Së dyti, meqë situata në Siri ka ardhur drejt përkeqësimit, Turqisë i është dashur të pranojë një numër të madh refugjatësh, duke u detyruar të luante një rol që qeveria e saj do kishte preferuar ta shmangte. Turqia e ka vëzhguar konfliktin në Siri dhe pasiguritë e Perëndimit, me dijeninë se çdo rezultat do ishte në mënyrë të pashmangshme një spill over për vendin e vet.
Drejt politikës së jashtme të njëanshmërisë
Sipas një ankete të zhvilluar kohët e fundit nga German Marshall Fund, shumica e konsiderueshme të anketuarve në Turqi (62%) u shprehën se ishin të prekur personalisht nga kriza ekonomike. Megjithatë, në krahasim me 2009 (78%) dhe 2012 (69%), shifrat kanë pësuar ulje. Po ashtu ulje pësoi dhe numri i turqve që besonin se sistemi i tyre ekonomik ishte i pandershëm. Ama kriza ekonomike solli dhe qëndrime të tjera ndaj çështjeve të brendshme duke përfshirë këtu imigrimin. Angazhimin e qeverisë për trajtimin e imigrimit, 61% e turqve e shohin si të dobët. Në tërësi, menaxhimi i situatës ekonomike nga ana e qeverisë së tyre shihet me pakënaqësi më shumë se asnjëherë më parë. Në lidhje me shpenzimet në mirëqenie, shkencë dhe teknologji, 50% e popullsisë turke mbështet rriten e shpenzimeve, përkundrejt 32% të të anketuarve të cilët do të donin të mbanin nivelet e tanishme.
Të anketuarit turq aprovuan politikat e jashtme të qeverisë së tyre me 6% më shumë sesa në vitin 2011. Akoma favorizojnë bashkimin me BE-në, por tashmë shifrat tregojnë një ulje entuziazmi nga 73% në 2004, 48% në 2012 me 44% së fundmi. Duhet theksuar se dëshira për tu integruar mbetet krahasimisht më e lartë se aprovimi i qytetarëve në vendet anëtare të BE-së për integrimin e këtij vendi. Në fakt, pavarësisht aspiratave europiane të Turqisë, të anketuarit treguan se më shumë do të preferonin të vepronin vetëm sesa në bashkëpunim më BE-në, SHBA-të apo me fqinjët rajonal. Ndër këta, 38% do preferonin që Turqia të vepronte e pavarur në çështje ndërkombëtare, 21% do preferonin bashkëpunimin me BE-në dhe 8% zgjodhën bashkëpunimin me shtete të Lindjes së Mesme.
Turqia e shqetësuar për imigrimin, ligjor dhe joligjor
Në Turqi në përgjithësi qëndrimet ndaj imigrimit shfaqen pesimiste. Rreth 54% e të anketuarve e konsideronin imigrimin si një problem dhe vetëm 18% e shihnin si një mundësi. Më shumë se 60% e popullsisë është e shqetësuar si për imigrimi ligjor dhe atë joligjor. Debati i imigrimit është në fokus së fundmi pasi ka një rritje të fluksit të azilkërkuesve, më së shumti nga Iraku dhe Irani, dhe pasi Turqia ka siguruar tashmë mbrojtje të përkohshme për rreth 140,000 refugjatë sirianë. Të pyetur për perceptimin e tyre rreth shpërndarjes së imigrantëve në vendin e tyre, të anketuarit turq pretenduan të ishte 21.2% ndërkohë që shifra konkrete rezulton 2%.
Stafi i EuroSpeak, tetor 2013