Përkatësisht, në vitin 2017, norma e papunësisë për popullsinë e përgjithshme u zvogëlua në 7.6%, duke arritur një nivel shumë afër 7.2%, i pranishëm para krizës në vitin 2007. Në mënyrë të ngjashme, shkalla e papunësisë në mesin e të rinjve pësoi rënie, duke shkuar në 16.8% , një shifër që nuk është larg nga 15.7% e regjistruar në vitin 2007. Pavarësisht këtij përmirësimi, trashëgimia e krizës është ende e dukshme në rritjen e konsiderueshme të grupit të të rinjve të papunë prej një periudhe të gjatë. Sipas analizës së popullatës së të rinjve që nuk janë në arsim, punësim apo trajnim (NEET), u zbulua se kishin një rritje prej 0.9% nga 2008 në 2016.
Studimi nga EuroFund vë në dukje se papunësia në periudha afatgjata tek të rinjtë ka një efekt shkatërrues tek rezultatet ekonomike gjatë jetës së tyre, duke krijuar dëmtime të përhershme në pritshmëritë e tyre të fitimit. Në veçanti, papunësia afatgjatë zvogëlon nivelin e kënaqësisë së përgjithshme të jetës dhe rrit rrezikun e përjashtimit social dhe problemeve të shëndetit mendor. Largimi i zgjatur i të rinjve nga tregu i punës rezulton si një sërë barrierash monetare dhe jo monetare, që i parandalojnë të rinjtë të jenë plotësisht aktivë në shoqëri. Për shkak të ballafaqimit të tyre të përditshëm me strukturat dhe institucionet, të rinjtë e papunë në afatgjatë kanë më shumë gjasa të grumbullojnë një pakënaqësi në tërësi ndaj shoqërisë dhe aktorëve politikë. E përkufizuar si "pakënaqësia në rënie e pritjeve", siç përcaktohet nga Allan Larson, janë ata të rinj që kanë bërë investime të kushtueshme në arsimimin e tyre, por ende përpiqen të hyjnë në tregun e punës dhe të arrijnë të njëjtat kushte pune dhe jetese si prindërit e tyre.
Papunësia afatgjatë e të rinjve nuk është ende një sfidë politike për Europën, Shtetet Anëtare të së cilës nuk kanë qenë aktive së fundmi në implementimin e iniciativave ku të targetojnë të rinjtë e këtij grupi. Megjithatë, integrimi i tyre sërish në shoqëri dhe në tregun e punës nuk është një detyrë e lehtë, duke pasur parasysh karakteristika specifike që ata zotërojnë, si psh: ka më shumë gjasa të jenë meshkuj, shtetas vendas dhe të mos kenë përvojë pune dhe arsimimi, të jenë pjesë e një mjedisi të vështirë familjar apo të kenë probleme shëndetësore.
Në muajin mars të këtij viti, u publikua Paketa e re e "Drejtësisë Sociale", e cila konsiston në propozimin e Komisionit Europian për mënyrën se si Europa mund të dhe zbatojë më mirë Shtyllën Europiane të të Drejtave Sociale. Si pjesë e paketës, Komisioni Europian përfshiu një propozim për një Autoritet Europian të Punës (ELA), i cili synon të lehtësojë lëvizshmërinë e punës, duke u ofruar punëmarrësve dhe punëdhënësve informacion të centralizuar mbi të drejtat dhe detyrimet e tyre, dhe për të luftuar mashtrimin dhe abuzimin. Një qasje sa më individuale për të përmirësuar situatën, me në fokus të rinjtë, e cila aktualisht sigurohet nga Youth Guarantee, kërkon përfshirjen e elementeve si këshillimi, mentorimi, referimi në shërbimet e specializuara të mbështetjes, trajnimi i përshtatur dhe vendosja e vendeve të punës, si dhe mbështetje fleksibile dhe e qëndrueshme në të gjitha fazat e programit.
Social Europe, prill 2018