Gratë dhe ekuilibri gjinor në politikën europiane

Gratë dhe ekuilibri gjinor në politikën europiane

Në 5 vitet e fundit këto shifra kanë marrë një rrjedhë tjetër, pasi numri i grave në postet vendimmarrëse është në rritje falë masave të BE për ekuilibrin gjinor. Nuk ka një shtet anëtar i cili nuk ka vende të rezervuara për gratë, kuotat ligjore dhe kuotat e partive për të siguruar një ekuilibër gjinor po gjejnë përdorim dhe janë në rritje në të gjithë Europën.

 

Përfaqësimi i grave në parlamentet kombëtare të vendeve europiane ishte 30% këtë vit krahasuar me 24% të vitit të kaluar. Spanja mban rekordin për raportin pothuajse të barabartë të grave dhe meshkujve ku në parlament ka 47% deputete, ndjekur nga Suedia ku në parlamentin e saj ka 46% deputete. Shtetet si Finlanda dhe Franca e kanë këtë raport 42% dhe 40% respektivisht. Në 2017 në Francë ky raport ishte 26% dhe me reformat e ndërmarra nga presidenti Emmanuel Macron tashmë jemi në raportin prej 40%. Masat e BE për ekuilibrin gjinor nuk kanë gjetur shumë zbatueshmëri në shtetet si Lituania, Letonia, Hungaria dhe Malta ku raporti i grave me meshkujt është më i vogël se 20%. Këto shifra janë sipas Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Ndihmë Zgjedhore (IDEA) e cila është me qendër në Suedi.

 

Gratë europiane si Ministre

 

Në kabinetin e Ministrave numri i grave ka arritur të dominojë mbi atë të meshkujve në disa vende europiane, ku në Spanjë 65% janë femra e ndërsa në Suedi 52%. Shifra të larta të pjesëmarrjes se ministreve kanë gjithashtu shtetet si Franca me 49%, Holanda me 42% dhe Danimarka me 41%. Ndërkohë në disa shtete të tjera këto norma janë mjaft të ulëta, si në Poloni me 18%, Itali me 17% dhe Hungari me vetëm 7%. Në këto shtete është vënë re që ministreve u është dhënë një portofol me natyrë socio-kulturore, ndërkohë burrat caktohen si ministra në profile të larta dhe më të rëndësishme.
Fakt interesant është se disa shtete të BE si Gjermania, Rumania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë apo kanë pasur vitet e fundit udhëheqëse femra. Sipas EUObserver në vitin 2003 nuk kishte asnjë femër udhëheqëse nga shtetet anëtare.

 

Barazia gjinore në Parlamentin dhe Komisionin Europian

 

Në zgjedhjet e Parlamentit Europian të vitit 2014 vetëm 8 shtete i plotësonin kuotat e ekuilibrit gjinor dhe në zgjedhjet e këtij viti (maj 2019) 11 shtete e plotësuan këtë kuotë. Komisioni aktual Europian i Presidentit Jean-Claude Juncker ka 19 komisionerë dhe 9 komisionere. Krejt ndryshe paraqitet kabineti i Komisionit të ri që ka ndërtuar Presidentja e re Ursula von der Leyen që merr detyrën në nëntor të këtij viti. Ai ka 14 komisionerë dhe 13 komisionere. Vlen të theksohet fakti që në Komisionin Europian për herë të parë në historinë e tij do të ketë në krye një femër.

 

Shifrat gjithnjë e në rritje të pjesëmarrjes së femrave në politikë po shkon drejt kuotave të ekuilibrit gjinor. Ato tashmë jo vetëm që gëzojnë të drejtën e votës si një e drejtë themelore e njeriut, por kanë arritur që të marrin portofole të rëndësishme në nivel kombëtar dhe europian, dhe madje në nëntor të këtij viti një femër do të jetë Presidentja e Komisionit Europian ku në gjithë historinë e këtij institucioni kanë drejtuar vetëm meshkuj. Hapat e bërë këto 5 vite kanë qenë shumë të rëndësishëm për përfshirjen e grave në politikë, por jemi akoma larg kuotave të ekuilibrit gjinor në të gjithë BE ndërkohë që politikat e ndërmarra ndonjëherë të 'imponuara' thjesht për hir të barazisë gjinore, mund të çojnë thjesht në një përfaqësim sasior të grave por jo një përfaqësim cilësor dhe thelbësor të tyre.

 

Stafi i EuroSpeak, shtator 2019

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk