Gjuha e pakujdesshme në media dhe nevoja për pedagogjinë feministe

Gjuha e pakujdesshme në media dhe nevoja për pedagogjinë feministe

Në një artikull të vitit 2011 me titull "Gjuha e pakujdesshme e dhunës seksuale", autorja dhe profesoresha  amerikane  Roxane Gay kritikon jo vetëm gjuhën e përdorur, por edhe mënyrën sesi portretizohej dhuna seksuale në media dhe shoqëri. Ajo e fillon artikullin duke rrëfyer një incident shqetësues të raportuar në New York Times për përdhunimin në grup të një vajze njëmbëdhjetë-vjeçare në Teksas. Në analizën e artikullit ndaj  raportimit të incidentit, autorja kritikon faktin sesi artikulli kontribuon në fajësimin e viktimave dhe minimizon ashpërsinë e krimit.


Roxane Gay argumenton se ne jetojmë në një kulturë ku dhuna seksuale është e përhapur, shpesh e banalizuar ose normalizuar, madje edhe pjesë e tregimeve të përdhunimeve në televizion dhe filma, duke vënë në dukje përdorimin sensacional të tyre me qëllime argëtimi. Gjithashtu autorja kritikon edhe gjuhën e përdorur për të përshkruar dhunën seksuale, duke vënë në dukje se si eufemizmat si "sulmi seksual" përpiqen ta zbusin realitetin e dhunës.

Autorja e përfundon artikullin duke bërë thirrje për përdorimin e kujdesshëm të gjuhës dhe për një përfaqësim më të përgjegjshëm të rasteve të përdhunimit në media dhe letërsi. Ajo thekson se gjuha ka fuqinë për të formësuar perceptimet dhe qëndrimet ndaj dhunës seksuale, prandaj duhet përdorur me kujdes dhe përgjegjësi.

Raportimi në media dhe e drejta për t’u harruar

 

Raportimi i rasteve të dhunës me bazë gjinore është thelbësor për të ndërmarrë masa dhe për të rritur ndërgjegjësimin e shoqërisë, por ky raportim duhet të bëhet me kujdes për të mbrojtur identitetin dhe integritetin e viktimave. Nëse roli ndërgjegjësues i mediave nuk realizohet në mënyrë të qëllimtë e të kujdesshme, mediat rrezikojnë të cenojnë sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale të vajzave dhe grave të prekura nga dhuna. Në këtë kontekst, përdorimi i gjuhës së kujdesshme në media dhe nevoja për edukim për barazi gjinore bëhen gjithnjë e më të rëndësishme.

Kur raportimi i rasteve të dhunës në media shoqërohet me emrat dhe fotot e viktimave, ai mund të ketë pasoja të rënda për viktimat, duke i ekspozuar ato ndaj stigmatizimit dhe ndikimit negativ në jetën e tyre në të ardhmen. Në ditët e sotme kur gjithçka rrezikon të bëhet publike për arsye sensacionale klikimi, e drejta për t'u harruar është në qendër të debatit publik dhe të të drejtave të njeriut. Kjo e drejtë, megjithëse e njohur në shumicën e vendeve europiane, vazhdon të mbetet sfidë për gratë dhe vajzat nëpër botë, sidomos ato që preken nga dhuna me baze gjinore, kur raportimi i rasteve të dhunës në media shoqërohet me emrat dhe fotot e viktimave.

Ligji i së drejtës për t’u harruar u miratua në Spanjë në vitin 2014 pasi një qytetar u ankua kundër motorit të kërkimit Google se informacioni i vjetër që lidhej me një borxh të cilin e kishte shlyer, po dëmtonte reputacionin e tij dhe po ndikonte në jetën e tij personale dhe profesionale. Gjykata Supreme e Spanjës vendosi në favor të qytetarit dhe urdhëroi që Google të hiqte referencat për të në motorin e kërkimit. Ky rast shënoi fillimin e diskutimeve dhe disa sfidave ligjore në lidhje me balancimin e lirive individuale dhe të të dhënave personale në mjedisin digjital.

Në Shqipëri nuk janë të rralla rastet kur raportimi në media i rasteve me natyrë abuzimi seksual apo dhune brenda familjes portretizohet pa treguar kujdes për vërtetësinë apo privatësinë e vajzave dhe grave. Për më tepër, raportimi jo vetëm që shoqërohet nga gjuha e pakujdesshme, por ai botohet pa trajtuar në formë analitike situatat e ndërlikuara ku lulëzon krimi dhe dhuna. Në këtë mënyrë, mungesa e analizës së thelluar për situatat e pabarazisë gjinore në media, i lë vendin nevojës që ka shoqëria shqiptare në tërësi dhe media në veçanti për edukimin për barazi gjinore. Ky rol mund të luhet jo vetëm nga media, por edhe nga institucionet arsimore, ku vjen në ndihmë koncepti i gjerë i pedagogjisë feministe.

Çfarë është pedagogjia feministe

 

Edhe pse termi pedagogji u referohet proceseve të mësimdhënies dhe ka të bëjë me ndërveprimet ndërmjet mësuesit, nxënësve, njohurive dhe mjedisit të të nxënit, për të realizuar integrimin e plotë gjinor nevojitet të sfidohen të gjitha konceptet e pabarazisë, jo vetëm ai i pabarazisë gjinore. Ashtu siç e shpjegon edhe bell hooks (Gloria Jean Watkins) pedagogjinë e saj feministe, mësuesit me vizion e dinë se edukimi demokratik nuk mund të kufizohet në klasë; përkundrazi, pedagogjia e synuar nga hooks u përgjigjet situatave të veçanta të çdo grupi studentësh, dhe sipas saj arsimimi nuk ndodh vetëm në brendësi të klasës, por kudo që ndodhen njerëzit.

 

Synimi i feminizmit është të shfarosë padrejtësitë, shtypjet dhe kufizimet që vijnë si pasojë e përkatësisë gjinore në të gjitha ndërveprimet shoqërore dhe strukturat institucionale, që nga formimi i njohurive deri në zbatimin e tyre në plan individual, komunitar apo institucional, duke ofruar mundësi të barabarta pavarësisht gjinisë.

 

Sipas hooks, arsimimi është i domosdoshëm për lëvizjen feministe, pasi, nëse gratë dhe burrat nuk lexojnë, ata përjashtohen nga ndërgjegjësimi feminist, nga proceset politike dhe nga tregu i punës. Mundësia për të lexuar u lejon njerëzve, sidomos atyre të margjinalizuar apo të diskriminuar nga shoqëria, që të përftojnë vetëdije kritike (hooks, 2002).

 

Për të arritur në këtë përfundim, hooks është ndikuar nga koncepti i Paulo Freire rreth pedagogjisë dhe vetëdijes kritike. Pedagogjia kritike, siç e gjejmë të shpjeguar nga Paulo Freire (1992), përfshin pyetjet që duhen ngritur si nga mësuesit ashtu edhe nga nxënësit lidhur me situatat dominuese në shoqëri, pyetje nga të cilat të dy palët në mësimdhënie duhet të nisen për të sfiduar së bashku praktikat, situatat dhe besimet që mundësojnë përsëritjen e pabarazive dhe shtypjeve shoqërore. Në momentin që pedagogjia sfidon pabarazitë, aty tregohet elementi fuqizues i saj.

 

Pedagogjia feministe në politikat e arsimit shqiptar

 

Duke konsideruar nevojën urgjente për barazi gjinore, politikëbërësit e arsimit shqiptar nevojiten të konsiderojnë pedagogjinë feministe si qasje të domosdoshme për formimin e djemve dhe vajzave, pasi kurrikulumi formal përbën çështje gjinore po aq sa edhe ndërveprimet mësues(e)-nxënës(e) apo shoqërizimi me njëri-tjetrin.

 

Tema e çështjeve gjinore në klasë nuk mund të thjeshtëzohet duke kritikuar stereotipet mbizotëruese pasi thellësia e këtyre çështjeve na tregon më shumë rreth efekteve të shtresëzuara të kurrikulumit dhe të pedagogjisë në përjetësimin e sistemeve të besimit që i konsiderojnë gratë dhe vajzat si më pak të rëndësishme dhe arritjet e burrave dhe djemve si domethënëse.

 

Për djemtë dhe vajzat, transformimet në kurrikulum dhe pedagogji që vlerësojnë kontributet si formale dhe joformale të grave dhe burrave ofrojnë siguri për një arsim të shkëlqyer i cili nuk do të ekzistonte pa mundësitë e ofruara për drejtësi gjinore. Në një kohë kur arsimi shqiptar preket nga problematika të ndryshme, nevojitet që të edukohen djemtë dhe vajzat me parime të barazisë gjinore duke perceptuar njëri-tjetrin si partnerë dhe jo kundërshtarë.

 

Edhe pse në Shqipëri mungojnë studime të mirëfillta që përqendrohen posaçërisht në ndërveprimin me njëanshmëri gjinore në klasë dhe shkollë, vëzhgime të ndryshme nxjerrin në pah faktin që stereotipet gjinore në institucionet arsimore shqiptare janë të pranishme në shumë forma ndërveprimi në ambientet shkollore. Këto stereotipe gjinore të shprehura në kurrikula, në familje apo në shkollë janë tepër të dëmshme si për vajzat ashtu edhe për djemtë pasi ato mund të rrëzojnë vetëbesimin e vajzave në drejtime të ndryshme apo t’i orientojnë ato drejt modeleve të gabuara nëse nuk integrohet më së miri pedagogjia feministe.

 

Përfundime dhe rekomandime

 

Për të shmangur sa më shumë ndikimin negativ të stereotipeve me bazë gjinore në jetët e djemve dhe vajzave, nevojitet që shteti shqiptar të zhvillojë në mënyrë të qëllimtë politika dhe të ndërmarrë nisma konkrete të barazisë gjinore në arsim duke u ofruar mësuesve trajnime të posaçme mbi mësimdhënien ku dalin në pah pasojat negative të stereotipeve gjinore.

 

Autorja bell hooks thekson se “arsimi publik duhet të jetë një vend ku aktivistet feministe të vazhdojnë të punojnë për të krijuar një kurrikulum të paanshëm. Lëvizja feministe në të ardhmen duhet medoemos ta shohë edukimin feminist si tepër të rëndësishëm në jetët e gjithkujt” (hooks, 2000, f. 23).  Aktualisht, në Suedi, që nga dhjetori 2015, libri i shkurtër në formë eseje “Të gjithë duhet të jemi feministë” (We should all be feminists) është bërë pjesë e programit mësimor në të gjitha shkollat e mesme. Meqë në vitin 2016 ky libër është përkthyer edhe në gjuhën shqipe, do të ishte shumë e dobishme që të bëhej pjesë edhe e programit të shkollave tona të mesme.

 

Nëse duam të jetojmë në një shoqëri të barabartë dhe të drejtë, është e rëndësishme që të realizohet me kujdes përdorimi i gjuhës në media dhe të jemi të vetëdijshëm për ndikimin që ajo ka në perceptimet dhe sjelljet tona. Gjuha e përdorur për të përshkruar rastet e dhunës dhe abuzimit seksual duhet të jetë e ndjeshme dhe të respektojë integritetin e viktimave. Përveç kësaj, investimi në edukimin për barazi gjinore dhe pedagogjinë feministe është kritik për të shndërruar shoqërinë në një mjedis më të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Duke u fokusuar në të dy këto aspekte, ne mund të ndërtojmë një shoqëri ku gratë dhe burrat trajtohen me të njëjtat mundësi dhe respekt, dhe ku të gjithë individët kanë mundësinë të zhvillojnë potencialin e tyre pa dallime me bazë gjinore.


Eriada Çela, prill 2024 


*Dr. Eriada Çela punon si lektore me kohë të plotë në universitetin “Aleksandër Xhuvani, Elbasan.  Ka kryer studimet e nivelit master për studime gjinore në Universitetin e Europës Qendrore në Hungari dhe mban gradën Doktor Shkencash në Pedagogji, dhënë nga Universiteti i Tiranës. Tema e doktoraturës trajton çështjen e integrimit të perspektivës gjinore në kurrikulat e arsimit bazë si domosdoshmëri për formimin e qytetarëve në shoqërinë demokratike. Në vitin 2019, Dr. Çela ka realizuar një studim post-doktoral si studiuese e bursës prestigjioze Fulbright në Universitetin e  Rutgersit në New Jersey, SHBA. Eshtë autore e disa punimeve kërkimore-shkencore në fushën e mësimdhënies, barazisë gjinore dhe qytetarisë aktive. Ka  punuar për disa organizata ndërkombëtare dhe është angazhuar në disa projekte kombëtare e ndërkombëtare. Nga viti 2012 ka qenë koordinatore lokale për European Movement Albania në Elbasan. Fusha e interesit dhe ekspertiza: arsimi i lartë, barazia gjinore, pedagogjia kritike, qytetaria aktive, formimi i mësues(e)ve 

 

Referenca

 

Freire, P. (1992). Pedagogy of the Oppressed. London: Penguin.

Holden, C. (2002). Contributing to the Debate: the Perspectives of Children on Gender, Achievement and Literacy. Journal of Educational Enquiry, Vol 3, No 1, pp 97-110.

 hooks, b. (2003). Teaching community: A pedagogy of hope. New York: Routledge

hooks, b. (2000). Feminism is for Everybody: Passionate Politics. Cambridge, MA: Southend Press

Gay, R. “The Careless Language of Casual Violence.” The Rumpus, 2011, pp. 1-7. https://therumpus.net/2011/03/10/the-careless-language-of-sexual-violence/

Koch, J. (2003). Gender Issues in the Classroom In Reynolds, W. M. & Miller, G. E. (Eds.) Handbook of Psychology Volume 7 Educational Psychology (f. 259-281), Hoboken, New Jersey: John Wiley & Sons, Inc..

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk