Të studiosh në Europë: Shtetet më të mira për të studiuar dhe mundësitë që ato ofrojnë

Të studiosh në Europë: Shtetet më të mira për të studiuar dhe mundësitë që ato ofrojnë

Po cilat janë shtetet më të mira europiane për të huajt për të studiuar?

Sipas Study.EU Country Ranking 2018, Gjermania mbetet vendi më i mirë për të studiuar, përpara Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa Franca renditet në vendin e tretë. Renditja e përgjithshme është bazuar në tre shtylla: Cilësia e edukimit (45%); Kostoja (30%) duke vlerësuar se çfarë i duhet studentëve për jetesë dhe shkollim; dhe Karriera (25%), duke vlerësuar shanset për të qëndruar dhe punuar në vend pas diplomimit.

Gjermania mban vendin e parë, pasi ajo kombinon cilësinë shumë të lartë të universiteteve në rang jo vetëm europian, por edhe botëror me tarifat e ulëta të studimit. Mbretëria e Bashkuar është në vendin e dytë, për faktin se edhe pse është lider në cilësi dhe në perspektivën për punësim në të ardhmen, kostoja e shkollimit atje është shumë e lartë për te huajt, gati e papërballueshme për familjet me të ardhura mesatare. Për më tepër parashikohet që kostoja të rritet pas daljes së saj nga BE. Ndërsa Franca është në vend të tretë, edhe ajo po ashtu si Gjermania josh studentët e huaj me universitete prestigjioze, por me kosto më të lartë së sa në Gjermani.

Universitetet më të mira sipas Times Higher Education:

Në Gjermani, i pari renditet Ludwig Maximilian University of Munich, i themeluar në 1472, ai është i fokusuar më së shumti në shkencat natyrore. Më pas vjen Technical University of Munich, i vetmi universitet që është plotësisht i dedikuar shkencës dhe teknologjisë. Heidelberg University, i cili është më i vjetri, themeluar më 1386, përfshin shumë disiplina dhe rreth 20% e studentëve janë të huaj. Ndërsa Humboldt University of Berlin është shumë prestigjoz, në të ka studiuar Marx, Engels, Einstein and Max Planck.

Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar kryeson University of Oxford dhe University of Cambridge, të cilët renditen edhe të parët në botë për vitin 2019. Më pas vjen Imperial College London i cili është i fokusuar në disiplina si shkencat natyrore, teknologjia, inxhinieria, mjekësia dhe biznesi. University College London (UCL), vendi në të cilin studioi Mahatma Gandhi, ishte i pari universitet europian i cili nuk i diskriminonte studentët nga origjina, raca, feja apo gjinia dhe sot renditet një nga më të mirët në botë.

Për sa i përket Francës, Paris Sciences et Lettres – PSL Research University Paris është univeristeti më i mirë, nga i cili kanë dal 26 nobelistë. Më pas vjen Sorbonne University, i cili është universitet publik që ka shumë të zhvilluar kërkimin shkencor. Ndërsa École Polytechnique, renditet i treti dhe është i bazuar te shkenca dhe te teknologjia.

Holanda ka si universitetin e saj më të mirë Delft University of Technology i bazuar vetëm te teknologjia, ndërsa Belgjika ka KU Leuven, i cili i përfshin të gjitha disiplinat dhe gjithashtu ka tarifa të ulëta studimi sepse financohet nga Kisha Katolike.

Çfarë duhet të keni parasysh gjatë aplikimit për të ndjekur studimet në një nga këto universitete?

Për të gjithë ata që duan të aplikojnë për një program studimi Bachelor, Master apo PhD duhet të kenë parasysh se kriteret që duhet të plotësojnë dhe dokumentet që duhet të dërgojnë janë të ndryshme për universitete të ndryshme. Më e mira që mund të bëjnë është të kërkojnë online në faqet zyrtare të secilit universitet. Megjithatë dokumentet më të zakonshme që kërkohen janë: Diploma dhe lista e notave e programit të studimit që kanë përfunduar. Gjithashtu në të gjitha shkollat kërkohet edhe dëshmia e gjuhës së huaj, duke u bazuar në programin e studimit, që mund të jetë anglisht ose gjuhë tjetër europiane. Zakonisht kërkohet që aplikantët të dërgojnë edhe një letër motivimi ku tregojnë së përse po e zgjidhin këtë shkollë apo këtë program, interesat e tyre dhe sesi e mendojnë të ardhmen nga ana profesionale. Për më tepër shumë shkolla kërkojnë edhe letra rekomandimi nga profesor apo punëdhënës, për të parë konsideratat e të tjerëve për aplikantin.

Me rëndësi është të merret informacioni dhe mbi mundësitë e bursave apo mbështetjes financiare për mbulimin e një pjese të kostove të studimit apo/dhe të jetesës. Për këtë universitetet ofrojnë bursa bazuar: në performancën akademike; apo në pamundësinë ekonomike të aplikantit. Bursa mund të ofrohen për një kategori të caktuar personash që vijnë nga një rajon apo vend i caktuar shpeshherë i cilësuar si vend/ rajon në zhvillim apo pak i zhvilluar. Informacionet për bursa mund të merren si në faqet zyrtare të universiteteve, ashtu dhe në faqet e ambasadave të vendit që synon të studiosh.

Po pse është mundësi e mirë për të huajt studimi në Europë?

Së pari, sipas Komisionit Europian në BE ka shumë kompani ndërkombëtarë të cilat ofrojnë vende pune për të sapo-diplomuarit e huaj. Së dyti, universitetet europiane udhëheqin renditjet botërore, janë mjedise miqësore me një frymë ndërkombëtare. Gjithashtu universitetet europiane ofrojnë shumë programe studimi në nivelin Bachelor, Master dhe PhD në gjuhën angleze, duke bërë që shumë studentë të huaj të kenë mundësi t’i frekuentojnë ato pa pasur nevojë të mësojnë gjuhën e vendit ku po shkojnë. Europa është një vend shumë miqësor për të huajt, universitetet dhe kolegjet e Europës ofrojnë mbështetje dhe aktivitete sociale për t’i ndihmuar studentët të ndihen si në shtëpi. Për më tepër 7 nga 10 shtetet më të lumtura në botë gjenden në Europë. Kostoja e shkollimit është një arsye tjetër duke qenë që ajo është shumë e lirë, krahasuar me kontinentet e tjera, gjithashtu shume programe studimi janë falas dhe shumë bursa apo mundësi të mbështetjes financiare janë në dispozicion. Së fundmi duhet thënë se Europa ofron mundësi shumë të mëdha për kërkuesit shkencorë, duke qenë së një nga politikat kryesore të BE është thithja e rreth 1 milion kërkuesve për 10 vitet e ardhshme.

Të jesh student në Europë mbetet kështu një eksperiencë që ndihmon të rinjtë jo vetëm nga ana akademike dhe profesionale, por edhe u ofron atyre shumë mundësi dhe hapësira që shpesh nuk i gjejnë në vendin nga ata vijnë.


                                                                                                                          Stafi i EuroSpeak, maj 2019

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk