Në Shqipëri shpenzohet rreth 14 herë më shumë për një të burgosur sesa për një të regjistruar në arsim

Në Shqipëri shpenzohet rreth 14 herë më shumë për një të burgosur sesa për një të regjistruar në arsim


Edukimi është një mjet i cili mund të reduktojë kriminalitetin. Ky pohim konfirmohet edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, që përmes programeve të saj me fokus të rinjtë, në disa raste u ka bërë thirrje qeverive të investojnë në edukimin e të rinjve me qëllim reduktimin e akteve kriminale. Në të njëjtën linjë shkojnë edhe qëndrimet e programit UNICEF në Shqipëri që ka kërkuar orientimin e qeverive drejt edukimit të të rinjve me qëllim uljen e kriminalitetit.

Shqipëria është ndër vendet me normën më të lartë të individëve të dënuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale në raport me numrin e popullsisë. Të dhënat nga Instituti Europian i Statistikave, Eurostat, për harkun kohor 2016-2018 treguan se Shqipëria mbante rekordin në Ballkanin Perëndimor dhe renditej ndër vendet me numrin më të lartë për sa i përket individëve të dënuar për vepra penale. Në raport me popullsinë, në Shqipëri kishte 197 të burgosur për çdo 100 mijë banorë rezidentë, duke u renditur e katërta në Europë, pas Lituanisë, Çekisë dhe Estonisë.

Në krahasim me vendet e rajonit Shqipëria mban rekord për numrin e lartë të të burgosurve. Pas Shqipërisë renditej Mali i Zi me 179 të burgosur. Në Serbi, sipas Eurostat, numri i të burgosurve për 100 mijë banorë ishte 153, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 146 të burgosur, ndërsa Kosova numëronte rreth 90 të burgosur për 100 mijë banorë. Ky tregues, së paku për Shqipërinë, nuk ka pësuar ndryshime të ndjeshme edhe në vitin 2020, ku në burgjet e vendit u trajtuan rreth 6 mijë të dënuar e të paraburgosur.

Nga ana tjetër Shqipëria shpenzon më pak se çdo vend tjetër në Ballkanin Perëndimor për sa i përket arsimit. Qeveria e Shqipërisë, sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë akordoi për arsimin në vitin e shkuar 43 miliardë e 225 milionë lekë (rreth 352 milionë Euro) ose thënë ndryshe sa 2,31% e PBB-së (Prodhimi Brendshëm Bruto), ndërsa në vitin 2019 shuma e akorduar për arsimin ka qenë në vlerën e 2,24% të PBB-së. Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet e fundit. Të gjitha vendet e rajonit shpenzojnë së paku 4% të PBB-së për arsimin, ndërsa ne shpenzojmë gati 2 herë më pak.

Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për muajin dhjetor 2020 tregojnë se në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) gjendeshin 2 354 të paraburgosur dhe 2 287 të burgosur. Ndër ta ishin 359 të dënuar nga mosha 14 deri në 25 vjeç dhe 509 të paraburgosur të moshave nga 14 deri në 25 vjeç. Raporti i monitorimit të shpenzimeve nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për vitin 2020 në sistemin e burgjeve të vendit tregoi se në një vit totali i shpenzimeve të kryera ishte në vlerën e përafërsisht 5.7 miliardë lekëve (rreth 46.4 milionë Euro).

Nga të dhënat rezulton se për çdo person që u gjend në burgjet e vendit u shpenzuan mesatarisht 9 997 euro në vit, 833 Euro në muaj, apo thënë ndryshe 27.7 Euro në ditë. Në koston ditore për çdo të dënuar apo të paraburgosur në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në vend përfshihen shpenzimet për ushqim, trajnimi i stafit policor, shërbimi shëndetësor dhe social, mbajtja e të burgosurve dhe paraburgosurve në kushte sigurie, si edhe trajtimet specifike për çdo kategori të të dënuarve. Shqipëria klasifikohet në grupin e vendeve në Europë që kanë relativisht kosto të larta për të burgosurit. Sipas të dhënave nga Eurostat, Greqia shpenzon 5 dollarë në ditë për një të burgosur, Lituania 18 dhe Polonia 21 dollarë në ditë.

Në muajin qershor të vitit 2019, Këshilli i Ministrave propozoi një projektligj i cili kishte për synim të shtonte dënimet alternative me qëllim uljen e kostove për të burgosurit. “Sipas të dhënave kosto mesatare për një te burgosur është afërsisht 2 675 lekë në ditë, ndërsa kosto për një të mbikëqyrur është 85 lekë në ditë. Duke qenë se të dy institucionet financohen nga buxheti i shtetit, rritja e numrit të rasteve të dhënies së vendimeve me dënime alternative nga gjykata për të miturit në konflikt me ligjin, ul numrin e dënimeve me burgim dhe për rrjedhojë financimi do të jetë më i ulët për sistemin e burgjeve”, thuhej në projektligjin që më pas u miratua në Parlament.

Në vitin akademik 2019-2020, të dhënat nga MASR tregojnë se morën pjesë në arsimin parauniversitar 480 798 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 4,2 %, krahasuar me vitin shkollor 2018-2019 dhe 10,4% krahasuar me vitin shkollor 2016-2017. Në vitin shkollor 2019-2020, morën pjesë gjithsej në arsimin parashkollor 77.858 fëmijë, duke shënuar një ulje prej 1,4% krahasuar me vitin paraardhës dhe 4,0% krahasuar me 2016-2017. Në vitin shkollor 2019-2020, morën pjesë në arsimin 9-vjeçar 294 879 nxënës, duke shënuar një ulje prej 3,8% krahasuar me vitin paraardhës dhe 10,1% krahasuar me 2016-2017.

Duke marrë në analizë makro raportin e krijuar mes buxhetit dhe numrin e të regjistruarve në arsim, rezulton se për çdo nxënës dhe student gjatë vitit 2020 u shpenzuan rreth 59 euro në muaj ose rreth 2 euro në ditë. Pra, në një analizë makro qeveria shpenzon rreth 14 herë më shumë për një të burgosur se për një të regjistruar në arsimin parauniversitar.

 

                                                                     Marjo Brakaj, maj 2021

*Marjo Brakaj ka përfunduar studimet në ciklin “Bachelor” për Gazetari dhe Komunikim dhe ato në nivelin “Master” në drejtimin Marrëdhënie me Publikun në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. Ai është gazetar në departartamenin e kërkimit të fakteve (Fact Check) në televizionin A2 CNN. Ai është i angazhuar në media prej vitit 2018. Marjo ka punuar në media online dhe televizion si edhe ka qenë pjesë e disa workshope-ve dhe trajnimeve që kanë në fokus gazetarinë investigative dhe përmirësimin e integritetit të gazetarit. Bashkëpunimi i tij prej muajit janar me A2 CNN u parapri nga një angazhim në median online “Faktoje.al” me fokus verifikimin e fakteve.


Referenca:

https://www.unodc.org/dohadeclaration/en/news/2017/02/education-as-a-tool-to-preventing-crime-and-promoting-a-culture-of-lawfulness.html  https://www.unicef.org/albania/media/456/file/Kostot%20e%20investimit%20t%C3%AB%20ul%C3%ABt%20n%C3%AB%20arsim%20dhe%20si%20zvog%C3%ABlohen%20k%C3%ABto%20kosto.pdf

https://ec.europa.eu/eurostat/statistics-explained/index.php?title=File:Prisoners_per_100_000_inhabitants,_EU-27,_average_2016-2018.png

https://www.financa.gov.al/buxheti-2020/

http://www.dpbsh.gov.al/newweb/?fq=brenda&gj=gj1&kid=72

https://www.osce.org/files/f/documents/a/c/246866.pdf

http://parlament.al/Files/ProjektLigje/20190614105525RIA%20-%20SHERBIM%20PROVE_Komente%20Njesia%20RIA-3152019-final.pdf

https://harmreductioneurasia.org/criminalization-costs/albania/

*Përllogaritja nga vlera në Lek (ALL) në valutë (Euro) është bërë duke iu referuar të dhënave të datës 02/04/2021 (2 Prill 2021) të Bankës së Shqipërisë.  https://www.bankofalbania.org/Tregjet/Kursi_zyrtar_i_kembimit/

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk