Aktorët kyç të Presidencës Bullgare të Këshillit të BE (janar – qershor 2018)

Aktorët kyç të Presidencës Bullgare të Këshillit të BE (janar – qershor 2018)

Motoja e Presidencës bullgare do të jetë e njëjtë me moton kombëtare të shtetit Bullgar "Bashkimi bën fuqinë", moto e cila është e gdhendur mbi hyrjen e Asamblesë Kombëtare Bullgare. Në programin e saj, i cili gjendet dhe në faqen zyrtare kushtuar Presidencës Bullgare www.eu2018bg.bg, Bullgaria ka vendosur 4 prioritete një ndër të cilat është dhe Ballkani Perëndimor.

1. Perspektiva Europiane e Ballkanit Perëndimor
Ambicia e presidencës bullgare është të arrijë një plan veprimi të qartë me secilin nga vendet e Ballkanit Perëndimor, duke ndjekur hapa konkret. Kjo është mënyra për të pasur paqe, siguri dhe prosperitet afatgjatë në rajon. Qëllimi kryesor është të sigurojë lidhje me vendet e rajonit në disa fusha si në transport, mjedis, energjetikë, edukim dhe në fushën dixhitale.

2. E ardhmja e Europës dhe e të rinjve - rritja ekonomike dhe kohezioni social
E ardhmja e Unionit po vazhdon përpjekjet për kohezionin social. Kjo është arsyeja pse Presidenca Bullgare synon të punojë për një debat aktiv dhe konstruktiv mbi kornizën financiare shumëvjeçare. Kapërcimi i sfidave kërkon burime të shumta financiare, kështu Bullgaria është e bindur se duhet të kërkojë një balancë mes fondeve të reja dhe atyre tashmë ekzistuese, midis instrumenteve financiare dhe granteve.

3. Siguria dhe stabiliteti në një Europë të fortë dhe të bashkuar
Presidenca bullgare pritet të punojë drejt zgjidhjeve afatgjata dhe të drejta në fushën e politikës për azilkërkuesit, politikave efikase për kthimin dhe ripranimin, për një qasje të ekuilibruar ndërmjet masave afatshkurtra dhe afatgjata që synojnë gjetjen e burimit të migrimit, dhe jo vetëm menaxhimin e pasojave të tij. Bullgaria nga ana tjetër do ti japë një rëndësi të madhe sigurisë, e do të përqendrohet në forcimin e kontrolleve kufitare, në shkëmbimin e informacionit midis organeve të ndryshme dhe në parandalim.

4. Ekonomia dixhitale dhe aftësitë për të ardhmen
Fokusi i të gjithë veprimtarisë së presidencës Bullgare do të jenë të rinjtë. Bullgaria shprehet ne faqen e saj zyrtare se është përgjegjëse ndaj tyre dhe se ata janë investimi i përbashkët për të ardhmen; atyre u duhet dhënë mundësia e edukimit dhe zhvillimit. Nxitja e zhvillimit të fëmijëve, modernizimi i sistemeve arsimore dhe kurrikulave europiane, forcimi i përfshirjes sociale përmes mësimit formal dhe joformal - janë disa nga detyrat.

Si udhëheqëse e BE-së këto 6 muaj, Bullgaria do të duhet të menaxhojë axhendën e saj në mënyrë që deri në qershor të bien dakord për një rishikim të të ashtuquajturës Rregullorja e Dublinit, e cila parashikon se vendi i parë ku mbërrin emigranti/ja është edhe vendi përgjegjës për të marrë përsipër procedurat për azil të tij/saj. Kjo është një nga rregullat që është injoruar apo është shkelur më shumë nga vendet anëtare, sidomos ato vende si Italia apo Greqia, që u prekën nga fluksi i refugjatëve dhe e kishin të pamundur të menaxhonin edhe procesin e aplikimeve.

Për të zgjidhur krizën e refugjatëve, Sofja gjithashtu pritet të normalizojë marrëdhëniet me Turqinë, me të cilën Bullgaria ndan një kufi prej 260 kilometrash. Marrëdhëniet janë përkeqësuar në mënyrë dramatike midis bllokut dhe Turqisë që nga dështimi i grushtit të shtetit kundër presidentit Rexhep Tajip Erdogan në vitin 2016. Ankaraja është e pakënaqur me mungesën e interesit për zhvillimin e marrëdhënieve BE-Turqi gjatë presidencës së ardhshme bullgare në krye të Këshillit të BE. Një artikull turk i titulluar "Turqia u injorua", godet dështimin e Borisovit për të vendosur në axhendën e Presidencës bullgare marrëdhënien BE-Turqi.

Po cilët janë aktorët kryesorë që do të kenë rol të rëndësishëm në politikat dhe do të shtyjnë përpara axhendën e Presidencës bullgare?

Boyko Borisov - Kryeministri bullgar

Boyko Borisov mund të ketë CV-në më interesante në tryezën e samitit të BE. Një ish-truprojë dhe mjeshtër i karatesë, Borisov ka shërbyer dy herë si kryeministër. Ai ndryshe nga udhëheqësit e tjerë të BE u shpreh se Europa nuk mund të përballojë një Brexit të vështirë. Sipas Deutche Welle, ai ka mbajtur më parë postin e kryeministrit edhe dy here të tjera, nga 2009 në 2013 dhe nga viti 2014 deri në janar 2017. Ai gjithashtu ka mbajtur postin e kryetarit të bashkisë së Sofjes nga viti 2005 deri në 2009. Borisov ka dhënë dorëheqjen si kryeministër dy herë më parë, një herë në 2013 pas protestave kombëtare kundër varfërisë dhe korrupsionit, dhe përsëri pas zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar. Dorëheqja më e fundit e ish zjarrfikësit dhe dështimi në vijim i partive bullgare për të formuar qeverinë shkaktoi zgjedhjet e treta parlamentare të vendit në vetëm katër vjet. Në mandatin e tij të parë si kryeministër, Borisov tha se shpresonte që Bullgaria të bashkohej me zonën Shengen, ku mund të udhëtohet pa pasaportë në 2011, por kjo ende nuk ka ndodhur. Ndërsa Bullgaria historikisht ka gëzuar lidhje të forta ekonomike dhe kulturore me Moskën, Borisov është një europian entuziast. Pavarësisht dhurimit të një qenushi presidentit rus Vladimir Putin në vitin 2010, Kryeministri ka mbështetur sanksionet e bllokut europian të imponuara ndaj Rusisë mbi rolin e saj në krizën e Ukrainës.

Kryeministri morri nofkën "Batman" për shkak të reputacionit se mund të bënte gjithçka dhe ishte i pamposhtur. Por ai e humbi këtë nofkë para se protestat ta detyronin të jepte dorëheqjen e tij në 2013.

Gjatë viteve komuniste ai ka punuar në Institutin e Ministrisë së Brendshme, ku mbrojti doktoraturën në "Trajnimin Psikologjik dhe Fizik të Operativëve". Borisov në vitet e para të tij ka kaluar disa kohë si zjarrfikës ku dhe ka një diplomë për sigurinë ndaj zjarrit dhe pajisjet e përdorura për fikjen e zjarrit. Gjithashtu, kryeministri ka shërbyer në radhët e policisë, ku ka punuar si lektor në një kolegj policor, por pas largimit nga policia në vitin 1990, themeloi një kompani sigurie ku punoi si truprojë për Mbretin Simeon II të Bullgarisë.

Kryeministri ka bërë histori në fushën e sportit në vitin 2013 kur u bë njeriu më i vjetër për të luajtur futboll profesionist në vend, duke marrë pjesë në klubin Vitosha Bistritsa në moshën 54 vjeçare. Ai është aktualisht një lojtar i regjistruar për klubin.

Përpos futbollit Borisiv ka shkëlqyer edhe në disiplina të tjera sportive. Ai mban një rrip të zi në karate, duke arritur nivelin e 7-të. Së bashku me pjesëmarrjen në garat e karatesë, Borisov ka trajnuar ekipin kombëtar dhe ka organizuar shumë turne, dhe është gjithashtu kryetar i Shoqatës Bullgare të Karatesë. Një pasion tjetër i tij është tenisi dhe cilësohet si ndër më të mirët në Bullgari.

Sfida më e madhe për Borisov, duket se do të jetë zëvendës kryeministri, Valeri Simeonov. Simeonov është një figurë e diskutueshme dhe një anëtar i koalicionit të Patriotëve të Bashkuar, e cila u rendit e treta në zgjedhjet e parakohshme parlamentare marsin e kaluar dhe përkrahu qeverinë e Borisov. Në tetor 2017, Simeonov u shpall fajtor për nxitjen e urrejtjes ndaj komunitetit rom duke i quajtur "arrogantë e kafshë të egra". Nëse është dikush që mund të vendosë në vështirësi qeverinë bullgare gjatë presidencës së saj, është pikërisht Simeonov.

Lilyana Pavlova - Ministre e Presidencës Bullgare e Këshillit të Bashkimit Europian

Lilyana Pavlova gjithashtu është një ndër ministret përgjegjëse për koordinimin e presidencës bullgare dhe mbart një mesazh entuziast pro-BE kudo që shkon. Ajo shprehet se Bullgaria është vërtet e prirur për kompromis sa herë që nevojitet. Pavlova dëshiron marrjen e vendimeve të përbashkëta, qofshin për kontrollin kufitar apo mbrojtjen e BE dhe zbatimin e PESCO-s (marrëveshje e re e BE-së për bashkëpunimin mbi mbrojtjen).

Gjatë ceremonisë zyrtare të marrjes së mandatit bullgar në krye të Këshillit të Bashkimit Europian, zonja Pavlova u shpreh se Bullgaria kishte shumë për të dhënë në Evropë, duke filluar me historinë dhe kulturën e lashtë dhe duke përfunduar me risitë. Ajo theksoi se BE-ja nuk duhet të ndahet në të vegjël dhe të mëdhenj, të pasur dhe të varfër, Lindje dhe Perëndim. “Ne jemi të gatshëm të përmbushim të gjitha sfidat” - tha ajo, dhe u përqendrua në rëndësinë e motos së presidencës bullgare: "Bashkimi bën fuqinë".

Pozicioni i saj nuk është fort i lehtë nëse merret parasysh dhe marrëdhënia që Bullgaria ka me Rusinë dhe ndikimi i kësaj të fundit në këtë vend dhe në rajon. Kështu agjencia ruse ITAR-TASS ka cituar më 1 janar Ministren, Lilyana Pavlova duke thënë se Sofja do të vinte në axhendën e BE çështjen e heqjes së sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.

"Kryeministri Bojko Borisov dhe qeveria bullgare e konsiderojnë të nevojshme të përfshijë çështjen e sanksioneve si një nga prioritetet në axhendën e debatit të ardhshëm. Kjo çështje do të diskutohet në forma të ndryshme për të gjetur zgjidhjen më të mirë dhe për të zgjidhur problemin, " – citon gazeta.
Një deklaratë e tillë tingëllon e habitshme. Si anëtarë të tjerë të BE, Bullgaria nuk është e lumtur për sanksionet e BE kundër Rusisë, pasi i sheh mundësitë e biznesit që u kalojnë vendeve të tjera jashtë BE-së, siç është Serbia. Megjithatë, çdo gjashtë muaj, kur sanksionet rinovoheshin, Bullgaria nuk e përdori asnjëherë të drejtën e saj të vetos që mund të godiste politikën e BE.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministres, e cila tha se ishte e habitur nga interpretimi i ITAR-TASS ndaj deklaratave që ajo kishte bërë në disa media nëntorin e kaluar. Ajo tha se çështja e sanksioneve "u mbyll" gjatë Presidencës estoneze, pasi në samitin e fundit të dhjetorit 2017, krerët e BE vendosën të rishikojnë sanksionet jo më herët se më 30 korrik 2018.

Rumen Radev - President i Bullgarisë

Rumen Radev është një ish-komandant i forcave ajrore dhe pilot i avionëve luftarake, Ai është mbështetur nga Partia Socialiste Bullgare (BSP) e opozitës dhe konkurroi si ‘kandidat de facto i Rusisë’ në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës. Bullgaria ka një histori të gjatë të promovimit të interesave ruse dhe zgjedhja e Radevit duket se shënon një kthim në atë traditë pas presidencës pro-perëndimore të Rosen Plevneliev. Që nga zgjedhja e tij, Radev ka treguar një pavarësisë të habitshme nga mbështetësit e tij dhe në javën e parë të janarit vuri veton ndaj një projektligji kundër korrupsionit që ai e konsideronte se nuk i përmbushte qëllimet e tij.

Presidenti bullgar Rumen Radev ka qenë kritik ndaj Borisov. Në fjalimin e tij të Vitit të Ri, Radev nuk e përmendi fare presidencën bullgare të BE, por tha se 2018 "do të jetë një provë për demokracinë e Bullgarisë".
Radev dhe Borisov janë thellësisht të ndarë në vlerësimin e tyre për demokracinë bullgare. Borisov në përgjithësi është i lumtur me status quo-në dhe sigurisht mbështetet në faktin se kryesimi i Këshillit të Bashkimit Europian do të përmirësojë kritikat nga kundërshtarët politikë ose nga shtypi. Presidenti bullgar ende ushqen shpresat se sistemi gjyqësor mund të reformohet për të qenë në gjendje të kundërshtojë korrupsionin e nivelit të lartë. Ndryshe nga Rumania, ku edhe një ish-kryeministër u dërgua në burg, në Bullgari nuk është dënuar një zyrtar i vetëm i nivelit të lartë për korrupsion.

Ka dy aktore kryesore bullgare që janë të angazhuara në institucionet e BE:

Mariya Gabriel - Komisionere Europiane për Ekonominë Dixhitale dhe Shoqërinë

Mariya Gabriel, ka qenë fillimisht anëtare e Parlamentit Europian qe prej 2009 (ajo ishte një deputete, por me një profil të ulët). Zonja Gabriel jo vetëm mori pozicionin e komisioneres europiane në 2017 nën drejtimin e presidentit të BE-së Juncker por statusi i saj si e preferuara e Partisë Popullore Europiane, e mbrojti atë nga vlerësimet etike dhe politike (edhe pse disa rishikime të performancës së saj në punë nuk ishin të mira). Ajo do të detyrohet të provojë rolin e politikës së saj pas kësaj periudhe 6 mujore ku Bullgaria ka marrë përsipër presidencën e BE).

Sipas faqes zyrtare te Parlamentit Europian, pas zgjedhjes së saj aty për partinë bullgare GERB në 2009, Marija Gabriel u propozua nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, si Drejtuese e Misionit të Vëzhgimit Zgjedhor të BE në Republikën Demokratike të Kongos më 2011. Në 2012 ajo u zgjodh nënkryetare e grave e Partisë Popullore Europiane. Në vitin 2014, Marija Gabriel u bë deputete e Parlamentit Evropian për një mandat të dytë. Që atëherë ajo është Drejtuese e Delegacionit Bullgar dhe zëvendës presidente e Grupit të Partisë Popullore Europiane përgjegjës për marrëdhëniet me vendet e Mesdheut. E lindur në vitin 1979, Marija Gabriel është e vetmja anëtare bullgare e Parlamentit Europian, e cila fitoi dy herë çmimin vjetor të revistës prestigjioze të Parlamentit “Anëtarë të Parlamentit Europian”. Ajo e mori çmimin në vitin 2013 në kategorinë "Barazi gjinore" dhe në vitin 2016 në kategorinë "Zhvillim". Përveç kësaj, ajo ka fituar çmim në Shoqatën Europiane të Agjencive të Komunikimit EACA në vitin 2015 për angazhimin e saj ndaj dhunës ndaj grave dhe barazisë gjinore. Marija Gabriel e ka përkushtuar punën e saj në disa fusha prioritare, si koherenca e politikave të jashtme dhe të brendshme të BE-së, migracioni, politika e vizave të BE-së, marrëdhëniet me Afrikën dhe Lindjen e Mesme dhe të drejtat e grave.

Eva Maydell - Deputete e Parlamentit Europian

Maydell është zgjedhur në Parlamentin Europian para se të mbushë 30 vjeç. Konsiderohet si personi më i përshtatshëm të cilit mund ti drejtohesh për integrimin e Bullgarisë në BE dhe lidhja më e sigurt e Bullgarisë në Bruksel. E respektuar mirë brenda qarqeve të BE, ajo u zgjodh në 2017 kryetare e Lëvizjes Europiane Ndërkombëtare, një shoqatë që mbështet fort idetë federaliste. Maydell përfaqëson një valë të re të bullgarëve kozmopolitanë që shkëputen nga e kaluara komuniste e vendit.

Ajo përfaqëson partinë GERB të Bullgarisë dhe Partinë Popullore Europiane në Parlamentin Europian që nga korriku 2014. Zonja Maydell është anëtare e Komitetit për Tregun e Brendshëm dhe Mbrojtjen e Konsumatorit (IMCO), si dhe delegacionet tregtare në Republikën Popullore të Kinës dhe Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu ajo është përfaqësuesja e vetme bullgare në Komitetin për Çështjet Ekonomike dhe Monetare (ECON).

                                                                                                                     Stafi i EuroSpeak, janar 2018

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk