Kristalina Georgieva, nga Komisioni Europian drejt Bankës Botërore

Kristalina Georgieva, nga Komisioni Europian drejt Bankës Botërore

Puna e saj konsiston në mbrojtjen e buxhetit të BE-së nga mashtrimi dhe korrupsioni dhe zhvillimi i një politike për mirëmenaxhimin e koorporatave në Komision. Po ashtu, Georgieva është e ngarkuar me organizimin e brendshëm të Komisionit Europian si institucion, dhe siguron që burimet e Komisionit të përdoren për të trajtuar prioritetet e caktuara.

Por angazhimi i saj për Komisionin Europian nuk ka filluar me Presidencën Juncker, Georgieva ka qenë Komisionere Europiane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, Ndihmën Humanitare dhe Reagimin ndaj Krizaveqë në periudhën 2010-2014. Në këtë rol, ajo menaxhoi dhe kontrolloi shpërndarjen e ndihmave ndaj gati 500 milion fëmijëve, grave dhe burrave të prekur nga konfliktet dhe fatkeqësitë natyrore nëpër botë. Ajo gjithashtu udhëhoqi ngritjen e Qendrës Europiane për Koordinimin e Reagimit ndaj Emergjencave dhe operacionet e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së. Si vlerësim për punën e saj të mirëgjatë mandatit Georgieva mori çmime si "Europiania e Vitit" dhe "Komisionerja e Vitit",.

Përpara se t’i bashkohej Komisionit Europian në shkurt të vitit 2010, ajo ka punuar për Bankën Botërore nga viti 1993 deri në vitin 2010 me një përqendrim të fuqishëm në projektet globale mjedisore dhe nismat rajonale në fushat e zhvillimit social dhe mjedisit. Nga viti 2008 deri në vitin 2010, ka qenë Zv.Presidente dhe Sekretare Korporate, ku ka luajtur një rol kyç në reformën e qeverisjes së Bankës Botërore dhe rritjen e kapitalit në prag të krizës ndërkombëtare financiare të vitit 2008. Nga 2007 në 2008, ka mbajtur rolin si Drejtuese për Strategjinë dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, duke patur nënë shqyrtim 60% të operacioneve të kreditimit të Grupit të Bankës Botërore, me fokus në infrastrukturë, zhvillimin urban, bujqësi, mjedis dhe zhvillimin social, përfshirë këtu dhe mbështetjen e vendeve të brishta dhe të prekura nga konflikti.

Kristalina Georgieva zotëron një diplomë të nivelit të dytë në Ekonomi Politike dhe Sociologji, si dhe një Doktoraturë në Shkenca Ekonomike nga Universiteti i Ekonomisë Kombëtare e Botërore në Sofje të Bullgarisë, pranë të cilit mbante edhe pozicionin e Profesoreshës së Asociuar gjatë periudhës 1977-1991. Gjithashtu, ka kryer një sërë hulumtimesh dhe është trajnuar ndër të tjera në London School of Economics, Massachusetts Institute of Technology dhe Harvard Business School. Dosja e saj e publikimeve mbart më tepër se 100 botime, përfshirë dhe një libër mbi Mikro-ekonominë.

Kristalina përtej BE-së: Kandidatura e saj në OKB, reagimet e ndryshme dhe pakënaqësitë

Jo pa meritë dhe duke u mbështetur në tëgjithë eksperiencën dhe aftësitë e saj treguar gjithë këto vite, Georgieva unominua si kandidate në garën për t'u bërë Sekretare e Përgjithshme e OKB-së për vitin 2016. Në fakt ishte e paqartëfillimisht se çfarë ndikimi do të kishte hyrja e Georgievës në një garë që ishte e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme. Moska ishte shprehur shpesh herë se do të preferonte që sekretari i ardhshëm i OKB-së të ishte nga Europa Lindore, ndaj dhe Georgieva kishte fituar një reputacion të mirë si një administratore efektive dhe avokate e çështjeve humanitare të BE-së. Megjithatë, mbetej e pasigurt nëse rusët do të pranonin Georgievan, e cila mban njëkohësisht edhe postin e Nënkryetares së Komisionit Europian, duke qenë kështu një nga aktoret kryesore për zbatimin e sanksioneve të vazhdueshme ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë dhe ndërhyrjen në Ukrainën Lindore. U duk se Rusia nuk ishte dakord për këtë kandidim, ku pati dhe një reagim të ashpër nga Kremlini, kur Angela Merkel loboi te Vladimir Putin në favor të Georgievës gjatë samitit të G20-ës në Kinë.

Në lidhje me këtë çështje, Kryeministri Bullgar, Bojko Borisov pati një tjetër qëndrim,duke u shprehur në agjencinë e lajmeve të Sofjes: "Për shkak të qëndrimeve të ndryshme në OKB do të ishte mirë nëse kandidati do ishte një grua dhe për më tepër nga Europa Lindore. Ne mendojmë se ky është një nominim edhe më i suksesshëm. Ndaj dhe i urojmë fat të mbarë të dyja kandidateve: Irina Bokova dhe Kristalina Georgieva." Në deklaratën e saj, Georgieva ka thënë se ishte shumë e nderuar me vendimin e qeverisë Bullgare për të vënë emrin saj për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Duke marrë shkas nga ky nominim i saji, një hetim gazetaresk gërmoi në të kaluarën e Komisioneres Georgieva. Kur kryeministri bullgar nominoi Georgieva-n për Sekretare të Përgjithshme të OKB-së një javë para se të merrej vendimi përfundimtar, u ngritën pyetje serioze në lidhje me të kaluarën e saj në regjimin komunist të Bullgarisë, si dhe lidhjet e saj familjare të pretenduara me një konglomerat biznesi që diplomatët amerikanë në Sofje e kanë përshkruar si "i pari krim i organizuar në Bullgari". Një ish-oficer i shërbimeve sekrete komuniste, deklaron se Georgieva ka qenë informatore e atyre shërbimeve - një pretendim të cilin ajo e ka mohuar. Edhe pse formalisht emërimet shqyrtohen nga qeveria dhe nuk propozohen njerëz të cilët kanë pasur lidhje me ish-shërbimet sekrete, në rastin e Georgieva-s, vetë Borisov ka thënë se ajo "ka një dosje" - një term i njohur në Bullgari, që i referohet informatorëve të periudhës komuniste ose bashkëpunëtorëve të policisë sekrete.

Më 17 tetor 2016, Instituti i Kërkimeve për Politikë të Jashtme postoi në website-in e vet një artikull të titulluar "Shmanget një gabim i madh në OKB, ku përfshihen pohime rreth Komisioneres Europiane bullgare. Pas hetimit dhe shqyrtimit të mëtejshëm, artikulli u hoq nga faqja e internetit më 25 tetor 2016.

Pakënaqësi nga Komisioni Europian apo/dhe ndjekje pasionesh drejt zhvillimit global ?

Edhe pse gjatë nominimit të emrit të saj për Sekretare të Përgjithshme në OKB, shumë artikuj dhe informacione që e inkriminonin më një të shkuar jo shumë të pastër politike dhe ligjore u bënë publike, përsëri për Georgievën ftesat për të drejtuar institucione me rëndësi nuk munguan. Kristalina Georgieva ka dhënë tashmë dorëheqjen si Zëvendës Presidente e Komisionit Europian për të marrë një post drejtues në Bankën Botërore. Mendohet se arsyeja kryesore se përse Georgieva, ka vendosur të lërë Brukselin është mospajtimi me mënyrën se si institucioni ka trajtuar sfidat e tilla si migrimi, Brexit apo dhe emërimet e larta. Burime të ndryshme nga prestigjozja Politico, bëjnë me dije se bullgarja Georgieva është ndjerë shpesh herë e frustruar nga ndikimi “helmues” i shefit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker. Në veçanti, Georgieva kundërshton metodat e punës së Martin Selmayr, Drejtori i Kabinetit të KE si dhe shefit të saj Juncker, dhe atë çfarë ajo e percepton si një dështim për t'u konsultuar në mënyrën e duhur dhe të përshtatshme për vendime të rëndësishme.Pas Komisionerit të Financave, britanikut Jonathan Hill, i cili dha dorëheqjen pas referendumit të Brexit, ajo është Komisionerja e dytë që ka dhënë dorëheqjen në një hapësirë prej vetëm katër muajsh. Puna në Bankën Botërore mund të shihet si një çmim ngushëllimi për një luftëtare politike e cila është dukshëm më aktive se disa nga kolegët e saj Komisionerë në Bruksel.

Ndërsa burimet e Komisionit shprehen se bullgarja, ka vendosur të qëndrojë në Bruksel deri në fund të dhjetorit, përpara fillimit të postit të saj të ri në Uashington më 2 janar 2017. "Zhvillimi Global është pasioni i saj më i madh, ndaj pas një shqyrtimi të gjatë, vendosi të ndiqte këtë pasion. Kristalina u bë pjesë e Komisionit në vitin 2010 kur vendi i saj kishte nevojë për të, por zhvillimi global mbetet i preferuari i saj "- bëjnë me dije burimet zyrtare nga Komisioni, duke hedhur poshtë idenë se ky veprim ishte i motivuar nga frustrimi me udhëheqjen e Komisionit.

Pozicioni i punës së re të Georgievës do të jetë ai i drejtores ekzekutive të Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Shoqatës për Zhvillim Ndërkombëtar, subjekte këto që fokusohen në kreditimin e vendeve me të ardhura të mesme dhe vendet e varfra. Emërimi i Kristalina Georgievës vijon nga turbullirat në institucion, i cili është përballur me një reagim të ashpër kundër globalizimit nxitur nga shqetësimi se shtetet e pasura dhe perëndimore kanë qenë përfituesit më të mëdhenj të tregtisë së lirë, ndaj duke e emëruar atë, presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim ka theksuar eksperiencën e saj si Komisionere Europiane për Ndihmën Humanitare gjatë viteve 2010-2014, duke u shprehur se: "Kristalina është një udhëheqëse e njohur globalisht me një histori të provuar në përmirësimin e jetës së atyre që janë më në nevojë." Kim shtoi gjithashtu se: "Si Komisionere e Ndihmës Humanitare, Kristalina është e zonja në konceptin e elasticitetit. Menaxhimi i ndihmës për vendet dhe tronditjet globale dhe kërcënimet është në thelbin e përpjekjeve të Grupit të Bankës Botërore për t'i dhënë fund varfërisë dhe për të rritur prosperitetin e përbashkët."

Kristalina Georgieva i ka ngjitur shkallët e karrierës duke u emëruar në pozicione të rëndësishme jo vetëm brenda BE-së dhe Komisionit, por edhe për institucione të tjera më një kuadër më të gjerë veprimi si Banka Botërore apo nominimi në OKB. Në një kohë ku BE përballet me krizën e lidershipit, ku zgjedhjet në vendet e BE-së por edhe në institucionet e saj po afrohen, ku një aktor me rëndësi si Britania e Madhe i tha jo Unionit, largimi i një figure tjetër si Georgieva me rëndësi jo vetëm për menaxhimin e financave dhe buxhetit, por edhe si aktore e rëndësishme në politikë dhe imazhin e BE-së do të ndikojë në të ardhmen e këtij të fundit. Vështirësitë duket se kanë filluar ndërkohë që akoma nuk po gjendet njëzëvendësues i përshtatshëm dhe i denjë për Kristalinën.

                                                                                                                    Stafi i EuroSpeak, tetor 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk