Analizë sasiore e kriterit politik në vendet e Ballkanit Perëndimor me status kandidat

Analizë sasiore e kriterit politik në vendet e Ballkanit Perëndimor me status kandidat

Prioriteti strategjik i vendeve me status kandidat nga Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet plotësimi i kushteve dhe kritereve të vendosura nga Bashkimi Europian.  Përpjekjet e tyre për t’iu afruar sa më shumë kërkesave të BE-së, kryesisht sa i përket transformimit politik vlerësohen nga Komisioni Europian çdo vit përmes progres raporteve. Artikulli synon analizën dhe vlerësimin e performancës politike përmes qasjes sasiore, duke përdorur tregues dhe të dhënat e raporteve ndërkombëtare, qasje kjo, e cila të na mundësojë në vija të përgjithshme identifikimin e dinamikave dhe karakteristikave individuale të vendeve të BP.

 

HYRJE

Kriteret e Kopenhagës luajnë një rol qendror në diskutimin rreth anëtarësimit në Bashkimin Europian, përfshirë atë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe kanë formuar strukturën për raportet e Komisionit mbi progresin drejt anëtarësimit (Sigma, 2007).  Në vitin 2000, Komisioni Europian diskutoi dhe më pas rekomandoi që negociatat duhet të hapen me të gjitha vendet kandidate që përmbushin kriteret politike për anëtarësim dhe janë provuar të jenë të gatshëm për të marrë masat e nevojshme për të përmbushur gjithashtu edhe  kriteret ekonomike (Richter et al., 2000)

Duhet theksuar se në debatin mbi proceset integruese, në përgjithësi, vendet e Ballkanit Perëndimor paraqesin një rast më kompleks sesa kandidatët e mëparshëm të BE dhe fazat e mëparshme të zgjerimit, për shkak të një tranzicioni të zgjatur dhe të vështirë në demokraci, luftërave ekonomike dhe mosmarrëveshjeve dypalëshe për t'u zgjidhur (EP, 2016).

Në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, thellësia e monitorimit është rritur më tej, duke çuar në perceptimin e përgjithshëm të publikut se kushtet dhe kriteret janë bërë akoma dhe më rigoroze. Praktikisht, kjo lidhet me faktin se Komisioni është bërë më i kujdesshëm në mënyrën se si monitoron performancën mbi kriteret e pranimit, me mjetet e reja të zhvilluara gjatë zgjerimit të pestë (Sigma, 2007). Kërkesat e vendosura ndaj vendeve aspirante janë bërë më komplekse - më shumë kapituj, më shumë standarde të përkohshme dhe theksim shtesë mbi kriteret, për mos të shtuar edhe metodologjinë e re të zgjerimit. (EC, 2019)

Sa i përket proceseve integruese në BE gjithnjë ka është diskutuar mbi peshën të kritereve politike dhe ekonomike dhe pavarësisht rëndësisë që kanë kriteri ekonomik duhet pranohet se kriteri politik konsiderohet si pjesa me thelbësore për procesin e integrimit (Wallace, 2005).  Duke pasur parasysh rëndësinë e kriterit politik, qëllimi i kësaj pune është të vlerësojë performancën demokratike  të vendeve që morën statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian (BE), duke synuar eksplorimin e progresit të secilit vend në aspektin kohor, por dhe krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Fillimisht është e rëndësishme të sqarojmë disa aspekte: së pari, egzistojnë përkufizime të ndryshme të demokracisë dhe kjo do të thotë, se për këtë arsye ne mund të kemi të bëjmë me variacione të ndryshmë sa i përket indikatorëve dhe treguesve apo edhe klasifikimit të sistemit në fjalë. Për analizën do të përdorën të dhënat e raporteve të Nations in Transit – Freedom House dhe të  transformimit politik të Bertelsmann Transformation Index (BTI) më synimin e përmbushjes së kërkesës kërkimore që lidhet ngushtësisht me vlerësimin mbi përparimin e kriterit politik të vendeve të Ballkanit Perëndimor me status kandidat në BE, përkatësisht Shqipëria, Mali i ZI, Maqedonia e Veriut, Serbia. Së dyti duhet të theksohet se ka një shkallë të konsiderueshme subjektiviteti që shoqëron ketë qasje analitike, gjë që përforcon akoma më tepër nevojën për një analizë cilësore të mëvonshme. Kryesisht synohet të mundësohet jo vetëm identifikimi i përparimit sa i përket kriterit politik por edhe të zbulohen mangësitë e secilit sistem, në mënyrë që këto vlerësime të vlejnë gjithashtu edhe për parashikime në terma afat-mesëm. Vetëm nëse identifikohen mangësitë, ne mund të sugjerojmë se si të shmangen në performancën politike dhe të përmirësojmë në këtë mënyrë cilësinë politike.

 

ANALIZA

Vendet kandidate të BE nga BP, përkatësisht Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, në përpjekjet e tyre për të përmbushur kriteret politike të BE-së, kanë demonstruar performancën e mëposhtme. Sipas rezultateve të Nations in Transit (Kombeve në Transit), të gjitha vendet janë përkeqësuar dhe shfaqin regres të vazhdueshëm sa i përket qeverisjes demokratike kombëtare për të gjithë periudhën e marrë në konsideratë. Midis këtyre vendeve Serbia duket se është performuesi më i mirë në krahasim me vendet e tjera duke qenë se ka arritur të marrë vlera më të larta për këtë indikator. Megjithëse duket se gjatë gjithë periudhës Serbia ka shfaqur regresin më të madh.

Asnjë ndryshim i konsiderueshëm nuk reflektohet nga vendet e BP në lidhje me procesin zgjedhor. Edhe këtu, Serbia mund të konsiderohet performuesja më e mirë me një luhatje të vogël përkeqësuese kohët e fundit. Ndërkohe vihet re se Maqedonia e Veriut, dikur me procesin elektoral më pozitivisht të vlerësuar, krahasuar me vendet e tjera të BP,  shfaqet me regresin më të madh në periudhën kohore 2005-2020. Duhet theksuar se dy vendet e tjera: Shqipëria dhe Mali i Zi, për momentin mund të konsiderohen në të njëjtin nivel me Maqedoninë e Veriut. Në veçanti duhet të theksohet se Shqipëria shënoi regresin më të madh në vitin 2012 dhe 2013, kur arriti rezultatet më të ulëta krahasuar me vendet e tjera të BP.

Sa i përket shoqërisë civile, përsëri Serbia është ajo që tregon vlerat më të larta, megjithëse ka shënuar një regres të vogël në tre vitet e fundit. Ajo që vihet re nga grafiku Nr. 1 është së, ndryshe nga Mali i Zi që ka shfaqur shenja minimale progresi, Shqipëria ashtu sikurse edhe Maqedonia e Veriut kanë qëndruar me vlera konstante duke dëshmuar kështu dështimin për përmirësim.  Indikatori që vlerëson mediat e pavarura, jo më kot mund të cilësohet si një ndër treguesit me performancën më të dobët nga vendet e BP.  Vihet re se të gjitha vendet e marra në analizë shfaqen kryesisht me një regres të vazhdueshëm. Sidoqoftë, mbetet për tu theksuar se Shqipëria mund të konsiderohet performuesi më i mirë krahasuar me vendet e tjera të BP, ndërkohë që  Mali i Zi dhe Serbia, me regresin më të madh me kalimin e kohës.

Gjithashtu, për sa i përket qeverisjes lokale demokratike, Serbia dhe Maqedonia e Veriut qëndrojnë prapa Shqipërisë dhe Malit të Zi. Megjithëse Shqipëria dhe Mali i Zi janë kryesuese për sa i përket këtij treguesi dhe janë në të njëjtin nivel që nga viti 2016, të dy vendet treguan një regres, dhe veçanërisht Shqipëria regjistroi regresin më të madh.

Të gjitha vendet e BP pasqyrojnë një prapambetje përsa i përket kornizës gjyqësore dhe pavarësisë. Është e rëndësishme të vërehet se Serbia dhe Mali i Zi janë me performancë pak më të mirë krahasuar me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo e fundit shënon regresin më të madh, krahasuar me vlerësimet e mëparshme.  Sipas Kombeve në Transit, Maqedonia e Veriut pasqyron luhatjet më të mëdha gjatë gjithë periudhës për sa i përket korrupsionit, duke dëshmuar faza të progresit të konsiderueshëm në vitet 2010-2013, por në të njëjtën kohë edhe regres të vazhdueshëm nga 2013.  Ne grafikun vihet re se performuesi më i mirë është Serbia. Mali i Zi arrin rezultate pak më të larta në krahasim me Shqipërinë, pasi ka shfaqur progres më të madh gjatë periudhës së marrë në analizë. Ndërkohë, Shqipëria mbetet performuesi më i dobët krahasuar me të gjitha vendet e tjera të BP që nga viti 2013.

Grafik 1: Treguesit e Nations in Transit (NT)


Burimi: Paraqitje e autorit sipas të dhënave në raportet e Nations in Transit

Të gjithë treguesit e lartpërmendur pasqyrohen në rezultatin përfundimtar që ndihmon në identifikimin e rezultatit të demokracisë dhe përqindjes së demokracisë në vendet e BP.Është e rëndësishme të vërehet se të gjitha vendet e BP treguan regres për sa i përket rezultatit të demokracisë.Në vitin 2020, Maqedonia e Veriut pasqyron vlerën më të ulët krahasuar me vendet e tjera. Duket se Shqipëria bëri një përparim të konsiderueshëm gjatë viteve 2005-2006, megjithatë mbizotëron regresi i vazhdueshëm që nga viti 2010. Një prapambetje e konsiderueshme vihet re edhe në Malin e Zi dhe Serbi. Megjithëse  Serbia paraqitet më mirë se vendet e tjera duke arritur një rezultat pak më të lartë, ajo ka treguar se vendi nuk ishte në gjendje të mbante përparimin e bërë në vitet midis 2011 dhe 2015. Mbetet për tu theksuar se që nga viti 2016, rezultati i demokracisë së Serbisë po zvogëlohet vazhdimisht, duke arritur rezultatin më të ulët në vitin 2020.


Grafiku 2: Rezultatet e demokracisë në vendet e BP me status kandidat sipas NT


Burimi: Paraqitje e autorit sipas të dhënave në raportet e Nations in Transit

Grafiku 3 dëshmon se sa i përket përqindjes së demokracisë duhet të vërehet se të katër vendet e BP ka pasur një trend negativ dhe regresiv.Mali i Zi dhe Serbia ranë nën pragun e 51% vetëm në 2019 dhe 2020 dhe cilësohen tashmë, për këtë arsye, regjime hibride në vend të demokracive gjysmë të konsoliduara.  Shqipëria konsiderohet si një regjim hibrid që nga viti 2011 dhe ende vazhdon të pasqyrojë shenja regresi. Mbetet për tu theksuar se për shkak të rënies së shpejtë të përqindjes së demokracisë, në 2014 Maqedonia e Veriut gjithashtu kaloi nga një demokraci gjysmë e konsoliduar në një regjim hibrid dhe tani është performuesi më i dobët në krahasim me vendet e tjera të BP.


Grafiku 3: Përqindja e demokracisë së vendeve nga BP me status kandidat në BE nga BP


Burimi: Paraqitje e autorit sipas të dhënave në raportet e Nations in Transit

Nëse shohim grafikun 4 vihet re qartazi se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bërë një përparim të konsiderueshëm duke arritur pothuajse vlerën maksimale për sa i përket indikatorit të parë marrë në analizë.  Krahasuar me të,  dy vendet e tjera, përkatësisht Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë performues më të dobët.  Për sa i përket pjesëmarrjes politike, Serbia nuk është vetëm performuesi aktual më i dobët, por edhe vendi me regresin më të madh, krahasuar edhe me vendet e tjera. Ndërsa Mali i Zi pasqyron një trend të vazhdueshëm regresi, Maqedonia e Veriut tregon tendenca progresiste krahasuar me vlerat e 2016-2018. Gjithashtu edhe Shqipëria shfaqet me një trend pozitiv duke u përmirësuar që nga viti 2014, kur arriti vlerën më të ulët për të gjithë periudhën, gjithashtu edhe më të ulëtën krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për sa i përket sundimit të ligjit në grafik vihet re se mund të konsiderohet indikatori me performancën më të dobët për të gjitha vendet e BP. Megjithatë mbetet për tu theksuar se vendi me vlerën më të ulët është Shqipëria, e cila ka shfaqur një regres të vazhdueshëm deri në vitin 2018. Nga ana tjetër vërejmë se Mali i Zi, si performuesi më i mirë krahasuar me vendet e tjera, edhe Maqedonia e Veriut shfaqin luhatje të vogla dhe shenja të ndryshme progresiste dhe regresiste.

Duke marrë parasysh stabilitetin e institucioneve demokratike, nuk ka asnjë vend të BP me statusin e kandidatit për në BE që mund të demonstrojë ndonjë përmirësim të konsiderueshëm dhe relevant në përpjekjet për të plotësuar kërkesat e BE-së. Shqipëria arriti të paktën të ndalojë rënien e vazhdueshme dhe duket se paraqitet më mirë krahasuar me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Vetëm Mali i Zi është përmirësuar në aspektin e integrimit politik dhe shoqëror, duke pasqyruar përparimin më të madh. Ndërkohë që Maqedonia e Veriut dhe Serbia dëshmojnë përkeqësime, Shqipëria reflektohet më se miri përmes stanjacionit, I cili dëshmon së sipas BTI nuk janë bërë përpjekje mjaftueshëm për të përmirësuar këtë tregues. Aktualisht vendi ynë, rezulton me vlerat më të ulëta krahasuar me vendet e tjera të BP dhe mund të konsiderohet për këtë arsye si performuesi më i dobët.


Grafik 4: Treguesit e transformimit politik sipas BTI 


Burimi: Paraqitje e autorit sipas të dhënave në raportet e BTI

Asnjë vend kandidat nga Ballkani Perëndimor nuk u përmirësua për sa i përket statusit të demokracisë. Midis këtyre vendeve, Shqipëria, me disa luhatje regresive me kalimin e kohës, reflekton një progres të lehtë çdo vit që nga viti 2016. Ndërsa një përmirësim i lehtë është shfaqur edhe në rezultatet e fundit të arritura nga Maqedonia e Veriut. Nga ana tjetër, duhet të theksohet se rezultati i demokracisë së Malit të Zi po përkeqësohet që nga viti 2014. Sidoqoftë, duke marrë parasysh vetëm rezultatet e vitit 2020 për të gjitha vendet e BP, Mali i Zi arrin rezultatin më të lartë, ndjekur nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Serbia, nga ana tjetër, tregon regresin më të madh, duke marrë parasysh se midis 2010 dhe 2014 Serbia ishte performuesi me e mirë krahasuar me vendet e BP. Në vitin 2020, Serbia është performuesi më i dobët sa i përket statusit  të përgjithshëm të demokracisë.


Grafik 5: Statusi i demokracisë sipas BTI


Burimi: Paraqitje e autorit sipas të dhënave në raportet e BTI

PËRFUNDIME

Pikësëpari do të duhet të pranojmë së kjo analizë gjithëpërfshirësë sasiore e transformimit politik të vendeve kandidate të BE nga BP na mundësoi disa njohuri kryesore dhe interesante rreth performancës individuale të këtyre vendeve dhe karakteristikave kryesore në përpjekjet për të përmbushur kriteret e BE-së përmes reformave përkatëse nga raporte të njohura ndërkombëtarisht.

Së dyti, vërehet se sipas analizës së shfaqur dhe duke pasur gjithnjë parasysh  përdorimin e metodës sipas një logjikë dikotomike, të gjitha vendet e BP konsiderohen regjime demokratike por në të njëjtën kohë duhet të pranohet se performanca demokratike nuk është e barabartë midis këtyre vendeve të rajonit.

Raportet e Nations in Transit konfirmojnë  se tashmë vendet e BP karakterizohen kryesisht si regjime hibride, megjithëse të gjitha ato në fillimet e periudhës së marrë në analizë konsideroheshin si gjysmë–demokratike dhe gjysmë të konsoliduara. Kjo do të thotë së të gjitha vendet e BP shfaqen regresive, duke dëshmuar se edhe pse mund të ketë përparime të vogla sa i përket tregueseve të ndryshëm, në vija të përgjithshme duhet të pranohet se vendet e BP me status kandidat reflektojnë një reges në drejtim të performancës demokratike. Dhe në këtë regres ndikojnë kryesisht tregues si korrupsioni,  mungesa e shtetit ligjor dhe e medies së pavarur.

Së treti, duhet pranuar fakti se konceptet e përdorura për kryerjen e analizës janë koncepte të përcaktuara, zhvilluar dhe vlerësuar në mënyra  të ndryshme. Bashkimi Europian përcakton kriteret e tij në formë kushtëzimi për t'u bashkuar BE-së por këto përkufizime janë mjaft të gjera, dhe jo të mjaftueshme për një analizë të thellë.

Së katërti, kjo analizë sasiore paraqet disa përparësi kryesore që lidhën ngushtësisht me:

- mundësinë e krahasimit të përgjithshëm të dinamikës të performancës së përgjithshme midis vendeve kandidate përmes disa treguesve kryesore për plotësimin e kriterit politik

- mundësinë e krahasimit të të dhënave që ofron një përmbledhje të përgjithshme makro mbi performancën e secilit vend në një perspektivë afatgjatë, që do të thotë ecuria e qëndrueshme dhe e vazhdueshme e vendit në punën e çështjeve politike të politikëbërjes së brendshme dhe sfidat dhe potencialet e ardhshme.


Pavarësisht avantazheve të analizës sasiorë të paraqitur duhet theksuar se duke pasur parasysh karakteristikat e brendshme të proceseve të integrimit në BE një analizë cilësore mbetet thelbësore për të siguruar një analizë të thelluar dhe të orientuar drejt vendit, duke përcaktuar kështu gjatësinë e procesit dhe karakteristikat e lidhura me të hap pas hapi. Një analizë cilësore bëhet akoma edhe më e rëndësishme, pasi vendet e BP paraqesin një rast kompleks krahasuar me vendet anëtare të kohëve të fundit. Sidoqoftë, një analizë cilësore vjen me më shumë vështirësi, për sa i përket strukturës dhe përmbajtjes që lidhen me burimet e informacionit, besueshmërisë së informacionit, treguesve dhe ndryshoreve, nivelit të objektivitetit/ subjektivitetit.

 

Doris Malaj (Koliqi), maj 2021

*Dr. Doris Malaj nga viti 2014 është lektore dhe kërkuese shkencore në Institutin e Studimeve Europiane. Ajo është diplomuar për Shkenca Politike dhe Drejtësi Publike në Universitetin e Trier-it dhe për studime Politike dhe Ndërkombëtare në Universita degli Studi di Macerata dhe ka marrë gradën shkencore “Doktor” në Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në BE nga Instituti i Studimeve Europiane, Universiteti i Tiranës. Ajo është autore e një sërë artikujsh shkencorë të botuar brenda dhe jashtë vendit dhe pjesmarrëse në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.

Referencat

lsmann Stiftung, (2020), BTI Index Report for East-Central and South-East Europe;

European Commission, (2019), Progress towards Meeting the Economic Criteria for EU Accession, Institutional Paper 109, July 2019, The EU Commission’s 2019 Assessments;

European Parliament - EPRS, (2016), “The Western Balkans and the EU. Enlargement and challenges”, https://www.europarl.europa.eu/RegData/etudes/BRIE/2016/589791/EPRS_BRI(2016)589791_EN.pdf (10.02.2021);

Freedom House, (2020), Nations in Transit – All Data 2005 -2020, https://freedomhouse.org/report/nations-transit (20.01.2021);

Richter S. et al., (2000), “EU Eastern Enlargement: the case of the former 'second-wave' applicant countries”, WIIW Research Report No. 270;

Sigma (2007), - “A joint initiative of the OECD and the EU, principally financed by the EU enlargement of the EU: An analysis of the negotiations for countries of the WB”, Sigma Paper No. 37;

Wallace, H. (2005), “Enlarging the European Union: reflections on the challenge of analysis”, in, Schimmelfennig, F/Sedelmeier, U. (eds), The Politics of European Union Enlargement. Theoretical approaches, 287 – 294, London;

Ber

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk