Eurogrupi është një organ joformal në të cilin ministrat e financave dhe ekonomisë nga vendet anëtare të eurozonës diskutojnë çështjet që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e përbashkëta të vendeve të tyre në lidhje me monedhën e përbashkët Euro. Eurogrup u krijua me kërkesë të Francës si një forum për bashkërendimin e politikave dhe konsultimeve për çështjet e eurozonës, miratuar nga Këshilli Europian në dhjetor 1997. Mario Centeno, do të zëvendësojë në këtë post Jeroen Dijsselbloem, ish-Ministër i Financave të Holandës. Anëtarët e Eurogrupit zgjedhin presidentin për një mandat prej dy vjet e gjysmë me një shumicë të thjeshtë votash. Nëse presidenti pengohet apo nuk mundet të përmbushë detyrat e tij ose të saj, ai/ajo zëvendësohet nga ministri i financave i vendit që mban presidencën e Këshillit të BE-së. Nëse vendi kryesues nuk është anëtar i zonës së euros, ministri i financave i vendit të ardhshëm të eurozonës do të marrë përsipër presidencën e Këshillit.
Ministrat e financave nga Letonia, Luksemburgu, Sllovakia dhe Portugalia hodhën kandidaturat e tyre në nëntor 2017, dhe 19 ministrat e Eurogrupit votuan në një sesion të mbyllur, ku një nga kandidatët duhet të siguronte të paktën dhjetë vota për tu shpallur fitues. Ky post është një nga më të rëndësishmit në Bashkimin Europian, i ngarkuar me udhëheqjen e politikës ekonomike përballë përplasjeve të opinioneve dhe ndërhyrjeve. Për më tepër, presidenti i Eurogrupit është një nga postet më të larta të Europës, me mbajtësin që konsiderohet si një nga "pesë presidentët" e BE-së së bashku me kreun e Komisionit, Këshillit, Parlamentit Europian, si dhe shefin e Bankës Qendrore Europiane.
Centeno fitoi zgjedhjet me shumicë të cilësuar, por Këshilli tha se votimi përfundimtar nuk do të bëhet publik. Dana Reizniece-Ozola e Letonisë e tërhoqi kandidaturën e saj pas raundit të parë. Ndërsa sesioni tjetër i votimit ishte gati të fillonte, Gramegna i Luksemburgut papritmas bëri thirrje për ndërprerje në mënyrë që diskutimet të mund të mbaheshin përpara raundit të dytë. Ministrat u tërhoqën për një pushim 25-minutësh. Pasi u rimblodhën, Peter Kažimír i Sllovakisë njoftoi se do të tërhiqet nga gara pa shpjegime - duke lënë Gramegna dhe Centeno si dy konkurrentët përfundimtarë për pozitën e lakmuar, -shkruan EurActiv.
Centeno doli fitimtar në votimin përfundimtar. Këshilli njoftoi fitimin e Centeno pas dy raundeve të votimit. Gjithsesi, Pierre Gramegna u ankua për marrëveshje të fshehta ku sipas tij, Centeno ishte favorizuar nga një marrëveshje joformale midis presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel gjatë një diskutimi dytësor në një samit në Afrikë.
Sipas Politico, dy do të jenë detyrat kryesore me të cilat do të përballet presidenti i ri i Eurogroupit:
1. Greqia i afrohet përfundimit të programit të saj të shpëtimit prej 86 miliard € vitin e ardhshëm. Kreu i ri i Eurogrupit do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e daljes së Greqisë nga ky program shpëtimi, ndërkohë që do të zhvillojë bisedime mbi lehtësimin e borxheve për të përmbushur kërkesat e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
2. Centeno gjithashtu do të ketë punën e ndërlikuar të zhvillimit të një strategjie të përbashkët për reformën e ardhshme të qeverisjes së Eurozonës, si ristrukturimi i ndihmës financiare të BE-së dhe mundësinë e krijimit të një buxheti të ri për bllokun e monedhës së përbashkët.
Ekonomisti dhe politikani, Mario Centeno - Kryetari më i ri i EuroGrupit
Mário José Gomes de Freitas Centeno, lindur më 9 dhjetor 1966 është një akademik ekonomist, dhe politikan portugez. Centeno u diplomua në ekonomi nga ISEG-Technical University of Lisbon në vitin 1990 dhe ka dy diploma Masteri - i pari në Matematikë të Aplikuar, nga ISEG-UTL në 1993, i dyti në Ekonomi, nga Universiteti i Harvardit në 1998. Dy vite më vonë po në Harvard ai mori dhe titullin doktor në Ekonomi. Gjatë kohës që ishte student në ISEG ai njihet dhe martohet më bashkëshorten e tij dhe sot ai ka tre fëmijë. Gjithashtu, Centeno ka luajtur rugby për fakultetin e ekonomisë dhe njihet si një tifoz i futbollit që mbështet klubin e Lisbonës Benfica. Si një ekspert për çështjet e tregut të punës, Centeno u bashkua me Banco de Portugal në vitin 2000, ku punoi si ekonomist deri në vitin 2004. Ai ishte dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Shoqatës Europiane të Ekonomistëve të Punës (EALE) nga 2003 në 2005. Më vonë angazhimet e tij ishin më shumë në kuadër europian, ku nga 2004 në 2013 ai punoi si ndihmës drejtor i Departamentit të Ekonomisë së Bankës Qendrore Europiane (BQE). Gjatë kësaj periudhe ai ka qenë dhe anëtar i Komitetit të Politikave Ekonomike të Komisionit Europian. Për 6 vite rresht deri në 2013, ai ka drejtuar grupin e punës së Zhvillimit të Statistikave të Makroekonomisë në qeverinë portugeze.
Prej vitit 2014, rikthehet në Universitetin e Lisbonës tanimë jo si student, por si profesor, dhe vazhdon angazhimet e tij pranë Bankës Qendrore Europiane si konsulent. I panjohur për opinionin publik në kohën kur ai hyri në qeveri, edhe pse koordinoi programin ekonomik socialist para zgjedhjeve elektorale në Portugali në 2015, ekonomisti Centeno kishte një reputacion si mbështetësi i liberalizmit ekonomik në qarqet akademike për shkak të pozicioneve të tij në favor të një fleksibiliteti më të madh të tregut të punës. Ai është autor dhe bashkëautor i disa botimeve shkencore dhe librave që lidhen me fushat e tij të interesit, siç është Ekonomia e Punës, Ekonometria, Mikroekonomia dhe Teoria e Kontratës.
Që nga marrja e detyrës si ministër i Financave në qeverinë socialiste portugeze, Centeno iu angazhua më shumë karrierës politike, duke miratuar politika që përmbysin disa politika shtrënguese nga kriza e borxheve, si rritja e pensioneve dhe pagave publike për të rritur të ardhurat e disponueshme të ekonomive familjare, por duke insistuar që rregullat e buxhetit europian duhet të respektohen. Në fillim të mandatit të tij, ai i kërkoi BE të tregojë nivelin aktual të ekonomisë portugeze, pasi vendi pati deficitin fiskal më të ulët në më shumë se 40 vjet dhe për të hequr Portugalinë nga grupi i vendeve që kanë shkelur Paktin Europian Fiskal. Si ministër i Financave ai ka qenë dhe pjesë e Eurogrupit, ku karakteristike është që gjatë takimit të parë të Eurogrupit për të, ai mbante dhe një shall të kombëtares Portugeze të futbollit pasi vendi i tij fitoi kampionatin europian në 2016.
Deri në fund të vitit 2017, sondazhet e opinionit kombëtar vendosën Centenon si ministrin më të njohur dhe më të pëlqyer nga votuesit. Centeno mban edhe disa tituj ku më të rëndësishmit janë: Çmimi “Ekonomist i ri” i Shoqatës Ekonomike Europiane (EEA) në 2001 si dhe Çmimi i Bashkimit Europian për Meritë Shkencore nga IZA në 2006, një organizatë jo fitimprurëse, e cila drejton rrjetin më të madh të kërkimit shkencor në botë duke përfshirë më shumë se 1,300 punonjës ndërkombëtarë të hulumtimit.
Pasi të marrë përsipër detyrën e kryetarit të Eurogrupit më 13 janar 2018, Centeno do të jetë mbajtësi i parë i postit nga Europa Jugore dhe i pari nga një prej vendeve të cilët morën ndihmë financiare nga BE për të dalë nga kriza e euros. Kjo arritje e ekonomistit 50-vjeçar vjen si rezultat i vendosjes së Portugalisë në rendin e saj normal ekonomik, plotësisht meritë e tij. Gjithashtu nën drejtimin e Centeno, papunësia në Portugali është përgjysmuar që nga kulmi i saj në vitin 2013 me 8.5% e sot ndodhet nën mesataren e eurozonës. Rritja ekonomike parashikohet me 2.6 % gjatë drejtimit të tij, krahasuar me 0.9% në 2014 kur vendi filloi të dilte nga recesioni. Arritje tjetër e suksesshme është dhe fakti që në maj 2017, Komisioni Europian e hoqi Portugalinë nga lista e zezë e vendeve me deficitit buxhetor për herë të parë që nga viti 2009.
Stafi i EuroSpeak, dhjetor 2017