mund të drejtojë shoqërinë pikërisht në drejtimin që ata synojnë-për ta bërë më të mbyllur. Ky nuk është vizioni i Europës, nuk është diversiteti që do të na shkatërrojë ne, por frika e diversitetit. Nëse do pikturojmë në mur sërish një luftë kulturore, do tregojmë se nuk kemi mësuar nga leksionet e dekadave të kaluar. Nëse e portretizojmë problem,i si “Ne jemi Europian, të krishterë kundër Muslimanëve, Arabëve terroristë, do lëkundim pikëpamjen tonë të realitetit. Cilat janë vlerat që terroristët po sulmojnë? Vlerat themelore të Europës- aftësia e të punuarit bashkë, jetesa krah për krah, edhe kur ndryshojmë nga kombësia, kultura dhe feja. Këto vleta na mundësojnë të jetojmë bashkë, pas vitesh lufte. Ne kemi treguar se bashkëjetesa nuk është vetëm e mundshme, por edhe burim i paqes dhe mirëqenies. “
A mundet Mogherini të zgjerojë vizionin e politikës së jashtme të Europës që të bashkojë europianët më shumë se sa ti ndajë ata? Tani për tani shumë liderët europianë vënë në pikëpyetje nëse BE mund ti udhëheqë ata në këto kohë krizash. Problemet ndërkombëtare janë më shumë se kaq dhe BE sot po përballet me vatra të ndryshme krizash jo vetëm në Lindje të Mesme, por edhe në Ukrainë, pa harruar terrorizmin që po godet zemrën e BE-së, Brukselin. Sipas Mogheriti nuk është më fjala nëse Europa mund ta menaxhojë, problemi është që Europa duhet ta menaxhojë situatën e krizave dhe luftërave në botë. Për ndryshe këto probleme do të vazhdojnë dhe do të shtohen. “Jetojmë në një botë që kërkon përgjigje të mëdha për pyetjet e vështira. Fuqitë që ne përballemi janë të mëdha si SHBA, Rusia, Kina. Ne duhet të jemi të mëdhenj.”
Stafi i Eurospeak, mars 2016