Pikërisht në këtë kontekst Lëvizja Europiane në Shqipëri ka realizuar një intervistë me Isabel Santos, eurodeputetja portugeze që është njëkohësisht raportuese për Shqipërinë në Parlamentin Europian.
Isabel Santos është pjesë e Aleancës Progresiste Social Demokrate (SDS) në Parlamentin Europian, pjesë e Partisë Socialiste portugeze, koordinatore për Portugalinë, që prej vitit 2019. Fillesat e Santos në arenën politike datojnë që në vitin 2005, si anëtare (deputete) e Asamblesë së Republikës Portugeze, detyrë të cilën e ka mbajtur në legjislaturën e X, XII dhe XIII. Partia Socialiste, partia në të cilën Santos aderon është njëra nga dy partitë më të mëdha në arenën politike të vendit. Ndryshe nga rivalët e tyre, Partia Socialiste është një parti pro-europiane dhe pro zgjerimit europian.
Që prej vitit 2019 ajo është pjesë e Komitetit për Punët e Jashtme, Komitetit për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme, dhe Nënkomitetit për të Drejtat e Njeriut në Parlamentin Europian. Që në tetor të po këtij viti ajo shërben si Raportuese e Parlamentit Europian për Shqipërinë. Raportuesit e Parlamentit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor janë përgjegjës për hartimin e raporteve vjetore, instrument ky nëpërmjet të cilit Bashkimi Europian tregon interes për vendet kandidate, monitoron ecurinë e tyre drejt integrimit në union, si edhe jep rekomandime për përmirësime të nevojshme.
Santos, jo vetëm nën petkun e Raportueses për Shqipërinë, ka qenë mbështetëse e procesit të integrimit europian të vendit tonë, po ashtu edhe të zhvillimit e përparimit. Për Santos hapja e bisedimeve për negociatat në mars 2020 nga Këshilli, ishte një vendim i merituar për Shqipërinë si vazhdë e vullnetit të dëshmuar të Shqipërisë me çuarjen përpara të disa proceseve thelbësore e reformuese për zhvillimin e vendit dhe konsolidimin e rrugës drejt BE-së. Për Santos, shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në Bashkimin Europian.
E gjendur në këtë pozicion si raportuese për Shqipërinë në PE në një kohë kur vendi i saj mban Presidencën e Këshillit, roli dhe figura e Santos është me interes për aktorët shqiptarë të lidhur drejtpërdrejt me procesin e integrimit por edhe për qytetarët shqiptarë, shumica e të cilëve e vlerësojnë integrimin në BE si projektin dhe aspiratën më të madhe të vendit. Intervista që zhvilluam me Santos u fokusua të analizojë dy kahet e procesit: rrugëtimin dhe përgjegjësitë e Shqipërisë për anëtarësimin në BE, si dhe rolin dhe qëndrimet e Parlamentit Europian dhe Këshillit të BE-së mbi zgjerimin e Unionit dhe integrimin e Shqipërisë më konkretisht.
Cilat vlerësoni si pikat e forta dhe të dobëta të Shqipërisë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor lidhur me integrimin në Bashkimin Europian?
Unë besoj se Shqipëria ka bërë përpjekje shumë të mira për sa i përket integrimit në BE. Si raportuese për Shqipërinë në Parlamentin Europian preferoj ta fokusoj punën time në krijimin e një panorame më të qartë për sa i përket zhvillimit dhe vështirësive që ka ky vend pa e krahasuar atë më shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Mbështetja e madhe që populli ka treguar për procesin e antarësimit është një nga pikat më të forta të Shqipërisë. Kjo vihet re dukshëm në të dhënat e fundit dhe Bashkimi Europian e merr si një shenjë që nuk duhet t’i zhgënjejë këta qytetarë që duan t’i përkasin BE-së. Në të gjitha reformat e ndërmarra nga Shqipëria vitet e fundit, qofshin ato në drejtësi, sistem elektoral ose administrim publik vihet re vullneti i shoqërisë për të përparuar me procesin e negociatave dhe për të përmbushur objektivat e vendosura nga Bashkimi Europian. Bashkëpunimi i Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe vice-versa siç u konstatua edhe gjatë pandemisë është një tregues pozitiv që BE-ja jo vetëm që e konsideron Shqipërinë si pjesë të familjes së saj të zgjeruar por edhe vete vendi do të marrë pjesë në zgjidhjen e problemeve tona të përbashkëta.
Padyshim që ka akoma vend për përmirësim. Polarizimi ekstrem në fushën politike mund të konsiderohet si dobësi dhe mund të jetë joproduktiv në procesin e integrimit. Mund të them se edhe pse një numër i madh reformash janë zbatuar ka akoma gjëra që duhen përfunduar. Është e një rëndësie të veçantë që shoqëria civile të luajë një rol më aktiv në procesin e antarësimit dhe jam e bindjes se aktorët politikë duhet të ndërgjegjësohen që ky proces nuk është i rëndësishëm vetëm për Shqipërinë dhe BE-në por mbi të gjitha për përmirësin e jetës së qytetarëve shqiptarë.
Çfarë roli mund të luajë Parlamenti Europian për të nxitur antarët më skeptikë që të mbështesin zgjerimin e BE-ë drejt Ballkanit Perëndimor?
Në Parlamentin Europian ne kemi qenë shumë aktivë për sa i përket mbështetjes për procesin e zgjerimit, sidomos për vende si Shqipëria që janë përpjekur që t’i përmbushin të gjitha hapat e antrësimit. Ky është një proces që ndryshon nga njëri shtet në tjetrin dhe mund të them se është dëmtuar nga disa probleme që lidhen me përkushtimin e disa vendeve që janë më pak proaktive në përmbushjen e kushteve të vendosura nga BE. Parlamenti Europian ka bërë disa rekomandime te Këshilli lidhur me vendet anëtare që janë treguar skeptike për procesin e zgjerimit.
Prioritetet e presidencës portugeze të Këshillit të Parlamentit Europian nuk e përmendin zgjerimin e Bashkimit Europian. Çfarë do të thotë kjo për vendet e Ballkanit Perëndimor, cilat duhet të jenë pritshmëritë e tyre gjatë 6 mujorit të parë të presidencës portugeze?
Presidenca portugeze e Këshillit të Parlamentit Europian do të bëjë gjithcka që mundet për ta përparuar zgjerimin e BE edhe pse momentalisht po përballet me disa situata të vështira me disa vende. Ministri ynë i punëve të jashtme, si kryetar i Këshillit të Punëve të Jashtme ka bërë me dije se presidenca portugeze do të ketë takime me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe do të përpiqet të zgjidhë çdo problem të mundshëm me vendet anëtare që mund të ndihmojnë me procesin e integrimit.
Si raportuese për Shqipërinë shpresoj që do të kemi lajme të mira gjatë presidencës portugeze dhe të përparojme me konferencën e parë ndërqeveritare sepse Shqipëria i ka përmbushur kushtet e nevojshme për këtë hap dhe do të shërbejë si motivim për vazhdimësinë e reformave.
Në këtë moment, vështirësitë rriten për shkak të problemit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut por siç e përmenda dhe pak më lart, Ministri i Punëve të Jashtme të Portugalisë po përpiqet ta zgjidhë këtë situatë.
Stafi EuroSpeak, mars 2021