Përdorimi i politikave të mira publike dhe sociale është mënyra e duhur për adresimin e problemit të “rrjedhjes së trurit”, ndërkohë që ndërgjegjja kolektive dhe kohezioni social janë një parakusht i rëndësishëm.
Matja dhe identifikim i “rrjedhjes së trurit” është një proces kompleks për shkak të arsyeve të ndryshme që ekzistojnë, megjithatë tregues si “Cens 2023”, numri i rezidencave të lëshuara nga shtetet e Bashkimit Europian, anketat e studentëve, apo indeksi i largimit të trurit, na japin disa të dhëna të rëndësishme.
Me termin “largim i trurit”, ose ndryshe “rrjedhja e trurit” kuptojmë situatën në të cilën një numër i madh njerëzish të arsimuar dhe shumë të aftë largohen nga vendi i tyre për të jetuar dhe punuar në një vend tjetër ku paga dhe kushtet janë më të mira. “Rrjedhja e trurit” mund të ndodhë nëse emigrimi i personave të arsimuar për qëndrim të përhershme ose të gjatë jashtë vendit arrin nivele të konsiderueshme dhe nuk kompensohet nga efektet kthyese të remitancave, transferimit të teknologjisë, investimeve ose tregtisë. “Largimi i trurit” zvogëlon rritjen ekonomike përmes humbjes së kthimit të investimit në arsim dhe varfërimit të aseteve të kapitalit njerëzor të vendit burimor. (Lowell & Findlay, 2002)
Rezultatet e “Cens 2023” treguan se Shqipëria ka aktualisht një popullsi prej 2,412,113 banorësh. Sipas këtyre të dhënave, popullsia është tkurrur me 13.8% nga viti 2011. Nëse vëzhgojmë piramidën e popullsisë vërejmë se një pjesë e konsiderueshme i përket grupmoshës 15-45 vjeç, ndërkohë që trendi i emigrimit mendohet të jetë 50,000 persona në vit. (INSTAT, 2024)
Numri i lartë i emigracionit duket po ashtu edhe në numrin e rezidencave të lëshuara nga shtetet e Bashkimit Europian. Në vitin 2022 u lëshuan 2625 rezidenca për arsye studimi, me një rritje prej 40% nga viti 2014, dhe 21,052 rezidenca për arsye punësimi, prej të cilave 16,691 ishin me afat kohor 12 muaj e sipër. Në vitin 2014 ishin vetëm 3112 rezidenca për arsye punësimi të lëshuara për shtetasit shqiptarë, çka tregon se ndryshimi është relativisht i lartë. Në total, në harkun e 8 viteve të fundit, janë gati 80,000 rezidenca pune të lëshuara nga vendet e Bashkimit Europian për shtetasit shqiptar. (EUROSTAT, 2024)
Për sa i përket studentëve shqiptar, sipas një anketë të zhvilluar nga “Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale”, rezultoi se rreth 79% e tyre dëshironin të largoheshin nga vendi. (Gëdeshi & King, 2020) Po ashtu 60% e maturantëve po planifikonin largimin nga Shqipëria në momentin e kryerjes së anketës, ndërkohë që kërkesa për të studiuar jashtë shtetit ka shkuar drejt rritjes nga viti në vit. Nga ana tjetër rreth 95% e të rinjve të larguar për studime jashtë Shqipërisë u shprehën se nuk dëshirojnë të kthehen më në vendin e tyre.
Në lidhje me impaktin në tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik, “Human flight and brain drain index” nga “Fragile State Index” e rendit Shqipërinë në vendin e dytë me impaktin më negativ nga efekti i “largimit të trurit” në Europë për vitin 2023 dhe në vend të nëntë në rang global. (Fragile State Index, 2024) Megjithatë, të dhënat e publikuara nga INSTAT për 4-vjeçarin e fundit tregojnë ulje të nivelit të papunësisë me 0.7%. (INSTAT, 2024) Nga ana tjetër, lajme të shumta sugjerojnë se ka vështirësi për gjetjen e krahut të punës në disa sektorë, madje kjo ka nxitur së fundmi dhe përmirësimin e politikave të emigracionit ku disa kompani po shohin mundësinë e tërheqjes së forcës së huaj në Shqipëri. Situata për momentin është disi e paqartë ende.
Vështrim mikro, zgjedhje individuale apo zgjedhje “rastësore”?
Përtej rëndësisë që kanë indikatorët makro, vështrimi mikro, siç është zgjedhja individuale, na ndihmon po ashtu për tu thelluar më tepër në analizën e situatës. Mënyra sesi individët shkojnë drejt zgjedhjes për t’u larguar nga vendi është një tregues gati-gati vendimtar i përpjekjes sonë për të kuptuar shkaqet e largimit.
Sipas teorisë së “Zgjedhjes Racionale” (Rational Choice Theory) njerëzit kanë liri për të zgjedhur dhe për të marrë vendime sipas preferencave të tyre duke u bazuar në supozimin se zotërojnë informacionin dhe kapacitetin e duhur për të bërë zgjedhje racionale. Kështu, një individ vendos të largohet si pasojë e dëshirës së tij për të gjetur një vend pune me kushte më të mira, pagë më të lartë apo faktorë të tjerë.
Teoria “Push and pull factors”, i kategorizon faktorët e largimit në shtytës dhe faktorët tërheqës. (Oreski, Šlibar, & Calopa, 2023) Qasje të tjera synojnë të qartësojnë efektin e vendimeve të kaluara në të ardhmen duke konsideruar rëndësinë e një vështrimi të shtrirë në kohë. Këtu mund të përmendim teori të tilla si “Path dependency” sipas së cilës ngjarjet ose vendimet e kaluara kufizojnë ngjarjet ose vendimet e mëvonshme, apo teori të tjera si “Life course theory”, apo “Chaos Theory”.
Supozimi se një individ ka zgjedhjen racionale për t’u larguar dhe për të balancuar arsyet shtytëse dhe tërheqëse ngre disa pikëpyetje. Së pari, rrjedha shkak-pasojë është pjesërisht e njëanshme duke anashkaluar shkaqe të padukshme momentalisht, por me ndikim vendimtar në afatgjatë. Ne fokusohemi së tepërmi te veprimet tona në afatshkurtër duke konsideruar, për shembull, kushtet e punës si shkak, por duke mos konsideruar faktorë të fshehur, që mund të vendosin kushtet e punës në pozicionin e shkakut e jo të pasojës.
Nga rezultatet e raportit "Rinia në Shqipëri 2018” (Fondacioni "Friedrich Ebert“, 2019) u evidentua se mbi 70% e të rinjve në Shqipëri dëshironin të largoheshin për shkak të varfërisë, papunësisë, përjashtimit social dhe korrupsionit, ndërkohë gjetja kritike e raportit të dytë lidhej me evidentimin e papunësisë si shkaku kryesor i largimit nga vendi.
Nëse e shohim problemin të shtrirë në kohë, mund të zbulojmë të dhëna të rëndësishme. Ne mund të supozojmë se të rinjtë largohen, sepse kushtet e punës nuk janë të mira, sepse institucionet publike nuk hartojnë politikat e duhura, sepse shpesh nuk janë njerëzit e duhur të cilët zgjidhen për të kryer punë publike. Pra, në një shoqëri ku individët zgjedhin në mënyrë racionale, adresimi i problemit të delegimit i paraprinë zgjidhjes së problemit që lidhet me kushtet e punës. Problemi i kushteve të mira të punës këtu shihet si pasojë dhe jo si shkak në vetvete.
Megjithatë, shoqëria është komplekse dhe në disa raste sado që mund të kemi ndjekur me përpikmëri logjikën tonë, pjesa tjetër e shoqërisë mund të mos e ketë ndjekur të njëjtën rrugë, apo mund të mos kemi qenë plotësisht të ndërgjegjshëm se diku shkaku mund të kemi qenë vet ne. Siç shihet, supozimi i veprimeve shkak-pasojë dhe zgjedhjes racionale na shpie në labirinte komplekse.
Bihevioralizmi ekonomik nga ana tjetër sugjeron se individivi nuk është plotësisht racional në zgjedhje. Sipas kësaj qasjeje teorike, zgjedhjet tona janë të ndikuara nga emocionet, mungesa e informacionit, pasiguritë dhe paragjykimet. Individi shihet këtu si një qenie sociale vendimet e të cilit janë të ndikuara kolektivisht nga familja, shoqëria, dhe nga faktorë jashtë kontrollit tonë.
Fenomene të tjera si globalizmi mund të jenë po ashtu për t’u konsideruar. Nëse çdo gjë shkon mirë në ekonominë lokale të një qyteti dhe krejt papritur një shtet tjetër ofron paga dhe kushte më të mira pune, njerëzit kanë gjasa të largohen. Efekti i konkurrencës së paparashikuar nuk nënkupton se konteksti lokal është problematik, por se një faktor i jashtëm ndikoi në ndryshimin e realitetit. Natyrisht, ne e kuptojmë më vonë shkakun e largimit, por kjo nuk na garanton se masat e ndërmarra do të përmirësojnë situatën në të ardhmen.
Pra, është e rëndësishme të kuptojmë se vendimmarrja individuale është komplekse dhe objekt i faktorëve të ndryshëm. Ndërkohë që teoritë e racionalizmit na shpien në labirinte komplekse shkak-pasojë, koncepte të tjera na ndihmojnë të kuptojmë ndikimin e shoqërisë në vendimmarrje. Të dyja këto perspektiva sintetizohen në konceptin e ndërgjegjes kolektive dhe kohezionit social, ekzistenca e të cilit është parakusht i rëndësishëm i një reagimi efektiv ndaj fenomeneve negative siç është “largimi i trurit”. Emile Durkheim e përshkruante ndërgjegjen kolektive si grupi i besimeve, vlerave dhe qëndrimeve që janë të përbashkëta për një grup ose shoqëri. Sipas Durkheim, kjo ndërgjegje kolektive luan një rol vendimtar në unifikimin e shoqërisë.
Ndërgjegjja kolektive, parakusht i politikave të mira publike
Një kokërr orizi për ne nuk është një vakt i mjaftueshëm, por pa një kokërr orizi nuk do të kishte një vakt të mjaftueshëm. Ne duhet të veprojmë të ndërgjegjshëm kolektivisht, duke parë pasojat jo vetëm për veten tonë, por edhe për atë çka na rrethon. Parakusht i politikave të mira publike është një shoqëri e ndërgjegjshme, e cila del përtej interesave personale të individëve në shoqëri.
Nëse supozojmë se këto parakushte janë arritur, politikat publike duhet të veprojnë me parimin e sinjalistikës rrugore. Institucionet që dizenjojnë këto sinjalistika janë të ndërgjegjshme se ka një mori faktorësh që mund të shpien në aksident, por qëllimi i rrugës është që të asimilojë sa më tepër të jetë e mundur që aksidenti të shkaktohen nga rruga. Në të njëjtën mënyrë, shteti dhe qeveria duhet të reagojë duke ndërmarrë masa parandaluese përmes politikave të mira publike dhe sociale dhe largimi të mbetet objekt i preferencave personale dhe jo i kushtëzuar nga mungesa e politikave të mira.
Së pari, është e domosdoshme që të garantohen kushtet e punës dhe të nxitet sipërmarrja e drejtë dhe frytdhënëse për shoqërinë. Marrëdhëniet e punës duhet të ngrihen mbi rregulla e ligje efektive të cilat shumë herë kanë më tepër nevojë për t’u zbatuar se hartuar. Kushtet e punës duhet të udhëhiqen nga principet e dinjiteti njerëzor ku individi duhet të mbrohet nga mbingarkesa, puna e pa paguar dhe shfrytëzimi.
Ofrimi i shërbimeve sociale e publike cilësore i jep një mbështetje të fortë individit në aspekte kyçe të jetës së tij siç janë arsimi, puna, shëndetësia, familja, etj. Në këtë kontekst, është me vlerë adoptimi i modeleve të suksesshme, të cilat janë më tepër të gjendshme në Europën Perëndimore dhe Veriore. Këto modele, nuk duhen marrë apriori, por duhen vështruar me kujdes si të kthehen në një histori suksesi për mirëqenien e qytetarëve. Arsim publik cilësor, shëndetësi me standarde të mira dhe falas, paga të mira dhe klimë e mirë sipërmarrjeje, kushte dinjitoze pune, lehtësi për të ndërtuar, mbështetur, dhe mbrojtur familjen si bërthama themelore e shoqërisë janë disa fusha në të cilën politikat publike dhe sociale duhet të maksimizojnë efektivitetin e tyre kundrejt parandalimit të “largimit të trurit”.
Nikolla Pulla, tetor 2024
*Nikolla Pulla është një njohës i mirë i politikave publike dhe sociale, me një kontribut të rëndësishëm në sektorin e rganizatave Joqeveritare. Ai ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës, si dhe një Master në Politika Publike dhe Sociale dhe Burime Njerëzore në Universitetin e Masarikut. Prej më tepër se pesë vitesh, Nikolla mban pozicionin e Koordinatorit të Projekteve pranë Auleda – Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal. Ai ka një kontribut të rëndësishëm në hartimin dhe zbatimin e projekteve dhe iniciativave të ndryshme me qëllim zhvillimin socio-ekonomik të shoqërisë.
Referenca
Fondacioni "Friedrich Ebert“. (2019). Rinia Shqiptare 2018. Tiranë: Fondacioni "Friedrich Ebert“. EUROSTAT. (2024, August 29). Retrieved from https://ec.europa.eu/eurostat/databrowser/view/migr_resfirst__custom_12552929/default/table?lang=en
Fragile State Index. (2024, August 29). Fragile State Index, Country Dashboard. Retrieved from Fragile State Index: https://fragilestatesindex.org/country-data/
Gëdeshi, I., & King, R. (2020). The actual and potential migration of students from Albania: a putative Brain Drain? Tiranë: Friedrich-Ebert-Stiftung.
INSTAT. (2024). CENSI I POPULLSISË DHE BANESAVE NË SHQIPËRI. Tiranë: INSTITUTI I STATISTIKAVE.
INSTAT. (2024, August 29). INSTAT. Retrieved from INSTAT: https://www.instat.gov.al/
Lowell, L., & Findlay, A. (2002). MIGRATION OF HIGHLY SKILLED PERSONS FROM DEVELOPING COUNTRIES: IMPACT AND POLICY RESPONSES. GENEVA: INTERNATIONAL LABOUR OFFICE.
Oreski, D., Šlibar, B., & Calopa, M. K. (2023). Push And Pull Factors In Brain Drain Among University Students. International Journal of Contemporary Management, 65-80