Luigi Soreca – Ambasadori i ri i BE-së në Shqipëri

Luigi Soreca – Ambasadori i ri i BE-së në Shqipëri

Përpara se te caktohej Ambasador i BE- së në Shqipëri, z. Soreca mbante pozicionin e Drejtorit të Sigurisë në DG HOME të Komisionit Europian, ku mbikëqyrte politikat e BE-së në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit, krimit të organizuar, trafikimit të drogës, korrupsionit dhe krimit kibernetik. Ai ka kontribut të veçanti sidomos në fushat që lidhen me sigurinë, migracionin dhe trafikimin, luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës, si dhe rreziqet e lidhura me terrorizmin dhe krimin kibernetik. Ai bashkëpunimin dhe marrëdhëniet me Shqipërinë i ka të hershme ku ka qenë pjesë e grupit të punës për procesin e Liberalizimit të Vizave.

Luigi Soreca, lindur më 11 mars 1965 në Itali ka përfunduar studimet e larta për Drejtësi në Universitetin e Romës L.U.I.S.S me rezultate të shkëlqyera. Që gjatë studimeve të tij ai është spikatur si një personalitet i zellshëm dhe me synime të qarta rreth asaj që në një të ardhme të afërt do të bëhej profesioni i tij.

Ai përveç Italishtes si gjuhë amtare, është një njohës i mirë i Anglishtes dhe Frëngjishtes. Si fillim, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë vazhdoi trajnimin në një zyrë ligjore dhe duke përfituar nga kjo e fundit nisi hapat e para të karrierës së tij në sektorin bankar në Itali e më pas u bë pjesë e administratës në Ministrinë Italiane të Punëve të Brendshme në vitin 1992, kur ishte vetëm 27 vjeç. Gjatë kësaj kohe iu ngarkua si detyrë të negocionte marrëveshje dypalëshe dhe shumëpalëshe me vendet e treta për çështjet e krimit të organizuar në emër të qeverisë Italiane.

Luigi Soreca, shumë shpejt do të fokusonte punën e tij tanimë jo vetëm në nivel kombëtar për shtetin e tij italian, por dhe në nivel europian. Kështu ai në 2001, u bë pjesë e Komisionit Europian. Nga viti 2006 deri në 2013 ai ishte Shefi i "Çështjeve Ndërkombëtare " në DG HOME të Komisionit Europian, e më pas Shef i Sigurisë në po këtë drejtori. Sipas faqes zyrtare të Komisionit Europian, Drejtoria ku ushtronte funksionin e tij gjithashtu ka koordinuar mbështetjen e BE-së për bashkëpunimin në nivel europian dhe ndërkombëtar të zbatimit të ligjit dhe ka mbikëqyrur punën e tre agjencive: EUROPOL, CEPOL (trajnimi policor) dhe EMCCDA (Qendra Europiane e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë prej saj .), duke qenë anëtar i Bordit Drejtues të këtyre tre agjencive.

Gjatë këtij pozicioni, koordinonte nisjen dhe zbatimin e Dialogut të Liberalizimit të Vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Partneritetin Lindor dhe Federatën Ruse. Ai u mor gjithashtu me përgatitjen e hartës së rrugëve për liberalizimin e vizave si dhe u fokusua në arritjen e reformave në drejtësi, krijimin e një rekordi të qëndrueshëm mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke përfshirë trafikimin e drogës dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vendet në fjalë, përfshirë Shqipërinë. Gjatë krizës së migracionit në verën e vitit 2016, ai u emërua i dërguar Special i Komisionit në Itali, për nisjen e procesit të zhvendosjes së refugjatëve dhe azilkërkuesve sipas Vendimit të Këshillit 2015/1523.

Luigi Soreca ishte përfaqësuesi i Komisionit në Grupin "Roma-Lyon" të Zyrtarëve të Lartë G7 që merret me terrorizmin global dhe krimin e organizuar transnacional. Ai gjithashtu negocioi disa marrëveshje ndërkombëtare në emër të BE-së me vendet e treta.

Ka mbikëqyrur punën e Rrjetit të Ndërgjegjësimit të Radikalizimit (RAN) dhe ishte Kryetar i Forumit të Internetit të BE-së, i përbërë nga kompanitë kryesore të medias sociale dhe autoritetet e Shteteve Anëtare të BE-së të përfshira në luftën kundër luftës kibernetike si dhe propagandës on-line.

Ai ka kontribut pasi ishte gjithashtu përgjegjës për miratimin e Direktivës për Drogat e Reja Psikike (NPS), Planin e Veprimit të BE-së për trafikimin e drogës për 2017-2020, si dhe finalizimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me Shqipërinë, lidhur me pjesëmarrjen e saj në Reformën e Drejtësisë.

Luigit, ju besua detyra të koordinonte, përgatiste, adaptonte dhe zbatonte Axhendën e Sigurisë Europiane në prill të 2015. Gjatë akteve terroriste nga 2015 në 2017 në vendet e BE-së ai ishte koordinatori i operacioneve policore kundrejt akteve terroriste ashtu si dhe u kujdes për implementimin e direktivës për Terrorizmin, armët e zjarrit dhe pastrimin e parave si dhe ndërmori iniciativën për krijimin e Qendrës kundër terrorizmit të BE-së në Europol. Në momentin e marrjes së postit të ri këtu në Shqipëri dhe pas publikimit të video-prezantimit të tij nga faqja zyrtare e delegacionit të BE në Shqipëri, ai shprehet se besimi i këtij posti në një moment jetik për Shqipërinë është privilegj dhe se mirëpret bashkëpunimin për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën drejt BE.

                                                                                                                     Stafi i EuroSpeak, shtator 2018

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk