Investimi në sektorin e arsimit është një ndër politikat afatgjata më fitimprurëse për të ardhmen e vendit si dhe një strategji për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë që sjell rritjen e punësimit dhe kualifikimit të të rinjve si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve. Në Shqipëri, problematikat në sektorin e arsimit paraqesin një ndër faktorët themelorë në emigracionin e të rinjve dhe uljen e numrit të profesionistëve në sektorë të ndryshëm të shoqërisë. Në këtë shkrim do të shqyrtohet mënyra se si mangësitë e sistemit arsimor në Shqipëri nxisin emigracionin te të rinjtë duke e dobësuar më tej cilësinë e arsimit në vend.
Impakti shoqëror i papunësisë dhe emigrimit të të rinjve të kualifikuar
Rezultatet e Censit të vitit 2023 treguan se, krahas rënies së numrit të popullsisë në 2 milionë e 402 mijë e 113 banorë (ose 419 mijë banorë më pak se në vitin 2011), fenomeni i emigracionit është veçanërisht i pranishëm te të rinjtë ku numri i popullsisë së moshës 15-29 vjeç ra afërsisht me 17%, ose 124 mijë të rinj, krahasuar me të dhënat e regjistrimit të vitit 2018. Kjo rënie e konsiderueshme nënvizon shkallën e lartë të emigrimit te të rinjtë në vend, e nxitur më së shumti nga kërkimi i mundësive më të mira dhe perceptimi i mungesës së perspektivës në Shqipëri. Prirja e emigrimit është veçanërisht e theksuar te të rinjtë e arsimuar. Shkalla e lartë e papunësisë së të rinjve në Shqipëri e shton më tej prirjen drejt emigrimit. Sipas të dhënave të publikuara nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (International Labour Organization) në vitin 2024, shkalla e papunësisë te të rinjtë është afërsisht 26% (ILO, 2024), dukshëm mbi mesataren kombëtare, e cila sipas INSTAT është në shifrat 11.3% (INSTAT,2024). Kjo përqindje e lartë e papunësisë te të rinjtë evidenton haptazi hendekun midis sasisë së të diplomuarve dhe nevojave reale të tregut të punës, gjë që e stimulon edhe më tepër dëshirën e të rinjve për t’u larguar nga vendi.
Teoritë sociologjike të stratifikimit shoqëror i kanë trajtuar gjerësisht këto problematika që në instancë të fundit çojnë në rritjen e pabarazisë ekonomike në shoqëri. Sipas këtyre teorive, një ndër arsyet thelbësore që i motivon të rinjtë në vazhdimin e studimeve universitare është përmirësimi i statusit dhe pozicionit të tyre në hierarkinë shoqërore, gjë që sjell gjithashtu përmirësimin e gjendjes së tyre ekonomike. Megjithatë, në Shqipëri realiteti paraqitet ndryshe, pasi shumë të rinj janë të punësuar në sektorë që nuk përputhen me kualifikimet e tyre dhe që me shumë gjasë do të ishin pranuar në pozicione të tilla si ato të sektorit “Call Center” apo punët sezonale gjatë sezonit veror edhe pa i pasur këto diploma. Kësisoj, një realitet i tillë e dëmton vlerën e perceptuar të kualifikimeve të tyre e për rrjedhojë ata preferojnë të emigrojnë drejt vendeve perëndimore, në të cilat u shtohen mundësitë për t’i dhënë më tepër vlerë kualifikimeve universitare. Ky fenomen ndikon jo vetëm te perspektivat social-ekonomike të të rinjve, por njëherësh shpërfaq një krizë edhe më të gjerë sistemike brenda sistemit arsimor.
Një sondazh i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në vitin 2023, vë në dukje se afërsisht 40% e të rinjve shqiptarë të moshës 18-30 vjeç synojnë të emigrojnë brenda pesë viteve të ardhshme (IDM, 2023). Dëshira e lartë për të emigruar, ku pothuaj një në dy të rinj kërkon të largohet, demonstron një zhgënjim masiv shoqëror dhe sinjalizon një krizë të mundshme afatshkurtër në strukturën demografike dhe ekonomike të vendit. Perspektiva e emigrimit të mëtejshëm ngre shqetësime për qëndrueshmërinë afatgjatë të fuqisë punëtore në Shqipëri dhe kapacitetin e saj për zhvillim ekonomik dhe shoqëror.
Gjendja aktuale e sistemit arsimor në Shqipëri
Sistemi arsimor shqiptar, edhe pas reformave të dekadës së fundit, vazhdon të përballet me sfida që ndikojnë në cilësinë dhe efektivitetin e tij. Shpenzimet publike për arsimin në Shqipëri, pavarësisht se gjatë viteve të fundit janë rritur, sërish mbeten më të ulëtat në rajon, duke zënë më pak se 3% të PBB, nën mesataren e Bashkimit Europian prej 4.7% (Banka Botërore, 2024). Ky financim i pamjaftueshëm prek aspekte të ndryshme të sistemit arsimor, që nga pagat dhe trajnimi i mësuesve deri te mirëmbajtja e infrastrukturës shkollore, sigurimi i materialeve mësimore, digjitalizimi i institucioneve arsimore, kërkimi shkencor etj.
Kurrikula e institucioneve arsimore shpesh kritikohet për qasjen e tyre të vjetëruar, e cila thekson mësimin përmendësh në vend të zhvillimit të të menduarit kritik dhe aftësive për zgjidhjen e problemeve. Ndërkaq, nga sondazhe të botuara në raportin e Komisionit Europian mbi Shqipërinë, 25% e të rinjve të diplomuar nuk e konsiderojnë veten të përgatitur për t’u bërë pjesë e tregut të punës, ndërsa 45% e punëdhënësve në Shqipëri mendojnë se të rinjtë e sapodiplomuar nuk disponojnë njohuritë e duhura për tregun e punës (Komisioni Europian, 2023). Për më tepër, shumë shkollave në zonat rurale u mungojnë lehtësirat bazë dhe aksesi në teknologji, duke përkeqësuar pabarazitë arsimore midis rajoneve urbane dhe rurale (IDM, 2024). Në rezultatet e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve PISA 2023, bie në sy fakti se nxënësit shqiptarë krahasimisht me rezultatet e vitit 2018 u renditën 11 vende më poshtë në testin e njohurive shkencore, 6 vende më poshtë në matematikë dhe 5 vende më poshtë në lexim. Nga 81 vende që morën pjesë në këtë vlerësim, nxënësit shqiptarë u renditën në vendin e 70-të, ose 19 pozicione më poshtë se në vitin 2015 (OECD, 2024). Këto të dhëna na sjellin edhe njëherë në vëmendje faktin se sistemi arsimor në Shqipëri nuk i ka pajisur të rinjtë me njohuritë e mjaftueshme dhe aftësitë për të konkurruar në tregun global. Sa i takon arsimit të lartë, ndonëse shumica e universiteteve private në Tiranë e kanë reduktuar ndjeshëm tarifën e regjistrimit krahasimisht me dhjetë vjet më parë, numri i studentëve në këto universitete është më i ulët se gjatë viteve 2014-2015. Mediat në Shqipëri raportojnë se krahasuar me vitin 2011, numri i studentëve të regjistruar në vitin e parë të universitetit në vitin 2023 është ulur me 43%, teksa disiplinat e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës kanë pasur numrin më të ulët të regjistrimeve përgjatë viteve të fundit.
Implikimet shoqërore dhe ekonomike të “Brain drain”
Emigrimi i profesionistëve të kualifikuar, ndryshe i quajtur “Brain drain” apo “Ikja e trurit“, ka implikime të thella në shoqërinë shqiptare. Ky fenomen jo vetëm që e cënon potencialin e vendit për zhvillim dhe inovacion, por ka edhe pasoja të rëndësishme shoqërore, politike dhe ekonomike.
Në aspektin shoqëror, largimi i profesionistëve të rinj mund ta zhvendosë ekuilibrin shoqëror, pasi popullsia e mbetur brenda vendit mund të përballet me një presion të shtuar për ta plotësuar vakumin e lënë nga emigrantët. Gjithashtu, largimi masiv i profesionistëve të rinj priret ta shtojë zhgënjimin tek ata që mbeten, duke sjellë kësodore një efekt domino si pasojë e një perceptimi në rritje se profesionistët më të mirë shqiptarë janë ata që shkojnë në Perëndim. Largimi masiv i shqiptarëve mund të shpjegohet përmes teorisë së fituesit të Çmimit “Nobel” në ekonomi, George Akerlof, sipas të cilit sa më shumë njerëz largohen nga një vend, aq më pak tërheqës bëhet ai vend për të tjerët që qëndrojnë. Ky perceptim e përshkallëzon mosbesimin e njerëzve në institucione, sidomos në sektorët më kyç si shëndetësia dhe arsimi, ku numri i profesionistëve të larguar gjatë viteve të fundit ka qenë më i lartë.
Në aspektin politik, sikurse shkruan politologu Francis Fukuyama, vendet që përjetojnë nivelet më të larta të ‘Ikjes së trurit’ zakonisht përballen me sfida të vazhdueshme në ruajtjen e shërbimeve publike dhe efektshmërinë e qeverisjes. Për shembull, largimi i mjekëve, inxhinierëve dhe akademikëve mund ta përkeqësojnë sistemin e kujdesit shëndetësor, infrastrukturën dhe institucionet arsimore, të cilat janë tejet kritike për një qeverisje demokratike” (Fukuyama, 2014).
Në aspektin ekonomik, emigrimi i profesionistëve në sektorët e teknologjisë dhe të inovacionit e kufizon edhe më tej mundësinë e Shqipërisë për të nxitur industri të reja dhe për të përmirësuar ato ekzistuese, çka mund të sjellë pengesa në diversifikimin ekonomik të vendit. Për më tepër, largimi i punëtorëve të kualifikuar ndikon në rritjen ekonomike duke reduktuar kapitalin njerëzor të vendit.
Në përfundim të këtij artikulli mund të ndahen disa rekomandime:
- Rritja e buxhetit shtetëror në sektorin e arsimit sidomos në modernizimin e infrastrukturës, përditësimin e kurrikulave në programet e studimit dhe nxitjen e trajnimeve të mësuesve. Pavarësisht se ligji aktual për Arsimin e Lartë mbështet autonominë financiare të Institucioneve të Arsimit të Lartë, siç mund të shihet më sipër, reforma e vitit 2017 nuk ka dhënë rezultatet e pritura, e sidomos në kushtet kur numri i studentëve në vend po ulet nga viti në vit, rritja e shpenzimeve publike në Arsimin e Lartë do të ishte shumë më i efektshëm sesa autonomia financiare nga shteti dhe financimi i universiteteve nga tarifat studentore, që vijojnë të mbeten të larta në raport me pagën mesatare.
- Rritjen e ndërveprimit midis institucioneve arsimore dhe sektorit privat në mënyrë që të reduktohet hendeku ndërmjet njohurive që transmetohen në auditor dhe aftësive të kërkuara nga tregu i punës. Megjithëse Zyrat e Këshillimit të Karrierës gjenden pothuajse në çdo Institucion të Arsimit të Lartë në Tiranë, roli i këshilluesve të karrierës te studentët nuk ka qenë shumë i efektshëm në shtimin e kontakteve midis studentëve dhe punëdhënësve të mundshëm. Në këtë kuptim, trajnimi i vazhdueshëm i këshilluesve të karrierës si dhe nxitja për organizimin e panaireve të punësimit si nisma ndëruniversitare do të ishte një hap i rëndësishëm në rritjen e impaktit të këshillimit të karrierës te studentët.
- Krijimin e një programi të përbashkët Erasmus me universitetet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të ishte një mundësi e mirë për drejtuesit e universiteteve, lektorët, studiuesit dhe studentët për t’u dhënë një përgjigje të përbashkët sfidës së largimit të profesionistëve të kualifikuar. Vende si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi po përballen me të njëjtat problematika si Shqipëria sa i takon çështjes së emigracionit të të rinjve, prandaj krijimi i partneriteteve me universitetet e këtyre vendeve nëpërmjet programeve për shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik do t’u ofronte mundësi të reja profesionistëve të kualifikuar që ta pasurojnë përvojën e tyre profesionale në vende të ndryshme të rajonit, çka do të sillte një treg më të madh ku ata do mund t’i zhvillonin fushat e tyre të ekspertizës.
- Eksperienca e ngjashme e vendeve si India dhe Filipinet sa i takon fenomenit të “Brain drain” na tregojnë se implementimi i politikave që synojnë përmirësimin e cilësisë në arsim kanë rezultuar të efektshme në rikthimin në vend të profesionistëve që kanë emigruar. Gjithashtu, iniciativa të tilla si krijimi i programeve për “kthimin e trurit”, përfshirja e rrjetit të profesionistëve në diasporë si dhe incentivat për riatdhesimin të emigrantëve mund të favorizojnë dhe intensifikojnë bashkëpunimin me rrjetet e ndryshme të emigrantëve.
Lulzim Hoxha, tetor 2024
*Lulzim Hoxha është studiues i shkencave politike, me një karrierë 10-vjeçare në mësimdhënie si pjesë e departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Europian të Tiranës dhe Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Aktualisht është i angazhuar si pedagog me kohë të pjesshme në departamentin e Shkencave Politike, Fakulteti i Shkencave Sociale pranë Universitetit të Tiranës. Në vitin 2017 është doktoruar në disiplinën e Shkencave Politike si dhe ka marrë pjesë në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Prej gjashtë vitesh shkruan për revistën “Medius” në Tiranë dhe “Shenja” në Shkup, ku ka botuar artikuj të ndryshëm që lidhen me aktualitetin politik dhe shoqëror në Shqipëri dhe rajon, problematikat e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor, analiza kritike të ligjërimit politik në Shqipëri si dhe trajtesa të ndryshme mbi teoritë e nacionalizmit dhe kombformimit në Ballkan.
Referencat
European Commission. (2023). Albania 2023 Report. Brussels: European Commission, p.64
Fukuyama, Francis. (2014). Political Order and Political Decay: From the Industrial Revolution to the Globalization of Democracy. Farrar, Straus and Giroux.
INSTAT (2024). Censi i Popullsisë dhe Banesave në Shqipëri 2023 – Rezultatet Kryesore, Tiranë: Instituti i Statistikave
International Labour Organization. (2024). Youth Unemployment and Labor Market Trends in Albania
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, (2023). Migration Trends and the Albanian Diaspora
OECD. (2023). Albania Economic Snapshot. Paris: OECD
World Bank. (2023). World Bank Data: Education Spending in Albania. Washington, D.C.: World Bank.