Të drejtat e qytetarëve pas Brexit

Të drejtat e qytetarëve pas Brexit


Marrëveshja e lidhur ndërmjet Komisionit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar ka dispozita që rregullojnë të drejtat e qytetarëve, zgjidhjet financiare, periudha tranzitore 2 vjetore e kërkuar nga Mbretëria e Bashkuar për të qëndruar në tregun e vetëm dhe çështja e Irlandës. Versioni përfundimtar i marrëveshjes duhet që të negociohet mes Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar në tetor të vitit 2018, për të lejuar ratifikimin në kohë nga Parlamenti Europian të nenit 50 të Traktatit të Lisbonës. Për sa i përket marrëdhënieve të ardhshme ndërmjet BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, palët duhet që të dakordësohen në lidhje me kuadrin ligjor të mundshëm, në mënyrë që bashkëpunimi ndërmjet tyre të funksionojë edhe pas tërheqjes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja.

Marrëveshja duhet thënë që prek disa nga të drejtat që individët fitojnë falë qytetarisë europiane. E drejta e qëndrimit të një shtetasi të një shteti anëtar europian në të gjithë territorin e BE-së është një e drejtë e rëndësishme e cila shërben për të hequr të gjitha kufijtë që ekzistojnë ndërmjet vendeve.

E drejta për punësim dhe aksesi i lirë në punë në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian gjithashtu është një e drejtë e rëndësishme. Me anë të kësaj të drejte bëhet e mundur që jo vetëm të kemi një treg të vetëm më konkurrues dhe gjithëpërfshirës, por edhe më eficient.

Të drejtat e qytetarëve europianë mbeten një prioritet i Bashkimit Europian dhe fakti që ato janë të sanksionuara në akte me karakter ndërkombëtar, apo në Kartën për të Drejtat Themelore të Bashkimit Europian, përbëjnë një vlerë të shtuar.

Me krijimin e qytetarisë europiane si koncept, një sërë të drejtash dhe detyrimesh lindën për qytetarët e shteteve anëtare, por edhe për familjarët e tyre. Edhe pse me nënshkrimin e marrëveshjes së tërheqjes nga Bashkimi Europian do të aplikohet një periudhë tranzitore dy vjeçare, duhet që të dihet se cili do të jetë statusi i këtyre të drejtave gjatë kësaj kohe, ose pas tërheqjes përfundimtare nga BE.

Mund të ndodhë që disa prej shtetasve të Bashkimit Europian ose të Mbretërisë së Bashkuar të qëndrojnë respektivisht në këto vende, për të ushtruar një veprimtari profesionale, apo për të jetuar dhe për t’u vendosur në këto vende. Statusi i këtyre personave ka rëndësi pasi me ta lidhen dhe një sërë të drejtash si për shembull, cilat do të jenë përfitimet sociale, a do mund që të përfitojnë më të njëjtat avantazhe që përfitonin gjatë funksionimit të tregut të vetëm etj.

Marrëveshja e tërheqjes nga Bashkimi Europian zbatohet edhe ndaj familjarëve të personave që vendosin që të qëndrojnë edhe pas periudhës tranzitore në Bashkimin Europian dhe që janë shtetas të Mbretërisë së Bashkuar, ose ndaj personave të shteteve anëtarë të Bashkimit Europian që dëshirojnë të vendosen në Mbretërinë e Bashkuar gjatë dhe pas periudhës tranzitore. Një parashikim disi i veçantë është dhe fakti se drafti i marrëveshjes ofron një mbrojtje dhe garanci edhe ndaj bashkëshortëve të ardhshëm të shtetasve që janë në pritje për t’u martuar, apo ndaj personave të cilët janë në një partneritet civil të regjistruar (rastet e bashkëjetesës). Një nga parimet e rëndësishme të Bashkimit Europian që është ai i anti-diskriminimit, duhet thënë që gjen zbatim të gjerë edhe në këtë marrëveshje, ku nuk mund të bëhet asnjë trajtim i diferencuar në bazë shtetësie, gjatë vendosjes së këtyre personave apo familjarëve të tyre në vendet anëtare dhe anasjelltas.

Pyetjes në qoftë se do të ketë kontrolle në kufi marrëveshja i ka dhënë zgjidhje duke sanksionuar se shtetasit mund të kalojnë këto kufij vetëm me një pasaportë ose me një mjet identifikimi. Pra vizat apo formalitetet e tjera ligjore janë shmangur duke lehtësuar edhe më shumë procedurat për të mos i lënë vend burokracive për të penguar lirinë e lëvizjes.

Direktiva 2004/38/KE “Për të drejtat e qytetarëve të Bashkimit Europian dhe familjarëve të tyre për të lëvizur dhe qëndruar lirshëm në territorin e Shteteve Anëtare”, që ka të bëjë me fitimin e të drejtës së qëndrimit të përhershëm në Bashkimin Europian do të gjejë zbatim edhe në këtë rast, ku do t’i njihet e drejta e qëndrimit të përhershëm personit i cili ka qëndruar për pesë vjet në një shtet anëtar të BE-së apo të Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë të ligjshme.

Shtetasit të cilët duan që të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar duhet që të aplikojnë për fitimin e “settled status”, që është një status i vendosur për të gjithë personat e shteteve anëtare të Bashkimit Europian që duan qëndrimin e përhershëm në Mbretërinë e Bashkuar. Aplikimi për këtë status do të ketë kosto shumë të ulëta (72 Sterlina), të njëjta me aplikimin për pasaportë britanike. Aplikimi do të kryhet online dhe do të refuzohet vetëm në rastet e precedentëve penalë. Settled status shërben për zbatimin e direktivës së lëvizjes së lirë dhe për këtë arsye personat që aplikojnë për këtë status dhe që kualifikohen duhet që të qëndrojnë për një periudhë 5 vjeçare në Mbretërinë e Bashkuar si dhe pa kryer vepra penale për të fituar të drejtën e qëndrimit të përhershëm në këtë vend.

Kategoria e mundshme që ka probabilitetin më të lartë për t’u prekur nga tërheqja nga BE janë punëmarrësit. Në draftin e marrëveshjes është përcaktuar se këto subjekte nuk mund të jenë subjekt i asnjë prej trajtimeve të diferencuara apo të diskriminimeve të çfarëdolloj motivi. Personat e vetëpunësuar do të kenë gjithashtu akses në punësim në të gjitha shtetet anëtare dhe nuk mund të jenë kurrsesi subjekte të diskriminimit.

Qytetarët të cilët janë shtetas të Mbretërisë së Bashkuar por që jetojnë apo ushtrojnë aktivitetin e tyre profesional, apo ofrojnë shërbime në prej shteteve anëtare të BE-së dhe që i kanë njohur formimet e tyre profesionale në këtë shtet, do të vazhdojnë që t’u njihen këto formime dhe trajnime profesionale edhe pas tërheqjes nga BE-ja. Një person i cili kërkon që t’i njihen formimet dhe trajnimet profesionale në ndonjë prej vendeve të BE-së gjatë periudhës tranzitore prej dy vjetësh do të ketë trajtimin sipas ligjit të Bashkimit Europian.

Gjithashtu sistemi i sigurisë sociale do të vazhdojë që të jetë koordinues mes Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar gjatë gjithë periudhës tranzitore, duke vendosur një sistem bashkëpunimi efektiv për të siguruar qytetarët europianë nga të gjitha rreziqet e mundshme sociale.

Një nga problemet kryesore është dhe gjithashtu se në rastet e shkeljeve të ndonjë të drejte të mundshme të ndonjë prej qytetarëve europianë ku do të mund që të kërkonin të drejtën e tyre. Në draftin e marrëveshjes është bërë një hartim teknik i dispozitave të të drejtave të qytetarëve në mënyrë të tillë që ata të mund të aksesojnë në gjykatat britanike. Teksti gjithashtu bën dhe një plotësim të boshllëqeve të mëparshme të cilat kishin mbetur pa trajtuar gjatë marrëveshjes së dhjetorit.

Periudha tranzitore 2 vjeçare ofron një gamë të gjerë mbrojtjeje ndaj të drejtave të qytetarëve, kështu të drejtat e parashikuara do të mbrohen edhe në qoftë se personat do të zhvendosen gjatë periudhës tranzitore nga njëri shtet anëtar i BE-së drejt Mbretërisë së Bashkuar, apo anasjelltas, duke i ofruar atyre lirinë e lëvizjes.
Një nga parashikimet më të veçanta dhe që paraqet shumë interes është dhe fakti që në Mbretërinë e Bashkuar do të krijohet një Autoritet i Pavarur. Ky autoritet pritet të jetë tepër i rëndësishëm dhe do të ketë disa kompetenca si: hetimi i ankesave të qytetarëve të BE-së dhe familjarëve të tyre për të gjitha shkeljet e të drejtave të pretenduara, shkeljet e kryera nga ana e organeve administrative të Mbretërisë së Bashkuar si dhe mos zbatimi i detyrimeve që lindin nga kjo marrëveshje në Mbretërinë e Bashkuar. Ai do të mund të kryejë hetime jo vetëm me anë të ankesave të palëve, por edhe kryesisht për të synuar një zbatim sa më eficient të marrëveshjes së tërheqjes. Ky autoritet ka detyrimin për raportim periodik në Komisionin Europian, për të gjitha shkeljet e gjetura dhe me rekomandimet përkatëse.

Në përfundim mund të themi se marrëveshja për tërheqjen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE është një marrëveshje e detajuar e cila rregullon disa nga aspektet kryesore të të drejtave të qytetarëve. Ky draft synon t’u japë përgjigje të gjitha pikëpyetjeve dhe problematikave që mund të lindin për shkak të daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE dhe ofron zgjidhjet dhe mekanizmat e duhura ligjorë për të ofruar një mbrojtje sa më të gjerë të qytetarëve europianë e të familjarëve të tyre.

                                                                                                                    Komisioni Europian, mars 2018

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk