Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian ekziston një marrëdhënie e veçantë e cila kalon përmes Procesit të Stabilizim Asociimit dhe ka si qëllim demokratizimin e vendeve kandidate nëpërmjet kushtëzimeve të vendosura prej vendeve anëtarëve. “Kushtëzimi (Conditionality) qëndron në themel të strategjisë së Bashkimit Europian për të detyruar vendet jo-anëtare që të përshtaten me parimet bazë të shtetit legjitim” (Schimmelfennig, F., Stephan E. and Heiko K., 2003: 495), pra të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Bashkimi Europian vërtet i mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet programeve specifike dhe nxitësve financiarë duke kërkuar në këmbim konsolidimin e demokracisë së tyre, por a ka qenë efektiv kushtëzimi i BE-së në këtë mision? A ka arritur Bashkimi Europian t’i transformojë realisht vendet e Ballkanit Perëndimor? A kanë mundur Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Bosnjë Hercegovina e Maqedonia e Veriut të konsolidojnë përnjëmend demokracitë e tyre?
Sigurisht, përmirësime ka pasur. Nën shtysën e BE-së është arritur të vihen në jetë disa reforma të cilat në kushte të tjera nuk do të kishin ndodhur (Beshku K., Mullisi O., 2018), por ndërkohë, shumë aspekte të tjera lënë ende për të dëshiruar. Fakt është që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë hapa prapa në drejtimin e demokratizimit, pavarësisht se formalisht qeveritë e këtyre vendeve kanë deklaruar arritje. Fenomeni i “ndërprerjes së lidhjeve mes përparimit në përshtatjen formale me normat e BE-së dhe mungesës së progresit të demokratizimit” (Richter S., Wunsch N., 2019) në vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka vendosur në pikëpyetje të madhe efikasitetin e Kushtëzimit që vjen nga BE-ja në lidhje me efektin që ky kushtëzim realisht ka në këtë rajon. E gjithë kjo, në një kohë kur disa aktorë të tretë si Rusia, Kina, Turqia apo Emiratet e Bashkuara Arabe kanë filluar të interesohen për rajonin, pa iu vendosur këtyre vendeve kurrëfarë ‘kushtëzimesh’, pra duke e konkuruar seriozisht BE-në në rajon, pavarësisht se Europianizimi që ofron BE-ja, ende mbetet modeli të cilin vendet e rajonit e aspirojnë.
Atëherë, përse nuk po funksionon më Kushtëzimi i BE-së në Rajonin e Ballkanit Perëndimor? Cilat janë arsyet që e pengojnë konsolidimin e demokracisë në Ballkan? Në fakt, ka disa fenomene të cilat, të patrajtuara qartë nga BE-ja dhe të ushqyera në Ballkanin Perëndimor si nga lart (qeveritë), por edhe nga poshtë (shoqëritë) kanë bërë që kushtëzimet e BE-së të mos ndikojnë dhe aq në europianizimin e vërteëtë të këtyre vendeve, por të prodhojnë atë që thamë më sipër, pra mospërputhshmërinë mes adaptimit të normave të BE-së dhe konsolidimit real të demokracisë në vend. Arsyet gjenden kryesisht në fenomenet si:
Kapja e shtetit është fenomen i përmendur për herë të parë nga BERZH-i dhe Banka Botërore në fillim të viteve 2000, për t’iu referuar një forme të rrënjosur të korrupsionit në disa vende ish-komuniste. Në lidhje me Ballkanin Perëndimor, atë e gjejmë për të parën herë në Raportin e Komisionit Europian ndaj ecurisë së Maqedonisë së Veriut (asokohe Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë), në vitin 2016. Qysh atëherë, ky fenomen vazhdon të jetë i pranishëm tek të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, me intensitet që varion në varësi të vendit apo të periudhave kohore. Me të kuptohen proceset ku “institucionet shtetërore dhe aktorët ndërmjetësues, si partitë politike ose parlamentet, merren peng apo depërtohen nga rrjete klienteliste të cilat u japin një lustër zyrtare mënyrave të tyre jozyrtare të marrjes së vendimeve, përfshirë praktikat korruptuese” (Richter, 2017). Ky fenomen është gjerësisht i përhapur kudo në Ballkanin Perëndimor, por ai shfaqet në forma e mënyra të ndryshme, të cilat është e vështirë të identifikohen e të vërtetohen shkencërisht. Për këtë arsye, por edhe për shkak të indiferencës së vetë elitave intelektuale, me përjashtim të ndonjë studimi deskriptiv të vitit të fundit, mungojnë studimet e mirëfillta empirike nga vetë vendet e rajonit, ndërkohë që janë të shumta ato të studiuesve nga jashtë këtyre vendeve në lidhje me femomenin.
Klientelizmi politik është një tjetër fenomen i pranishëm në rajon i cili ushqen ngushtë kapjen e shtetit. Të dy bashkë ndërveprojnë duke i larguar vendet prej vlerave europiane. Klientelizmi politik është fenomeni sipas të cilit partitë politike u ofrojnë qytetarëve shërbime (mbështetje, favorizime, vende pune) në këmbim të benefiteve prej tyre (votave). Në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, klientelizmi politik shpesh kalon në nivele edhe më të larta, kur favorizimet e vogla zëvendësohen nga marrëveshje më të mëdha, si në rastet kur qytetarët ofrojnë mbështetje të fortë në shërbim të organikave partiake ose anëtarësimin në to, në këmbim të disa përfitimeve të mëdha klienteliste si tendera apo përfitime të tjera ekonomike. Kësisoj, ajo që bën klientelizmi politik është që e kthen përmbys kërkimin e llogarisë në një sistem demokratik, duke i bërë qytetarët të japin llogari përpara politikanëve të tyre, në vend që të jetë e kundërta. Kështu pra, në rajon është krijuar një “sistem i përçudnuar llogaridhënieje (perverse accountability)” (Stokes, 2005) ku qytetarët nuk i vendosin dot me shpatulla në mur politikanët pasi mund të humbasin përfitimet personale qe iu vijnë prej tyre. Gjithashtu, klientelizmi politik është përgjegjës për emërimet e zyrtarëve pa meritë, nepotizmin, lënien mënjanë të ekspertëve, konformizmin dhe politizimin e administratës publike si edhe në emërimin sipas tarafeve (cronyism), ose thënë ndryshe, emërimin e miqve në pozicione të rëndësishme, të gjitha këto fenomene që e largojnë Ballkanin Perëndimor prej modelit europian.
Fasada ose performanca e tipit të fshatit Potemkin (Potemkin village performance) është një tjetër fenomen që shoqëron ngushtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Termi vjen nga një ngjarje e vitit 1787, kur Grigory Potemkin, guvernatori i vendit, dha urdhër të ndërtohej një fshat i tërë me qëllimin për t’i bërë përshtypje perandoreshës Katerina II, gjatë vizitës që ajo do të kryente në Krime ku do të admironte zotërimet e perandorisë ruse. Fshati u zhbë sapo perandoresha kaloi aty pari në mjetin lundrues, përgjatë lumit. Sa e vërtetë është kjo, askush nuk di ta thotë me saktësi, por e rëndësishme është që termi përdoret ende për të etiketuar ndryshimet e fasadave pa cekur thelbin. Në rastin e Ballkanit Perëndimor, ky term përdoret për ato raste kur elitat e vendit i rezistojnë forcës shtytëse të BE-së për reformime dhe i ndërmarrin reformat vetëm kur status-quo-ja e tyre nuk rrezikohet (Soeren, Zeynep, 2016: 64). Ky lloj fenomen është pagëzuar me termin “përshtatjet e rreme (fake compliances)” (Noutcheva G., 2007) qysh në vitin 2007 dhe u referohet rasteve kur qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndërmarrin reforma vetëm formalisht, duke i ndryshuar rregullat e ligjet siç kërkohet nga BE-ja, por pa ndryshuar praktikat e punës në vend. Rrjedhimisht prodhohen ligje europiane, por metodat mbeten ballkanase.
Siç mund të merret me mend, këto metoda ndikojnë gjerësisht në mungesën e konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ato janë përgjegjëse për dobësimin e demokracisë e si rrjedhojë edhe për stanjacionin e këtyre vendeve në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Nga ana tjetër, BE-ja është kritikuar shpesh për një shkallë të lartë tolerance ndaj këtyre fenomeneve, aq sa parimi i saj i Kushtëzimit, i cili duhej të prodhonte më tepër demokratizim në vendet e Ballkanit Perëndimor, është vënë në dyshim. Kushtëzimi ekonomik e politik i BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor ka prodhuar, në fakt, një tjetër fenomen, të ashtuquajtur “stabilitokraci (stabilitocracy)” (Bieber F., Kmezić M., 2016), e cila do të thotë “mbyllja e njërit sy” nga ana e BE-së përballë praktikave korruptive, në emër të stabilitetit të rajonit, por kjo nuk do të thotë që faji mbetet vetëm nga njëra anë.
Ajo që të bie në sy është gjithëpranimi i këtyre fenomeneve dhe njëfarë dorëzimi para tyre në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këto fenomene janë ulur këmbëkryq prej dekadash aty dhe qytetarët ose nuk i shquajnë dot më prej sa janë bërë të natyrshme, ose janë të çarmatosur përballë tyre. Në këto kushte, analizimi i efikasitetit të Kushtëzimit të BE-së në drejtim të Ballkanit Perëndimor del i një rëndësie të dorës së dytë përpara analizimit serioz të shkaqeve të fenomeneve që e bëjnë të pamundur konsolidimin e demokracisë në vetë vendet e Ballkanit Perëndimor. Këto analiza të thelluara, së bashku me rekomandime e zgjidhje sistemike të këtyre fenomeneve, do të kontribuonin jo vetëm në pakësimin e gërryerjes së demokracisë të brendshme në vendet e rajonit, por edhe në rritjen e ndërgjegjësimit qytetar përballë tyre. Në fund të fundit, integrimi europian duhet të fillojë nga shtëpia.
Klodiana Beshku, qershor 2021
*Klodiana Beshku është Pedagoge e Integrimit Europian dhe Gjeopolitikës në Departamentin e Shkencave Politike, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.
Referenca:
Schimmelfennig, F., Stephan E. and Heiko K. (2003). “Costs, Commitment and Compliance: The Impact of EU Democratic Conditionality on Latvia, Slovakia and Turkey”, Journal of Common Market Studies, No. 3.
Beshku K., Mullisi O., (2018). “The European Union as a Reforming Power in the Western Balkans. The Case of Albania”, Journal of Liberty and International Affairs, Vol. 4, No. 2, 2018.
Richter S., Wunsch N., (2019). “Money, Power, Glory; The Linkages Between EU Conditionality and State Capture in the Western Balkans”, Journal of European Public Policy, Vol. 27, Issue 1.
Solveig Richter (2017). “Der Wolf im Schafspelz: Illegitime Herrschaft durch State Capture in Nachkriegs- und Transitionsgesellschaften “, Die Zeitschrift für Friedens- und Konfliktforschung, 6:2.
Susan C. Stokes, (2005). “Perverse Accountability: A Formal Model of Machine Politics with Evidence from Argentina”, American Political Science Review, Vol. 99, No. 3.
Keil Soeren, Arkan Zeynep, (2016). The EU and Member State Building. European Foreign Policy in the Western Balkans, New York: Routledge.
Noutcheva G. (2007). “Fake, Partial and Imposed Compliance. The Limits of EU’s Normative Power in the Western Balkans”. European Journal of Public Policy, 16 (7).
Bieber F., Kmezić M., (2016). “EU Enlargement in the Western Balkans in a Time of Uncertainty”, BIEPAG, September 2016.