Biznesi, burimi kryesor i punësimit, duhet të mbështetet me politika të reja

Biznesi, burimi kryesor i punësimit, duhet të mbështetet me politika të reja


Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të) luajnë një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë e një vendi po të kemi parasysh rëndësinë e tyre në gjenerimin e rritjes ekonomike dhe punësim. Zhvillimi i mëtejshëm i sektorit të NVM-ve me fokus të veçantë punësimin është i rëndësishëm. Kjo për shkak se NVM-te përbëjnë shumicën dërrmuese të bizneseve private që operojnë në vend dhe përshtaten lehtësisht me kushtet e tregut, e për rrjedhojë janë burimi kryesor i gjenerimit të punësimit. Aktualisht, pothuajse të gjitha ndërmarrjet në Shqipëri i përkasin kategorisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. NVM-të në vend përllogariten të zënë 99,9% të bizneseve të regjistruara, shumica e tyre - rreth 96% janë mikro-ndërmarrje me deri në 9 punëtorë - për rrjedhojë kanë pjesën më të madhe të punësimit (82.9 %) dhe të vlerës së shtuar në ekonomin e vendit (69.8 %). Për këtë arsye, NVM-të janë të rëndësishme në aspektin e ofrimit të punësimit në Shqipëri (si edhe në Europë) me katër nga pesë të punësuar në ekonominë jo-financiare të biznesit i përkasin grupit të punësuar në një NVM dhe dy nga pesë të punësuar janë punësuar në një mikro-biznes.
Por, pavarësisht rëndësisë së NVM-ve në Shqipëri, ato janë më pak të mbështetura nga institucionet shtetërore dhe financiare madje në disa raste ato janë edhe të diskriminuara. Shqipëria përgjatë këtyre viteve ka bërë disa përparime drejt përmirësimit të mjedisit të biznesit si dhe ka iniciuar një numër programesh të cilat synojnë të mbështetin NVM-të, kjo edhe për shkak të kushteve për përputhshmërinë me parimet e BE-së. Gjithsesi mbetet për tu vlerësuar se cilat politika dhe çfarë programesh duhet të ndërmarrë Shqipëria në strategjinë e re të zhvillimit të biznesit dhe investimeve (2013-2020).
Ka disa shkolla të mendimit që argumentojnë rreth politikave të cilat mund të ndihmojnë sektorin e NVM-ve. Disa prej tyre përqendrohen në mjedisin specifik rregullator i cili inkurajon krijimin e ndërmarrjeve të reja, ndërsa të tjerët përqendrohen më shumë në forcimin e ndërmarrjeve tashmë në treg. Megjithatë, rekomandohet që çdo reformë përpara se të ndërmerret, duhet të vlerësohet në lidhje me atë çka mund të ofrojë në nxitjen e një mjedisi ku NVM-të jo vetëm të mund të rriten numerikisht, por gjithashtu të mund të ritin me sukses numrin dhe vazhdimësinë e krijimit të vendeve të punës. Në vitet 2006-2008, sektori i NVM-ve shqiptare ka njohur një zhvillim dhe zgjerim të rëndësishëm si në aspektin e shtimit të numrit të NVM-ve, ashtu edhe të numrit të personave të punësuar. Megjithatë, ende nuk ka një vlerësim se si sektori i NVM-ve është prekur nga kriza ekonomike dhe financiare. Ekonomitë europiane janë duke kaluar një periudhë recesioni. Edhe pse treguesit makroekonomikë sugjerojnë se ekonomia shqiptare duhet të jetë prekur më pak se Vendet e BE-së nga kriza ekonomike. Por, përsëri aktivitetet ekonomike në vend janë duke u rrudhur si pasojë e kushteve të përkeqësimit ekonomik në vendet fqinje, Italisë dhe Greqisë, të cilat janë dy partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, burime kyç të investimeve të huaja drejpërdrejtë dhe të një numri të madh të punëtorëve shqiptarë emigrantë. Megjithatë, ekzistojnë avantazhe potenciale të cilat mund të përdoren në këtë rast, duke qenë se NVM-ve në Shqipëri u mungon kapitali fillestar dhe ekspertiza teknike. Kthimi i emigrantëve ka avantazh potencial për të mbushur këto boshllëqe nëpërmjet investimeve të tyre, duke sjellë ekspertizën dhe ngritja e rrjeteve sociale me bizneset e tjera në vendet fqinje. Studime në rastin e Shqipërisë, tregojnë se përvoja e fituar në migrim ushtron një ndikim pozitiv mbi probabilitetin e hapjes së një biznesi në momentin e ri-kthimit. Përmirësimi i aftësive dhe akumulimi i kapitalit financiar nga emigrantët mund të kenë efekte pozitive në tregun e punës, pasi ai mund të rrisë punësimin dhe kapacitetin për të filluar një biznes të ri në Shqipëri, sidomos atëherë kur kualifikimi përputhet me nevojat lokale ose kur kushtet ekonomike dhe politike mbeten tërheqëse për investime.

Në një studim të fundit të sajin, Lëvizja Europiane analizon pikërisht progresin e Shqipërisë në lidhje me zhvillimin e NVM-ve dhe zbatimin e politikave të saj përkundrejt nevojave aktuale ekonomike shqiptare dhe sfidave të rritjes së punësimit. Punimi identifikon pikat e forta dhe të dobëta në hartimin dhe zbatimin e politikave të NVM-ve në Shqipëri. Raporti ballafaqon dhe krahason përvojat dhe performancën e vendeve të tjera, kryesisht nga rajoni i Europës Juglindore, si dhe evidenton praktikat më të mira të realizuara deri më tani në Europë, si modele për tu konsideruar në rastin e Shqipërisë.
Konkretisht në Shqipëri, aktiviteti i NVM-ve është karakterizuar nga kushtet e përmirësuara të biznesit dhe një akses më të mirë te financat, por ka akoma një nivel të ulët investimesh dhe rritja e prodhimit dhe shërbimeve është ende modeste. Raporti i fundit i përbashkët i organizmave ndërkombëtare, pavarësisht vlerësimit në përmirësimin e klimës së biznesit në vendet e Ballkanit Perëndimor sugjeron që qeveritë e rajonit të zbatojnë politika më të targetuar drejt mbështetjes së bizneseve të vogla dhe të mesme (NVM) në qoftë se këto vende duan të nxisin një rritje më të madhe të ekonomike dhe punësimi. Shqipëria, edhe pse ka zbatuar politika pro biznesit dhe ka përmirësuar sistemin e regjistrimit të tyre, ka ende nevojë të bëjë një përpjekje të madhe për të nxitur inovacionin dhe për të ofruar shërbime mbështetëse për bizneset e reja dhe firmat tashmë të vendosura në treg. Gjithashtu duhet një mbështetje më e madhe e Qeverisë nëpërmjet skemave të favorshme fiskale dhe disponueshmërinë e donacioneve dhe financim, ndërkohë që institucionet e kreditimi dhe veçanërisht bankat tregtare duhet të thjeshtëzojnë huamarrjen, të rrisin transparencën dhe të lehtësojnë kostot.

Në Shqipëri është zhvilluar ndjeshëm sektori privat i cili ka kontribuar në rritjen ekonomike të vendit, ndërsa papunësia është akoma në norma të larta. Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme ofrojnë pothuajse shumicën absolute të punësimit (82.9 %) dhe më shumë se 3/5 e vlerës së shtuar të ekonomisë Shqiptare. Pavarësisht rëndësisë dhe iniciativave të cilat mbështesin NVM-të në Shqipëri duhen mirë-studiuar se çfarë politikash dhe programe të reja duhen ndërmarrë në strategjinë e re të zhvillimit të biznesit dhe investimeve (2013-2020).
Analiza e EMA-s vëren se draft strategjisë së pari, i mungon një përllogaritje e përafërt e kostos për hapjen e një biznesi të ri dhe një vendi pune. Së dyti, strategjia është e një natyre horizontale me udhëzime të përgjithshme të cilat synojnë të përmirësojnë mjedisin operacional për bizneset, më shumë sesa përcaktim të politikave specifike të mirë-targetuara të cilat janë të limituara në segmente të veçanta të grup-ndërmarrjeve dhe jo të zbatuara/realizuara. Së treti, draft strategjia përmend shërbimet mbështetëse të biznesit, por ato nuk janë shoqëruar me objektiva konkrete në plan veprime ose masa zbatuese. Me nisjen e punës së qeverisë së re, paraqitet një mundësi e mirë për rishikimin e kuadrit strategji. Në analizën e saj, EMA vë theksin tek fakti se zhvillimi i politikës të NVM-ve duhet të ketë parasysh natyrën komplekse, multi-sektoriale dhe multi-dimensionale nëpërmjet harmonizimit dhe koordinimit të strategjisë dhe planit të veprimit me politikat e tjera sektoriale, sidomos me politikat që ndikojnë në zhvillimin e punësimit. Për rrjedhojë, si dhe në mënyrë që Shqipëria të adresojë sfidat që ka në fuqizimin e NVM-ve në lidhje me gjenerimin e punësimit dhe vendeve të reja të punës, duhen konsideruar praktikat më të mira nga rajoni.
Për shembull, draft strategjia aktuale i referohet rritjes së punësimit si një mjet për të rritur konkurrencën, por jo si një objektiv më vete me tregues konkrete dhe plan veprim si në rastin e Malit të Zi, ku në mënyrë eksplicite strategjia vendos si objektiv rritjen e numrit të të punësuarve brenda NVM-ve me 17% brenda një afati kohor të mirë përcaktuar (viti 2015). Në mungesë të kapaciteteve administrative për monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të strategjisë së NVM-ve, është i domosdoshëm bashkëpunimi me aktorë të cilët përfaqësojnë interesin e punëdhënësve dhe punëmarrësve si në rastin e Kroacisë. Draft strategjia për NVM-të mbështet ngritjen e bizneseve dhe ofron aftësim profesional, veçanërisht për segmentet më të margjinalizuara të popullsisë (gratë ose të rinjtë). Përveç këtyre grupeve, strategjia duhet të mbështesë edhe grupet që janë identifikuar si grupe me rezultate të larta të zhvillimit dhe potenciale për zgjerimin e mëtejshëm të NVM dhe për krijimin e vendeve të reja pune, të tillë si kërkuesit shkencorë, shpikësit, të diplomuarit universitar, dhe individët (përfshirë emigrantët) me përvojë profesionale dhe teknologjike.
Deri më sot, financimi i NVM-ve ka qenë në disproporcion me nevojat e punësimit dhe zhvillimit të rajoneve në Shqipëri. Subvencionet për aktivitetin e biznesit duhet të jepen për krijimin e vendeve të punës në rajonet më keq të prekura nga papunësia. Gjithashtu, fokusi vetëm në ngritjen e një biznes të ri nuk siguron të rritje ekonomike apo punësimi, në fakt cilësia dhe qëndrueshmëria e një biznesi ka gjithashtu rëndësi. ‘Rregulli i artë’ duhet të nxisë bizneset start-ups dhe në të njëjtën kohë të mbështesë edhe bizneset të cilat kanë ambicie të pozicionohen në treg. Për më tepër, trajnimi profesional nuk mbulon numrin e nevojshëm të punëtorëve apo trajnimin specifik profesional për sektorët specifik, prandaj rekomandohet që shërbimet e konsulencës të liberalizohen dhe të ofrohen nga organizatat private ose edhe të vendeve të treta.
Inkubatorët e biznesit në Shqipëri janë vlerësuar jo plotësisht të suksesshme në rolin e tyre dhe jo të vetë-qëndrueshëm. Modele alternative mund të jenë programet start-up të cilat mbështesin bizneset potencial në krijimin e vendeve të punës. Gjithashtu, krijimi i rrjeteve dhe shkëmbimi i njohurive në vend është ende relativisht i dobët dhe mungon zhvillimi i klasterave. Portali i informacionit dhe promovimit të NVM-ve ka ende nevojë të plotësohet. Në analizën e saj, EMA rekomandon inkorporimin e një sistemi ‘one-stop-shop’ i cili përditëson të gjithë informacionin e nevojshëm të cilat ndikojnë në vendimet, funksionimin si dhe programet mbështetëse të NVM-ve.

Rimëkëmbja e ngadaltë nga kriza ekonomike globale ka influencuar negativisht NVM-të Shqiptare, prandaj në mënyrë për të kapërcyer kushtet e vështira aktuale, qeveria duhet të përqendrohet në reforma efektive afatshkurtër dhe afatgjatë për të zhvilluar potencialin e NVM-ve në gjenerimin e rritjes ekonomike dhe vendeve të reja të punës. Ndërkohë që ka nevojë për një angazhim më të madh nga ana edhe e vetë NMV-ve në politik-bërje dhe implementim të këtyre politikave.
Stafi i EuroSpeak, tetor 2013

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk