Shëndeti mendor dhe vetëvrasjet gjatë pandemisë Covid-19

Shëndeti mendor dhe vetëvrasjet gjatë pandemisë Covid-19

 

***

Në epoka të ndryshme historike ku janë shfaqur pandemi, ka pasur dhe shtim të numrit të vetëvrasjeve. Ky fenomen është studiuar nga mjekë-epidemiologë, mjekë –psikologë, por edhe historianë, apo sociologë. Gjatë gripit spanjoll në vitin 1918 (Wasserman, 2010), por edhe gjatë epidemisë SARS ne vitin 2003 sidomos në Hong Kong, janë shënuar një numër i madh rastesh vetëvrasjeje (Cheung et al, 2008). Po ashtu, edhe gjatë Covid-19 ka pasur vetëvrasje në vende të ndryshme të botës si në Itali, Mbretërinë e Bashkuar, Bangladesh, Gjermani, ShBA (Sher, 2020), madje edhe në vendin tonë shënohen disa të tilla.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), konkludon se Covid-19 shkakton pasoja direkte dhe indirekte në shëndetin mendor dhe neurologjik të pacientëve të prekur. Disa nga këto ndërlikime janë dementia encefalopati, agjitacion, goditje në tru, pagjumësi, humbje e shqisës së shijes dhe nuhatjes, ankth, depression si dhe sindroma e Guillain – Barre (5-8) e cila prek muskujt dhe si rrjedhojë kushtëzon përdorimin e gjymtyrëve (OBSh, 2020). Për këtë arsye, OBSh ka përcaktuar, që mbështetja e shëndetit mendor dhe psikologjik duhet të jetë pjesë e paketës kundër pandemisë Covid-19. Por pavarësisht kësaj, të gjendura përpara situatës së papritur, strukturat e shëndetit publik të vendeve të ndryshme janë përqëndruar më së shumti në kurimin e rrugëve të frymëmarrjes, pra aty ku vihen re simptomat fatale të kësaj sëmundje. Në këtë mënyrë, është anashkaluar ndoshta pa qëllim, kujdesi për shëndetin mendor dhe psikologjik.

Për të pasur një panoramë të përgjithshme të këtij aspekti, OBSh ndërmori një studim mbi mbështetjen e shëndetit mendor dhe psikologjik të shteteve të ndryshme në këtë periudhë emergjence. Ndonëse në studim nuk morën pjesë të gjitha shtetet anëtare të OBSh-së, por vetëm 130 vende, përsëri studimi sjell të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar që ky aspekt i trajtimit të pandemisë nuk ka marrë vëmendjen e duhur. Kështu, rezulton se 89% e shteteve kanë deklaruar se kanë përfshirë mbështetjen e shëndetit mendor dhe psikologjik, por nga këta të fundit vetëm 17% kanë siguruar të gjitha fondet dhe burimet njerëzore shtesë të domosdoshme për këtë shërbim. Kjo do të thotë se shumica e vendeve nuk kanë arritur të sigurojnë asistencë të plotë për shëndetin mendor dhe psikologjik (OBSh, 2020).

Sipas një studimi të zhvilluar në ShBA, në qershorin e këtij viti, në më shumë se 1000 të rritur të prekur nga Covid-19, rezulton se 40.9% kanë shfaqur ankth, depresion dhe ndryshime në sjellje, ndërkohë që 10.7% e tyre kanë menduar seriozisht të vetëvriten (Czeisler, et al, 2020).Në Itali, gjithashtu prej marsit 2020 shënohen 71 raste vetëvrasjesh (ANSA, 2020). Nga ana tjetër, në Japoni sipas të dhënave zyrtare, në muajin tetor 2020, vetëvrasjet kanë tejkaluar numrin e vdekjeve nga Covid-19, respektivisht 2153 kundrejt 2087. Ekspertët japonezë disktutojnë për një emergjencë të shëndetit mendor (CNN, 2020).

Sipas shkencëtarëve, raportimet në media nuk japin të dhëna statistikore të sakta, duke pasur parasysh se ka edhe mjaft raste që mbesin në tentativë dhe janë tërësisht të panjohura. Megjithatë, fakti që sa herë ka kriza globale, qofshin këto edhe kriza ekonomike, ka rritje të numrit të vetëvrasjeve, është e mjaftueshme për të vënë alarmin nga ana e komunitetit shkencor si dhe nga ana e lidershipit të çdo vendi.

Nisur nga kjo emergjencë, Universiteti La Sapienza në Romë, organizoi online një konferencë me pjesëmarrje të gjerë mjekësh dhe akademikë psikologë, për të trajtuar vetëm rastet e vetëvrasjes. Ekspertët i cilësuan numrin e rasteve të vetëvrasjeve apo tentativave, alarmante. Bëhet fjalë për biznesmenë të stresuar nga borxhet, pacientë me probleme psikologjike të mëparshme të cilat shpërthejnë gjatë izolimit apo individë të frikësuar mos infektojnë familjarët e tyre (Giorgi, 2020). Pothuajse 100 punime shkencore të paraqitura, dolën në përfundim se fenomeni duhet të trajtohet publikisht, por nuk duhet të diskutohet për rastet e veçanta të here pas hershme, sepse kjo ka ndikim të madh në shoqëri. Nuk duhen treguar detaje se si ndodh apo vendngjarjen e rasteve sepse kjo rrezikon të bëhet si një stimul për pacientët në rrezik. Nga ana tjetër, rekomandohet se nëse shohim një të afërm që flet shpesh për vetëvrasje, që tregon se ndihet i dëshpëruar, nëse tregon se ndihet i izoluar, i pashpresë, apo ndjen dhimbje që nuk i përballon dot, nëse tregohet i pashpresë për të ardhmen, apo ndjehet në ankth, nuk duhet lënë vetëm. Menjëherë duhet të flasim me specialistët e fushës për ta kuruar sa më shpejt (Giorgi, 2020).

Por çfarë mund të bëjnë strukturat qeverisëse dhe jo vetëm për këtë fenomen? Në rajonin e Venetos në Itali funksionon që prej vitit 2012 një shërbim telefonik, falas, 24 orë, në 7 ditë të javës, i cili ofron konsulencë psikologjike. Si një inciativë e Universitetit të Padovës, e cila lindi fillimisht për t’i ardhur në ndihmë biznesmenëve gjatë krizës ekonomike të 2012, tashmë është në funksion të krizës Covid-19. Pas fillimit të pandemisë, numri i telefonatave është rritur ndjeshëm, sot janë rreth 9 telefonata në ditë për 10 psikologë që ofrojnë shërbim telefonik, duke shënuar rreth 9000 telefonata në total. Ky shërbim këshillon pacientët mbi metodat, kurat, apo instrumente të ndryshme që mund të ulin ankthin. Më së shumti ky shërbim kërkohet nga shtresa vulnerabël të shoqërisë, si nëna të vetme me fëmijë, të rinj me punësim të brishtë (pasigurtë), të papunë, pensionistë të vetmuar, etj. (Corriere del Veneto, 2020).

Shoqata Ndërkombëtare për Parandalimin e Vetëvrasjeve (IASP) është duke botuar kontributet e më shumë se 30 specialistëve të fushës nga të gjitha vendet e botës (IASP, 2020), në menyrë që të japë rekomandime të vlefshme për komunitete të ndryshme me impakt në menaxhimin e pandemisë si: qeveritë dhe strukturat përkatëse të shëndetit publik, gazetarët, mjekët, psikologët, mësuesit etj. Edhe IASP rekomandon linjat telefonike me ndihmë, të cilat duhet të forcohen me staf, vullnetarë por edhe me metoda të reja asistence. Gjithashtu, meqë një nga shkaqet e njohura që çon në vetëvrasje është humbja e punës dhe të ardhurave, rekomandohen që strukturat qeverisëse, të japin ndihmë financiare për strehim, ushqime dhe arsim, madje të sigurohet vazhdimsia e ndihmës për një periudhë kohore edhe përtej fazës emergjente. Ndihmë komunitare dhe mbështetje për ata që jetojnë në vetmi, kontroll më të madh në shitjen e substancave që njihen gjerësisht për vetëvrasje, etj. (Gunnell, et al, 2020).

Rekomandime të rëndësishme bëhen të ditura nga IASP edhe për institucionet mediatike, sepse kanë një rol thelbësor në menaxhimin e fenomenit. Nuk rekomandohet që të publikohen rastet e vetëvrasjes sa herë që ka të tillë, sepse krijohet një impakt shumë i madh në shoqëri, që mund të ulë besimin te sistemi shëndetësor, por gjithashtu mund të stimulohen pacientë të rrezikuar. Në fund të fundit, vetëvrasja është rezultati tragjik i disa kushteve të njohura dhe të panjohura, prandaj publikimi i lajmit, përgjithësimet, apo vendosja e një korrelacioni mes pandemisë dhe vetëvrasjes, është tepër delikat dhe me impakt tek personat e prekur.

Megjithatë kjo nuk do të thotë se mediat nuk duhet të trajtojnë fenomenin e vetëvrasjes. Përkundrazi, mediat duhet ti dedikojnë vëmendjen e duhur por me zërin e shkencëtarëve, mjekëve e psikologëve, por edhe historianëve e sociologëve. Ato duhet të tregojnë nëpërmjet zërit të ekspertëve, për panoramën e përgjithshme të Covid-19, traumat që shkakton tek njerëzit, tek ata që rrezikohen më shumë, të flitet se çfarë dihet për pandemitë dhe vetëvrasjet në historinë e njerëzimit, por edhe për mbijetesën, trajtimet mjekësore, strukturat ndihmëse në dispozicion, ndikimi i komunitetit, si dhe kërkimet shkencore në këtë fushë. Mbi të gjitha, duhet të tregohen edhe paraqiten rastet pozitive, ku janë shpëtuar dhe kuruar pacientë të ndryshëm të prekur nga probleme psikologjike shkaktuar nga Covid -19 (Reindeberg, Niederkrotenhaler, 2020), apo nga pandemi e kriza të tjera globale që kanë çuar në shtimin e numrit të vetëvrasjeve.

Sa më shumë shoqëria informohet për problemet psikologjike, sa më shumë njohuri të kompletuara asimilohen, aq më pozitiv është impakti në ndihmë të përballjes të krizave globale dhe fenomeneve që ato sjellin.

Dr. Belina Bedini, dhjetor 2020

*Dr. Belina Bedini është lektore në Departamentin e Shkencave Politike pranë Universitetit ‘Aleksandër Moisiu’. Ajo është e diplomuar në Shkenca Politika në Univeritetin e Bolonjës dhe ka një Doktoraturë në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti i Tiranës. Në karrierën e saj akademike ka drejtuar partneritetin e Universitetit Aleksandër Moisiu në disa projekte të BE si CBHE, Europe for Citizens etj. Është bashkëautore e dy teksteve akademike, si dhe autore e disa artikujve shkencorë.

 

Referenca

Agenzia Nazionale Stampa Associata ANSA. (2020, shtator). In Italia da marzo 71 suicidi a pandemia Covid, www.ansa.it/canale_saluteebenessere/notizie/medicina/2020/09/07/in-italia-da-marzo-71-suicidi-correlati-a-pandemia-covid_8ef8e492-e036-40f7-8b1f-9f21e5332a68.html

Centin. B. (2020, Tetor). Covid il numero di telefono contro l’ansia e il rischio suicide. Corriere del Veneto. https://corrieredelveneto.corriere.it/veneto/cronaca/20_ottobre_22/covid-numero-telefono-contro-l-ansia-rischio-suicidi-75e53a4e-145c-11eb-8c7d-0424e4615d52.shtml

Cheung Y. T., P. H. Chau, Paul S. F. Yip. (2008). A revisit on older adults and Severe Acute respiratory syndrome SARS Epidemic in Honk Kong. International Journal of Geriatric Psychology, 23, 12, 2008 1231-1238 DOI: 10.1002/gps.2056

Czeisler M.E, et al (2020). Mental Health, Substance Use and Suicidal Ideation. MMVR. Centers for Disease Control and Prevention, US Department of Health and Human Services. 69, 32 https://www.cdc.gov/mmwr/volumes/69/wr/pdfs/mm6932a1-H.pdf

Giorgi P. (2020, shtator). E’ allarme per i suicide causati da virus. Agenzia Italia AGI https://www.agi.it/cronaca/news/2020-09-07/allarme-psichiatri-suicidi-covid-9589799/

Gunnell. D. et al. (2020). Suicide risk and prevention during covid 19. Psychiatry. 7, 2020 https://www.thelancet.com/action/showPdf?pii=S2215-0366%2820%2930171-1

Reidenberg. D. J. Niederkrotenhaler. (2020). Reporting on Suicide during the Covid 19 pandemic. International Asocciation of Suicide Prevention IASP. https://www.iasp.info/pdf/2020_Briefing_Statement_Reporting_on_Suicide_During_COVID19.pdf

Sher L. (2020). The impact of Covid 19 Pandemic on Suicide rates. QJM: An International Journal of Medicine, 113,10, October 2020, https://doi.org/10.1093/qjmed/hcaa202

Switzerland. World Health Organization. (2020). The impact of COVID-19 on mental, neurological and substance use services: results of a rapid assessment. file:///C:/Users/HP/Downloads/9789240012455-eng.pdf

USA. International Association of Suicide Prevention IASP (2020). Covid-19 Resources Centre. https://www.iasp.info/covid-19/covid-19-resources/

Wang S. Right R. Wakatsuki Y. (2020, Nëntor). In Japan more people died suicide last month than from Covid in all 2020. And women have been impacted most. CNNhttps://edition.cnn.com/2020/11/28/asia/japan-suicide-women-covid-dst-intl-hnk/index.html

Wasserman I. M. (2010). The impact of epidemic, war, prohibition and media on suicide: United States, 1910-1920. Suicide and Life Threat Behavior, 2, 22 https://doi.org/10.1111/j.1943-278X.1992.tb00231.x

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk