Situata e personave që i përkasin komunitetit LGBTIQ në BE nuk është tanimë një çështje vetëm në kufijtë e margjinalizimit, por njihet si çështje e të drejtave të njeriut. Vitet e fundit, të drejtat themelore të personave lezbike, homoseksualë, biseksualë, transgjinorë, interseks dhe queer janë bërë gjithnjë e më shumë objekt i zhvillimeve ndërkombëtare dhe kombëtare. Orientimi seksual dhe identiteti gjinor janë njohur si baza për diskriminim në legjislacionin Europian dhe kombëtar. Standardet e mosdiskriminimit dhe barazisë për personat LGBTIQ janë duke u zhvilluar dhe zgjeruar vazhdimisht nga Bashkimi Europian, Këshilli i Europës dhe Kombet e Bashkuara.
Megjithatë, jeta e përditshme e shumë personave LGBTIQ vazhdon të karakterizohet nga përjashtimi, urrejtja apo edhe dhuna, qoftë në shkollë, në punë apo në vende publike. Një studim i një shkalle të gjerë i realizuar në 2019 nga Agjencia e Bashkimit Europian për të Drejtat Themelore (FRA), nxorri të dhëna alarmuese. Sipas FRA 43% e përafërsisht 140 000 personave LGBTIQ të intervistuar deklaruan që ndihen në një mënyrë apo tjetër të diskriminuar (kjo shifër arrinte deri në 37% në 2012). 33% e tyre shmangin vende të caktuara nga frika që mund të sulmohen, kërcënohen apo ngacmohen për shkak të orientimit të tyre seksual apo identitetit gjinor. Meshkujt homoseksualë dhe personat transgjinorë ishin më të prirur për të pranuar që për këtë shkak ata e ndryshojnë sjelljen e tyre dhe e fshehin identitetin. Vetëm gjysma e të anketurarve ndihen mjaftueshëm rehat për të qenë të hapur për përkatësinë e tyre në komunitetin LGBTIQ.
Për më tepër, më shumë se gjysma e të pyeturve (58%) u shprehën se gjatë pesë viteve të fundit kanë përjetuar ngacmime në formën e situatave fyese ose kërcënuese në punë, në rrugë, në dyqan, në transportin publik, në internet apo dhe në vende të tjera, duke përfshirë incidente fyese ose kërcënuese të natyrës seksuale. Të gjithë ata ia atribuuan këtë, perceptimit si LGBTIQ. Megjithatë, pak të anketuar (14%) i kanë raportuar këto incidente të diskriminimit ose dhunës në polici. Kryesisht sepse, sipas mendimit të tyre, raportimi tek autoritetet nuk do të arrinte apo ndryshonte diçka (FRA, 2020).
Shumica e të anketuarve që deklarojnë se gjendja e personave LGBTIQ është përkeqësuar që nga viti 2012, konsiderojnë si faktorë kryesor kontribuues “ligjërimin publik negativ nga politikanët dhe/ose partitë politike”, si dhe “mungesa e mbështetjes nga shoqëria civile”, “mungesa e zbatimit të ligjit dhe politikave ekzistuese” apo “mungesa e mbështetjes nga figurat publike dhe ato kryesore të komunitetit”.
Në përgjithësi, dallimet midis shteteve anëtare të BE-së janë të dukshme. Të anketuarit e vetëm nëntë vendeve (33%) besojnë se qeveria e tyre në mënyrë efektive po lufton paragjykimet dhe intolerancën ndaj personave LGBTIQ (më e larta në Maltë me 83%). Nga ana tjetër, në dhjetë shtete anëtare, kjo përqindje është më e ulët se 20%, duke rënë në nivelin më të ulët prej 4% në Poloni (FRA, 2020).
Shumë nga fushat e politikave që lidhen me përmirësimin e barazisë për personat LGBTIQ janë kryesisht përgjegjësi e shteteve anëtare. Megjithatë, BE-ja luan një rol të rëndësishëm në ofrimin e udhëzimeve, koordinimin e veprimeve të shteteve anëtare, monitorimin e zbatimit të këtyre politikave dhe progresit, ofrimin e mbështetjes nga fondet e BE-së dhe promovimin e shkëmbimit të praktikave më të mira ndërmjet shteteve anëtare (FRA, 2020).
Në vitin 2020, Komisioni Europian prezantoi për herë të parë një Strategji të BE-së për të mbrojtur të drejtat e komunitetit LGBTIQ. Strategjia liston masat e synuara për pesë vitet e ardhshme për të luftuar pabarazitë dhe diskriminimin ndaj personave LGBTIQ dhe për të promovuar barazinë e tyre në shoqëri. Për më tepër kjo strategji është e lidhur me strategji të tjera të Komisionit kundër diskriminimit, si Plani i Veprimit të BE-së kundër Racizmit 2020-2025 dhe Strategjia për Barazinë Gjinore (Komisioni Europian, 2020).
Dokumenti strategjik bazohet në katër shtylla. Pika e parë përfshin masa konkrete për “Luftën kundër diskriminimit”. Siç u përmend në fillim, rreth 43% e personave LGBTIQ janë ndjerë të diskriminuar në vitin 2019, ky numër është më i lartë se kurrë më parë. Për këtë arsye, ishte e rëndësishme të miratoheshin masa të mëtejshme mbrojtëse, si zbatimi dhe përmirësimi i mbrojtjes ligjore kundër diskriminimit, promovimi i diversitetit dhe përfshirjes në vendin e punës, luftimi i pabarazive në arsim, kulturë, shëndetësi dhe sport, si dhe garantimi i të drejtave të personave LGBTIQ që kërkojnë mbrojtje (ndër)kombëtare.
Një çështje tjetër është “Garantimi i sigurisë” për mbrojtjen e personave LGBTIQ nga aktet e dhunshme dhe kriminale, të cilat janë ende një realitet i përditshëm. Kjo përfshin përforcimin e mbrojtjes ligjore kundër krimeve të dhunshme dhe të urrejtjes, luftimin dhe raportimin e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit në internet, si dhe promovimin e shëndetit fizik dhe mendor.
Përveç kësaj, dokumenti strategjik fokusohet në modelet e ndryshme të familjes që ekzistojnë në BE, duke përfshirë familjet ylber, ku të paktën një anëtar i familjes është LGBTIQ. Për shkak të legjislacioneve të ndryshme në shtetet anëtare të BE-së, njohja e të qenit prind me partner të të njëjtit seks nuk garantohet në çdo vend të BE-së. Aktualisht, vetëm 21 nga 27 vende pranojnë një formë të partneritetit të të njëjtit seks. Për sa i përket birësimit, numri i shteteve është akoma më i vogël. Megjithatë, për të qenë në gjendje të miratohet një ligj për këtë gjë, kërkohet pëlqimi i të gjitha shteteve të BE-së. Një zgjidhje e pranuar gjerësisht, po punohet aktualisht si pjesë e fokusit të tretë të dokumentit strategjik, “Mbrojtja e të drejtave të familjeve ylber”. Kjo përfshin gjithashtu njohjen e plotë të identiteteve transgjinore, të padeklaruar si dhe ndërseksuale, të cilat shpesh nuk parashikohen as në ligj e as në praktikë. Ky fakt mund të çojë në vështirësi ligjore për jetën e tyre private dhe familjare, veçanërisht në situata ndërkufitare (Komisioni Europian, 2020).
Shtylla e fundit bazohet në “Promovimin e barazisë për personat LGBTIQ në mbarë botën” sepse në shumë pjesë të botës ata ende përjetojnë abuzime dhe shkelje serioze të të drejtave. Nën "Instrumentin e Fqinjësisë, Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar" (NDICI), "Instrumentin e Asistencës së Para-Aderimit" (IPA), i cili mbështet gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe "Fondin për Azilin dhe Migracionin", Komisioni promovon aksione të ndryshme për barazinë LGBTIQ. Plani synon ta bëjë BE-në një model global për barazinë dhe mbrojtjen e komunitetit LGBTIQ.
Komisioni Europian, nën drejtimin e Komisioneres për Barazi, Helena Dalli, monitoron rregullisht zbatimin e masave në të gjitha Shtetet Anëtare dhe përfshin luftën kundër diskriminimit në të gjitha politikat dhe iniciativat kryesore të BE-së. Në vitin 2023 ata do të paraqesin një vlerësim afatmesëm. Në të njëjtën kohë, Komisioni u bën thirrje në mënyrë të përsëritur shteteve që të zhvillojnë dhe zbatojnë planet e tyre të veprimit për barazinë LGBTIQ (Komisioni Europian, 2020).
Siç u përmend më lart, BE-ja varet nga bashkëpunimi i të gjitha shteteve anëtare për zbatimin e planit, rrjedhimisht edhe atyre me pikëpamje ultra-konservatore, për shembull përhapja e akuzës për "ideologji LGBTIQ". Hungaria dhe Polonia në veçanti dalin në pah si vende ku të drejtat e komunitetit LGBTIQ aktualisht janë duke u dobësuar akoma më shumë. Në vitin 2020, Hungaria miratoi një amendament kushtetues që jo vetëm që kufizon ashpër të drejtat e familjeve të ylberit dhe u mohon atyre të jenë prindër, por gjithashtu përcakton se gjinia e një personi përcaktohet vetëm si ajo në kohën e lindjes së tyre. Kështu, as transseksualët dhe as ndërseksualët nuk njihen. Gjithashtu në Poloninë rreptësisht katolike, ka tendenca që drejtohen posaçërisht kundër personave LGBTIQ. Për shembull, disa qytete e kanë deklaruar veten "zona pa LGBTIQ", disa prej të cilave Komisioni i ka përjashtuar nga programet e BE-së dhe rrjedhimisht nga financimet (Deutsche Welle, 2020).
Shembuj pozitivë përfshijnë Irlandën dhe Luksemburgun ku janë zgjedhur krerët e shtetit të qeverive përkatëse që kanë deklaruar hapur që i përkasin komunitetit LGBTIQ (NBC News, 2017).
Në fund të fundit, BE-ja nuk është vetëm një komunitet ekonomik, por edhe një komunitet vlerash ku askush nuk duhet të ndjejë nevojën për të fshehur identitetin e tij në mënyrë që të shmangë diskriminimin ose urrejtjen. Këto vlera, për të cilat të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë zotuar, përfshijnë respektimin e dinjitetit njerëzor, lirisë, barazisë dhe respektimin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Presioni që dikush përjeton për të fshehur identitetin bie ndesh me të drejtat themelore të mishëruara në Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Isabell Kozlowski,Stafi i EuroSpeak, tetor 2021
*Artikulli është realizuar në gjuhën angleze, dhe është përkthyer në shqip nga Gladiola Lleshi, Stafi i EuroSpeak.
Referencat:
Deutsche Welle (2020): Mehr Schutz für Schwule und Lesben. From: https://www.dw.com/de/mehr-schutz-f%C3%BCr-schwule-und-lesben/a-55581311
European Commission (2020): Union of Equality: The Commission presents its first-ever strategy on LGBTIQ equality in the EU. From: https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/en/ip_20_2068
FRA European Union Agency for Fundamental Rights (2020): A long way to go for LGBTI equality. From: https://fra.europa.eu/sites/default/files/fra_uploads/fra-2020-lgbti-equality-1_en.pdf
NBC News (2017): Ireland Appears Set to Elect First Openly Gay Prime Minister. https://www.nbcnews.com/feature/nbc-out/ireland-appears-set-elect-first-openly-gay-prime-minister-n765426