Sipas Progres Raportit të Komisionit Europian, Shqipëria ka bërë progres gjatë vitit të fundit. Janë ndërmarrë hapa të mëtejshëm përsa i përket reformës së gjyqësorit. Qeveria ka shfaqur vullnet politik për të vepruar me vendosmëri në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Korniza legjislative është forcuar dhe politikat për koordinimin dhe monitorimin e zbatimit në nivel qendror janë përmirësuar. Lufta kundër krimit të organizuar tregon një trend pozitiv edhe në fusha të tjera, si në intensifikimin e zbatimit të ligjit për kapjen e drogës dhe procedimin e krimeve të lidhura me të, luftimin e krimit ekonomik dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Disa hapa janë ndërmarrë për përmirësimin e njohjes dhe respektimit të drejtave ligjore të komunitetit LGBT.
Megjithatë, vazhdon të ketë të meta kryesisht në fushën e shtetit të së drejtës, ku duhet akoma shumë punë për ta përmirësuar gjendjen. Shqipëria do të duhet të veprojë me vendosmëri për të vazhduar reformën e administratës publike me qëllim rritjen e profesionalizmit dhe depolitizimit, ndjekur nga reforma gjithëpërfshirëse e gjyqësorit, për forcimin e pavarësisë, efikasitetit dhe llogaridhënies së tij, gjithashtu intensifikimin i bashkëpunimit me Komisionin e Venecias. Gjyqësori duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm ne luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të merren masa efektive për të përforcuar politikat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut duke përfshirë komunitetin rom, mbrojtjen nga diskriminimi, zbatimi i të drejtave të pronësisë. Përsa i përket respektimit të lirisë së shprehjes dhe e mediave, qeveria dështoi të vepronte sipas prioriteteve të identifikuara. Të gjitha funksionet ligjore të Autoriteti i Medias Audiovizuale (AMA) duhet të rivendosen dhe të garantohet pavarësia e këtij institucioni në praktikë. Shqipëria duhet të vazhdojë me ndjekjen e reformave ekonomike që synojnë rritjen e konkurrencës dhe të marrë masa për uljen e nivelit të lartë të papunësinë, uljen e nivelit të informalitetit në ekonomi dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit.
Është e rëndësishme që procesi i reformave të shoqërohet nga qëndrueshmëria politike dhe debatet konstruktive mes qeverisë dhe opozitës. Është përgjegjësi si e qeverisë dhe opozitës që të sigurojnë zhvillimin e debatit parlamentar me qëllim kryerjen sa më efektive të funksioneve të tyre. Qeveria duhet të sigurojë mundësinë e opozitës për kryerjen e funksionit te saj thelbësor, kontrollin demokratik, por njëkohësisht opozita duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive në proceset demokratike. Kompromisi është çelësi për qëndrueshmërinë dhe çuarjen përpara të reformave. Ngritja e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, duke bashkuar të gjithë palët e interesuara, do të ndihmojë në gjithpërfshirje në proces dhe në arritjen e konsensusit.
Strategjia e Zgjerimit dhe Sfidat kryesore 2014-15, tetor 2014