E ardhmja e Francës, në duart e Macron apo Le Pen?

E ardhmja e Francës, në duart e Macron apo Le Pen?


Emmanuele Macron, e vetmja shpresë e Francës Europiane?

I lindur në Amiens, Emmanuel Jean-Michel Frédéric Macron është djali i Françoise (Noguès), fizikant, dhe Jean-Michel Macron, profesor i Neurologjisë në Universitetin e Pikardi. Edukimin fillor e mori më së shumti në vendlindjen e tij në Liceun Jésuites de la Providence, dhe më pas u zhvendos në Paris ku mbaroi dhe vitin e fundit në Licun Henri IV. Në studimet universitare u diplomua për Filozofi në Universitetin e Parisit “Quest Nanterre La Defense”. Më pas u diplomua në Master pranë Universitetit “Sciences PO”, përpara trajnimit për shërbimin publik në “Ecole Nationale D’administration”, e cila mbahet si një nga shkollat elitë në Francë nga bankat e të cilës kanë dalë tre presidentë të mëparshëm.Një detaj interesant nga jeta e tij personale ka të bëjë me faktin që ai është i martuar me ish mësuesen e tij të shkollës së mesmë Brigitte Trogneux plot 24 vite më të madhe, pas një historie dashurie shumëvjeçare.


pp-eu-macron-gettyNga viti 2004 në 2008 ai punoi si Inspektor i Financave në Ministrinë e Ekonomisë. Ndërkohë që në 2007 shërbeu si reporter i Komisionit Europian për të përmirësuar rritjen ekonomike të Francës, me në krye Jacques Attali. Në 2008 për të ndërprerë marrëdhënien e punës me qeverinë, ai pagoi rreth 50,000 € dhe u punësua si bankier në një pozicion të mirë paguar pranë Rothschild & Cie Banque.
Karrierën politike Macron e filloi te Partia Socialiste, ku ishte anëtar nga 2006 deri në 2009. Në 2015 ai deklaroi që nuk do të ishte më pjesë e asaj parie dhe se do të dilte i pavarur. Nga 2012-2014 punoi në stafin e Presidentit Hollande, ndërsa, më 26 gusht 2014 ai u emërua Ministër i Ekonomisë dhe Financës.

Hyrja e Macron në garën presidenciale ishte e papritur në kuptimin që e shkuara e tij politike nuk është aq e pasur, pa eksperiencë në menaxhimin e një fushate elektorale dhe pa ndonjë emër të madh në jetën politike franceze, Macron në fillim u pa me skepticizëm nga analistët dhe klasa e lartë politike e Francës, por sot ai konsiderohet kandidati kryesor për tu zgjedhur president i ardhshëm.

Pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve, i mbajtur më 21 prill, Macron doli fitues me 24.01% të votave, i ndjekur nga Marine Le Pen me 21.3%. Me 7 maj do të mbahet dhe raundi final mes të dyve nga të cilët do të zgjidhet dhe presidenti i ri i Francës.  Pavarësisht faktit që Le Pen me votat e marra ka kaluar cdo pritshmëri, shumë mendojnë që Macron do të jetë fituesi por kjo akoma mbetet për tu parë. Ajo çka vlen të theksohet është që Macron të paktën po shfaq vlera diametralikisht të kundërta me kundërshtaren e tij, Le Pen. Një i ri ambicioz, që nuk dëshiron të krijojë tensione brenda Francës duke bërë “hatespeech” për muslimanët apo emigrantët, si dhe më e rëndësishmja, PRO EUROPIAN. Të paktën Franca e ka akoma një shpresë.

Marine Le Pen, e urryera e Europës?
GettyImages-607525444-1-1160x772Marine Le Pen, e lindur më 5 gusht 1968, është një avokate dhe politikane franceze. Ajo është vajza më e re e Jean Marie Le Pen, një politikan francez nga Breton dhe ish-ushtarak, e lindur nga martesa e tij e parë me Pierrette Lalanne. Dijet e para i mori ne bankat e Liceut Florent Schmitt dhe më pas vazhdoi studimet për drejtësi në universitetin Pantheon-Assas në të cilin u diplomua në Master Ligji në 1991 dhe një vit më vonë Master të Avancuar në të Drejtën Penale.
Le Pen është nëna e tre fëmijëve, Jehanne, Louis, dhe Mathilde, të cilët i ka nga martesa e parë me Franck Chauffroy, me të cilin u divorcua në vitin 2000. Pas kësaj martese ka patur dhe dy lidhje të tjera dhe ajo cka është më interesante është fakti që të dy partenerët kanë qënë Sekretarë të Përgjithshëm të Partisë Fronti Nacional.

Pas përfundimit të shkollimit, nga viti 1992-98 ajo ushtroi profesionin e avokatit të lirë. Më pas, iu bashkua Departamentit Ligjor të Partisë së Frontit Kombëtar. Kjo forcë politike nuk ishte një risi për Le Pen pasi ajo ishte anëtare e saj që nga viti 1986 si dhe lideri historik i saj ishte as më pak e as më shumë babai i saj, Jean Marie Le Pen. Deri në 2003 ajo punoi pranë Departamentit Ligjor dhe më pas u emërua si zëvendës presidente e parties, ndërsa në 2006 ajo u angazhua me menaxhimin e fushatës së babait të saj si kandidat për president.

Në 2010 ajo vendosi që të kandidonte si kryetare e partisë, kandidaturë e cila u përkrah nga shumica e drejtuesve ekzekutiv të partisë dhe sigurisht mbështetës të babait të saj. Në janar të 2011-ës ajo u shpall fituese përballë Bruno Gollnisch dhe u emërua kryetare e Frontit Nacional.  Strategjia që ajo ndoqi që në fillim ishte gjuha e saj e fortë ndaj komunitetit musliman në Francë dhe fakti që ata po pushtonin territorin e Francës gjë e cila sipas saj ishte e papranueshme. Kjo në të vërtetë rriti popullaritetin e saj mes atyre francezëve nacionalistë dhe atyre që nuk besonin në vlerat e përbashkëta të njerëzimit.

Por dalja e saj e parë në politikën e “vërtetë”, ishte kur ajo shpalli kandidaturën për presidencën e vitit 2012. Nga 9 kandidatë në raundin e parë ajo u rendit e treta me afërsisht 17% të votave pas presidentit aktual Hollande dhe ish presidentit Nikola Sarkozy. Mbase arritja e saj më e madhe ishte fitorja e partisë së saj në zgjedhjet Europiane në Francë, gjë që i mundësoi Frontit Nacional të përfaqësohej në Parlamentin Europian me 25 eurodeputëtë.

Tani në 2017, ajo është përsëri kandidate për zgjedhjet presidenciale dhe mesa duket këtë radhë mundësitë që ajo të zgjidhet dhe pse të pakta, ekzistojnë. Sulmet terroriste që nga 2015 e mbrapa kanë ndikuar në rritjen e popullaritetit të saj dhe vijimi i politikës së saj anti-muslimane po funksionon. Këtë e tregojnë dhe rezultatet paraprake të zgjedhjeve. Në raundin e parë të mbajtur më 21 prill Le Pen mori 21% të votave duke u renditur pas Macron.

Le Pen përfaqëson anti-globalizimin, anti-imigracionin dhe anti-BE-në në këto zgjedhje. Nëse ajo fiton zgjedhjet, ajo do të këmbëngulë për "kthimin e sovranitetit të plotë kombëtar, duke përfshirë pavarësinë monetare, autonominë fiskale dhe financiare. Le Pen dëshiron të kufizojë në mënyrë drastike imigracionin, të ulë moshën e pensionit, të mbyllë xhamitë ekstremiste dhe ta bëjë më të vështirë punësimin e të huajve. Fitorja e saj do të vendosë Bashkimin Europian, së bashku me euron, në një pozitë të pasigurtë. Franca është një anëtare themeluese e BE-së dhe dalja e mundshme e vendit, "Frexit" ka aftësinë për të çmontuar të gjithë bashkimin. Kjo do të kishte një ndikim masiv global në marrëdhëniet tregtare, ekonomi, udhëtimin e lirë dhe më shumë.

Fillon, humbësi i madh?

Fransua Fillon u lind më 4 Mars 1954 në Le Mans dhe është djali i madh i Michel Fillon, noter, si dhe Annes Soulet Fillon, një historiane e famshme me origjinë baske. Shkollën e mesme ai e përfundoi në 1972 ku më pas vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Maine ku dhe u diplomua në të Drejtë Publike në 1976. Më pas bëri dhe një Master të Avancuar po në të Drejtën Publike në Universitetin Deskart të Parisit.
Në skenën e politikës së “vërtetë” ai hyri në 1993 kur u emërua Ministër i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, deri më 1995. Për 10 vjet ai mbajti postin e Ministrit dhe në ministri të tjera si ato të Teknologjisë, Telekomunikacionit dhe të Punës. Ndërsa në 2007 nën qeverisjen e Nikola Sarkozy ai u emërua Kryeministër, post të cilin e mbajti deri në 2012.

francoi fillonVeç këtyre pozicioneve, Fillon ka mbajtur dhe poste të tjera publike si në Asamblenë e Përgjithshme të Francës, në Senat si dhe në Këshillat Bashkiakë, Rajonalë dhe Qendrorë. Për zgjedhjet e përgjithshme presidenciale të 2017-ës, ai vendosi që të garonte brenda Partisë Republikane, garë të cilën ai e fitoi duke lënë pas kolegët e tij të parties, Alain Juppe dhe Sarkozy.

Që nga momenti që hyri në garë ai u pa si një nga kandidatët pretendentë për tu shpallur Presidenti i ardhshëm i Francës duke patur parasysh dhe figurat që kishte përballë si, Macron, i cili shikohej si një amator përpara eksperiencës së Fillon, apo dhe Le Pen që nuk të linte përshtypjen që mund të garonte denjësisht përballë një figure si Fillon.
François Fillon dëshironte të shkurtonte në mënyrë drastike sektorin publik të Francës (që punëson më shumë se 5 milion njerëz), të hiqte taksën e pasurisë dhe kërkonte që prindërit të binin dakort për një kontratë përgjegjësie prindërore, për të trajtuar mungesën ose sjelljen e fëmijëve që nuk respektojnë vlerat e Republikën Franceze.

Por çdo gjë ndryshoi në fillim të janarit kur bashkëshortja e Fillon u përfshi në një skandal financiar ku flitej për një shumë që arrinte deri në 1 milion euro. Që nga ai moment sondazhet presidenciale tregonin një rënie të dukshme të Fillon. Kjo situatë u reflektua dhe në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ku Fillon u rendit në vendi të tretë pas Macron dhe Le Pen duke u bërë kështu “dështimi i madh”…

Raundi 2- Macron apo Le Pen?

Pas një raundi të parë me jo pak surpriza, më 7 maj pritet të mbahet raundi i dytë dhe kanë filluar të bëhen llogaritë se ku mund të shkojnë votat e kandidatëve të humbur, Melenchon, Hamon apo Fillon, votat e të cilëve mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti në rezultatin final.  Menjëherë pas raundit të parë, Fransua Fillon ishte ai që doli në një deklaratë për shtyp dhe deklaroi që vota e tij do të shkonte për Macron dhe që udhëzonte çdo votues të tijin të bënte të njëjtën gjë. Por mënyra se si ai u shpreh kur tha që “Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përveçse të votohet kundër të djathtës ekstreme, ndaj unë do të votoj për Macron”, të lë të kuptosh që ai mbase po zgjedh të keqen më të mirë që është Macron në vend të Le Pen…

Por nga ana tjetër Macron nuk ka mbështetjen e Melenchon i cili pas raundit të parë ka kritikuar Macron dhe nga kjo situatë ka kërkuar të përfitojë Le Pen, e cila ka kërkuar votat e marra nga Melenchon nga raundi i parë. Sondazhet e ditëve të fundit tregojnë që Macron qëndron me 15-20% më shumë sesa Le Pen, pra marzhi lëviz nga 55% me 45% dhe 60% me 40%. Por Macron në një dalje të tij të fundit e ka bërë të qartë që ai nuk ka ndër mend të marrë asgjë si të mirëqenë dhe pret ditën e zgjedhjeve për të parë sesi do të rrjedhin gjërat.

Një analizë e ditëve të fundit e bërë nga “Ifop” në Francë, tregon sesi do të rrjedhin votat nga humbësit e raundit të parë. Mendohet që 49% e votuesve të Melenchon raundin e dytë do të votojnë për Macron, 36% abstenim dhe vetëm 15% për Le Pen. Votuesit e Hamon 80% do të shkojnë me Macron, 19% abstenim dhe vetëm 1% mund të shkojë me Le Pen. Ndërsa votuesit e Fillon, 41% do të shkojnë me Macron, 30% do të abstenojnë dhe 29% do të shkojnë me Le Pen. Nëse ka diçka që politika moderne dashuron është të qënit irracionale, prandaj çdo supozim është i tepert ndonjëherë, por mesa duket Macron është më afër Elysee Palace.

                                                                                                                      Stafi i EuroSpeak, prill 2017

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk