Kjo u tregua fare qartë së fundmi me vizitën në Rusi të Gernot Erler, Koordinatorit Special të Gjermanisë për Politikat me Rusinë, gjatë së cilës nuk pati vullnet nga parlamentarët rus për të biseduarnë lidhje me situatën e tensionuar në Ukrainë. Si rezultat i këtij qëndrimi të ftohtë nga ana e Rusisë, për Elner, i cila e ka fokusuar pjesën më të madhe të karrierës së tij politike pikërisht në përmirësimin e marrëdhënieve midis Gjermanisë dhe Rusisë, mesazhi që mori nga Moska ishte shumë i qartë. Sipas tij, Rusia, në sajë të qëndrimit të vazhdueshëm të refuzimit të dialogut po ndjek parimin e politikës së paparishikimit të organizuar.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Frank Walter Steinmeier, i cili me marrjen e detyrës shpresonte shumë në vendosjen e një agjende pozitive me Moskën, kohët e fundit ka shprehur zhgënjimin e tij për shkak të prerjes në besë nga ana e rusëve. Këtë qëndrim e ndan edhe vetë Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila pavarësisht se ka biseduar rregullisht me Presidentin e Federatës Ruse Vladimir Putin, ka shfaqur shqetësimin e saj ndaj rrezikut të rritjes së influencës ruse në Ballkan sidomos në ato shtete të cilat nuk janë ende plotësisht të qëndrueshme. Në lidhje me këtë edhe Elmar Brock, anëtar i CDU-së dhe njëkohësisht edhe kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Europian, gjithashtu shfaq shqetësimin ndaj qasjes së gjerë strategjike ruse të depërtimit në vendet e Ballkanit si politikisht ashtu edhe ekonomikisht.
Pra nga perspektiva e Berlinit, Moska brenda një viti nga një partner i vështirë u kthye në një kundërshtar në politikën e jashtme dhe se do të duhet një kohë e gjatë për t’i normalizuar përsëri marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve. Përpjekja e nisur në vitin 2008, e cila synonte forcimin e bashkëpunimit në një sërë çështjesh të ndryshme dhe ku liderët gjermanë shpresonin shumë që të arrinin një rezultat pozitiv, fatkeqësisht duket se së shpejti do të arrijë drejt një përfundimi të pashmangshëm.
Sipas një diplomati të rangut të lartë, kjo ftohje e marrëdhënieve ndërmjet Gjermanisë dhe Rusisë duket sikur na sjellin përsëri në vëmendje pasojat tragjike të Luftës së Ftohtë, e cila me anë të një perdeje të hekurt imagjinare e ndau botën në dy kampe ideologjike.
Lindja e ‘Putinologjisë’
Gjatë Luftës së Ftohtë Kremlinologjia ishte fjala e përdorur për të përcaktuar qëndrimet e vërteta të lidershipit sovjetik, por sot kjo disiplinë është zëvendësuar më së miri prej ‘Putinologjisë’. Madje edhe vetë Kancelarja Merkel nuk është në gjendje ta përcaktojë ende kufirin se sa larg është i gatshëm të shkojë Presidenti Putin në konfliktin me Perëndimin. Ashtu siç e thamë pak më lart, komunikimet ndërmjet të dy liderve botërorë ka qenë intensive, me 35 biseda telefonike që nga fillimi i krizës në Ukrainë, ku Merkeli ka kërkuar transkriptimin e një fjalimi të Putinit të mbajtur në Klubin Valdal në qytetin rus të Soçit të para katër javëve, nga e cila duket sikur nuk ka mbetur e kënaqur, pasi ai paraqiste pikëpamjen e tij për botën para gazetarëve dhe ekspertëve të shkencave politike.
Sipas këndvështrimit të Putinit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shkatërruar sistemin ligjor ndërkombëtar dhe po vendosin një rend botëror unipolar. Ai shtoi se të vetëquajturit si fitimtarë të Luftës së Ftohtë, po përpiqen ta riorganizojë botën sipas interesave të veta. Gjithashtu Putini e ka akuzuar SHBA-në si përgjegjëse kryesore për rritjen e terrorizmit islamik si dhe për konfliktet në Irak, Siri dhe në Libi.
Sipas tij Shtetet e Bashkuara po përdorin politikën e dy standarteve duke e kritikuar Rusinë për politikat e saj në arenën ndërkombëtare, ndërsa kalorësia amerikane mund të ndërhyjë pa asnjë pengesë në çdo cep të globit, duke bërë ekzaktësisht atë për të cilën e akuzon Rusinë se po bën në Ukrainë. Por fjalia e cila ka shkaktuar mjaft shqetësim te perëndimorët, ka qenë pikërisht krahasimi që ai i bëri Rusisë me Ariun, kur tha se Rusia nuk do t’i përulet askujt dhe se nuk do t’i kërkojë leje askujt. Edhe pse ai deklaroi se nuk do të krijojë zona të tjera konfliktesh të nxehta klimaterike, zyrtarët gjermanë po përpiqen të kuptojnë se ku fillojnë dhe mbarojnë këto zona.
Për të kuptuar qartë se cilat janë pikëpamjet për Rusinë mjafton t’i referohemi një leksioni të mbajtur në Institutin Lowy për Politikën e Jashtme në Sydney, pas pjesëmarrjes në samitin e G – 20 në Brisbane.
“Kriza e Ukrainës në vërtetë nuk është vetëm një çështje rajonale por ajo na prek të gjithëve. Bashkimi Europian nuk do t’i përulet Moskës ashtu siç e ka bërë dikur Gjermania Lindore se përndryshe do të na quanin të dobët dhe se për çfarëdolloj gjëje duhet të pyesim më parë Moskën për t’i marrë leje. Kështu kanë funksionuar gjërat për 40 vjet dhe sigurisht që nuk doja që t’i ktheheshim përsëri asaj situate. Kjo që thashë nuk i kushtohet vetëm Ukrainës, por edhe Moldavisë apo Gjeorgjisë. Nëse situata vazhdon të përsëritet edhe në të ardhmen do të detyrohemi t’ia kërkojmë këtë gjë edhe Serbisë apo vendeve të Ballkanit Perëndimor.” u shpreh ndër të tjera Merkeli.
Masat represive reciproke
Duket sikur shqetësimet e Kancelares Merkel për Ballkanin kanë qenë legjitime dhe këtë e tregoi fare mirë edhe absetinimi për herë të parë nga ana e Rusisë që i bëri zgjatjes së misionit së EURFOR në Bosnjë – Hercegovinë. Arsyetimi që dha Moska lidhet me faktin se në rezolutën në fjalë përmendej perspektiva e një anëtarësimi të mundshëm të vendit ballkanik në Bashkimin Europian. Në të njëjtën kohë, Rusia shprehu rezervat e saj lidhur me kandidimin e paralajmëruar të Gjermanisë në vitin 2016 për presidencën e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian (OSBE). Nervozizmin e Moskës e tregoi edhe largimi i parakohshëm i Putinit prej Samitit të vendeve G-20, me justifikimin se largimi i tij para mbylljes zyrtare kishte të bënte me fluturimin e gjatë të kthimit për në Moskë.
Sikur mos të mjaftonte kjo, Kremlini dëboi Sabine Stohl, një diplomate me një karrierë të gjatë shërbimi në ambasadën gjermane në Moskë, duke shkaktuar si pasojë një luftë diplomatike ndërmjet të dyja vendeve. Gjatë një deklarate për shtyp Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë shprehu të gjithë pakënaqësinë e saj kundrejt autoriteteve ruse për këtë masë represive të padrejtë ndaj diplomates gjermane.
Në të vërtetë kjo masë represive vjen si përgjigje ndaj dëbimit prej autoriteteve të Berlinit të një diplomati rus në Konsullatën e Përgjithshme në Bonn me akuzën e spiunazhit, pas një hetimi disa mujor të agjentëve të inteligjencës gjermane. Gjithashtu Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë bëri të ditur se janë dëbuar edhe disa diplomatë polakë si përgjigje ndaj dëbimit të diplomatëve rus prej Varshavës. Sipas një zyrtari të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë histori të tilla me akuza spiunazhi kanë ndodhur edhe në të kaluarën por në këtë rast duket sikur Moska ka zgjedhur politikën e shpagimit.
Sipas një studimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, po konstatohet gjithnjë e më shumë një rritje e interesimit strategjik të Kremlinit kundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim parandalimin e anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Europian, me shpresën se këto vende ose do të tërhiqen prej anëtarësimit apo do të bëhen vende anëtare të ndikojnë për të miratuar një rezolutë në favor të Rusisë. Në bazë të një dokumenti të klasifikuar përshkruhen përpjekjet e Moskës, e cila me anë të preteksteve të tilla si bashkëpunimi ushtarak apo furnizmi me gaz, po ushtron një diplomaci publike duke përdorur një retorikë pansllaviste.
Fuqia e Butë e Rusisë
Përveç Serbisë, e cila po e përdor pretekstin rus për t’u anëtarësuar në BE, Moska ka shfaqur një interesim edhe për vendin fqinj të saj të Bosnjë – Hercegovinës. Sipas Ministrit gjerman të Bujqësisë, Christian Schmidt duket sikur Kremlini po përdor Republikën serbe Srbska për të shtrirë ndikimin e saj në të gjithë rajonin ballkanik, duke e bërë më të vështirë rrugën europiane të Serbisë.
Qëllimet e politikës ruse në Ballkan dalin fare qartë nga një dokument i hartuar për Presidentin Putin prej Këshillit për marrëdhëniet me Jashtë në Moskë. Sipas këtij dokumenti thuhet se nuk mund të mjaftohet vetëm me investime në disa kompani në këtë rajon, i cili tradicionalisht është i lidhur ngushtë me Rusinë, por duhet investuar financiarisht edhe në infrastrukturë si edhe për nevojat e popullsisë, e cila e konsideron Moskën si një alternativë kundrejt fuqive perëndimore.
Duket sikur kjo porosi është zbatuar me përpikmëri përderisa kompania hekurudhore ruse, drejtuar aleatit të Putinit Vladimir Yakunin, po e rinovon një pjesë hekurudhore në Serbi prej 350 kilometrash me një kosto sa të katërtat e një bilion eurosh. Gjithashtu kompania multinacionale ruse e naftës Lukoil tani zotëron 79.5% të shërbimeve hekurudhore vendase Beopetrol, ndërsa kompania ruse e gazit Gazprom zotëron pjesën më të madhe të furnizuesit kryesor me gaz natyror të vendit. Në Malin e Zi, Rusia është investitori kryesor i huaj, ku rusët kontrollojnë tashmë një të tretën e të gjitha kompanive në të gjithë vendin. Duke u nisur nga kjo, investimet ruse e kanë përmirësuar dukshëm perspektivën e rajoneve të cilat u dëmtuan rëndë prej bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
Qeveria gjermane e pranon se kjo politikë e ndjekur prej Kremlinit ka qenë aq e suksesshme sa këtë gjë e treguan edhe paradat ushtarake organizuar me rastin e kremtimit të 70 vjetorit të çlirimit të Beogradit prej nazistëve, ku dita e festimeve u zhvendos pikërisht në ditën kur vendin e vizitoi Presidenti rus Putin. Por nga ana tjetër, ajo shpreh edhe zhgënjim për shkak se ky afrim vëllazëror mes të dyja vendeve po e largon Serbinë prej orientimit të saj europian.
Ushtrimi i presionit atje ku është e mundur
Sipas Michael Roth, një zyrtari në Ministinë e Jashtme, qeveria gjermane nuk e ka të thjeshtë t’i kundërpërgjigjet ofensivës ruse, por t’ia bëjë të qartë vendeve të ballkanit se anëtarësimi në BE është edhe në interesin e tyre.
Angela Merkel po e zgjidh këtë çështje në mënyrë diplomatike duke i mbledhur të gjithë krerët e shteteve dhe të qeverive të rajonit në Berlin. Duke i detyruar që t’i përkushtohen plotësisht rrugës së tyre europiane, duket sikur ajo po ushtron një fare presioni mbi ta. Përpjekjet e Moskës për t’i dhënë një qendre kontrolli ruse për katastrofat në qytetin serb të Nishit si dhe frika se mos kthehej në një qendër të përhershme spiunazhi, e detyruan kancelaren Merkel për të thirrur urgjentisht kryeministrin serb Vuçiç për t’i bërë presion që të mos ta nënshkruante atë marrëveshje.
Si pasojë e vendosjes së sanksioneve për çështjen e Ukrainës, e cila u mbështet edhe prej një vendi si Mali i Zi, e kanë detyruar Putinin që të marrë një fushatë ndikimi mbi politikbërësit të çdo vendi anëtar të BE-së, duke filluar prej Bullgarisë, e cila tradicionalisht ka qenë aleate e Moskës dhe e varur plotësisht prej naftës dhe gazit natyror rus. Zyrtarët gjermanë janë të shqetësuar për mundësinë e instrumentalizimit të interesave të pretenduara të minoritetit rus në Bullgari, duke theksuar se më shumë se 300.000 shtetas rusë kanë blerë prona në këtë vend. Si Berlini ashtu edhe Brukseli janë të shqetësuar se mos qeveria bullgare bie pre e presionit rus dhe të heqë dorë plotësisht prej orientimit të saj europian.
Problemi kryesor nga një pikëpamje perëndimore është se Putini po promovon interesat ruse në vendet e saj fqinje, qoftë ekonomikisht, politikisht dhe po të jetë nevoja edhe ushtarakisht. Por nga ana tjetër Perëndimi nuk ka se çfarë të ofrojë dhe se e ka vullnetin për të shkuar në luftë për shkak të Ukrainës dhe Moldavisë. Madje edhe sanksionet ekonomike kundrejt Rusisë janë mjaft kontradiktore si në Gjermani apo diku gjetkë.
Mbyllja e Derës
Për kritikët e Moskës, të tillë si Andreas Schockenhoff, kryetarin e grupit parlamentar të partisë së Merkelit, sanksionet duhen të mbahen deri sa kostot e tyre të bëhen shumë të mëdha për Putin. Por edhe gjatë mbledhjes së fundit, Kancelarja Merkel përsëri e pati të vështirë tua mbushte mendjen skeptikëve, si Matteo Renzi, Kryeministër i Italisë dhe Victor Orban, Kryeminstër i Hungarisë, për të rënë dakort për vendosjen e sanksioneve. Përveç kësaj ajo mbeti edhe e zhgënjyer prej një deklarate të shefes së re për politikën e jashtme të BE-së, Federica Mogherini, e cila vinte në pikëpyetje efektshmërinë e këtyre sanksioneve.
Gjatë një takimi të kohëve të fundit të ministrave të jashtëm aktualë dhe të mëparshëm gjermanë, u kritikua strategjia e Berlinit dhe u kërkua që Gjermania t’i bënte më shumë lëshime rusëve. Sipas një politikani Social – Demokrat Klaus von Dohnanyl, Rusia duhet të lejohet të ketë një zonë influence te fqinjët e saj të drejtpërdrejtë.
Pra në ditët e sotme kemi përpara një imazh të një Berlini të pafuqishëm, të alarmuar dhe të zhgënjyer, për shkak edhe të një deklarate të ministrit të jashtëm Steinmeier, i cili vazhdon të këmbëngulë në rrugën e diplomacisë edhe pse duket sikur dyert e Moskës mund të jenë të mbyllura përgjithmonë.
Der Spiegel, nëntor 2014