Papunësia shihet ende si sfida kryesore për pothuajse gjysmën e europianëve (45%), e ndjekur më pas nga pabarazia sociale (36%). Ndërkohë, që çështjet e tilla si migracioni (36%), terrorizmi dhe siguria (31%) vijnë të tretat dhe të katërtat në listën e shqetësimeve për qytetarët evropianë. Në dritën e këtyre të dhënave, pjesa më e madhe e të anketuarve u shprehën se më shumë vëmendje duhet t'i kushtohet barazisë sociale dhe solidaritetit (46%), në krahasim me tema të tjera të tilla si mbrojtja e mjedisit (31%) apo progresi dhe inovacioni (28%).
A ka akoma ndjeshmëri dhe interes ndaj çështjeve Europiane?
Europianët duken të jenë më pak entuziastë kur vjen puna për t’i dhënë një rol më të madh institucioneve të BE-së në menaxhimin e ekonomisë. Sipas rezultateve të sondazhit të kryer, vetëm 1 në 5 europianë është shprehur në favor se një qeveri ekonomike për BE-në do të jetë padyshim e dobishme për të ardhmen e Europës. Ndërsa në anën tjetër të medaljes, shumica e tyre, pra rreth 53% propozuan standardet e krahasueshme të jetesës në të gjithë BE-në, si më të dobishme për të ndërtuar të ardhmen e Europës.
Në fakt, duhet përmendur se edhe pse 68% e europianëve favorizojnë më shumë vendimmarrje në nivel europian për të stimuluar investimet dhe krijimin e vendeve të punës, qasja europiane duket të jetë më pozitive në fusha të tjera të tilla si lufta kundër terrorizmit (80%), promovimi i demokracisë dhe paqes (80%), apo mbrojtja e mjedisit (77%).
Qytetarët e vendeve Nordike dhe Austria janë më pak mbështetës ndaj një qasjeje europiane për investimet dhe krijimin e vendeve të punës. Ndërsa 67% e gjermanëve kanë mbështetur idenë e një Europe të angazhuar në rritjen e punësimit dhe investimeve në ekonomi. Ky rezultat është mjaft interesant pasi tejkalon dhe atë të vendeve si për shembull Polonia (65%) e cila në fund të fundit përfiton më shumë nga fondet e BE-së.
Po me ekonominë ç’do të bëhet?
Një tjetër sondazh i Eurobarometrit, i publikuar vetëm javën e kaluar, bëri me dije se europianët janë më pesimistë në lidhje me ekonomitë e tyre kombëtare sesa i përket situatës së tyre personale. Ndërsa 56% e të anketuarve gjykuan negativisht situatën ekonomike në vendet e tjera, 69% e tyre besojnë se gjendja financiare ku ata jetojnë është krejtësisht e mirë. Në të njëjtën kohë, 45% e të anketuarve konsiderojnë se ndikimi i krizës ekonomike në tregun e punës do të përkeqësohet edhe më tej në të ardhmen, ndërkohë që 42% e tyre janë shprehur se tashmë duket të ketë një pikë kthese për mirë.
Fatkeqësisht, duke u bazuar edhe në të dhënat e sondazhit të kryer përgjatë muajve të fundit të këtij viti, përshtypjet për të ardhmen duken të jenë mjaft pesimiste. Më shumë se gjysma e europianëve (56%) mendojnë se jeta për fëmijët e sotëm do të jetë më e vështirë se ajo e brezit të tyre.
Asnjë përshtypje pozitive në lidhje me BE-në?
Në fakt duket se shpresa nuk është shuar ende për BE-në, pasi ekziston edhe një shumicë tjetër në radhët e europianëve të cilët duket se ndajnë një pikëpamje pozitive të projektit Europian (69%), sidomos në përputhje me opinionet e tyre rreth Gjermanisë (70%) dhe Francës (69%). Për më tepër, një grup i madh me rreth 66%, pajtohen se BE-ja është një vend i stabilitetit në një botë të trazuar.
Duke pasur parasysh rritjen e opozitës në disa shtete anëtare të thellimit të BE-së, vendet si Franca mbështesin një Europë me dy shpejtësi të ndryshme në mënyrë që kryeqytetet më pro-BE-së mund të lëvizin përpara në këtë proces.
Megjithatë, europianët mbeten të ndarë lidhur me këtë zgjidhje. Ndërkohë që 47% e të anketuarve shprehen se vendet e BE-së në favor të intensifikimit të politikave të përbashkëta europiane në fusha kyçe duhet ta bëjnë këtë gjë pa pasur nevojë të presin për të tjerët, 41% nuk pajtohen kurrsesi me këtë mundësi.
EurActiv, dhjetor 2016