Shpend Ahmeti, i vendosur për ta kthyer Prishtinën në një qytet europian

Shpend Ahmeti, i vendosur për ta kthyer Prishtinën në një qytet europian

Ndërmjet Kosovës dhe Amerikës

Shpend Ahmeti njihet si studenti i Harvardit që ktheu historinë në Kosovë. I lindur më 18 prill 1978 në Prishtinë në një familje të vogël me babain artist të teatrit, nënën mjeke dhe një vëlla më të madh, fëmijëria e tij ka qenë e mirë dhe e këndshme. Trashëgimia më e bukur që ai përmend sot nga prindërit është se ata i kanë ngjizur ndjenjën e solidaritetit dhe të pasurit gjithmonë marrëdhënie të sinqerta me njerëzit.

Studimet universitare i ka filluar më 1996 në Universitetin Amerikan të Bullgarisë (AUBG) për Ekonomi të Zbatueshme dhe Administrim Biznesi. Më pas në moshën 26 vjeçare, përfundoi studimet master në Politika Publike në Universitetin e Harvardit, duke u specializuar në zhvillimin politik dhe ekonomik. Kjo eksperiencë i ka mundësuar formësimin akademik dhe profesional. Harvardi ishte si një parapërgatitje për rrugën e tij profesionale në vazhdim. Kjo periudhë e ka bërë të njihet edhe si një person që pëlqen ushqimin e shpejtë dhe të këndojë karaoke nisur nga mënyra e jetesës amerikane, huazuar nga vitet e studimit.

Gjithmonë ka qenë i angazhuar në aktivitete të ndryshme që nga koha e gjimnazit e në vazhdim gjatë studimeve në AUBG (Bullgari), ku Ahmeti ishte senator dhe më pas kryetar i qeverisë studentore atje. Më pas vjen kthimi në Kosovë, kur fillon të punojë në Bankën Botërore në Prishtinë. Gjatë kësaj periudhe duket se i mungonte periudha e aktivizimit. “Vetëm ligjërimin e kam më të dashur se aktivizmin”- është shprehur Shpend Ahmeti, i cili që nga 2005 për nëntë vite me radhë, ka qenë edhe lektor në Universitetin Amerikan në Kosovë. Gjithashtu në periudhën 2011-2012, ai ka punuar edhe si analist financiar për Bankën Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH) në Kosovë.

Përtej studimeve dhe profesionit ai është një fans i futbollit, kjo duket edhe në lokalin që ai ka, një vend ku të rinjtë ndjekin ndeshjet ndërsa ai mundohet që gjatë gjithë kohës të jetë në kontakt me njerëzit.
Edhe pse një figurë popullore dhe interesante për publikun, pak dihet për familjen e tij. Kjo për faktin se ai ka qenë gjithmonë i kujdesshëm në ruajtjen e privatësisë dhe mospërfshirjen e familjes nën fokusin e medias qëkur nisi karrierën e tij politike.

Karrierën politike Shpend Ahmeti e filloi tek lëvizja Vetëvendosja ku dhe doli në pah figura e tij si politikan. Në lidhje me Vetëvendosjen ai shprehet që është partia në të cilën ai u përshtat më shumë dhe ku ai ka dhënë çdo gjë nga vetja për të vënë në jetë planin e kësaj partie. Ajo çka e ka bërë figurën e tij akoma më të dashur dhe më popullore, ishte mënyra sesi ai vepronte dhe deklaratat që jepte në daljet e tij publike, që të linin të kuptoje që ai nuk kishte hyrë në politikë për pushtet dhe poste por që të bënte sadopak ndryshim në progresin e vendit të tij. Ndër të tjera për hyrjen e tij në këtë parti dhe jetën e tij politike ai ka thënë:
Kam hyrë në Vetëvendosje sepse unë përfaqësoj një vijë mendimi dhe në këtë situatë që mbretëron në Kosovë, më së miri gjendem aty. Kam punuar në programin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qëndroj prapa tij. Programi i Vetëvendosjes është një program social-demokratik dhe unë jam social-demokrat, prandaj jam në Vetëvendosje. Në politikë nuk kam hyrë për poste. Nëse do të pretendoja për kryeministër, do të gjeja rrugën për të depërtuar. Në politikë hyra për të bërë ndryshimin...”

Zgjedhja si qytetar i parë i Prishtinës

ahmetiNë zgjedhjet e vitit 2013 ai u shpall kandidat nga Vetëvendosja, për Kryetar të Komunës së Prishtinës ku në garë ishte kundër Isa Mustafës,i cili kishte udhëhequr Komunën e Prishtinës për dy mandate radhazi dhe fitorja në dukje ishte shumë e vështirë si për Shpendin po ashtu dhe për Vetëvendosjen. Por çdo gjë shkoi ashtu siç askush nuk e priste. Në zgjedhjet e 2013-ës, Shpend Ahmeti, në moshën 35 vjeçare, u zgjodh Kryetar i Prishtinës.

Menjëherë sapo mori detyrën, një detaj që u vu re mjaft jo vetëm nga mediat e brendshme, por dhe ato të huaja ishte fakti që ai kërkoi që çdo shërbim i Komunës që përdorej nga zyrtarët e saj të ishte i kontrolluar. Kërkoi që makina Audi Q7 e paraardhësit të tij të hiqej si dhe çdo makinë tjetër që përdorej nga komuna të regjistrohej dhe secila të pajisej me gjurmues në mënyrë që të mos kishte shpërdorime të detyrës në asnjë moment. Një detaj ky që në pamje të parë duket i parëndësishëm, por që në fakt tregoi shumë mbi seriozitetin e tij si person dhe si zyrtar.

Që nga viti 2013 deri më sot, Shpend Ahmeti kaloi situata mjaft të vështira që kryeqendrën e Kosovës ta shndërronte në një qytet të denjë me të gjitha shërbimet e nevojshme. Që në fillim të mandatit ai u fokusua në përmirësimin e transportit publik në qytet, menaxhimin e mbetjeve, furnizimin me ujë, ngrohjen në shkolla etj.

Pengesat dhe sfidat

Gjatë detyrës së tij pengesat e vetme nuk kanë qenë thjesht problematikat që qyteti kishte, por dhe vetë qeveria e Kosovës e cila nuk ka qenë gjithmonë bashkëpunuese këto 3 vitet e fundit. Që nga marrja e detyrës dhe në vijim vetë Shpend Ahmeti me iniciativën e tij personale ka denoncuar në organet e drejtësisë me dhjetëra zyrtarë që punonin në Komunën e Prishtinës me akuzën për korrupsion gjatë ushtrimit të detyrës, edhe pse deri më sot asnjë nga këta persona nuk është dënuar. Në një artikull dedikuar posaçërisht atij, The Guardian, gazeta prestigjioze Britanike e quan Shpendin si kryebashkiakun më guximtar të Europës për vetë faktin që ai po bën përpjekje të palodhura për të zhdukur korrupsionin.
Akuzave të tij për qeverinë e korruptuar dhe kundërshtare iu shtua edhe fakti që atij i është planifikuar një atentat, por pa sukses. Ndërkohë që ai nuk ka marrë informacione të detajuara nga policia, situata duket se ka qenë e rëndë pasi janë përfshirë edhe armë zjarri dhe eksplozivë.

Një rast tjetër ku mes dy palëve mungoi bashkëpunimi ishte në vitin 2015 kur në një kërkesë drejtuar qeverisë ai theksonte që Prishtinës i nevojiten më shume urbanë, pasi aktualisht në përdorim ishin vetëm shtatë dhe sipas llogaritjeve duheshin rreth 250 të tillë që transporti publik të funksiononte normalisht. Duket se nuk pati përgjigje pozitive nga ana e institucioneve qeveritare përgjegjëse.
Pavarësisht kësaj, dëshira, vendosmëria dhe vullneti i Shpendit për ta bërë Prishtinën kryeqytetin që të gjithë duan do të vazhdojë. Edhe pse situata nuk është e thjeshtë në Kosovë e Prishtinë, Shpend Ahmeti ka treguar që puna për një Prishtinë europiane do të vazhdojë.

Stafi i EuroSpeak, shkurt 2017

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk