Roli reformues i Bashkimit Europian në Shqipëri dhe reforma në drejtësi

Roli reformues i Bashkimit Europian në Shqipëri dhe reforma në drejtësi

***

Shqipëria është një ndër vendet e Ballkanit që në të ardhmen synon aderimin në Bashkimin Europian. Pozicioni i Shqipërise ka qenë i qartë që prej momentit të parë të lirisë pas rënies së një prej regjimeve komuniste më mizore në ish bllokun komunist. Qysh në fillimet e viteve ‘90, vizioni i shqiptarëve ka qenë i qartë dhe pro perëndimor, E DUAM SHQIPËRINË SI GJITHË EUROPA. Përgjatë viteve të tranzicionit, Shqipëria ka bërë përpjekje në rrugën drejt Bashkimit Europian duke ndjekur me përpikmëri direktivat dhe rekomandimet e bëra nga BE. Në vitin 2009, Shqipëria paraqiti kërkesën zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe në 2014 iu dha statusi i vendit kandidat.

Qysh në fillimet e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, institucionet e BE kanë shërbyer si reformuese të politikave në Shqipëri, duke pasur kështu një rol thelbësor në procesin e Europianizimit në Shqipëri. Duke qenë se anëtarësimi në BE është një ndër objektivat kryesore kombëtare, është dashur një reformim i rrenjësishëm i politikave kryesore në vend. Vitet e fundit Komisioni Europian ka bërë raporte të vazhdueshme lidhur me ecurinë e Shqipërisë dhe fushat në të cilat duhet punuar. Fushat kryesore për të cilat janë bërë rekomandime nga KE janë kryesisht problematika me të cilat Shqipëria është përballur gjatë viteve të tranzicionit, por sërish mbeten fusha problematike. Reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimi i administratës publike dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut janë disa nga rekomandimet kryesore të bëra nga Komisioni për Shqipërinë.

Por a ka shërbyer Bashkimi Europian si një fuqi reformuese në Shqipëri? A ka patur Bashkimi Europian një rol kryesor në procesin e Europianizimit në Shqipëri? Cfarë përfshin procesi i Europianizimit, dhe si është implementuar ky proces në Shqipëri?

Bashkimi Europian, qysh në krijimin e tij, ka zhvilluar marrëdhënie diplomatike me shtetet anëtare, por edhe me vendet që janë kandidate për të qenë pjesë e unionit. Mënyrat në të cilat Bashkimi Europian ndërvepron dhe ndikon në zhvillimet kryesore të një vendi, në kuadër të anëtarësimit në union, nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm konsiderohet si proces i Europianizimit. Padiskutim që në Shqipëri ky proces ka filluar qysh në vitet e para të tranzicionit nëpërmjet implementimit të direktivave europiane.

Një nga mënyrat ose perspektivat me të cilat është karakterizuar marrëdhënia e Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, është ajo top – down (lart – poshtë), e cila analizon se si Bashkimi Europian ka ndikuar shtetet anëtare ose kandidate (në këtë rast Shqipërinë), duke marrë në analizë institucionet kryesore, proceset politike dhe politikat kryesore. Në rekomandimet e bëra nga Bashkimi Europian, nëpërmjet analizës top – down, ky artikull do të analizojë reformën në drejtësi.

Vlerat themelore të Bashkimit Europian përfshijnë konsolidimin e shtetit të së drejtës, demokracisë, mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Politikat e Bashkimit Europian në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore kanë për qëllim të ruajnë dhe të zhvillojnë më tej Bashkimin si një zonë e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë. Krijimi i një gjyqësori të pavarur, të paanshëm dhe efikas përbëjnë kushtet kryesore të këtij kapitulli. Kapitulli është thelbësor për përpjekjet e para-anëtarësimit të Shqipërisë dhe ka një rëndësi të veçantë gjatë bisedimeve për anëtarësim.

Për të analizuar në një këndvështrim më të detajuar, dimensionet e ndryshimit të brendshëm janë faktorë shumë të rëndësishëm për të kuptuar se ku Bashkimi Europian ka shërbyer si një forcë reformuese në institucionet shqiptare. Janë tre aspekte kryesore të cilat na lejojnë për të analizuar efektin e BE në shtetet kandidate nëpërmjet ndryshimeve të brendshme: polity, policy dhe politics. (Börzel, 2005)

Polity - duke qenë se ka të bëjë me reformimin institucional, në kuadër të rekomandimeve Europiane. Reforma në drejtësi ka sjelle shumë ndryshime në gjyqësor, duke përfshirë edhe institucionet e drejtësisë. Sigurisht që Këshilli i Lartë i Drejtësisë është një ndër institucionet kryesore që ka qenë në fokusin e reformës. Në këtë institucion janë evidentuar problematikat kryesore si mungesa e gjyqtarëve, mungesa institucionale, mosfunksionim i plotë i sistemeve elektronike dhe bllokim në shkollën e Magjistraturës dhe jane ndërmarrë një sërë vendimesh që kanë patur në fokus rregullimin e veprimtarisë së KLGJ-së. Një institucion tjetër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë është hasur me sfida dhe vështirësi të natyrave të ndryshme sikurse hartimi i projekt akteve të ndryshëm mbi karrierën e prokurorëve (emërimi, vlerësimi, ngritja në detyrë dhe transferimi në të gjitha nivelet), në përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm apo në përzgjedhjen e kandidatëve të Prokurorisë së Posaçme. Përgjatë këtij viti Këshilli Emërimeve në Drejtësi, në përputhje me rregulloren e brendshme të funksionimit të KED-së , si dhe aktete e tjera lidhur me procedurat e verifikimit të Kandidatëve për Pozicionet Vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë si dhe Metodologjia për Vlerësimin dhe Caktimin e Pikëve për Renditjen e Kandidatëve për Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese,ka vijuar punën për verifikimin, vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese dhe pozicionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Janë dhe të tjera institucione të gjyqësorit që janë pjesë e reformës dhe që kanë pësuar shumë ndryshime.

Policy - lidhet me dimensionin dhe përmbajtjen e politikave. Reforma në Drejtësi është një iniciativë e Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë me qëllim rritjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe fuqizimin e sistemit të drejtësisë në drejtim të profesionalizmit dhe efiçiencës së magjistratëve gjyqtarë e prokurorë dhe të luftës kundër korrupsionit. Reforma në Drejtësi është një reformë e thellë që prek në tërësi çdo element të sistemit aktual të drejtësisë, nga institucionet tek personeli i çdo niveli.

Politics - ka të bëjë me aspektin procedurial të reformës. Mekanizmat janë një faktor shumë i rëndësishëm në implementimin e një reforme. Vetë procesi i vetingut ka nxjerrë në pah devijimet e dukshme nga afatet, standarde të dyfishta në gjykimin e të njëjtave problematika, presionet politike dhe nga grupet e interesit, diferencat në formim e gjykim midis vetë strukturave të vetingut, dominim të vlerësimit vetëm në komponentin e pasurisë duke evituar vlerësimin mbi aftësinë apo integritetin, si dhe mungesë të një strategjie të qartë të KPK/IKP/KPA lidhur me subjektet prioritare në rivlerësim dhe reflektimin ndaj ankesave që vijnë nga publiku. Strukturat e vetingut dhe personeli ndihmës kanë nevojë për trajnim profesional dhe se vetë KPA duhet të njësojë standardet e vlerësimit.

Faktor tjetër analizues të procesit të Europianizimit nëpërmjet perspektivës top – down janë mekanizmat që përdoren nga BE për të reformuar politikat në vend. Mekanizmat kryesor kanë të bëjë më përshtatjen institucionale dhe hartimin e politikave në përputhje me standardin europian (Börzel, 2005). Reforma në drejtësi ka sjellë ndryshime të mëdha, qofshin ato institucionale apo edhe legjislative. Për sa i perket ndryshimeve institucionale, ashtu siç është përmendur dhe më parë, janë ngritur struktura të posaçme për mirëfunksionimin e reformës në drejtësi, por edhe institucionet ekzistuese kanë pësuar shumë ndryshime qysh nga struktura e deri tek funksioni. Ndryshime ka pësuar edhe legjislacioni, sepse një ndër problematikat kryesore të Kushtetutës ka qenë mos garantimi i një sistemi gjyqësor të pavarur dhe llogaridhënës. Për këtë arsye ndryshimet kushtetuese të miratuara në 2016 kishin si qëllim ndërmarrjen e një reforme të thellë në organizimin, qeverisjen dhe kontrollin e integritetit të sistemit të drejtësisë. Miratimi i këtyre ndryshimeve ishte hapi i parë i rëndësishëm për përmirësimin radikal të sistemit të drejtësisë dhe rikthimin e besimit të qytetarëve tek pushteti gjyqësor. Ndryshimet prekin disa momente të rëndësishme ligjore, duke rikonceptuar dhe detajuar aplikimin e disa parimeve kushtetuese siç është pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit. Këto ndryshime synojnë amendimin e funksionimeve të disa prej institucioneve kushtetuese shqiptare.

Mekanizmi i tretë është krahasimi legjislativ me funksion rregullator, ku krahasimi i praktikave të njëjta në vende të tjera vlen për tu konsideruar në mënyrë që politika apo reforma të jetë sa më efektive ( Falkner, 2001). Kjo vlen sidomos për ato vende që kanë një zhvillim dhe rrugëtim të ngjashëm, të cilët mund të evidentojnë pikat e forta dhe të dobëta të politikës, si është implementuar në vende të tjera dhe sa efektive ka qenë.

Ajo çka është më e rëndësishme është efekti që Bashkimi Europian ka pasur në Shqipëri, që është edhe produkti i ndryshimit të brendshëm. Pas gjithë analizimit të ndryshimeve të sjella në gjyqësor, padiskutim që roli kryesor i BE-së në Shqipëri ka qenë roli reformues.

I gjithë procesi i Europianizimit, duke përfshirë rrugëtimin deri tek ndryshimet e bëra, karakterizohet nga procesi i socializimit dhe adaptimit institucional. Kjo sepse institucionet europiane janë më shumë se sa një strukturë institucionale burokratike. Ato të formësojnë me rregulla, norma dhe praktika të reja që shtetet kandidate duhet të zbatojnë. Aktorët e brendshëm, në këtë rast shtetet bëhen pjesë e procesit të socializimit në mënyrë që ti përshtaten komunitetit europian dhe të ripërcaktojnë identitetin e tyre, në përputhje me rregullat e përbashkëta. Institucionet europiane jo vetëm që rregullojnë sjelljen e shteteve, por ato i japin një kuptim thelbësor mbi interesat dhe qëllimet e tyre (Schmidt, 2001). Dy faktorë që udhëheqin procesin e socializimit janë zotëruesit normativë dhe institucionet informale bashkëpunuese. Zotëruesit normativë mobilizohen në nivelin e brendshëm për të bindur aktorët të ripërcaktojnë interesat dhe identitetet e tyre në dritën e normave dhe rregullave të reja, duke i përfshirë ata në proceset e të mësuarit shoqëror. Ekzistenca e zotëruesve normativ dhe institucioneve informale bashkëpunuese ndikojnë në nivelin e brendësimit të ideve dhe normave nga aktorët kryesorë. Bashkimi Europian vazhdimisht ka ndikuar në zhvillimin e fushave të caktuara nëpërmjet kushteve të vendosura herë pas here.

Qendrimi i Bashkimit Europian ka ndryshuar përkundrejt Shqipërisë dhe vendeve të tjera kandidate. Kjo sepse politika e zgjerimit përgjatë viteve ka ndryshuar dhe fokusi nuk është vetëm zgjerimi pavarësisht nëse kushtet janë plotësuar ose jo. Tashmë kushtet për anëtarësim janë shumë më kërkuese dhe të sofistikuara. Kushtet e vendosura nga BE janë në përputhje me kriteret e Kopenhagenit dhe politikave të përbashkëta europiane, dhe Shqipëria, si një vend kandidat, duhet ti përmbushë ato. Një nga këto kushte ishte reformimi i gjyqësorit. Sistemi shqiptar i drejtësisë kishte nevojë për një rishikim rrënjësor sepse sistemi vuante nga korrupsioni, okupimi, mungesat profesionale dhe joefikasiteti strukturor. Besimi i publikut në gjykata dhe zbatimin e ligjit ishte jashtëzakonisht i ulët, dhe e gjithë kjo përfaqësonte një sfidë të madhe për sundimin e ligjit dhe klasa politike shqiptare duket se ra dakord mbi nevojën për të reformuar sektorin e drejtësisë (Dobrushi 2017).

Sigurisht që të jesh pjesë e së njëjtës organizatë ndërkombëtare si BE, do të thotë që vendet anëtare duhet të kenë diçka të ngjashme mes njëri-tjetrit, si institucionet apo politikat sepse ato janë pjesë e së njëjtës organizatë. Numri i pikave të vetos, mbështetja ndaj institucioneve, zotëruesit normativ dhe bashkëpunimi i institucioneve informale shërbejnë si ndërmjetësuese midis presionit për të adaptuar normat e përbashkëta dhe rezultatit të ndryshimeve të brendshme (Tsebelis, 1995). Institucionet që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin pritet të bëhen më të ngjashëm. Marrëdhënia midis BE dhe anëtarëve nuk është e njëanshme, sepse shtetet anëtare nuk janë aktorë pasivë, ato gjithashtu mund të formësojnë politikat europiane. Në aspektin e brendshëm, aktorët u bëjnë presion drejtuesve të tyre kombëtarë për të ndjekur politika në nivel europian që janë të favorshme për interesat e tyre. Në nivelin europian, qeveritë e vendeve anëtare kërkojnë politika europiane që plotësojnë interesat e tyre të brendshme, ndërsa minimizojnë efektet negative që politikat mund të kenë përkundrejt shteteve të tyre. Një strategji e maksimizimit të përfitimeve dhe minimizimit të kostove të politikave europiane është ‘ngritja’ ose eksportimi i politikave kombëtare në nivelin europian. Sa më shumë që një politikë europiane i përshtatet kontekstit të brendshëm, aq më të ulëta janë kostot e përshtatjes në procesin e zbatimit. Procesi i bërjes së politikave europiane, ilustron një natyrë ndërvepruese të marrëdhënieve midis Bashkimit Europian dhe shteteve të tij anëtare, ku të dy teoritë janë shumë të rëndësishme, por ajo top – down, pra ndikimi i politikave europiane në shtetet anëtare është vendimtare në reformimin e shteteve, kryesisht atyre kandidate si Shqipëria.

Pra, rrugëtimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian ka qenë i ngadaltë, por shumë i rëndësishëm sepse BE ka shërbyer si një forcë reformuese në Shqipëri. Falë direktivave dhe rekomandimeve që Shqipëria ka marrë nga Komisioni Europian, është arritur ndërmarrja e një serë reformash të cilat kanë ndikuar në demokratizimin dhe europianizimin e Shqipërisë. Rruga drejt anëtarësimit në BE është një proces i cili përveç respektimit të vlerave demokratike, përfshin edhe miratimin e ligjeve të BE -së, acquis communitaire, përgatitjen për t’i aplikuar dhe zbatuar këto ligje, si dhe zbatimin e një serë reformash të nevojshme për të plotësuar të gjitha kushtet e njohura si kriteret e anëtarësimit të vendosura në Samitin e Kopenhagenit (1993) dhe atë të Madridit (1995). Vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, merret atëherë kur BE-ja vlerëson se vendi kandidat ka plotësuar kriteret politike dhe ekonomike, pra, është një demokraci funksionale dhe një ekonomi e lirë e tregut.

Shqipëria është në proces të miratimit dhe zbatimit të reformave që kanë si qëllim zhvillimin e vendit dhe anëtarësimin në BE. Reforma në drejtësi, si një ndër reformat thelbësore të rekomanduara nga BE është duke u implementuar nga institucionet përkatëse, me mbikqyrjen e ndërkombëtarëve. Shqipëria ka treguar se është në reformim të vazhdueshëm për të vendosur stabilitet dhe garanci demokratike, dhe reformat e ndërmarra do të kenë vijueshmëri.

Klaudia Shullazi, shkurt 2021

*Klaudia Shullazi është studente e vitit të dytë të masterit të përbashkët, PoSIG- Joint Master në Shkenca Politike, Integrim dhe Qeverisje. Vitin e parë të studimeve e ka kryer në Universitetin e Salzburgut, Austri. Gjatë studimeve të saj ka shfaqur interes për tema si: marrëdhëniet ndërkombëtare me fokus Ballkanin Perëndimor, politikat integruese te Bashkimit Europian, Euroskepticizmi dhe partitë populiste në Europë. Klaudia ka qenë pjesë e trajnimeve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, kryesisht me fokus politik si edhe ka qenë përfaqësuese e Shqipërisë në konferenca rinore ndërkombëtare. Gjatë periudhës së studimeve në Austri, Klaudia ka zhvilluar një praktikë pune si hulumtuese pranë Institute of the Regions in Europe, Salzburg.

Referenca:

Albania 2020 Report, 2020 Communication on EU Enlargement Policy, European Commission, Brussels, 6.10.2020. SWD(2020) 354 final

Anderson, Jeffrey. 2002. Europeanization and the Transformation of the Democratic Polity. Journal of Common Market Studies 40 (5): 793–822

Dobrushi Andi (2017). “How Albania is reforming its troubled Justice System”, February 11. https://www.opensocietyfoundations.org/voices/how-albania-reforming-itstroubled-justice-system

European Commission, Consolidation of the Justice System in Albania, March 2020.

George Tsebelis, Decision Making in Political Systems: Veto Players in Presidentialism, Parliamentarism, Multicameralism and Multipartyism, Cambridge University Press, 1995.

Gerda Falkner, The Europeanisation of Austria: Misfit, Adaptation and Controversies , European Integration online Papers, 2001.

Hix, Simon, and Klaus H. Goetz. 2000. Introduction: European Integration and National Political Systems. West European Politics, Special Issue 23 (4): 1–26.

Ladrech, Robert. 1994. Europeanization of Domestic Politics and Institutions: The Case of France. Journal of Common Market Studies 32 (1): 69–88.

Putnam, Robert. 1988. Diplomacy and Domestic Politics. The Logic of Two-Level Games. International Organization 42 (2): 427–460.

Risse, Thomas. 2001. A European Identity? Europeanization and the Evolution of NationState Identities. In Transforming Europe. Europeanization and Domestic Change, edited by M. G. Cowles, J. A. Caporaso and T. Risse. Ithaca, NY: Cornell University Press, 198–216.

Schmidt, Vivien A. 2001. Europeanization and the Mechanisms of Economic Policy Adjustments. European Integration online Papers 5 (6): http://eiop.or.at/eiop/texte/2001- 006a.htm.

Tanja Börzel, How the European Union Interacts with its Member States,European Integration online Papers, 2005.

Wallace, Helen. 1971. The Impact of the European Communities on National Policy-Making. Government and Opposition 6 (4): 520–538.

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk