Mirupafshim 2016! Çfarë ndodhi në vitin që po lëmë pas?

Mirupafshim 2016! Çfarë ndodhi në vitin që po lëmë pas?


Mbase në këtë këndvështrim, përtej kohëve të vështira, vendi ynë në fakt numëron disa suksese, tek merr një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian si dhe nga ai i Komisionit të Venecias në kuadër të Reformës në Drejtësi. Edhe pse në pamje të parë, këto arritje duken minimale në sferën gjigande të asaj çka po ndodh rreth nesh, sërish mbeten një shtysë e madhe për të ri-ndërtuar besimin në projektin Europian. 

"Kurrë më parë nuk kam parë se si qeveritë kombëtare të dobësohen aq shumë nga forcat e populizmit dhe të paralizohen nga rreziku i humbjes në zgjedhjet e ardhshme",- është shprehur presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker.

Demokracitë perëndimore duken se do të sfidohet edhe më tej vitin e ardhshëm, pasi partitë populiste, si kurrë më parë priten të kenë një sukses të garantuar në zgjedhjet e ardhshme në Europë duke u fuqizuar nga dita në ditë, ndërkohë që Kina dhe Rusia janë gjithnjë e më shumë duke u angazhuar me axhendën globale.

Bashkimi Europian po hyn në vitin 2017 nën presionin e forcave të jashtme dhe të brendshme, duke u përballur me sfida në të gjitha frontet dhe duke përjetuar një rritje me nacionalistët anti-BE-së në të gjithë kontinentin europian. Por kush do të ketë ndikimin më të madh në vazhdim të asaj që ka qenë një annus horribilis për bllokun? Cilat do të vazhdojnë të mbeten sfida edhe për vitin e ardhshëm? A do të kemi më referendume për t’i thënë Adios Europës? Po me krizën e refugjatëve ç’do të ngjasë?  Pak përpara se të mirëpresim vitin 2017, le t’i hedhim dhe një vështrim reflektues ngjarjeve kryesore të vitit që po lëmë pas.

Krizë, krizë, krizë

Në fakt kriza financiare shihet akoma si çështja më me rëndësi sipas europianëve. Në këndvështrimin e tyre, të gjitha krizat e tjera me të cilat Unioni po përballet vazhdimisht janë më pak të rëndësishme krahasuar me atë të asaj ekonomike, pasi vendet anëtare të BE-së nuk e kanë marrë akoma veten nga turbullirat dhe pabarazitë që kjo çështje solli. Dhe natyrisht e ndjekur pas nga një varg krizash të tjera siç dhe i kemi përmendur, europianët me të drejtë filluan të bëhen paksa më ‘agresivë’ duke përqafur ide të ekstremit të djathtë si një propagandë e fuqishme ndaj disa emigrantëve të pafat të cilët i drejtohen BE-së si e vetmja mundësi për të mbijetuar. Në këtë mënyrë duket se vlerat e vërteta mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Europian, duket të jenë zbehur nën dritën e një vazhde turbullirash përgjatë një viti të vetëm.

Ankth në Europë: Të qëndrojmë apo jo? Nacionalizimi i vendeve anëtare dhe ‘ndëshkimi’ i liderve europianë

Mbretëria e Bashkuar: Referendumi për ‘Brexit’ dhe negociatat për divorcin me BE-në nën kujdesin e Theresa May

Një referendum gjithëpërfshirës i mbajtur më 23 qershor të këtij viti, për të vendosur nëse Britania e Madhe duhet të largohej ose të mbetej në Bashkimin Europian, solli një kryeministër të ri - Theresa May, që mori postin e David Cameron, i cili dha dorëheqjen ditën pas humbjes së referendumit. 52% e britanikëve votuan për t’u larguar nga BE-ja, ndërsa pjesëmarrja në referendum ishte 71.8%, me më shumë se 30 milion njerëz të cilët votuan për një vendim kaq të rëndësishëm.

Ashtu si Cameron, dhe May ishte kundër largimit të Britanisë nga BE-ja, por megjithatë ajo është shprehur se do të respektojë vullnetin e popullit. Për të, "Brexit do të thotë Brexit", edhe pse ka ende shumë debate në lidhje me atë se çfarë do të thotë kjo gjë në praktikë sidomos në dy çështjet kryesore sa i takon firmave britanike që bëjnë biznes në Bashkimin Europian dhe të drejtave të shtetasve Britanikë në Europë dhe atyre europianë që jetojnë dhe punojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Divorci i Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja do të konsolidohet në një marrëveshje nën kujdesin e të ashtuquajturit dhe shumë të përmendurit gjatë kësaj kohe, Neni i 50-të i Traktatit të Lisbonës që i jep të dy palëve dy vjet për të rënë dakord sa i takon kushteve të ndarjes. Sipas parashikimeve apo dhe deklaratave të Theresa May-it, duket se ky proces do të fillojë në mars të vitit të ardhshëm, që në varësi të dakordësisë gjatë negociatave, mbase ishulli britanik do të largohet përfundimisht nga Bashkimi Europian në verën e vitit 2019. Megjithatë, ky proces mbetet ende i paqartë, sidomos sa i përket çështjeve të tregtisë dhe emigracionit, kështu që kemi edhe një dilemë tjetër për t’ia bashkangjitur vitit të ardhshëm.

• Franca mes nacionalistëve si Marine Le Pen

Teksa flasim për disa ngjarje që në një mënyre apo tjetrën kanë turbulluar Europën, kur vjen puna te zgjedhjet e ardhshme në Francë, bëhemi disi edhe me pragmatikë. Liderja e Frontit Nacional anti- BE, Marine Le Pen, ka gjasa të bëhet presidente e Francës në zgjedhjet e 7 majit, pasi mungesa e kandidatëve të tjerë premton fitoren e saj në raundin e parë më 23 prill, por shumë dyshojnë se ajo mund të fitojë shumicën që prej vitesh mundonte babain e saj në 2002.

Megjithatë, pas Brexit dhe Trump, askush nuk i ka më besë votimit. Rezultatet në këtë rast do të varen nga kandidatët me të cilët ajo do të përballet në balotazh. Sidoqoftë, nëse Le Pen arrin të marrë përsipër kombin që shpiku BE-në, atëherë mbase mund të jetë dhe fundi i Unionit. ‘Au Revoir’ Europë?

• Iku edhe Renzi. E gjithë barra mbi Sergio Mattarella-n

Humbja e Matteo Renzit me një diferencë të jashtëzakonshme - në referendumin e dhjetorit mbi reformën kushtetuese, ka qënë padyshim një ngjarje aspak pozitive. Analistët e Lëvizjes 5 Yjet drejtuar nga Beppe Grillo dhe ato të ekstremit të djathtë anti-emigrante të Ligës Veriore janë duke e quajtur rezultatin e referendumit një fitore të madhe. Por çështja qëndron se çfarë do të ndodhë më pas?

Me dorëheqjen e Renzit, avokati i heshtur Sicilian, Sergio Mattarella, njëkohësisht edhe presidenti italian, i cili hyri në politikë, kur vëllai i tij u vra nga mafia, është në prag të një stuhie. Ai duhet të qetësojë partitë që grinden për të qeverisur, ndërsa ata pozicionohen për zgjedhjet që do të mbahen në një kohë të pacaktuar mirë, pasi rregullat e lojës mund të ndryshojnë sërish. Epo sfida të vazhdueshme edhe për Italinë.

• Gjermania solidare nën kujdesin e Kancelares Angela Merkel

E vendosur dhe për një mandat të katërt në zgjedhjet parlamentare gjermane të shtatorit, udhëheqësja e liderëve të Europës është kërcënuar nga zemërimi dhe frika ndaj mbi një milion azilkërkuesve të ardhur në Gjermani që nga viti i kaluar. Euroskeptikët në krahun e djathtë të kancelares duhet të fitojnë vendet e tyre të para, të paktën duke komplikuar bisedimet për koalicionin e saj.

Fizikanja 62-vjeçare nga Gjermania Lindore është një garantuese e lidhjes së gjatë të Gjermanisë në BE, si çelës për një Europë të qëndrueshme. Por a mund të bëjë ajo një mrekulli në qoftë se fqinjët e saj fillojnë të copëtohen? Viti 2016 solli padyshim edhe shumë trazira në Gjermani, ku vetëm pak ditë më parë, një akt terrorist sulmoi kryeqytetin e Republikës Federale të Gjermanisë, Berlinin. Në situata të tilla kaotike, mbetet natyrisht një farë dyshimi mjegullues sa i takon hapave që duhen ndërmarrë për të parandaluar përsëritje të këtyre ngjarjeve të shëmtuara.

Sfidat përtej kufijve të BE-së: ‘Aleatët e saj’ në pushtet

• Një fitore e papritur e Donald Trump në SHBA: ‘Të bëjmë Amerikën të madhe sërish’

Fitorja e tij i surprizoi europianët të cilët ishin në shok që pas votimit të Britanisë për tu larguar nga BE-ja, si dhe i dha një dorë të mirë euroskeptikëve kudo. Pasi të vendoset në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, politika që pasqyrojnë (ose jo) premtimet e fushatës së tij mund të kenë efekte të mëdha në Europë.

Por cilat janë dilemat që lidhen me fitoren e tij dhe çdo të sjellë për BE-në? A do të ndërtojë murin e menduar duke provokuar kështu një luftë mes fuqive? Po me Marrëveshjen e Parisit çfarë do të ndodhë? Apo më në fund do të pranojë se ndryshimet klimatike ekzistojnë vërtet dhe kështu do të fillojë dhe të respektojë lirinë e shtypit?

Pikëpamjet e Trumpit për financimin e NATO-s si dhe thirrja e tij për lidhje më të mira me Rusinë kanë bërë që BE-ja të kërkojë për rritjen e mundësive të mbrojtjes së saj. Megjithatë, një fitore e atillë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve, natyrisht që ngjall edhe plot dyshime sa i takon disa vendimeve të rëndësishme në politikën e jashtme. Le të shohim nëse Viti i Ri do të na sjellë një Trump me një mendje të re sa i takon këtyre çështjeve.

• Rusia një superfuqi botërore me Vladimir Putin?

Udhëheqësi i Kremlinit po luan një lojë të vështirë-për-tu-lexuar duke dashur të rivendosë ndikimin e Moskës në nivel global. Ai mund të bëjë miq, apo armiq, me fqinjët perëndimorë në shumë mënyra, nga kontrolli i gazit të tyre tek mbështetja e kundërshtarëve përkatës. Qëkur ai aneksoi Krimenë në vitin 2014, pak veta në BE do të mund të hamendësojnë për veprimet e ardhshme të tij.

Më 31 korrik 2017, liderët e BE duhet të rinovojnë apo tërheqin sanksionet e vendosura për të bërë Putinin të heqë dorë nga Ukraina. Nëse Trump thyen radhët duke lehtësuar sanksionet e SHBA-së, BE-ja do të luftojë për të parandaluar një apo më shumë anëtarë që mund të bllokojnë rinovimin e këtyre sanksioneve. Kohë të vështira po vijnë.

• Recep Tayyip Erdoğan: Një autokrat në kohët moderne

Presidenti turk Erdoğan i ka mbijetuar ‘me sukses’ një përpjekjeje për grusht shteti në korrik të vitit që po lëmë pas, është përballur me sulme të shumta terroriste dhe ka kryesuar gjatë periudhës më të keqe të marrëdhënieve BE-Turqi.

Marrëveshja e refugjatëve midis Ankarasë dhe Brukselit është kritikuar vazhdimisht dhe madje vetë Erdogan ka kërcënuar se do ta revokojë atë në qoftë se oferta për anëtarësimin e vendit të tij do të ndërpritet. E ndërsa ky vendim tanimë është marrë nga BE-ja, ne na mbetet të shohim se si do të vazhdojë raporti midis këtyre dy aktorëve, sidomos në një kohë kur Bashkimi Europian nuk ka mundur ende të zgjidhë krizën me fluksin e refugjatëve.

Turqia është një vend i paparashikueshëm për momentin dhe duket se goditja e presidentit për lirinë e shprehjes, mediat dhe kushdo për të cilin ai beson se ka ndihmuar në përpjekjen për grusht shteti do të zgjasë edhe në 2017.

Një hap larg Vitit të Ri.../ BE-ja në të ardhmen

Sidoqoftë, në një perspektivë disi më të gjerë, të quajturit 2016-ën si annus horribilis është bërë tashmë disi e zakonshme. Ndoshta nga fakti se shprehja latine tingëllon e goditur , apo se kjo shprehje ka diçka të vërtetë në të, duke qenë se ky vit i ka ‘dhuruar’ botës një seri ngjarjesh nga më të ndryshmet.

Siç dhe e vëmë re, Bashkimi Europian është përballur me "probleme ekzistenciale", sidomos në kuadër të çështjeve mbi migrimin dhe monedhën e vetme për të cilin ende nuk ka një përgjigje. Të gjitha këto sfida kanë gjasë që të vazhdojnë të mbeten të tilla edhe për një kohë shumë të gjatë, ose të paktën deri atëherë kur BE-ja bashkë me aleatët e saj do mund të ulet në një tryezë për të zhvilluar një diskutim serioz që do të ofrojë zgjidhje dhe jo vetëm fjalë. Europa ka nevojë për një zgjidhje të menjëhershme si dhe për një mbështetje dhe bashkëpunim të atyre që vërtet besojnë në këtë projekt. Ndaj dhe ne nuk e kemi humbur besimin se gjërat eventualisht do të marrin për mirë. Gëzuar!

                                                                                                                 Stafi i Eurospeak, dhjetor 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk