***
"Momenti i së vërtetës ka ardhur për të parë qëndrueshmërinë e vlerave, forcën e institucioneve, fleksibilitetin e mjeteve financiare kolektive dhe mbi të gjitha vullnetin e vendeve anëtare të BE për të zgjedhur nëse do të shpëtojnë vetëm veten apo dhe Unionin në këtë situatë sfiduese."
Ekzistojnë shumë thënie për sa i përket periudhave problematike të ndryshme që BE ka përjetuar në të shkuarën dhe sesi i ka kapërcyer ato. Një prej tyre thotë se 'BE është gjithnjë në krizë por krizat janë paralelisht mundësi.' (Schaueble, 2019 )Megjithatë spektri i gjerë i pasojave dhe efekteve zinxhirë që kriza e shëndetit publik global prej virusit Covid-19 duket se i lë në hije të tjerat. Momenti i së vërtetës ka ardhur për të parë qëndrueshmërinë e vlerave, forcën e institucioneve, fleksibilitetin e mjeteve financiare kolektive dhe mbi të gjitha vullnetin e vendeve anëtare të BE për të zgjedhur nëse do të shpëtojnë vetëm veten apo dhe Unionin në këtë situatë sfiduese.
Publicisti dhe ekperti Ivan Krastev (2020) thotë se tashmë, edhe pse brenda një kohe shumë të shkurtër, kriza ka dëshmuar se vëmendja po rikthehet në konceptin dhe rëndësinë primare të 'shtetit komb' përderisa vendet anëtare po mbyllin kufijtë dhe po përqendrohen vetëm te qytetarët e tyre. Teksa midis të tjerash edhe regjimi Shengen ja lë vendin kufizimeve pothuajse absolute të lëvizjes së lirë është e lehtë të mendosh këtë.
Megjithatë një sërë vendimesh dhe deklaratash publike të Komisionit Europian por dhe të liderëve të ndryshëm brenda vendeve anëtare tregojnë se ka përpjekje për të dëshmuar jo vetëm solidaritet por dhe zhdërvjelltësi për të gjetur mënyra kolektive menaxhimi. Madje me sinjalet pozitive që janë dhënë, në mes të gjithë këtyre vështirësive pothuajse paralizuese, me vendimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duket se kriza nuk e ka cenuar ende vizionin për një Europë që zgjerohet e forcohet.
Këtu përfshihen grantet e drejtpërdrejta të akorduara për nevojat mjekësore por dhe rimëkëmbjen social-ekonomike nga Bashkimi Europian për secilin vend në Ballkan, por dhe gatishmëria e Komisionit për të riformatuar qëllimin dhe formën e fondeve IPA të akorduara për rajonin në mënyrë që ato të jenë lehtësisht të përshtatshme për lehtësimin e krizës së Covid-19, si dhe opsioni për përfshirjen në mekanizmin e European Solidarity Fund të vendeve në procesin e negociatave (EWB, 2020).
Ky mozaik zhvillimesh bie ndesh me perceptimin e gabuar të disa aktorëve të politikës rajonale se BE po i lë vendet e Ballkanit vetëm dhe se tashmë ka ardhur koha, në fjalët e Presidentit serb Vucic, "të apelojmë për ndihmë ndaj vëllait kinez." Po ashtu bie ndesh edhe me fatalizmin e liderëve të tjerë si kryeministri Rama që këmbëngulin se në këtë sfidë për mbijetesë ekonomike çdo vend është krejtësisht i vetëm.
Sigurisht që ndihma dhe eksperienca e vyer e vendeve si Kina por jo vetëm, është e nevojshme dhe madje shumë e mirëpritur. Por askush nuk mundet të zëvendësojë rolin e pakrahasueshëm të Bashkimit Europian, që për vite ka qenë donatori më i madh, mbështetësi më kryesor dhe aktori më vendimtar për zhvillimin politik dhe ekonomik të rajonit.
Po ashtu duke qenë se mirëqenia dhe shëndeti publik i qytetarëve janë parimisht ende përgjegjësi e shteteve doemos që vëmendja e secilit vend anëtar do jetë tek qytetarët e tij. Megjithatë asnjë prej tyre nuk ka vënë në dyshim rolin e pazëvendësueshëm të institucioneve ndërkombëtare dhe më konkretisht europiane në përmirësimin e menaxhimit të krizës dhe shumë herë është bërë thirrje për më shumë ambicie dhe guxim kolektiv europian duke parë nga e ardhmja. (Sanchez 2020).
Ky solidaritet është treguar tashmë me Italinë, vendin më të prekur nga kjo krizë. Në një skeptër më të gjerë pritshmëria për rimëkëmbjen ekonomike është fokusuar pikërisht te fuqia e Bashkimit Europian dhe instrumenteve e mekanizmave të tij financiarë.
Bashkimi Europian dhe vendet anëtare janë secila në mes të menaxhimit të krizës më të rëndë për vendet e tyre që nga Lufta e Dytë Botërore. Doemos që në javët e para, vendimet dhe masat e marra janë në kornizën e menaxhimit të emergjencave dhe mund të lënë përshtypjen se secili lufton në llogoren e vet. Gjithsesi, sikundër ky virus, kjo krizë është globale dhe forca për ta përballuar atë do të jetë shumë më e madhe nëse veprimi është i përbashkët dhe i koordinuar.
Bashkimi Europian tashmë gjendet përballë momentit të së vërtetës. Nëse forcat centrifugale të krizës do të tresin solidaritetin dhe vullnetin e përbashkët, nëse vlerat e mbrujtura dhe të promovuara me shumë mund në tërë këto vite do të zhbëhen nën moton e etnocentrizmit, BE do të humbasë shumë. Po kaq shumë do të humbasin dhe vendet kandidate, aspirata e të cilave nuk ka asnjë horizont tjetër të kaltër.
Alba Çela, maj 2020
*Alba Çela është drejtore ekzekutive eAlbanian Institute for International Studies. Ajo është eksperte në hulumtim, monitorim dhe vlerësim si dhe ka kontribuar në projekte advokimi duke kontribuar në shumë organizata kombëtare dhe ndërkombëtare. Fushat e saj të hulumtimit janë: demokracia, integrimi europian, identiteti kombëtar etj.
Referenca:
-EWB 6 April 2020: https://europeanwesternbalkans.com/2020/04/06/serbia-and-montenegro-to-apply-for-eu-solidarity-fund-resources-to-fight-covid-19/
-Krastev, I (2020), Euoepn Council on Foreign Relaitons: https://www.ecfr.eu/article/commentary_seven_early_lessons_from_the_coronavirus
-Sanchez, P (2020), The Guardian: https://www.theguardian.com/world/commentisfree/2020/apr/05/europes-future-is-at-stake-in-this-war-against-coronavirus
-Schaueble W (2019), CNBC: https://www.cnbc.com/video/2019/02/14/europe-is-always-in-crisis-says-former-german-minister.html