Shënimi, sipas Komisionit Europian ka për qëllim thjesht të qartësojë dhe të sigurojë transparencë, pasi përcaktimi i origjinës për produktet është i detyrueshëm dhe duhet të jetë i saktë dhe jo çorientues për konsumatorin. Kjo është e rëndësishme sidomos kur ky informacion ndikon në vendimet e qytetarëve për ta blerë apo jo produktin. Por për shkak të këtij shënimi qartësues bërë nga Komisioni Europian, kanë ardhur reagime të ndryshme nga aktorët e përfshirë në këtë situatë; ndërkohë që përfaqësuesit e BE-së e kanë vlerësuar thjesht si një çështje teknike, përfaqësuesit e Izraelit e kanë kthyer atë në një çështje të nxehtë politike. Gjithashtu nuk kanë mbetur pa reaguar dhe një grup senatorësh amerikanë.
Një procedurë teknike
Sipas BE-së ky qartësim u realizua thjesht për arsye të zbatimit të ligjit ekzistues të BE-së dhe për sigurimin e transparencës së informacionit dërguar konsumatorëve, për të bërë dallimin mes prodhimeve të Bregut Perëndimor nga Palestina dhe ato nga zonat e pushtuara izraelite, duke theksuar se nuk është një bojkotim ndaj prodhimeve të Izraelit por thjesht një mënyrë për të ndihmuar vendet anëtare të zbatojnë ligjin europian. Nga ana tjetër, vendet e BE-së si Mbretëria e Bashkuar, Danimarka dhe Belgjika i kanë vendosur këto udhëzime më parë dhe i zbatojnë me përpikëri ato. Për BE-në, Izraeli mbetet një shtet partner në tregti pasi vetëm për vitin 2014, BE ka importuar nga Izraeli rreth 13 bilion € produkte dhe ka eksportuar rreth 17 bilion €, duke nënvizuar faktin që produktet nga pjesët e pushtuara izraelite zënë një pjesë fare të vogël të këtyre prodhimeve, çka nënkupton që dhe ndikimi ekonomik nga shitja e tyre nuk është i madh.
Diskriminim dhe trajtim i ngjashëm me atë nazist
Kjo lëvizje e Komisionit Europian nuk është pritur aspak mirë nga zyrtarët më të lartë izraelitë, të cilët kanë pezulluar përkohësisht takimet me homologët europianë. Madje në qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme u ndjenë nota të ashpra dhe kritike duke e cilësuar si “diskriminuese” këtë zgjedhje. “BE ka zgjedhur, për arsye politike të marrë një hap të tillë diskriminues dhe të pazakontë, frymëzuar nga një lëvizje bojkotomi, në një moment ku Izraeli po përballet me një valë terrorizmi mbi të gjithë qytetarët e tij”. Ministri i Jashtëm i sugjeroi BE-së me ironi që për dallimin e këtyre produkteve, mund të përdoret simboli i yllit të ngjashëm me atë që hebrenjtë ishin të detyruar ta mbanin gjatë regjimit nazist. Kundërpërgjigja e Izraelit ndaj këtij bojkotimi është mospërfshirja në çështjet që prekin Lindjen e Mesme, të drejtat e njeriut dhe zgjidhjen e krizës, dhe gjithashtu ata janë shprehur se kjo mund të sjellë implikime në marrëdhëniet Izrael-BE. Edhe Ministrja e Drejtësisë Izraelite me indinjatë i ka vlerësuar këto vendime si “anti-Izrael”, ku urrejtja dhe hipokrizia e Europës ndaj Izraelit ka kaluar çdo cak, dhe sipas saj është interesante që BE nuk etiketon në të njëjtën mënyrë edhe produktet që vijnë nga Saharaja Perëndimore apo nga Qipro Verior, duke nënkuptuar kështu që BE pavarësisht se në botë ka shumë kriza të tilla vendos të ‘sulmojë’ vetëm Izraelin. Ndërsa për Kryeministrin, Benjamin Netanyahu ky trajtim i BE-së sjell kujtime të errëta, pasi nuk ndryshon nga trajtimi nazist kundër bizneseve hebreje dhe për këtë Europa duhet të ketë turp.
Letër drejtuar BE-së në mbështetje të Izraelit
Situata e krijuar midis Izraelit dhe Bashkimit Europian, nuk kaloi pa u vënë re edhe nga partneri i tyre i ngushtë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku 36 senatorë amerikanë, republikanë por edhe demokratë, firmosën një letër dërguar Federica Mogherinit duke shprehur shqetësimin se kjo mënyrë etiketimi, do të sillte një “bojkotim de facto të Izraelit” pasi do të demotivojë konsumatorët europianë të blejnë produkte të prodhuara nga territoret e pushtuara nga ky vend. Nuk është momenti i duhur, sipas tyre, që BE të vendosë kushte të tilla dhe një presion kaq të madh diplomatik dhe ekonomik ndaj Izraelit. Ky propozim nuk promovon një zgjidhje për krizën Izrael – Palestinë, por thjesht delegjitimizon më tepër Izraelin dhe e dëmton atë.
Me situatën e krijuar është me rëndësi të vërehet se si do të vazhdojnë marrëdhëniet mes Izraelit dhe Bashkimit Europian, dhe çfarë efekti do të ketë zbatimi i këtij etiketimi për ekonominë izraelite por edhe për zgjedhjet e konsumatorëve europianë. Ndërkohë që Bashkimi Europian mbron tezën e zbatimit të ligjit europian, ashtu si dhe respektimit të ligjit ndërkombëtar, Izraeli e ka vlerësuar atë si një teknikë diskriminuese vetëm ndaj Izraelit pasi në raste analoge BE nuk ka ndërmarrë një veprim të tillë.
Stafi i Eurospeak, nëntor 2015