Popullsia në plakje – Sfidë për kontinentin Europian

Popullsia në plakje – Sfidë për kontinentin Europian

Sot, jetëgjatësia mesatare në botë shkon deri në 73 vjeç, ndërsa në Europën Perëndimore ajo shkon deri në 83 vjeç. Ajo që raporti bën me dije është që rritja e moshës mesatare nuk vjen gjithmonë si pasojë e rritjes së jetëgjatësisë, por si pasojë e një fertiliteti të ulët dhe uljes së nivelit të lindshmërisë së shoqërive. Në shumë vende të Europës, sidomos asaj Lindore dhe Ballkanit Perëndimor plakja e popullsisë shkaktohet edhe nga emigrimi i grup-moshave të reja, duke ndikuar në uljen e lindjeve dhe rritjen e moshës mesatare të popullsisë.

Janë identifikuar tre faktorë të shoqërive europiane që ndikojnë drejtpërdrejtë në demografinë e popullsisë së vendeve dhe kryesisht ndikojnë në nivelin e plakjes së këtyre popullsive 1) jetëgjatësia; 2) fertiliteti; 3) normat e emigracionit.

Shpesh herë, plakja e popullsisë është parë si një burim shqetësimi, duke pasur parasysh këtu nevojën në rritje për kujdes më të lartë shëndetësor dhe shpenzimet e pensioneve, rritjen e varësisë së kësaj grupmoshe ndaj strukturave të shtetit dhe ndihmës sociale, rënia e ekonomisë dhe fuqisë punëtore, deficitet fiskale të paqëndrueshme, dhe tensionet midis brezave. Trendet demografike janë parë shpesh si të pandalshme dhe si një shkak i pashmangshëm i rritjes së kostove ekonomike. Megjithatë politika mund të nxisë përshtatjen ndaj ndryshimeve demografike, duke integruar grupmoshat më të vjetra dhe duke nxitur ato më të reja për krijimin e familjeve.

Ndërkohë që demografia e një vendi mund të konsiderohet në nivel të mirë kur jetëgjatësia e shëndetshme dhe norma e përgjithshme e fertilitetit është e lartë, ndërsa emigrimi është i ulët, vihet re nga raporti që në vendet europiane situata paraqitet ndryshe. Plakja e shoqërisë nuk vjen vetëm si rezultat i rritjes së jetëgjatësisë, por ndikim në këtë fenomen ka pasur në mënyrë të barabartë dhe pjelloria e ulët si dhe migrimi i lartë i moshave të reja drejt vendeve të tjera.

Si mund të përgatiten shoqëritë për këtë plakje të popullsisë dhe cilat janë elementet që ndikojnë këtë situatë?

Studimi nxjerr në pah disa sfida të shoqërisë që lidhen me përgatitjen për pasojat ekonomike të popullsive në plakje, ku përmendet raporti i varësisë te të rriturit, borxhi bruto si përqindje e PBB-së apo dhe hendeku i varfërisë në mes të rinjve dhe të vjetërve.

Sa më të ulëta të jenë raportet e borxhit publik, aq më shumë hapësirë do të ketë në të ardhmen për qeveritë të arrijnë të përshtaten dhe të përballen më një shoqëri në plakje dhe rritje të numrit të pensionistëve. Studimi evidenton si tregues dhe hendekun relativ të varfërisë mes të rinjve dhe të moshuarve, ku sa më e lartë të jetë varfëria duke filluar nga grupmoshat më të vjetra deri te të rinjtë, aq më e madhe mbetet kjo sfidë. Ndaj, nga ana tjetër, qeveritë përkatëse duhet të jenë në gjendje të adresojnë problemet e një popullsie që po plaket gjithnjë e më shumë. Së treti është edhe orientimi politik dhe ideologjik e matur nga hendeku i pjesëmarrjeve në zgjedhje, mes të moshuarve dhe të rinjve. Duke qenë se popullsia është në një moshë gjithnjë e më të madhe, kështu janë dhe votuesit, duke zhvendosur kështu vëmendjen politike në interes të brezit të vjetër, që në të shumtën e kohës bie në kundërshtim me interesat dhe perspektivat e së ardhmes.

Por cilat janë gjetjet e këtij studimi për vendet e Ballkanit Perëndimor?

Sipas raportit duket se mosha mesatare e cila gjatë viteve 1960 ishte 26 vjeç, pritet se deri në vitet 2050 të shkoj në 44 vjeç. Raporti jep një pasqyrë të sfidave të ndryshme me të cilat përballen vendet europiane për shkak të plakjes së shoqërisë. Ekziston një farë besimi se plakja e popullsisë është e lidhur ngushtë me rënien ekonomike, siç thotë dhe Hans Timmer, ekonimisti i Bankës Botërore për Europën. Në fakt, këto probleme, nuk janë të reja, por politikëbërësit europianë janë ende duke u përpjekur të përcaktojnë kombinimin e duhur të politikave për të lejuar një plakje të mirë të popullsisë sot dhe në të ardhmen. Gjetjet e këtij raporti janë kontribute të vlefshme në diskutimin e vazhdueshëm si për ekonomistët ashtu dhe për ekspertët e politikave. Sfidat më të ngutshme sa i përket demografisë ndryshojnë sipas vendeve, ndaj është e vështirë të dalësh në konkluzione të përgjithshme. Megjithatë, duket se Ballkani Perëndimor dhe Vendet e Partneritetit Lindor, së bashku me ato baltike shfaqin norma veçanërisht të ulëta të fertilitetit dhe të jetëgjatësisë së shëndetshme, shpesh e ndikuar kjo dhe nga emigrimi i lartë.

Në dimensionet ekonomike, pasiviteti i lartë i popullsisë së rritur, arsimi me cilësi të ulët, dhe varfëria te moshat e vjetra janë problemet më të mëdha në vendet e Europës Lindore dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe nivelet e larta të borxhit publik përbëjnë sfidën më të madhe për disa nga vendet e Europës Jugore.

Një paketë e suksesshme e politikave ndaj shoqërisë në plakje duhet të jetë i qëndrueshëm dhe i barabartë, duke mbuluar të gjitha ciklet e jetës të tillë si mbështetja në arsimim, në familje, në punë, dhe në dalje në pension. Nëse kjo ndodh, raporti arrin në përfundimin, se shoqëritë europiane mund të gjenden më pranë asaj që mitologjia e lashtë e përshkruan si "Epoka e artë " - një gjendje e harmonisë, stabilitetit dhe prosperitetit ku njerëzit jetojnë gjatë dhe shëndetshëm.

                                                                                                        Raporti i Bankës Botërore, tetor 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk