Kundërpërgjigjet ishin të menjëhershme dhe të shpejta. Për këtë Mark Zuckereberg u detyrua të dalë përballë Komisioneve të senatorëve në SHBA dhe euro-deputetëve të BE-së për të sqaruar dhe për të qartësuar këtë situatë. Bashkimi Europian nga ana tjetër në muajin maj, pak kohë pas skandalit futi në zbatim Rregulloren për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) që synon përpos të tjerave forcimin e masave për të mbrojtur të dhënat personale, rritjen e sanksioneve dhe dënimeve për ata që shkelin këtë të drejtë, apo abuzojnë me të dhënat personale.
Duket që një nga personat që ka paralajmëruar dhe ka parashikuar një situatë të tillë është Evgeny Morozov, personazhi për Rubrikën Profil për muajin Maj 2018.
Evgeny Morozov është lindur në vitin 1985 në Bjellorusi, por i rritur në Bullgari. Në moshën 33 vjeçare, ai sot jeton në Barcelonë, Spanjë. Ai ka studiuar implikimet politike dhe sociale të teknologjisë në Universitetin Amerikan në Bullgari dhe më pas vazhdoi studimet e PhD në Universitetin e Harvard në Historinë e Shkencës. Morozov njihet si shkrimtar/kritik i mediave të reja. Ai ka shkruar për shume revista e gazeta të njohura ku përmendet Newë York Times, The Economist, The Wall Street Journal, Financial Time, London Review of Books, Times Literary Supplement.
Morozov ka botuar edhe disa libra rreth teknologjisë:
*Gënjeshtra e Rrjetit - Anët e errëta të lirisë së internetit. Ky libër tregon se qëndrimi kiber- utopik dhe iniciativat ambicioze si promovimi i "lirisë së internetit" janë të gabuara. Morozov këtu debaton se interneti është mjet që qeveritë autoritare mund ta përdorin për interesin e tyre.
* Gënjeshtra e Rrjetit - Si të mos e çlirojmë botën. Në këtë libër Morozov tregon pse liria e internetit është iluzion. Në shumë raste rrjeti po ndihmon regjimet shtypëse të mos lejojnë mospajtimin dhe kjo, sipas Morozov, po ndodh në kompanitë si Google dhe Amazon.
*Për të ruajtur gjithçka kliko këtu – Papjekuria e zgjidhjes teknologjike. Teknologjia, mund të jetë një forcë për përmirësim - por vetëm nëse mbajmë zgjidhjet në kontroll dhe mësojmë të vlerësojmë pjesët jo të përsosura të demokracisë liberale. Disa nga ato defekte nuk janë aksidentale, por të mirë-menduara. Ky libër argumenton se ne kemi nevojë për një mënyrë të re, post-Internet në diskutimin e pasojave morale të teknologjive dixhitale.
Para se Brukseli dhe kryeqytete të tjera europiane të ishin të zhytur në anën e errët të dixhitalizimit, Morozovi e kishte kthyer vështrimin e tij në implikimet sociale, ekonomike dhe të përparimeve teknologjike të kohëve të fundit. "Ata ofrojnë të gjitha llojet e shërbimeve falas," - thotë ai për Google, Facebook dhe Twitter,- “Por ne nuk shohim fundin tjetër të marrëveshjes" - etja për klikimet dhe pëlqimet, përqendrimi i të dhënave aq shumë private e personale, në duart e këtyre korporatave.
Pavarësisht ‘inatit’ dhe kundërshtive të tij ndaj rrjeteve sociale dhe serverëve të tyre që mbledhin të dhëna, Morozov është mjeshtër në shfrytëzimin e internetit dhe rrjeteve sociale. Ai ka më shumë se 40 000 ndjekës në Twitter ku ai promovon copa të shkruara tekstesh shpeshherë kritike dhe cinike ndaj vetë rrjetit që përdor.
Një nga parashikimet më kuptimplota e të arrira të Morozovit është që efektet e zhvillimit të dixhitalizimit një ditë do ndjehen po aq sa ndryshimet klimatike. Makinat, ajri i kondicionuar, mallrat në masë të tregut sot konsiderohen si shumë të nevojshme dhe dëshirohen nga të gjithë për ti pasur, por “pas 30 vitesh kur të vij fatura e kostove, njerëzit në fakt nuk do të dinë ç’të bëjnë”. Morozov kërkon mbi të gjitha që individët të fillojnë të ndërgjegjësohen që pasojat negative të këtij zhvillimi dhe konsumerizmi, shoqëria do t’i vuaj në të ardhmen, e mbase atëherë mund të jetë tepër vonë.
Morozov ka qenë një nga të paktët persona që kanë paralajmëruar rreziqet për keqpërdorimin e të dhënave nga rrjetet sociale dhe kompanitë teknologjike. Në një artikull të botuar në The Guardian, Morozov ka shprehur qartë mendimin e tij në lidhje me skandalin e Facebook. Facebook ka krijuar pakënaqësi tek një numër i madh njerëzish, dhe ky është një lajm i mirë për ata persona si Morozov, që kanë paralajmëruar për rreziqet e "publikimit të të dhënave" për vite me radhë. Sipas tij retorika e Facebook për "ndërtimin e një komuniteti global që punon për një numër të madh personash" është një projekt cinik dhe agresiv. “Facebook depërton thellë në të dhënat tona dhe kështu kjo kompani përfiton para.” Ai kërkon një riorganizim të ekonomisë dixhitale në mënyrë që të gjithë qytetarët të përfitojnë prej saj dhe jo vetëm një pjesë e firmave që i shohin përdoruesit e tyre si konsumatorë pasiv, pa ide ose aspekte politike apo ekonomike të tyre.
Këto probleme rrjedhin kryesisht nga dinamika shqetësuese e kapitalizmit bashkëkohor i cili është më i madh se sa varësitë që janë ndaj rrjeteve sociale apo abuzimit të kompanive të teknologjisë, sipas tij. Morozov shpjegon në The Guardian se para se të bashkohemi me "teknologjitë e mëdha", duhet si fillim të ndërgjegjësohemi që Facebook, Alphabet, Amazon, Microsoft etj. kanë qenë çelës për nxitjen e tregut të aksioneve të SHBA-së. Ata kanë siguruar të ardhura dhe para, në një kohë kur pjesa tjetër e ekonomisë ende po ballafaqohet me pasojat nga kriza financiare.
Në njëfarë kuptimi, Morozov i sheh tregjet e teknologjisë amerikane të viteve 2010 jo shumë të ndryshme nga tregjet amerikane të viteve 2000. Sipas tij, të dyja janë përpjekur të gjenerojnë pasuri, me anë të vlerësimit të aseteve, edhe kur ekonomia reale pati deficit. ” Nësë heqim fitimet e mëdha në vlerën e aksioneve të kompanive të teknologjisë së lartë gjatë disa viteve të fundit, nuk do të kishte ndonjë rimëkëmbje kuptimplotë nga kriza. Kjo është arsyeja kryesore pse Amerika nuk mund të bëjë asgjë për të lidhur duart e gjigantëve të saj të teknologjisë. Trump do të vazhdojë të tërbohet për Amazon.”
Ai është skeptik dhe ndaj rolit të politikëbërësve për të na mbrojtur apo në vullnetin e mirë të vetë drejtuesve të teknologjisë: “do jemi subjekt i një breshëri premtimesh se ata do të bëjnë çmos për të shtrënguar kontrollin mbi të dhënat tona dhe madje të futin ligje të reja ndëshkimi të keqpërdorimit të hapur.” Po sa do të ndodhë kjo me të vërtetë, Morozov nuk e beson. Morozov ka shkruar dhe artikuj të ndryshëm rreth çështjeve që i përkasin implikimeve politike dhe sociale të internetit duke u bërë një nga kritikët më në zë. Agresiviteti i shkrimit të tij i ka dhënë atij shumë admirues. "Kam më shumë influencë se sa duhet të kem", - është shprehur ai, duke shtuar se ai kishte një ndjenjë pakënaqësie që kritikat e tij ishin shumë të cekëta.
Stafi i EuroSpeak, maj 2018