Mekanizmi për pezullimin e vizave

Mekanizmi për pezullimin e vizave

 

Mekanizmi i pezullimit të vizave, i cili u kërkua si garanci në momentin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën nga vende anëtare tradicionalisht skeptike, si për shembull Holanda, gjykohet si i padobishëm, madje i dëmshëm nga analistja e European Stability Initiative, Alexandra Siglmayer. Në një analizë të detajuar për Balkan Insight të prirjeve të kërkesave për azil nga vendet e Ballkanit Perëndimor drejt Shengenit, ajo shpjegon përse sipas saj BE-ja ka ndërmarrë një veprim të padrejtë dhe jo efikas. Qëkur BE-ja hoqi regjimin e vizave për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në vitin 2009 dhe 2010, numri i azilkërkuesve nga Serbia dhe Maqedonia, por edhe nga Shqipëria, Bosnja dhe Mali i Zi, është më shumë se katërfishuar. Kërkesat për azil janë hedhur poshtë me shumicë dërrmuese - në vitin 2012, ku vetëm 2.2 për qind të azilkërkuesve u është dhënë mbrojtje ndërkombëtare në BE.
Megjithatë, kriza ekonomike ka ndikuar dhe po kështu edhe përfitimet për azil-kërkuesit. Strehimi dhe ushqimi, kujdesi mjekësor dhe pagesat monetare janë tërheqëse - veçanërisht në rast se procedura zgjat disa muaj. Gjatë kësaj kohe, shumë azil-kërkues punojnë në tregun e zi qe te kursejnë të holla për kur të kthehen në vendet e origjinës pasi kërkesa e tyre të refuzohet.

Kështu, numri i azilkërkuesve nga Ballkani Perëndimor nuk është në rënie. Gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2013 ka pasur më shumë se 37,000 aplikime. Numri i aplikimeve të vitit të kaluar, që ishte viti me numrin më të lartë ndonjëherë, ishte 43.000. Këtë vit mund të vendoset një rekord i ri.

Pra, ngrihet çështja nëse do të përdoret klauzola e pezullimit?
Ka shpresë se ky nuk do të jetë rasti. Jo-zyrtarisht, zyrtarët qeveritarë të BE-së pranojnë se kjo do të dëmtonte seriozisht marrëdhëniet me qeveritë e Ballkanit Perëndimor dhe do të minonte procesin e integrimit të rajonit në BE. Ka shpresë edhe se disa vende anëtare të BE-së më në fund do ta kuptojnë se zgjidhja më e mirë është që të shkurtojnë procedurën e azilit për qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Qeveria e re në Gjermani, vendi që ka marrë më shumë aplikime nga qytetarët e Ballkanit Perëndimor, ka njoftuar se do të shpallë disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, “vende të sigurta origjine”, duke e riorganizuar procedurën e azilit. Më shumë vende anëtare të BE-së duhet të ndjekin shembullin e Gjermanisë. Është mirë që vendet e Ballkanit Perëndimor të deklarohen “vende të sigurta origjine” në nivel BE-je. Si pjesë e procesit të liberalizimit të vizave, qeveritë e Ballkanit Perëndimor kanë kryer reforma kundër diskriminimit dhe hartuar politika për mbrojtjen e minoriteteve zbatimi i të cilave është monitoruar vazhdimisht nga Komisioni Europian. Në përgjithësi, ato janë vende të sigurta për qytetarët e tyre. Megjithatë, azilkërkuesve duhet t’ju jepet mundësia të shpjegojnë në një intervistë të plotë se pse kërkojnë azil, por rastet mund të prioritizohen dhe vendimmarrja mund të përshpejtohet.

Përveç kësaj, ligjërimi mbi këtë çështje duhet të ndryshojë. Ai duhet të spostohet nga ngarkimi i përgjegjësisë për zgjidhjen e problemit tek vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kërcënimi i tyre me ri-futjen e kërkesës për vizë, manovër të cilën klauzola e pezullimit tani do ta bëjë më të lehtë. Qeveritë thjesht nuk mund ta bëjnë këtë pasi ata shkelin të drejtat e njeriut të qytetarëve të tyre. Kohët e fundit, Komisioneri i Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut ka kritikuar ashpër disa vende të Ballkanit Perëndimor për zbatimin e masave që u janë kërkuar nga BE-ja.

Që nga fillimi i krizës së “azilkërkueve” në vitin 2010, ka qenë e qartë se azilkërkuesit nga Ballkani Perëndimor kanë synuar në vendet e BE-së, ku procedurat zgjasin – në atë kohë, nga 3 deri në 10 muaj, si për shembull në Gjermani, Suedi dhe Belgjikë. Vendet me sisteme të krahasueshme, por procedura më të shkurtra, të tilla si Austria, Franca dhe Holanda, nuk kanë regjistruar rritje të ndjeshme. Ato zgjidhin rastet brenda një muaji. Në Austri dhe Francë, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në listat kombëtare të vendeve të sigurta të origjinës, dhe Holanda ka një sistem efikas për kategori të caktuara azilkërkuesish. Ka edhe evidencë se shkurtimi i procedurës çon në një rënie të numrit të kërkesave. Në fund të vitit të kaluar, Gjermania shkurtoi kohëzgjatjen e procedurës së azilit për qytetarët e Ballkanit Perëndimor nga tre muaj deri në nëntë ditë. Numri i azilkërkuesve ka rënë nga 6,600 në tetor 2012 në 3,400 në nëntor 1000 dhe në dhjetor 2012. Duke qenë se Zyra Gjermane për Azilin nuk e përballonte dot fluksin për shkak të mungesës së personelit – ky prioritizim ndaj qytetarëve të Ballkanit Perëndimor është bërë në kurriz të azilkërkuesve të tjerë të cilët u mbajtën në pritje. Por me rikthimin e procedurës unike, numrat e azilkërkuesve nga kjo zonë e Europës nisën të rriteshin sërish në vitin 2013. Koalicioni i ri qeveritar në Gjermani ka premtuar më shumë burime njerëzore. Nëse Gjermania arrin shkurtimin e procedurës duke reduktuar kështu aplikimet, kjo do të ketë një efekt të gjerë në BE.
Kjo pasi deri më tani, 20,000 nga 37,000 kërkesat e paraqitura në BE në vitin 2013, janë paraqitur në Gjermani. Shembulli i Zvicrës , një vend i Shengenit por jo në BE, dëshmon se kjo është qasje e drejtë. Në gusht të vitit 2012, ajo reduktoi gjatësinë e procedurës për qytetarët e Ballkanit Perëndimor nga tre- katër muaj në disa ditë. Në gusht 2012, numri i kërkesave të Ballkanit Perëndimor ishte 780. Në vitin 2013, ai ka qenë mesatarisht 70 në muaj.

E kundërta është gjithashtu e vërtetë: Në mars 2012, një vendim gjyqësor e detyroi Francën të hiqte Shqipërinë nga lista e saj e vendeve të sigurta. Për pasojë, gjatësia e procedurës për shqiptarët u zgjat në gjashtë muaj, duke ofruar njëkohësisht përfitime më të mira. Ndërsa në vitet e mëparshme Franca regjistronte rreth 500 kërkesa për azil nga qytetarë shqiptarë në vit, numri i shkoi deri në 2,700 në vitin 2013 dhe mund të arrijë në 4,000 këtë vit.

Megjithatë, të gjitha këto elementë nuk kane luajtur shumë rol në diskutimet e BE-së mbi problemet. Përgjegjësia për reduktimin e numrit të kërkesave të pabazuara për azil i është vënë qeverive të Ballkanit Perëndimor. “Siç thënë shumë herë Komisionerja Malstrom: liberalizimi i vizave për Ballkanin Perëndimor është një arritje e madhe, një liri e madhe”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Europian për çështjet e brendshme vitin e kaluar. “Por kjo vjen me përgjegjësi të mëdha. Tashmë ka ardhur koha për këto vende, autoritetet e tyre dhe qytetarët e tyre, të vërtetojnë se ata mund ta përballojnë këtë përgjegjësi të madhe.”

Në katër “raportet e monitorimit post-liberalizimit të vizave” që Komisioni Europian ka publikuar që nga viti 2011, ai ka sugjeruar qeverive të Ballkanit Perëndimor një grup masash, të cilat janë ndërmarrë prej tyre pa u vënë në diskutim, nga frika e rivendosjes së regjimit të vizave. Megjithatë, shumica e tyre janë të pakuptimta ose jo efikase - të tilla si fushatat e informimit, hetimi i kompanive të autobusëve që transportojnë azilkërkuesit, bashkëpunimi i ngushtë me BE-në dhe vendet fqinje. Problemi është se azil-kërkuesit kanë të gjithë informacionin që u nevojitet , dhe nuk është e paligjshme të transportosh qytetarë të cilët kanë të drejtë të hyjnë pa vizë në BE.

Komisioni Europian ka kërkuar gjithashtu që qeveritë e Ballkanit Perëndimor të shtojnë ndihmën për romët, meqë përbëjnë pjesën kryesore të azilkërkuesve. Kjo është diçka e nevojshme. Megjithatë, përmirësimi i kushteve të jetesës për romët është një zgjidhja afat-gjatë për një problem të vështirë. Romët e Ballkanit janë komunitet i varfër me probleme sociale të rrënjosura që janë vërtetë të vështirë për tu trajtuar. Qeveritë e pasura perëndimore mund të bëjnë shumë pak për të ndaluar romët e këtyre vendeve në muajt apo vitet e ardhshme të kërkojnë strehim të përkohshëm në BE dhe të fitojnë disa euro në tregun e zi. Masa më e diskutueshme e rekomanduar ka të bëjë “Kontrollet në daljes në kufi”. Nisur nga kjo masë e rekomanduar, qeveritë e Ballkanit Perëndimor kanë penguar të lënë vendin e tyre me dhjetëra mijëra qytetarë që mund të ishin azilkërkues të mundshëm. Megjithatë, kjo shkel të drejtën për të lënë vendin dhe për të kërkuar azil në një vend tjetër. Sipas Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës, Nils Muiznieks. “Situata është shqetësuese”. Raporti i tij i 6 nëntorit 2013 lexon: “këto masa kufizuese migrimi burojnë nga nxitja e vendeve anëtare të BE-së në zbatim të politikave të tyre të imigracionit dhe të kontrollit të kufirit dhe janë të njollosura me damkën e diskriminimit, pasi në praktikë ato kanë në shënjestër dhe dëmtojnë romët.” Pra, kjo është një situatë e pafavorshme për qeveritë e Ballkanit Perëndimor - ose bëjnë atë që shtetet anëtare të BE-së u thonë dhe shkelin të drejtat e njeriut, ose nuk e bëjnë dhe përballen me ri-futjen e qarkullimit me viza. Po të mos ishte një çështje kaq serioze, situata do të ishte thjesht ironike – aq më tepër kur ekziston një zgjidhje e drejtë dhe efikase: të shkurtohet procedura e dhënies së azilit, duke i garantuar njëkohësisht çdo pretenduesi mundësinë të shpjegojë se pse mendon se meriton azil.

Kjo është një qasje efektive dhe e drejtë për të zgjidhur çështjen e kërkesave të pabazuara për azil nga qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe per tu fokusuar në atë që udhëtimi pa viza ka arritur: më shumë kontakte dhe udhëtime mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, dhe njëkohësisht për qytetarët e Ballkanit Perëndimor ndjenja se ata i përkasin Europës.
Për analiza dhe studime nga European Stability Initiative mbi liberalizimin e vizave me BEnë, vizitoni: http://www.esiweb.org/index.php?lang=en&id=483
Kërkesat për azil nga qytetarë të Ballkanit Perëndimor në BE (Eurostat)

 

Romano Prodi: Zëri i Komisionit Europian është zbehur

Në afatin 5 vjeçar si President i Komisionit Europian, Romano Prodi mbikqyri futjen e Euros, zgjerimin e Bashkimit Europian me tetë shtetet e ish- Bllokut Sovjetik dhe nënshkrimin e një kushtetute të BE-së. “Motori europian në kohën time ishte Komisioni. Orientimi ishte drejt një lloj Europe pothuaj federale. Në vitet e ardhshme, Europa do të ketë përparim, por nuk do të jetë e udhëhequr nga Komisioni, por nga Këshilli. Ky nuk është një ndryshim i plotë i fokusit në Europën e re” – vuri në dukje Prodi. Ai shtoi: “Zëri i komisionit është shumë, shumë i butë. Ka interes vetëm kur zonja Merkel dhe zoti Holande takohen së bashku. Van Rompuy, i cili ishte me të vërtetë i panjohur, po bëhet hap pas hapi qendra e Europës”.

Dhe ndërsa Komisioni është duke u bërë më pak politik, politikanët kombëtarë po bëhen më egoistë - paralajmëroi ai. Përmend rastin e Gjermanisë, ku nuk ka më të njëjtin pasion për Europën.
Pakti “i kotë” i Stabilitetit.

Koha e Prodit në udhëheqjen e BE-së ka pasur momentet e saj të vështira. Një nga episodet që mbahen mend mirë ishte kur ai e quajti paktin e stabilitetit të BE - së “një budallallëk”. Pakti është krijuar në vitin 1997 për të harmonizuar politikat ekonomike në prag të futjes së euros, duke kërkuar nga shtetet anëtare që të drejtojnë financat publike “afër bilancit ose në suficit”, me deficite buxhetore nën 3% dhe borxh nën 60 % të PBB-së. Prodi shprehet: “Unë kam pasur të drejtë. Pakti i Stabilitetit është një rregull aritmetike, por politika nuk është e tillë. Nevojitet një trup politik, jo një udhëzues shkolle fillore që kontrollon punët”.

Ai argumenton që kur Gjermania dhe Franca nuk mund të përmbushnin kriteret e stabilitetit, ata ndryshuar paktin. Ata që kishin nxitur për Paktin e Stabilitetit, ishin të parët që e kundërshtuan dhe e hodhën në koshin e plehrave. Prodi nuk e harron momentin kur është shprehur “Shikoni, por ju nuk mund të shkoni përtej 3%” dhe përgjigja e marrë : “Mbylle, ne jemi zotët e kësaj ideje”.

Nxitja kineze për Euron
Euro u prezantua në vitin 2000 në një lëvizje të cilën Prodi e përshkroi si “një ndryshim në konceptin e shtetit.” Duke iu referuar Paqes së Vestfalisë të shek të 17të, një traktat i cili përcaktoi konceptin modern të kombësisë europiane, Prodi tha: “Shteti Vestfalian është i varur nga ushtria dhe monedha e saj. Unë personalisht kam këmbëngulur për euron, sepse ishte një hap i madh për Bashkimin Europian dhe i nevojshëm në kontekstin e globalizimit.” Kina ka vazhduar me investimet sepse donte një alternativë ndaj dollarit amerikan, monedha dominuese në rezervat botërore dhe sepse besonte në vazhimësinë e euros dhe rritjen e vlerës së saj.

Kushtetuta erdhi shumë herët
Përveç futjes së euros, një hap tjetër i madh ishte Kushtetuta Europiane, e cila u nënshkrua nga liderët e BE-së në vitin 2004, dhe u refuzua nga votuesit holandezë dhe francezë në referendumet në vitin 2005. Por sipas italianit 73 vjeçar, kushtetuta ishte e parakohshme. Ai kujton diskutimet e tij me kancelarin gjerman në pushtet në atë periudhë- Helmut Kohl. “Ishte pothuajse prekëse të dëgjoje kancelarin duke u shprehur se pozita e tij nuk ishte e popullarizuar, por ai po mendonte për të ardhmen e fëmijëve dhe nipërve tanë” tha Prodi. Dështimi i kushtetutës prishi magjinë. Europa ndryshoi dhe optimizmi kaloi në pesimizëm duke krijuar idenë e Europës në vend numëro. Prodi ende shpreson se një ditë presidenti i Komisionit Europian do të zgjidhet drejtpërdrejt, një ide e përmendur shpesh nga federalistët si një mënyrë për të përfshirë më shumë qytetarët europianë. “Nevojitet një pikë në të cilën liderët më të rëndësishëm kombëtar të thonë se është në interesin tonë të shohim një lidership të ri që forcon rolin e BE-së në botë. Domosdoshmëria e globalizimit të politikës së jashtme do të nxisë këtë. Por unë nuk po e shoh këtë të ndodhë nesër.”

EUObserver, 18 shkurt 2013

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk