Mekanizmi për pezullimin e vizave. A ishte ai i vetmi opsion kundër azilkërkuesve të rremë?

Mekanizmi për pezullimin e vizave. A ishte ai i vetmi opsion kundër azilkërkuesve të rremë?

Mekanizmi i pezullimit të vizave, i cili u kërkua si garanci në momentin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën nga vende anëtare tradicionalisht skeptike, si për shembull Holanda, gjykohet si i padobishëm, madje i dëmshëm nga analistja e European Stability Initiative, Alexandra Siglmayer. Në një analizë të detajuar për Balkan Insight të prirjeve të kërkesave për azil nga vendet e Ballkanit Perëndimor drejt Shengenit, ajo shpjegon përse sipas saj BE-ja ka ndërmarrë një veprim të padrejtë dhe jo efikas.

Qëkur BE-ja hoqi regjimin e vizave për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në vitin 2009 dhe 2010, numri i azilkërkuesve nga Serbia dhe Maqedonia, por edhe nga Shqipëria, Bosnja dhe Mali i Zi, është më shumë se katërfishuar. Kërkesat për azil janë hedhur poshtë me shumicë dërrmuese - në vitin 2012, ku vetëm 2.2 për qind të azilkërkuesve u është dhënë mbrojtje ndërkombëtare në BE.

Megjithatë, kriza ekonomike ka ndikuar dhe po kështu edhe përfitimet për azil-kërkuesit. Strehimi dhe ushqimi, kujdesi mjekësor dhe pagesat monetare janë tërheqëse - veçanërisht në rast se procedura zgjat disa muaj. Gjatë kësaj kohe, shumë azil-kërkues punojnë në tregun e zi dhe të kursejnë të holla për kur të kthehen në vendet e origjinës pasi kërkesa e tyre të refuzohet.

Kështu, numri i azilkërkuesve nga Ballkanit Perëndimor nuk është në rënie. Gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2013 ka pasur më shumë se 37,000 aplikime. Numri i aplikimeve të vitit të kaluar, që ishte viti me numrin më të lartë ndonjëherë, ishte 43.000. Këtë vit mund të vendoset një rekord i ri. Pra, ngrihet çështja nëse do të përdoret klauzola e pezullimit?

Ka shpresë se ky nuk do të jetë rasti. Jo-zyrtarisht, zyrtarët qeveritarë të BE-së pranojnë se kjo do të dëmtonte seriozisht marrëdhëniet me qeveritë e Ballkanit Perëndimor dhe do të minonte procesin e integrimit të rajonit në BE.
Ka shpresë edhe se disa vende anëtare të BE-së më në fund do ta kuptojnë se zgjidhja më e mirë është që të shkurtojnë procedurën e azilit për qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Qeveria e re në Gjermani, vendi që ka marrë më shumë aplikime nga qytetarët e Ballkanit Perëndimor, ka njoftuar se do të shpallë disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, “vende të sigurta origjine”, duke e riorganizuar procedurën e azilit.

Më shumë vende anëtare të BE-së duhet të ndjekin shembullin e Gjermanisë. Është mirë që vendet e Ballkanit Perëndimor të deklarohen "vende të sigurta origjine" në nivel BE-je. Si pjesë e procesit të liberalizimit të vizave, qeveritë e Ballkanit Perëndimor kanë kryer reforma kundër diskriminimit dhe hartuar politika për mbrojtjen e minoriteteve zbatimi i të cilave është monitoruar vazhdimisht nga Komisioni Europian. Në përgjithësi, ato janë vende të sigurta për qytetarët e tyre. Megjithatë, azilkërkuesve duhet t’ju jepet mundësia të shpjegojnë në një intervistë të plotë se pse kërkojnë azil, por rastet mund të prioritizohen dhe vendimmarrja mund të përshpejtohet.

Përveç kësaj, ligjërimi mbi këtë çështje duhet të ndryshojë. Ai duhet të spostohet nga ngarkimi i përgjegjësisë për zgjidhjen e problemit tek vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kërcënimi i tyre me ri-futjen e kërkesës për vizë, manovër të cilën klauzola e pezullimit tani do ta bëjë më të lehtë. Qeveritë thjesht nuk mund ta bëjnë këtë pasi ata shkelin të drejtat e njeriut të qytetarëve të tyre. Kohët e fundit, Komisioneri i Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut ka kritikuar ashpër disa vende të Ballkanit Perëndimor për zbatimin e masave që u janë kërkuar nga BE-ja.
Që nga fillimi i krizës së "azilkërkueve" në vitin 2010, ka qenë e qartë se azilkërkuesit nga Ballkani Perëndimor kanë synuar në vendet e BE-së, ku procedurat zgjasin – në atë kohë, nga 3 deri në 10 muaj, si për shembull në Gjermani, Suedi dhe Belgjikë. Vendet me sisteme të krahasueshme, por procedura më të shkurtra, të tilla si Austria, Franca dhe Holanda, nuk kanë regjistruar rritje të ndjeshme. Ato zgjidhin rastet brenda një muaji. Në Austri dhe Francë, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në listat kombëtare të vendeve të sigurta të origjinës, dhe Holanda ka një sistem efikas për kategori të caktuara azilkërkuesish.

Ka edhe evidencë se shkurtimi i procedurës çon në një rënie të numrit të kërkesave. Në fund të vitit të kaluar, Gjermania shkurtoi kohëzgjatjen e procedurës së azilit për qytetarët e Ballkanit Perëndimor nga tre muaj deri në nëntë ditë. Numri i azilkërkuesve ka rënë nga 6,600 në tetor 2012 në 3,400 në nëntor 1000 dhe në dhjetor 2012. Duke qenë se Zyra Gjermane për Azilin nuk e përballonte dot fliksin për shkak të mungesës së personelit – ky prioritizim ndaj qytetarëve të Ballkanit Perëndimor është bërë në kurriz të azilkërkuesve të tjerë të cilët u mbajtën në pritje. Por me rikthimin e procedurës unike, numrat e azilkërkuesve nga kjo zonë e Europës nisën të rriteshin sërish në vitin 2013. Koalicioni i ri qeveritar në Gjermani ka premtuar më shumë burime njerëzore. Nëse Gjermania arrin shkurtimin e procedurës duke reduktuar kështu aplikimet, kjo do të ketë një efekt të gjerë në BE. Kjo pasi deri më tani, 20,000 nga 37,000 kërkesat e paraqitura në BE në vitin 2013, janë paraqitur në Gjermani.

Shembulli i Zvicrës , një vend i Shengenit por jo në BE, dëshmon se kjo është qasje e drejtë. Në gusht të vitit 2012, ajo reduktoi gjatësinë e procedurës për qytetarët e Ballkanit Perëndimor nga tre - katër muaj në disa ditë. Në gusht 2012, numri i kërkesave të Ballkanit Perëndimor ishte 780. Në vitin 2013, ai ka qenë mesatarisht 70 në muaj.
E kundërta është gjithashtu e vërtetë: Në mars 2012, një vendim gjyqësor e detyroi Francën të hiqte Shqipërinë nga lista e saj e vendeve të sigurta. Për pasojë, gjatësia e procedurës për shqiptarët u zgjat në gjashtë muaj, duke ofruar njëkohësisht përfitime më të mira. Ndërsa në vitet e mëparshme Franca regjistronte rreth 500 kërkesa për azil nga qytetarë shqiptarë në vit, numri i shkoi deri në 2,700 në vitin 2013 dhe mund të arrijë në 4,000 këtë vit.
Megjithatë, të gjitha këto elementë nuk ka luajtur shumë rol në diskutimet e BE-së mbi problemit. Përgjegjësia për reduktimin e numrit të kërkesave të pabazuara për azil i është vënë qeverive të Ballkanit Perëndimor. " Siç thënë shumë herë Komisionerja Malstrom: liberalizimi i vizave për Ballkanin Perëndimor është një arritje e madhe, një liri e madhe", deklaroi zëdhënësi i Komisionit Europian për çështjet e brendshme vitin e kaluar . "Por kjo vjen me përgjegjësi të mëdha. Tashmë ka ardhur koha për këto vende, autoritetet e tyre dhe qytetarët e tyre, të vërtetojnë se ata mund ta përballojnë këtë përgjegjësi të madhe."

Në katër "raportet e monitorimit post-liberalizimit të vizave" që Komisioni Europian ka publikuar që nga viti 2011, ai ka sugjeruar qeverive të Ballkanit Perëndimor një grup masash, të cilat janë ndërmarrë prej tyre pa u vënë në diskutim, nga frika e rivendosjes së regjimit të vizave. Megjithatë, shumica e tyre janë të pakuptimta ose jo efikase - të tilla si fushatat e informimit, hetimi i kompanive të autobusëve që transportojnë azilkërkuesit, bashkëpunimi i ngushtë me BE-në dhe vendet fqinje. Problemi është se azil-kërkuesit kanë të gjithë informacionin që u nevojitet , dhe nuk është e paligjshme të transportosh qytetarë të cilët kanë të drejtë të hyjnë pa vizë në BE.

Komisioni Europian ka kërkuar gjithashtu që qeveritë e Ballkanit Perëndimor të shtojnë ndihmën për romët, meqë përbëjnë pjesën kryesore të azilkërkuesve. Kjo është diçka e nevojshme. Megjithatë, përmirësimi i kushteve të jetesës për romët është një zgjidhja afat-gjatë për një problem të vështirë. Romët e Ballkanit janë komunitet i varfër me probleme sociale të rrënjosura që janë vërtetë të vështirë për tu trajtuar. Qeveritë e pasura perëndimore mund të bëjnë shumë pak për të ndaluar romët e këtyre vendeve në muajt apo vitet e ardhshme të kërkojnë strehim të përkohshëm në BE dhe të fitojnë disa euro në tregun e zi.

Masa më e diskutueshme e rekomanduar ka të bëjë "Kontrollet në daljes në kufi". Nisur nga kjo masë e rekomanduar, qeveritë e Ballkanit Perëndimor kanë penguar të lënë vendin e tyre me dhjetëra mijëra qytetarë që mund të ishin azilkërkues të mundshëm. Megjithatë, kjo shkel të drejtën për të lënë vendin dhe për të kërkuar azil në një vend tjetër. Sipas Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës, Nils Muiznieks. "Situata është shqetësuese". Raporti i tij i 6 nëntorit 2013 lexon: "këto masa kufizuese migrimi burojnë nga nxitja e vendeve anëtare të BE-së në zbatim të politikave të tyre të imigracionit dhe të kontrollit të kufirit dhe janë të njollosura me damkën e diskriminimit, pasi në praktikë ato kanë në shënjestër dhe dëmtojnë romët."

Pra, kjo është një situatë e pafavorshme për qeveritë e Ballkanit Perëndimor - ose bëjnë atë që shtetet anëtare të BE-së u thonë dhe shkelin të drejtat e njeriut, ose nuk e bëjnë dhe përballen me ri-futjen e qarkullimit me viza.
Po të mos ishte një çështje kaq serioze, situata do të ishte thjesht ironike – aq më tepër kur ekziston një zgjidhje e drejtë dhe efikase: të shkurtohet procedura e dhënies së azilit, duke i garantuar njëkohësisht çdo pretenduesi mundësinë të shpjegojë se pse mendon se meriton azil. Kjo është një qasje efektive dhe e drejtë për të zgjidhur çështjen e kërkesave të pabazuara për azil nga qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe për tu rifokusuar në atë që udhëtimin pa viza ka arritur: më shumë kontakte dhe udhëtime mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, dhe njëkohësisht për qytetarët e Ballkanit Perëndimor ndjenja se ata i përkasin Europës.

Për analiza dhe studime nga European Stability Initiative mbi liberalizimin e vizave me BE-në, vizitoni: http://www.esiweb.org/index.php?lang=en&id=483
Kërkesat për azil nga qytetarë të Ballkanit Perëndimor në BE (Eurostat)

2009
(udhëtim vetëm me viza për pesë shtetet) 2010
(Serbia, Maqedonia, Mali zi udhëtim pa viza) 2011
(të pesë shtetet udhëtim pa viza) 2012
(të pesë shtetet udhëtim pa viza) 2013
10 muaj
(të pesë shtetet udhëtim pa viza)
Serbia 5,460 17,740 13,980 19,055 16,015
Maqedonia 930 7,550 5, 545 9,625 8,405
Shqipëria 2,065 1,925 3,075 7,500 6,945
Bosnja 1,330 2,105 2,595 5,835 5,040
Mali i Zi 270 405 630 1,260 685
Shuma e 5 vendeve 10,055 29,725 25,825 43,275 37,090
Shuma e gjithë azilkërkuesve në BE 266,395 260,835 303,645 336,015 333,565
Përqindja e azilkërkuesve nga Ballkani 3.7% 11.4% 8.5% 12.9% 11.12%

Speciale: Ndihma Financiare e BE-së përtej retorikës: Sa ka përfituar Shqipëria në fushën e Sundimit të së Drejtës (IPA I)?
Në kuadër të projektit “Ndihma Financiare e BE-së përtej retorikës: Sa ka përfituar Shqipëria në fushën e Sundimit të së Drejtës (IPA I)?”, mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros, Levizja Europiane në Shqipëri ka eksploruar së fundmi nivelin e përfitimit të deri tanishëm nga fondet e komponentit të parë IPA mbi Asistencën e tranzicionit dhe ndërtimin e institucioneve. Nga ky hulumtim, do të botohet së shpejti studimi me të njëjtin titull, i cili vë në pah sfidat aktuale të Shqipërisë në drejtim të përfitimit të fondeve të BE-së.

Që prej vitit 2007, Instrumenti i Para Aderimit (IPA) mbështet vendet kandidate dhe kandidate potenciale të përfshira në Procesin e Stabilizim Asociimit që të përmbushin kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Europian (BE). Ky instrument i unifikuar financiar pasoi programin CARDS dhe një sërë instrumentesh ekzistuese dhe është i organizuar në 5 komponentë. Duke qenë se Shqipëria ende nuk gëzon statusin e vendit kandidat, ajo aktualisht përfiton vetëm nga 2 komponentët e parë të IPA-s: Komponenti I – Asistenca e Tranzicionit dhe Ngritja e Institucioneve dhe Komponenti II – Bashkëpunimi Ndërkufitar. Duhet theksuar se, në pritje të marrjes së statusit kandidat dhe aksesimit të tre komponentëve të tjerë, një pjesë e ndihmës së parashikuar për këto të fundit është kanalizuar ndërkohë tek dy komponentët aktivë, e kryesisht tek i pari.

Me mbylljen e ciklit të parë të programit IPA 2007-2013 dhe nisjes së programit IPA 2014 – 2020 ende pak dihet se ku, si dhe tek kush, ka shkuar kjo mbështetje në Shqipëri. Në veçanti, eksplorimi i ndikimit të komponentit të parë , i vënë në fokusin e studimit të EMA-s është shumë i rëndësishëm, pasi ai në parim është strukturuar të ndihmojë në forcimin e institucioneve dhe kapaciteteve në Shqipëri. Kështu përmendet vazhdimisht se mbi 275 milionë euro i janë alokuar Shqipërisë ndër vite dhe 84 milionë të tjera do t’i alokohen gjatë viti 2012 vetëm për Komponentin I të IPA-s, për projekte asistence ose investimi në fusha të rëndësishme të infrastrukturës dhe rritjes së kapaciteteve. Në përgjithësi, fokusi vihet gjithnjë tek shifrat makro dhe madje shoqërohet në disa raste dhe nga spekulime pa shtjelluar se si Komponenti I i IPA-s realisht ka kontribuar (ose jo) në forcimin e institucioneve dhe përmirësimin e infrastrukturës.

Bazuar mbi të dhëna të detajuara mbi përdorimin e deritanishëm të fondeve, studimi i zhvilluar nga EMA përpiqet të hedhë dritë mbi këto aspekte. Nëpërmjet një ankete të realizuar me institucionet përfituese dhe ato potencialisht përfituese si ministritë e linjës, institucionet në varësi apo ato të pavarura, shoqëria civile, etj. studimi kapitalizon gjithashtu mbi kapacitet e aktorëve shqiptarë për të përthithur fondet IPA dhe zbatuar me efikasitet projektet.

Parimet themelore në të cilat mbështetet asistenca financiare e BE-së janë: (i) respektimi i parimeve të koherencës, bashkërendimit, koordinimit dhe partneritetit, (ii) asistenca duhet të jetë koherente me politikat e BE-së dhe duhet të mbështesë drejtimin kah acquis së BE; (iii) Asistenca duhet të jetë në përputhje me parimet buxhetore të përcaktuara në Rregulloren e Këshillit (EC, Euratom) Nr 1605/2002, (iv) Asistenca duhet të jetë në përputhje me nevojat e identifikuara në procesin e zgjerimit dhe kapacitetet përthithëse të vendit përfitues. (v) Pronësia e programimit dhe zbatimit të asistencës nga vendi përfitues duhet të inkurajohet fort dhe duhet të sigurohet një transparencë për programet e mbështetura nga kjo asistencë, (vi) Aktivitetet e secilit projekt duhet të përgatiten me objektiva të qartë dhe të verifikueshëm, të cilët duhet të arrihen brenda periudhës së përcaktuar, (vii) Çdo diskriminim në baza gjinie, race, origjine, religjioni apo besimi, moshe apo orientimi gjinor duhet të parandalohet gjatë fazave të ndryshme të zbatimit të projekteve dhe (viii) Objektivat e asistencës së para zgjerimit duhet të reflektojnë parimet e BE lidhur me promovimin dhe mbrojtjen e mjedisit.

Kjo mbështetje zakonisht është ofruar nëpërmjet: (i) asistencës teknike, (ii) investimeve në infrastrukturë, (iii) granteve, (iv) instrumentit për përgatitjen e projekteve, (v) zbatimit të lehtësirave financiare në bashkëpunim me institucionet financiare dhe (vi) mbështetjes buxhetore, në përputhje me dispozitat e nenit 15(1) të Rregullores IPA. Me qëllim zbatimin e saj, shteti përfitues duhet të ketë të miratuar bazën ligjore dhe institucionale, sikurse kërkohet nga BE.

Mbështetja e ofruar nga IPA, programet në bazë vjetore dhe kulmon me miratimin e një marrëveshjeje financiare në të cilën parashikohen në detaje kushtet për zbatimin e projekteve të një viti të caktuar. Duke filluar nga viti 2007, aktualisht kemi 7 marrëveshje të nënshkruara, të cilat në përgjithësi janë zbatuar sipas kushteve të paracaktuara. Afati për kontraktimin e zbatimit të projekteve zakonisht është tre vite pas datës së nënshkrimit të Marrëveshjes. Ndërsa afati për përfundimin e zbatimit është dy vite pas datës së fundit të kontraktimit.

Një element shumë i rëndësishëm për miratimin dhe zbatimin e projekteve është edhe sigurimi i bashkëfinancimit nga institucioni përfitues shqiptar. Bashkëfinancimi varion nga 20% të vlerës së kontratës për investime në infrastrukturë, në 15% për investimet në pajisje dhe 10% në rastet kur projekti ka të bëjë me asistencë teknike. Nëpërmjet bashkëfinancimit synohet që të rritet roli i përfituesve në zbatimin e projektit. Përveç bashkëfinancimit të siguruar nga përfituesi shqiptar për disa projekte, një pjesë e financimit mund të jetë nga Institucionet financiare ndërkombëtare (banka) ose nga organizata të tjera ndërkombëtare. Në vijim është një prezantim i shumës së alokuar për programet vjetore IPA, nëpërmjet të cilave janë mbështetur 109 projekte.

Programi Kontributi i Bashkimit Evropian Bashkëfinancimi nga Qeveria (përfshire dhe kredimarrja nga Institucionet Financiare Nderkombatare) TOTALI Nr. projekteve
IPA 2007 49,268,790 1,500,000 50,768,790 7
IPA 2008 64,037,000 6,252,000 70,289,000 25
IPA 2009 69,860,000 80,052,000 149,912,000 16
IPA 2010 83,200,000 129,315,000 212,515,000 10
IPA 2011 82,000,000 97,151,000 179,151,000 9
IPA 2012 81,640,000 15,201,000 96,841,000 16
IPA 2013 85,500,000 39,970,000 125,470,000 26
515,505,790 329,471,000 970,446,790 109

Nga vitit 2007 deri në vitin 2010 programi është bërë në bazë të tre kritereve të Kopenagenit, duke i ndarë projektet në ato që ofronin mbështetje për kriterin politik, kriterin ekonomik dhe standardet evropiane.
Ndarja e projekteve sipas kritereve të Kopenhagenit (periudha 2007-2010)

Ndërsa në periudhën 2011-2013, programmi është bazuar në gjashtë sektorë kryesorë: (i) drejtësia dhe çështjet e brendshme, (ii) reforma në administratën publike, (iii) transporti, (iv) mjedisi, (v) zhvillimi social dhe (vi) bujqësia dhe zhvillimi rural. Mbështetje është ofruar gjithashtu edhe për pjesëmarrjen e institucioneve shqiptare në programet e BE, në fushën e arsimit, kulturës, shoqërisë civile etj.
Ndarja e projekteve sipas sektorëve (periudha 2011-2013)

Projektet, të cilat mbështeten nga programi IPA mund të jenë projekte që ofrojnë asistencë teknike nëpërmjet forcimit të institucioneve ose projekte infrastrukturore. Në fakt qëllimi primar i komponentit I të IPA-s është mbështetja institucionale, por për shkak të infrastrukturës së dobët në Shqipëri, kjo mbështetje është ofruar edhe në projekte infrastrukturore. Në grafikun më poshtë jepet informacion mbi shumën e alokuar në vite për asistencë teknike dhe projekte infrastrukturore.

Ndarja e fondeve në projekte të asistencës teknike dhe infrastrukturë në vite

Sikurse vihet re nga grafiku, pjesa më e madhe e fondeve ka shkuar për projekte infrastrukturore, për shkak të kostos së lartë që kanë këto projekte, por në fakt numri i projekteve është më i madh në fushën e asistencës teknike. Kështu psh: në programin IPA 2012 janë mbështetur 16 projekte, nga të cilat 11 kanë ofruar asistencë teknike dhe vetëm 5 kanë mbështetur infrastrukturën. Megjithatë, shuma financiare për projektet infrastrukturore ka qenë më e madhe se ajo për projektet e asistencës teknike; 46.7 milion Euro për infrastrukturën dhe 34.9 milion Euro për asistencë teknike.

Studimi i EMA-s evidenton se planifikimi dhe zbatimi i projekteve deri më tani është shoqëruar me problematika të ndryshme.
Bashkëfinancimi është një ndër detyrimet që duhet përmbushur nga të gjitha institucionet përfituese të projekteve. Shuma e bashkëfinancimit është 15% për projektet infrastrukturore, 10% për projektet e asistencës teknike dhe 5% për projektet e binjakëzimit. Kjo shumë parashikohet gjatë fazës së hartimit të projektit, duke përcaktuar qartë edhe aktivitetet të cilat do të zbatohen nëpërmjet bashkëfinancimit. Mmosplanifikimi në kohë apo mungesa e buxhetit për bashkëfinancimin ka çuar në mosrealizimin e disa aktiviteteve, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në zbatimin e të gjithë projektit. Për shkak të situatës së krijuar nga kjo problematikë, duke filluar nga viti 2011, sigurimi i bashkëfinancimit është konsideruar si parakusht për miratimin e një projekti.

Pagesa e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSh). Në nenin 26 të ligjit nr. 9840, datë 10.12.2007 “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikë së Shqipërisë dhe Komisionit të Komuniteteve Evropiane për rregullat e bashkëpunimit për asistencën për Shqipërinë, në kuadër të zbatimit të Instrumentit të parazgjerimit (IPA)” parashikohet se: Përveç rasteve kur përcaktohet ndryshe në një Marrëveshje Sektoriale apo Marrëveshje Financiare, tarifat doganore, taksat e importit apo tatime të tjera me efekt të barazvlefshëm, nuk janë të zbatueshme për IPA-n. Por duke qenë se legjislacioni shqiptar detyron çdo kompani të bëjë pagesën e TVSH, e cila më pas rimbursohet, ky rregull është zbatuar edhe për pagesat e bëra në kuadër të projekteve të financuara nga IPA. Ashtu sikurse në rastin e bashkëfinancimit, disa institucione nuk e kanë planifikuar këtë pagesë, duke ndikuar në vonesën e realizimit të aktiviteteve për disa projekte. Të gjendur në situata problematike, Këshilli i Ministrave ka miratuar Vendime përkatëse për alokimin e fondeve shtesë, nga buxheti i institucioneve përfituese apo nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

Sigurimi i lejeve përkatëse për projektet infrastrukturore dhe pronësia mbi truallin janë gjithashtu shumë të rëndësishme për zbatimin e një projekti. Për shkak të ndryshimit të shpeshtë në kuadrin ligjor për lejet e ndryshme përpara fillimit të ndërtimit, disa nga projektet infrastrukturore kanë patur probleme në zbatimin e tyre. Duke filluar nga viti 2011 këto dy elementë janë konsideruar si parakushte për miratimin e një projekti. Institucioni përfitues (qendror apo vendor) është i detyruar që të sigurojë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm përpara se projekti të miratohet.

Bashkërendimi ndërmjet përfituesve është një problem, i cili ndeshet në ato projekte, të cilat kanë më shumë se një përfitues. Mos përcaktimi i qartë i përgjegjësive të secilit institucion përfitues ndikon në zbatimin e duhur të projektit. Disa prej institucioneve, i shmangen përgjegjësive edhe kur ato përcaktohen qartë, kryesisht institucionet e vartësisë, për të cilat bashkërendimi është më i vështirë.

Kapacitete administrative të përgatitura për të planifikuar dhe më pas ndjekur zbatimin dhe monitorimin e projekteve. Disa nga institucionet kanë staf të pamjaftueshëm për përgatitjen e projekteve dhe ndjekjen e zbatimit të tyre. Psh: në institucionet që janë pjesë e sektorit të drejtësisë dhe çështjeve të brendshme ku pothuajse ka patur projekte çdo vit, është i domosdoshëm shtimi i numrit të stafit për menaxhimin e tyre. Ky problem bëhet më i rëndësishëm pas procesit të decentralizimit, kur institucionet shqiptare do të jenë vetë përgjegjëse për të gjithë ciklin e menaxhimit.
Mirëmbajtja e produkteve të projekteve është një element shumë i rëndësishëm nëpërmjet të cilit vlerësohet impakti që ka pasur një projekt. Kjo kërkon angazhimin e institucioneve përfituese për të siguruar financimin e kërkuar apo motivimin e stafit të trajnuar nga projektet e BE.
INSTRUMENTI FINANCIAR 2014-2020 (IPA II)

Duke filluar nga viti 2014, mbështetja financiare e BE për vendet kandidate dhe kandidate potenciale do të ofrohet nëpërmjet Instrumentit të ri financiar: IPA II, i cili do të zbatohet gjatë periudhës 2014-2020. Përgatitjet për këtë Instrument kanë filluar në fund të vitit 2011, kur Komisioni Evropian i propozoi Këshillit miratimin e një Rregulloreje për Instrumentin e ri financiar. Që nga ajo periudhë, ka pasur konsultime me të gjithë aktorët e interesit të përfshirë në këtë proces dhe Rregullorja pritet të miratohet në muajin mars 2014.

Instrumenti i ri, ndryshe nga IPA 2007-2013:
nuk do të përbëhet nga pesë komponentë, por nga fusha sektoriale
secili prej vendeve përfituese, do të përfitojë nga të gjitha fushat sektoriale, pavarësisht statusit (kandidat apo kandidat potencial)
do të programohet në bazë të qasjes sektoriale dhe jo projekteve të veçanta.
Studimi i plotë i EMA-s me detaje mbi përthithjen e fondeve IPA dhe gjetjet e anketës realizuar me aktorët relevantë do të publikohet së shpejti.

Stafi i EuroSpeak, shkurt 2014

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk