Theresa May, kryeministja që po përballet me Brexit-in

Theresa May, kryeministja që po përballet me Brexit-in

Kush është Theresa May?

Theresa Mary May u lind më 1 tetor 1956 në Eastbourne, Sussex. Babai i saj punonte për Kishën e Anglisë, ndërsa nëna e saj ishte një shtëpiake. Ajo studioi gjeografi në St. Hugh's College, në Universitetin e Oxford-it dhe u diplomua në vitin 1977. Gjatë kësaj kohe ajo takoi bashkëshortin e saj aktual Phillip May dhe të dy u martuan në vitin 1980. Ajo e filloi karrierën e saj në Bankën e Anglisë dhe mbajti postin si Shefe e Njësisë për Çështjet Europiane dhe Këshilltare e Lartë për Çështjet Ndërkombëtare. Theresa ka qenë anëtare e parlamentit që nga viti 1997. Ajo ishte anëtare e “Kabinetit Hije (Shadow)” nga viti 1999 deri në vitin 2010, dhe nga 2002 deri në 2003 ishte kryetarja e parë grua e Partisë Konservatore. Në vitin 2010, ajo u emërua Sekretare e Shtetit për Çështjet e Brendshme, një pozicion që ajo e mbajti për 6 vjet përpara se të bëhej kryeministre në korrik 2016.

“Brexit” dhe Kandidatura e Kryeministres së re May

Për habinë e të gjithë botës dhe pothuajse gjysmës së qytetarëve të saj, Mbretëria e Bashkuar votoi për të dalë nga Bashkimi Europian në qershor të vitit 2016 - një ngjarje që referohet si referendumi ”Brexit”. Pasi kryeministri dhe njëkohësisht kryetari konservator, David Cameron njoftoi dorëheqjen e tij, May shpalli kandidaturën e saj për Partinë Konservatore dhe shpejt doli si kryesuesja e saj. Më pas u bë edhe Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar duke marrë 50% të votave parlamentare mes kandidatëve të tjerë. Sipas EURACTIV, më 29 maj 2017, kryeministrja May zyrtarisht deklaroi përballë parlamentit britanik se ajo kishte përdorur nenin 50 të Traktatit të Lisbonës - nen që parashikon daljen e një vendi anëtar nga BE, duke nxitur kështu procesin ligjor për të vënë në lëvizje atë që do të njihej si Brexit – dalja e ishullit britanik nga BE. ”Ky është një moment historik nga i cili nuk mund të kthehesh prapa. Britania po largohet nga Bashkimi Europian” - u shpreh ajo - “Ne do të marrim vendimet tona... Ne do të marrim kontrollin e gjërave që kanë rëndësi për ne dhe do ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të ndërtuar një Britani më të fortë dhe më të drejtë - një vend ku fëmijët dhe nipërit tanë të jenë krenarë ta quajnë shtëpi.

Pak kohë më pas, më 8 qershor 2017, zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme (të kërkuara nga May sepse donte parlamentarë të rinj të votuar rishtas, pas dorëheqjes së Cameron) rezultuan në humbjen e shumicës parlamentare të Partisë Konservatore. Në nëntor, kryeministrja u përball me dorëheqjen e dy ministrave të kabinetit - Sekretarit të Shtetit për Zhvillimin Ndërkombëtar, Priti Patel dhe Sekretarit të Shtetit për Mbrojtjen, Sir Michael Fallon.

Marrëveshja e Brexit dhe humbja historike

Marrëveshja për ndarjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian parashikonte një fazë tranzitore deri në fund të vitit 2020. Gjatë kësaj periudhe Mbretëria e Bashkuar do të vazhdonte të kishte qasje në tregun e brendshëm të BE-së dhe nuk do të kishte dogana shtesë. “Marrëveshja e respekton rezultatin e referendumit dhe paraqet një bazë të mirë për një fillim të ri dhe për pajtim”, shprehej kryeministria Theresa May, - “Marrëveshja është në interesin e kombit, si për kundërshtarët ashtu edhe për ata që mbështesin Brexit-in”. May luajti një rol kyç në negociatat me Bashkimin Europian, për marrëveshjen post-Brexit dhe u përpos shumë të bindte parlamentarët britanikë për ta votuar atë.

Më 15 janar 2019, vetëm 10 javë përpara se Mbretëria e Bashkuar të ishte planifikuar të largohej nga blloku europian, May pësoi një humbje historike në Parlament, ku ligjvënësit e hodhën poshtë marrëveshjen e propozuar të Brexit. Pa rrugë të qartë për zgjidhjen e çështjes, Kreu i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn deklaroi se ai po propozonte një mocion mosbesimi për qeverinë e May-it, shkruan britanikja The Guardian. Kryeministrja e Britanisë, Theresa May i mbijetoi kësaj vote mosbesimi në parlament, të mërkurën e 16 janarit 2019. Me 325 vota pro saj dhe 306 kundër, ajo do të vazhdojë punën për arritjen e një konsensusi mes ligjvënësve për ‘marrëveshjen Brexit’.

Konservatorët dhe deputetët e Partisë Demokratike Unioniste (parti kjo që mbështet idenë që Irlanda t’i bashkohen Britanisë së Madhe) janë të pakënaqur me kryeministren May pasi ndonëse është zotuar të punojë me politikanë në të dyja krahët për të gjetur një kompromis që do të shmangte shkëputjen e pakontrolluar, ka deklaruar nga ana tjetër se nuk do të tërhiqet nga marrëveshja që është arritur me BE-në. Gjatë një debati që zgjati gjashtë orë, Jeremy Corbyn tha se administrata e May-t e ka humbur të drejtën për të qeverisur. Partia e tij nuk e ka përjashtuar mundësinë që të bëjë kërkesa të tjera për votë mosbesimi.

Ana tjetër e saj - Jeta personale

Theresa, pavarësisht karrierës së saj të suksesshme duket se nuk ka pasur jetë aq të thjeshtë. Kur Theresa ishte vetëm 25 vjeç ajo humbi të dy prindërit e saj, i ati i saj vdiq si pasojë e një aksidenti me makinë, ndërsa e ëma e cila vuante nga skleroza vdiq pak muaj më vonë në të njëjtin vit. Theresa shquhet si mbështetëse e fortë ndaj feminizmit dhe gjatë fushatës së saj elektorale bënte thirrje politike për pagesë të barabartë në punë dhe leje prindërore si për meshkujt dhe femrat. Ajo është Sekretarja e Brendshme që ka qëndruar më gjatë se çdokush tjetër në këtë post në 100 vitet e fundit dhe si e tillë gjatë gjithë kësaj kohe përforcoi ligjin për dhunën në familje duke i ulur rëndësinë mos-kontrollit emocional si një arsye e burrave për t’ju shmangur akuzave kundër sulmeve fizike.

Ajo njihet për reputacionin e saj jo mjaft pozitiv si “natyrë kontrolluese” dhe si një person i drejtpërdrejtë që nuk i kursen mendimet e saj. Madje ish-ministri i Kabinetit e cilëson Theresa-n si një grua “jashtëzakonisht të vështirë” për shkak të karakterit të saj këmbëngulës dhe të palëkundur. Miqtë e saj më të mirë shprehen se Theresa pëlqen ti thyejë rregullat në çdo aspekt të mundshëm dhe këtë mesazh kërkon ta përcjellë në mënyrën se si vishet në daljet e saj publike. Këpucët e saj prej leopardi apo paraqitja në një revistë, e veshur me pantallona lëkure që kushtonin 995£, të krijojnë përshtypjen e një femre të guximshme e cila nuk shqetësohet nga polemikat dhe reagimet e mediave.

Ajo e urren të intervistohet lidhur me jetën e saj private dhe atëherë kur është e detyruar të përgjigjet mundohet të jetë e rezervuar, ashtu si dhe bashkëshorti i saj. Ata janë njohur në një party të studentëve të Oksfordit, pasi u prezantuan nga një mike e përbashkët e cila më vonë u bë Kryeministre e Pakistanit sipas BCC. Çifti nuk mundi të kishte fëmijë pavarësisht përpjekjeve të shumta, gjë mbi të cilën ajo është shprehur shumë rrallë. Lidhur me ushqimin e saj të preferuar, Theresa përshkruan një tas me patate të skuqura crispy si ”kënaqësinë e saj më të madhe dhe pse të gabuar”, shije e cila nuk është aspak unike në historinë e politikës së Mbretërisë së Bashkuar; të njëjtë e ka edhe David Cameron dhe Princ Charles. Hobi i saj përfshin ecjen në zonat e Uellsit dhe Zvicrës. Në 2013 ajo është diagnostikuar me Diabet të tipit 1 ku fatkeqësisht është e detyruar të gjejë kohën që të injektojë insulinë dy herë në ditë pavarësisht angazhimeve dhe intensitetit të saj në punë. Ajo njihet si kryetarja e vetme e cila e ka treguar këtë gjë publikisht.

***

Sipas ligjit, 29 marsi i 2019 shënon ditën kur Mbretëria e Bashkuar largohet zyrtarisht nga BE, pavarësisht nëse do të arrihet një marrëveshje mes palëve apo jo. Theresa May, si kryeministrja e vendit që po e ndjek procesin e largimit nga BE nuk do e ketë aspak të lehtë. Nga njëra anë ajo është përballë pakënaqësive të përfaqësuesve të parlamentit britanik të cilët nuk e miratuan marrëveshjen e arritur me BE dhe ndërkohë kërkojnë shtyrjen e afatit apo rinegocimin e marrëveshjes; nga ana tjetër BE vazhdon të jetë e vendosur për mos ndryshimin e kësaj marrëveshjeje dhe nuk duket se do të pranojë rihapjen e negociatave. Në këtë situatë të pasigurt për vendin, Theresa May duhet të sigurojë një dalje sa më të lehtë për MB, me një marrëveshje që duhet t’i kënaqë të gjitha palët, ndërkohë që 29 marsi po afrohet me shpejtësi.

                                                                                                                      Stafi i EuroSpeak, janar 2019

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk