Në takim, gjithashtu morën pjesë dhe Koordinatori europian kundër terrorizmit dhe Komisioneri për çështjet e brendshme, të cilën paraqitën një listë të prioriteteve të politikës për të trajtuar atë që është parë si kërcënim në rritje i luftëtarëve të huaj të kthyer në shtëpi. Frika lidhet me faktin se rreth 2,500 qytetarë europian të larguar në Siri dhe Irak për të luftuar përkrah militantëve islamik mund të kthehen sërish në BE edhe më të radikalizuar.
Çështja e radikalizmit, nuk është e panjohur për BE-në. Në vitin 2011, Komisioni i Bashkimit Europian, krijoi Rrjetin e Ndërgjegjësimit ndaj Radikalizmit (RAN), i cili bashkon në të njëjtën linjë praktikantë nga fusha dhe vende të ndryshme, me sfida shoqërore të ndryshme, për të punuar në sektorin e shëndetësisë dhe atë social. Kështu në të marrin pjesë: shoqatat e viktimave, përfaqësues nga diaspora dhe politika lokale, oficerët e burgjeve ose të lirimit me kusht, mësues, etj. Qëllimi i këtij rrjeti është pikërisht lufta e ekstremizmit, dhunës dhe radikalizmit.
Në janarin e vitit të shkuar, Komisioni nxiti nisma për të forcuar kundërpërgjigjen europiane ndaj radikalizmit dhe dhunës ekstremiste. Ndërkohë që ndalimi i këtyre dy formave është më tepër pjesë e politikës së brendshme të çdo shteti anëtar, Komisioni Europian dhe RAN mund të asistojnë në disa mënyra, duke i asistuar këto shtete në krijimin e programeve të deradikalizmit, dhe duke përforcuar dialogje me shoqërinë civile për të parandaluar këto vepra.
Sulmi i muzeut në Bruksel vitin e kaluar dhe tani sulmi në Paris kanë kanë çuar në intensifikimin e thirrjeve për rritjen e sigurisë në kufijtë e jashtëm të BE-së, rritjen e masave të mbikqyrjes së internetit, dhe kalimin e ligjeve të reja të cilat mund të penalizojnë luftëtarët e huaj. Kjo e fundit, nënkupton që udhëtimet me qëllim terrorizmi ose veprimet e ngjashme me to, të trajtohen si vepra penale me rrezikshmëri të lartë. Një parashikim i tillë, rrjedh nga Rezoluta 2178 e Këshillit të Sigurimit, miratuar shtatorin e viti të kaluar, e cila i detyron qeveritë kombëtare ta parashikojnë si vepër penale në sistemet e tyre të brendshme. Nuk duhet harruar se, lufta ndaj terrorizmit para së gjithash është një kompetence dhe luftë kombëtare.
Këshilli Europian do të miratojë në muajt në vijim, Agjendën Europiane për Siguri për periudhën 2015-2020, e cila do të riorientojë sigurinë e përgjithshme në sfidat e shkaktuara nga kërcënimet kriminale aktuale. Disa elemente të rëndësishme janë tashmë në konsideratë:
• Vazhdimi i përforcimit të eficencës së Sistemit Shengen të Informacionit, gjithnjë e më tepër falë kontrolleve të rregullta, të shënjestruara, informuara dhe jo diskriminuese.
• Gjykimi nëse struktura ekzistuese ligjore penale ka nevojë për përforcim;
• përforcimi i bashkëpunimit mes Europolit dhe agjensive të tjera europiane dhe organeve të vlerësimit të kërcënimit, të njohura si IntCen (Qendra e Vetme e Inteligjente e Vlerësimit).
• Përforcimi i punës për të bërë disa informacione relevante të aksesueshme në zbatimin e ligjit me qëllim për një ndjekje dhe parandalim më efektiv të aktiviteteve kriminale me anë të kufijve europian dhe ndërkombëtar;
• Përforcim të shkëmbimeve të informacionit në nivel europian dhe ndërkombëtar për armët e paligjshme të zjarrit.
Këshilli Europian, gjithashtu do të vijojë punën me Parlamentin dhe Këshillin Europian për të adoptuar rregullat e Bashkimit Europian në sistemin e Rregjistrimit të Emrave të Pasagjerëve Europian, e cila do të përmirësojë aftësinë tonë për të zbuluar dhe parandaluar terrorizmin dhe krime serioze në një botë të mospengimit të udhëtimit global.
Franca, në nëntor përfshiu në ligjin kombëtar rregulla të reja, duke parashikuar dënim deri në 10 vjet dhe gjoba deri në €150,000 për “çdo person të cilit i gjenden në zotërim objekte ose substanca të rrezikshme (siç janë armët ose eksplozivët), i cili kosultohet me faqet terroriste ose ndjek trajnime terroriste“. Jo vetëm kaq, por në bazë të La Quadrature du Net, një OJQ në Francë, qeveria e këtij vendi, menjëherë pas sulmit në kryeqytet, kaloi disa dekrete të cilat i lejojnë autoritetet pa një vendim paraprak gjyqësor, të mbyllin të gjitha ato faqe të cilat përkrahin ose provokojnë terrorizmin.
Ministri i jashtëm spanjoll, Jorge Fernandez Diaz, u shpreh për El Pais, se vende të tjera, janë gjithashtu në proces të ndjekjes së kërkesave të rezolutës së Kombeve të Bashkuara. Qeveritë kombëtare kanë të drejtën, në bazë të disa rregullave strikte, të vendosin kufij kontrolli të brendshëm të përkohshëm. Sipas tij, kjo gjë është tejet e nevojshmë për të luftuar kërcënimin xhihadist.
Takimi ministror i së dielës, gjithashtu shtoi presionet mbi parlamentarët europian për të firmosur projektligjin e shpërndarjes së të dhënave personale, në bazë të së cilit kompanitë e linjave ajrore do të detyrohen të dorëzojnë të dhënat e pasagjerëve për policinë. Projekt ligji në fjalë ka qenë i bllokuar në tre vitet e fundit, ku mes shqetësimeve të disa anëtarëve të parlamentit europian, qëndron argumenti se bie ndesh me disa të drejta themelore, si privatësia.
Në mbyllje të takimit, ministrat miratuan një deklaratë të përbashkët për luftën ndaj terrorrizmit.
Stafi i EuroSpeak, janar 2015