Ai u nda nga jeta në moshën 87 vjeçare dhe vitet e fundit të jetës i kaloi në gjendje jo të mirë shëndetësore. Kancelari gjerman Helmut Kohl punoi për të krijuar një Europë të bashkuar që do të ishte ekonomikisht dhe politikisht e integruar. Ai ishte kancelar i Gjermanisë Perëndimore 1982-1990. Gjatë 1990 kryesoi integrimin e Gjermanisë Lindore në Gjermaninë Perëndimore duke u bërë kështu kancelari i parë i një Gjermanie të bashkuar që nga viti 1945.
Helmut Josef Michael Kohl u lind më 3 prill 1930 në Ludwigshafen am Rhein, Gjermani. Ai u rrit në një familje katolike konservatore që mbeti besnike ndaj Partisë Katolike të Qendrës pas pushtimit nazist në vitin 1933. Helmut dhe vëllai i tij më i madh u bënë pjesë e Ushtrisë naziste ku dhe u stërvitën, por lufta përfundoi para se Helmut të ishte dërguar në frontin e luftës.
Helmut Kohl ishte i interesuar për jetën politike që në moshë të re, ndaj në moshën 17 vjeçare ai u bashkua me organizatën rinore të Bashkimit Kristian Demokrat. Gjatë kolegjit dhe përmes tij ai vazhdoi të përfshihej në politikë, ku në vitin 1958 ai fitoi një diplomë doktorale në Shkenca Politike nga Universiteti i Heidelbergut. Një vit më vonë, u zgjodh në legjislaturën e shtetit të Rhineland Palatinate. Në vitin 1960, u martua me miken e tij të vjetër Hannelore Renner dhe nga ajo martesë erdhën në jetë dy djem.
Kohli si politikani që bashkoi Gjermaninë dhe Kohli si Kancelar i një Gjermanie të Bashkuar
Në vitin 1969, Helmut Kohl u zgjodh kryeministër i shtetit Rheinland dhe në vitin 1973 u zgjodh kryetar i Partisë Kristian-Demokrate (CDU), duke fituar një reputacion të lartë. Në vitin 1976, Kohl hyri në politikën kombëtare si një kandidat për kancelar të Gjermanisë, por humbi zgjedhjet si dhe kreun e Partisë Social - Demokratike. Ai kandidon në vitin 1983 përsëri për qeverinë, duke fituar dhe duke u shpallur kancelar i Gjermanisë. Qeveria e tij ndoqi një politikë të qendrës që përfshinte shkurtime modeste ndaj shpenzimeve qeveritare dhe mbështetje të fuqishme për angazhimet e Gjermanisë Perëndimore në NATO.
Ai gjithashtu mundësoi vendosjen e një brezi të ri të raketave bërthamore në Europën Perëndimore, ndërsa në anën tjetër hapi rrugë për zhvillimin e negociatave për një kufizim të mundshëm të raketave mesatare amerikane dhe sovjetike me vendet e Paktit të Varshavës. Duke rënë dakord për vendimin ai i lejoi SHBA-së të staciononte armët bërthamore në Gjermani, me qëllim që të sigurohej mbrojtja e Europës Perëndimore. Në vitin 1984, Kohl u takua me Presidentin francez François Mitterrand në Verdun për të përkujtuar viktimat e Luftës së Parë Botërore, ku dhe arritën një marrëveshje historike pajtimi duke hapur rrugën për zhvillimin e një marrëdhënieje të ngushtë politike dhe ekonomike. Fotografia e shtrëngimit të duarve u bë një simbol i miqësisë midis Francës dhe Gjermanisë, e cila vazhdon deri më sot.
Në të njëjtën kohë, Helmut Kohl nisi të fillonte bashkimin e Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore, duke ftuar për bashkëpunim udhëheqësin e Gjermanisë Lindore Erich Honecker. Siç e thekson dhe Britannica në një publikim të sajin, ndërsa Bashkimi Sovjetik hoqi kontrollin mbi Europën Lindore në vitet 1989-1990, Kohl udhëhoqi bashkimin. U nënshkrua një traktat paqeje mes Gjermaninë Lindore dhe në dhjetor të 1990, Kohl u bë kancelari i parë i një Gjermanie të ribashkuar. Kohl luajti një rol të rëndësishëm në unifikimin e Gjermanisë në 1989/1990 si për shkëputjen nga Blloku Sovjetik, ashtu dhe për zgjerimin e BE-së në lindje të kontinentit europian.
Politika e jashtme që ndiqte Kohl duartrokitej nga Gjermanët e më gjerë, por në politikën e brendshme gjërat nuk po shkonin mirë për ekonominë dhe qytetarët Gjermanë. Pakënaqësia e tyre si dhe një recesion i rëndë si rezultat i taksave dhe uljes së shpenzimeve qeveritare në vitet 1992-93 e detyruan partinë e Kohlit të humbasë shumicën në legjislaturë dhe si rezultat Kohl dha dorëheqjen si kreu i partisë së tij.
Formimi i eurozonës dhe rëndësia e Euros për Gjermaninë
Me bindjen se bashkimi monetar ishte vendimtar për Integrimin Europian, Kohl argumentoi kundër opinionit popullor në Gjermani që nuk dëshironin futjen e euros në vend. Këto argumente kundër dhe mbështetja totale për ta bërë euron monedhën zyrtare në Gjermani sollën si pasojë humbjen e zgjedhjeve të vitit 1998 kundër Gerhard Schröder. Udhëheqësit europian kishin arritur një marrëveshje mbi krijimin e eurozonës dhe Kohl si një besimtar i pasionuar për integrimin europian bindi gjermanët të heqin dorë nga deutschmark-ët e tyre të çmuar në favor të monedhës së përbashkët europiane.
Për gjermanët Kohl është mbi të gjitha njeriu që ribashkoi një vend të ndarë nga fuqitë aleate pas Luftës së Dytë Botërore, duke u premtuar njerëzve të "ishullit të ish -komunizmit" një unitet me perëndimin.
Veprimtaria e Kohl pas dorëheqjes, kritikat ndaj Merkel dhe skandali financiar
Pas humbjes në zgjedhje jeta e Helmut Kohlit mori disa kthesa të pafavorshme ku në vitin 2001 u bë pjesë e një skandali që rridhte nga kontributet e paligjshme të fushatës të pranuara nga CDU gjatë udhëheqjes së tij. Po atë vit gruaja e tij vdiq dhe ai u tërhoq nga politika. Kohl u martua me Maike Richter në vitin 2008. Kohl ka vepruar si mentor për kancelaren e tanishme të Gjermanisë, Angela Merkel, duke i dorëzuar postin e saj të parë ministror në vitin 1991 dhe duke iu referuar asaj si vajzën e tij.
Por sipas BBC marrëdhëniet mes të dyve u përkeqësuan kur Merkel u kthye kundër tij pas një skandali financimi të partisë në vitin 1999. Kancelarja Merkel hyri në qeverinë e parë nën sundimin e Kohlit në vitin 1991. Por ajo e denoncoi publikisht atë dhe bëri thirrje për dorëheqjen e tij kur u zbulua se partia kishte marrë donacione të paligjshme me miliona dollarë duke përdorur llogari sekrete bankare. Kohl vazhdoi të shfaqte pikëpamjet e tij dhe ishte kritik ndaj kritikave të politikës pro-shtrënguese të Merkelit në përgjigje të krizës globale financiare ku sipas The Guardian e akuzon se po shkatërronte Europën që ai kishte ndërtuar. Megjithëse me shëndet të dobët, ai kritikoi politikat shtrënguese të Kancelares Angela Merkel gjatë krizës europiane të borxheve dhe në vitin 2016, lëshoi një deklaratë të përbashkët për shtyp me kryeministrin hungarez Viktor Orban duke shprehur dyshime se Europa nuk mund t'i tërheqë apo përthithë refugjatët pafundësisht.
Ndarja nga jeta
Kohl vdiq më 16 qershor 2017, në shtëpinë e tij në Ludviknjë si udhëheqësi që ndihmoi në formimin e unitetit europian siç e njohim sot. Udhëheqësit politikë dhe miqtë nga e gjithë bota morën pjesë në ceremoninë e parë europiane të nderit në Strasburg për t'i dhënë lamtumirën e fundit ish-kancelarit federal të Gjermanisë dhe qytetarit të nderit të Europës, Helmut Kohl.
Duke folur në Parlamentin Europian, presidentët e tre institucioneve të BE-së përkujtuan kontributin e shquar të Helmut Kohl për ribashkimin e Europës. Duke reflektuar angazhimin e Helmut Kohl për marrëdhëniet franko-gjermane, ceremonia u mbyll me fjalime nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel duke bërë thirrje për të vazhduar trashëgiminë e Kohlit.
Stafi i EuroSpeak, qershor 2017