Maratonë apo garë sprinti? Figura dhe programi i Komisioneres së re së Zgjerimit dhe Fqinjësisë

Maratonë apo garë sprinti? Figura dhe programi i Komisioneres së re së Zgjerimit dhe Fqinjësisë

Sjellim një përshkrim dhe analizë të figurës së Marta Kos, Komisionerja e re e Zgjerimit dhe Fqinjësisë së Mirë të Bashkimit Europian. Kos u përzgjodh nga parlamenti slloven pas këmbënguljes së Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për të promovuar një grua në këtë pozicion, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një balancim gjinor në nivelet e larta të administratës europiane. Propozimi i Marta Kos, pas tërheqjes së kandidaturës së Tomas Vasel, shënoi një moment të rëndësishëm në procesin e formimit të Komisionit të ri Europian 2024-2029.

 

Përtej këtij profili ajo që i jep rëndësi trajtimit të gjerë të  figurës së saj lidhet me atë se si roli i saj si komisionere do të ndikoje në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, situatës në Ukrainë dhe vendeve të Partneritetit Lindor, dhe në vet Bashkimin Europian. Me rëndësi është dhe analizimi i qasjes që ajo do të ketë ndaj progresit të zgjerimit të BE-së,  sa e gatshme do të  jetë  ajo për të  kontribuar në dialogun Serbi-Kosovë dhe a do ta minojnë punën e saj dritëhijet e dyshimet mbi të kaluarën e saj si pjesë e agjenturës serbe dhe qëndrimeve të buta ndaj Rusisë.

 

Prioritetet dhe sfidat e Komisionit të ri Europian dhe angazhimet e von der Leyen në mandatin e saj të dytë

Komisioni Europian, emërohet çdo pesë vjet, fill pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian dhe procesit të miratimit nga ky institucion. Komisioni qëndron si organ i pavarur ndaj qeverive të vendeve anëtare dhe përfaqëson dhe mbron interesat e Bashkimit Europian si i tërë, i njohur në mënyrë jo zyrtare dhe si ‘qeveria e BE’. Ai përbëhet nga 27 komisionerë – një komisioner për një vend anëtar, dhe secili komisioner mbulon një  portofol të  caktuar dhe është Marta Kos nga Sllovenia, e cila mori dritën jeshile nga Parlamenti Europian që do të mbajë portofolin e zgjerimit dhe të fqinjësisë për pesë vitet e ardhshme. Më konkretisht Portofoli i Zgjerimit është përgjegjës për menaxhimin e procesit të integrimit të vendeve kandidate në BE dhe forcimin e marrëdhënieve me vendet që synojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Ky portofol kërkon një balancë mes angazhimit për reforma të thella dhe integrim të qëndrueshëm, si dhe marrjen parasysh të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm që mund të ndikojnë në këtë proces.

 

Ursula von der Leyen,  u zgjodh për herë të  dytë  si  presidente e Komisionit Europian për një mandat 5-vjeçar (2024-2029) pas përfundimit të zgjedhjeve të Parlamentit Europian të mbajtura në qershor të 2024. Në fjalimin që Von der Leyen mbajti para Parlamentit Europian më 18 korrik të 2024, ajo u shpreh me nota emocionale mbi  ngjarjet kyce që kishin mbetur në kujtesën e saj gjatë mandatit të saj të parë. Më tej në fjalën e saj vuri theksin te bashkimi më i madh i shteteve anëtare dhe te zgjerimi i BE-së si prioritet “Bashkimi ynë[1] dhe demokracia janë procese që janë gjithmonë në zhvillim, dhe ka ende shumë për të bërë. Ne kemi nevojë për një axhendë reformash ambicioze për të siguruar funksionimin e një Unioni më të fuqishëm dhe për të rritur legjitimitetin demokratik. Ndërsa reformat ishin të nevojshme më parë, me zgjerimin ato bëhen gjithnjë e më të domosdoshme. Duhet ta shfrytëzojmë këtë moment si një mundësi për ndryshim, për të përmirësuar kapacitetin tonë për të vepruar, politikat dhe buxhetin tonë. Po do të fokusohemi në atë që mund të bëjmë tani, por gjithashtu duhet të kemi një qasje më ambicioze. Besoj se është e nevojshme të bëhen ndryshime në Traktat, që mund të përmirësojnë Bashkimin tonë, dhe jam e gatshme të punoj në këtë drejtim me Parlamentin. Kjo do të jetë pjesë e një partneriteti më të ngushtë midis Komisionit dhe Parlamentit”.

 

I rëndësishëm ishte edhe momenti ku ajo qartësoi se bashkëpunimi dhe transparenca përbëjnë një faktor thelbësor për forcimin e vetë BE .

 

“Unë kam dëgjuar shqetësimet dhe kërkesat tuaja dhe vazhdoj të mbështes të drejtën tuaj për iniciativë[2]. Është e rëndësishme të rishikojmë Marrëveshjen Kornizë për të siguruar më shumë transparencë dhe llogaridhënie, si dhe një prani më të madhe në Parlament. Kur të gjitha institucionet lëvizin së bashku, Europa ecën përpara. Siç ka thënë dhe Jacques Delors, "Komuniteti nuk është vetëm fryt i historisë dhe nevojës, por edhe vullnetit". Historia e Europës është një histori e forcës së njerëzve që përpiqen për më shumë, jo e forcave të fatit. Ky është vullneti që ka bashkuar kontinentin tonë dhe që e ka mbajtur atë të fortë për shumë breza. Dhe tani, kjo përgjegjësi është e jona. Pesë vitet e fundit kanë treguar se çfarë mund të bëjmë së bashku, dhe ne duhet ta bëjmë sërish”.

 

Zgjerimi mbetet prioritet dhe për këtë mandat të dytë të Komisionit von der Leyen. Ajo është shprehur qartësisht se: Vendet që janë fqinj  të afërt me BE janë një shtëpi për të ardhmen tonë. POLITIKA E ZGJERIMIT E BE përmes ftesës që u bën këtyre vende që të anëtarësohen është një përgjegjësi morale, historike dhe politike. Është një përgjegjësi e madhe gjeostrategjike për Europën. Sepse në botën e sotme një Union më i madh do të jetë një Union më i fortë. Ne do të mbështesim vendet kandidate, duke punuar për investime dhe reforma dhe duke i integruar ata ku të mundemi në kuadrin tonë ligjor. Anëtarësimi do të jetë gjithmonë një proces i bazuar në merita. Dhe ne do të sigurojmë që të gjitha vendet të jenë gati, përpara se të bashkohen. Por kompletimi i Bashkimit tonë është gjithashtu në interesin tonë thelbësor. Dhe do të jetë një prioritet thelbësor për Komisionin tim. Historia po thërret edhe një herë: Ballkanin Perëndimor, Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë që  kanë bërë zgjedhjen e tyre të lirë. Ata kanë zgjedhur lirinë mbi shtypjen. Ata kanë zgjedhur demokracinë në vend të varësisë. Dhe disa prej tyre po paguajnë një çmim të lartë për këtë zgjedhje. Pra, ne duhet të bëjmë zgjedhjen tonë dhe të tregojmë përkushtim të palëkundur. E ardhmja e tyre do të jetë e lirë dhe e begatë, brenda Unionit tonë.”

 

Kush është Marta Kos?

Marta Kos është një politikane dhe diplomate e njohur, me një karrierë të pasur profesionale e cila ka prekur disa sektorë – median, diplomacinë, sektorin publik por dhe sipërmarrjen.  Pas përfundimit të studimeve për gazetari në Universitetin e Ljubljanës[3], Kos ka vijuar me një master në Shkenca Politike në të njëjtin universitet. Karriera e saj ka filluar si gazetare në Radio Televizionin Kombëtar të Sllovenisë dhe më pas si korrespondente e Deutsche Welle në Gjermani. Pas kësaj, ajo ka kaluar në sektorin publik, duke u emëruar si Drejtore e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun dhe Media në Qeverinë e Sllovenisë, si dhe Zëdhënëse e Qeverisë. Kos ka shërbyer si Ambasadore e Sllovenisë në Gjermani, Letoni, Zvicër dhe Lihtenshtajn. Në  saj të pozicionit të  saj ajo është vënë nën nje vëzhgim më të madh publik për komentet e saj pajtuese ndaj Moskës në vitin 2022, si dhe për punën e saj si konsulente[4]. Më vonë, ajo ka marrë pozicionin e Zëvëndës Presidente për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Sllovene, dhe ka themeluar gjithashtu një kompani konsulence në fushën e biznesit[5]. Per këtë  të  fundit ajo theksoi në  seancë në  degjimore se me konfirmimin e saj si Komisionere zyra do të  mbyllej dhe duke marre shkas nga pyetja që  iu bë  në  lidhje nëse kishte punuar me individë apo entitete të sanksionuara, Kos tha se ajo "nuk ka pasur kurrë ndonjë marrëdhënie biznesi me kompani apo individë që janë në listën e sanksioneve."

 

Marta Kos përballë opozitës sllovene dhe eurodeputetëve të Parlamentit Europian – programi i saj për zgjerimin dhe çështjet delikate që kërkojnë përgjigje

27 komisionerët përbëjnë Kolegjin e Komisionerëve[6]. Ata fillimisht propozohen nga shteti anëtar për portofolin që është përcaktuar dhe duhet të marrin miratimin nga Parlamenti Europian.  Para miratimit ata i nënshtrohen një seance dëgjimore me eurodeputetët në Parlament që mund të shkojë dhe disa orë, ku prezantojnë programin e tyre dhe u përgjigjen pyetjeve dhe komenteve nga eurodeputetët. Pas përfundimit të këtyre seancave Parlamenti më pas voton për miratimin ose jo të emërimit të tyre.  Ky proces ka si qëllim të sigurojë se kandidatët për pozitat e komisionerëve janë të kualifikuar për të ushtruar detyrat e tyre dhe se kanë aftësinë për të zbatuar politikat e Bashkimit Europian në përputhje me vlerat dhe objektivat e tij. 

 

Marta Kos më 17 shtator 2024 mori dritën jeshile nga parlamenti slloven, ndërkohë që në daten 7 nëntor 2024 zhvilloi seancën dëgjimore në Parlamentin Europian, ku u diskutua gjerësisht për gjithë  programin e saj për më shumë se 1 orë e 40 minuta.  Ajo çfarë u pa në  seancën dëgjimore ishte që Kos dukej se gëzonte mbështetjen nga pjesa më  e madhe e eurodeputeteve, por pyetjet për angazhimin e fundit të  saj professional në një zyrë konsulence, qëndrimi i saj ndaj Ukrainës e deri te akuzat kundrejt saj për spiunazh, nuk munguan.

 

Kandidatura e Marta Kos më parë kishte shkaktuar polemika dhe debat dhe në Slloveni. Një pjesë e opozitës sllovene ka shprehur dyshime dhe ka kundërshtuar mbështetjen për të, duke e parë ndërrimin e kandidaturës së saj në moment të fundit  si ndërhyrje në sovranitetin e shtetit slloven. Gjithashtu ata kanë theksuar dhe  dyshimet për lidhjet e mundshme të Kos me shërbimet sekrete serbe. Kur u pyet në seancën degjimore të Parlamentit Europian nëse do të ngrinte një padi ndaj këtyre akuzave, Kos zgjodhi të mos përgjigjej drejtpërdrejt dhe përzgjodhi të përqendrohej në dy pyetje teknike të tjera. Ky qëndrim i saj ka nxitur diskutime mbi mënyrën se si ajo ka menaxhuar këtë sfidë publike, edhe pse ka mundësi që pyetja të jetë pasqyruar si një mundësi miqësore për të mbyllur një herë e mirë këtë çështje. E pyetur[7] përsëri për këtë çeshtje Kos i mohoi akuzat se ka punuar për shërbimin sekret të Jugosllavisë, duke theksuar se UDBA u shpërbë në vitin 1966, kur ajo ishte vetëm një vjeçe dhe se shërbimi sekret i asaj periudhe ishte SDV, që konsiderohet pasues i UDBA-s. Ajo shpjegoi se ndodhej në një listë si e dyshuar, por nuk dinte se si kishte përfunduar aty, duke qenë ne atë kohë studente dhe duke punuar në Gjermani për Deutsche Welle. Kos e hodhi poshtë se kishte qenë ndonjëherë bashkëpunëtore e SDV-së, dhe shtoi se emrat në listë ishin keqpërdorur. Ajo theksoi gjithashtu se integriteti i saj personal po aq sa ai professional ishin shumë te rëndësishëm për të, duke mos dëshiruar që të dëmtohej nga dezinformimi. Në fund të seancës dëgjimore sfiduese për Kos,  ajo arriti të merrte mbështetjen e grupit EPP, pavarësisht disa kundërshtive nga disa anëtarë të delegacionit slloven.

 

Programi i Marta Kos për zgjerimin – a do të ketë anëtarësime të reja gjatë mandatit të saj?

Çfarë Kos synon të sjell në  programin e saj për zgjerimin është  një qasje pragmatike dhe e orientuar nga meritat, duke theksuar vlerat e BE-së dhe fuqizimin e  shtetit të së drejtës. Ajo e ka bërë të qartë se nuk do të ndjekë modelin e zgjerimit të shpejtë të vitit 2004, duke e parë zgjerimin si një "maratonë" dhe jo një "garë sprinti"[8]. Kos ka mbajtur një qëndrim të fortë për të ruajtur standardet e larta të pranimit, madje edhe për shtetet nën presionin rus si Ukraina dhe Moldavia, duke e theksuar se rruga e zgjerimit të BE-së do të jetë e kujdesshme dhe e matur. Ajo ka forcuar gjithashtu parimin e kushtëzimit, duke insistuar për reforma ligjore përpara mbështetjes financiare dhe duke ruajtur një "tolerancë zero" ndaj shkeljeve të të drejtave për shoqëricë civile, duke siguruar që zgjerimi i BE-së të mbetet i bazuar në vlera dhe i orientuar nga prioritetet transatlantike për stabilitetin dhe qeverisjen. Në letrën drejtuar Kos, von der Leyen citon ndër të tjera këto pika kryesore që konsiderohen si prioritare për këtë portofol në mandatin e ri të Komisionit.

 

“Komisioni Europian, ku do të shërbejmë së bashku, është institucioni që do të formojë të ardhmen e kontinentit dhe Bashkimin Europian për vitet dhe dekadat në vijim. Në një periudhë të paqëndrueshmërive globale dhe pritshmërive të mëdha të europianëve, ne duhet të përballemi me këtë përgjegjësi dhe të punojmë ngushtë me qytetarët, rajonet, parlamentet, qeveritë dhe institucionet që shërbejnë atyre[9]. Angazhimi ynë do të jetë për t'iu përgjigjur shqetësimeve dhe pritshmërive legjitime të qytetarëve të Europës, duke ofruar mbështetje dhe investime të qëndrueshme, sidomos për vendet kandidate që përgatiten të bashkohen me Unionin. Unë do të mbështetem tek ju kur të vijë rasti për të rishikuar  politikat e parazgjerimit dhe për reformat tona sa  më të gjera e  ambicioze. ”.

Teksa i beson rolin e Komisionerit për Zgjerimin, von der Leyen në letrën e saj vendos dhe disa pika orientuese që duhet të shërbejnë si prioritet, ndër të tjera:

Përgatitja e  vendeve kandidate për në  BE-së për për anëtarësim,  duke nxitur dhe mbështetur reforma strukturore të nevojshme.

Realizimi i  integrimit gradual të vendeve kandidate duke u mbështetur veçanërisht në Instrumentin e Para-Zgjerimit (IPA), tek investimet dhe reformat për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Instrumenti për Ukrainën ( Ukraina Facility). Krahas harmonizimit dinamik me acquis të BE-së, kjo do të ndihmojë në integrimin e vendeve në pjesë të Tregut të Vetëm dhe zgjerimin e njohurive të tyre sesi të kenë qasje tek fondet e BE-së.

Theksi i veçantë duhet të vazhdojë të vendoset mbi sundimin e ligjit dhe vlerat themelore, që mbeten  gjithmonë gurthemeli i politikës së zgjerimit të BE-së.

Inkurajimi i integrimit rajonal, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, pajtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe në bashkëpunim dhe me Përfaqësuesen e Lartë të Politikës së Jashtme e Sigurisëmbi dialogun  Beograd-Prishtinë.

 

Ajo e mbyll letrën e saj drejtuar Kos me besimin te objektiviteti dhe ekspertiza e Komisioneres së re: Objektivat e renditura në këtë letër do të formësojnë punën tuaj. Megjithatë, ne do të duhet të plotësojmë dhe përshtatuni ndërsa vazhdojmë dhe unë mbështetem në idetë dhe ekspertizën tuaj në këtë drejtim. Përveç takimeve me anëtarët e Komisionit Europian dhe diskutimet tona të vazhdueshme, do t'ju ftoj çdo gjashtë muaj për një takim të strukturuar raportues për të diskutuar progresin dhe sfidat në realizimin e misionit tuaj.”

 

Marta Kos ka mbajtur një qëndrim të fokusuar duke treguar angazhimin e saj të pritshëm si Komisionere në mbështetje të procesit të zgjerimit të BE-së, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje të balancuar dhe meritokratike. Në këtë kuadër, Kos ka shprehur përkushtimin e saj për të shpejtuar procesin e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor, por të cilët duhet të përmbushin kriteret e nevojshme dhe reformat që kërkohen në  kuadër të  procesit të  anëtaresimit. “Sot, për herë të parë pas dhjetë vjetësh, ekziston një mundësi reale për t’i afruar një apo dy vende drejt zgjerimit duke përfunduar procesin e negociatave. Mund të ndodhë që ne mund t’i përmbyllim negociatat me Malin e Zi, të arrijmë t’i mbyllim të gjithë kapitujt, deri në fund të vitit 2026.

Për Shqipërinë, Kos ka shprehur një  perspektivë  optimiste se mund të mbyllen negociatat e pranimit në vitin 2027, një moment kyç për vendin drejt Bashkimit Europian. Po ashtu, Kos ka shprehur qartësisht se nuk do të mbështeste idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, një qëndrim që është vlerësuar pozitivisht nga shumë aktorë në rajon [10]. Por se sa e realizueshme dhe frytdhënëse do të jetë  kjo qasje për procesin dhe vet rajonin do të mbetet për tu parë.

Në lidhje me rolin e saj në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Kos ka shfaqur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Kaja Kallasin, e cila pritet të konfirmohet si Përfaqësuese e Lartë për Politikat e Jashtme të BE-së, për të ndërmjetësuar dhe udhëhequr një proces të ri dhe të qëndrueshëm dialogu mes dy vendeve[11].

 Në lidhje me Maqedoninë e Veriut, Kos ka theksuar se vendi duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese për të përshpejtuar procesin e integrimit, por shtoi se nuk mund të ofrojë garanci

 

                                                                                                                                                                                                                    Sara Zaçaj, dhjetor 2024

*Sara Zaçaj është një studente e shkëlqyer në vitin e katërt të programit të studimit të integruar të drejtësisë, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Sara ka marrë pjesë në mënyrë aktive në disa trajnime të fokusuara në të drejtën dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Mes përvojave të saj më të rëndësishme janë një trajnim tre-ditor mbi Kapitujt 23 dhe 24 të acquis së BE-së, një shkollë verore e përqendruar në pjesëmarrjen e rinisë në procesin e vendimmarrjes, si dhe në Akademinë Profesionale Elita për Administratën Publike. Për më tepër, ajo ka marrë pjesë në Akademinë “Citizen in Charge”, në të cilën ka ndjekur trajnime në lidhje me drejtësinë në Shqipëri dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sara ka fituar përvojë profesionale përmes një praktike katërmujore në zyrën ligjore A.R.S Legal and Financial Services. Gjithashtu, ajo po zhvillon ekspertizën e saj në prokurimin publik përmes angazhimeve në trajnime të ndryshme. 


*Falenderojmë z. Geron Kamberi për kontributin e vlefshëm në përkthimin e disa prej dokumenteve të referuara në këtë artikull.


Referencat

 

Atlantic Council experts. (12 November 2024) What the European Parliament hearings are revealing about the next European Commission https://www.atlanticcouncil.org/blogs/new-atlanticist/what-the-european-parliament-hearings-are-revealing-about-the-next-european-commission/

Slovenia Times (07 November 2024) https://sloveniatimes.com/41399/kos-tells-eu-laë makers-support-for-ukraine-absolute-priority

 

https://www.bankofalbania.org/Rreth_Bankes/Marredheniet_nderkombetare/Dhoma_e_Evropes/Bashkimi_Evropian/

 

https://commission.europa.eu/about/organisation/college-commissioners_en

 

https://commission.europa.eu/document/download/7a779e02-333f-418d-947c-78297b3e04c0_en?filename=CV%20Kos.pdf

 

EWB17. 09. 2024. Mission Letter to Marta Kos by Ursula von der Leyen: EU enlargement is an imperativehttps://europeanwesternbalkans.com/2024/09/17/mission-letter-to-marta-kos-by-ursula-von-der-leyen-eu-enlargement-is-an-imperative/

 

Sh.R (shtator) “Gazetare, alpiniste dhe notare”: Kush është Marta Kos, komisionerja e ardhshme për zgjerimin e BE-së? https://gazetablic.com/gazetare-alpiniste-dhe-notare-kush-eshte-marta-kos-komisionerja-e-ardhshme-per-zgjerimin-e-be-se/

 

 (07 November) Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin: Jo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë https://lajme.rtsh.al/artikull/marta-kos-komisionere-per-zgjerimin-jo-shkembimit-te-territoreve-mes-kosoves-e-serbise

 

News Article 27 November 2024 https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/news/speech-president-von-der-leyen-european-parliament-plenary-new-college-commissioners-and-its-2024-11-27_en

 

By POLITICO (06. November 2024) https://www.politico.eu/article/european-commissioner-hearings-slovenia-marta-kos-enlargement/

 

Vuckovic, A. (25 September 2024), Expectations of the Region from Marta Kos: Will "Neighborly Ties" Accelerate the Western Balkans Toward the EU?. Kosovo Online. https://www.kosovo-online.com/en/news/analysis/expectations-region-marta-kos-will-neighborly-ties-accelerate-western-balkans-toward

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 



[2] Po aty

[5] Po aty

[8] Atlantic Council Organization, What the European Parliament hearings are revealing about the next European Commissionhttps://www.atlanticcouncil.org/blogs/new-atlanticist/what-the-european-parliament-hearings-are-revealing-about-the-next-european-commission/

[10]RTSH.al, Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin: Jo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë https://lajme.rtsh.al/artikull/marta-kos-komisionere-per-zgjerimin-jo-shkembimit-te-territoreve-mes-kosoves-e-serbise

[11] Po aty

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk