Roli i shtuar i shteteve anëtare: si do të ndikojë në procesin e zgjerimit?

Roli i shtuar i shteteve anëtare: si do të ndikojë në procesin e zgjerimit?

***

Roli i ri i shteteve anëtare në procesin e zgjerimit erdhi nën vellon e mekanizmave të shtuara monitoruese mbi respektimin e shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës, por jo vetëm. Përfshirja më e madhe e vendeve anëtare synon që të krijojë incentivë të re për këto shtete për të qënë më proaktive dhe mbështetëse për procesin e integrimit, ndikuar nga roli i tyre i drejtpërdrejtë. Por, teksa këto dy elemente janë pozitive dhe krijojnë hapësirë për dinamizëm të ri në çështjen e integrimit, ekzistojnë dhe sfida që lindin nga arkitektura e re metodologjike. Rreziku më i theksuar është që vendet anëtare të kenë mundësi të shtuara për të ndikuar mbi vendet aspiruese në mënyrë jo-konstruktive. Kjo mund të ndodhë për shkak të tendencës për të shfrytëzuar rolin e ri të parashikuar nga metodologjia për të avancuar interesa të ngushta kombëtare. Nga ana tjetër, modelet që mund të promovohen nga disa prej vendeve anëtare mund të mos jenë konform pritshmërive madhore të gjitha vendeve anëtare dhe, mbi të gjitha, atyre me demokraci më të konsoliduar.

Në vetvete transformimi i metodologjisë nënkupton dhe një ndryshim filozofie – nga një proces teknik në një proces më politik. Elementet e reja ofrojnë mundësi për një dinamizëm të ri të procesit të zgjerimit, mbi të gjitha nëse ekziston vullneti politik si në vendet aspirante. Dimensioni më politik i parashikuar nga metodologjia e rishikuar është parë si mundësi për të rritur përkushtimin e vendeve anëtare në procesin e zgjerimit duke u dhënë atyre një rol aktiv dhe jo vetëm konfirmues. Kjo është pozitive për sa u përket mundësive të reja për të zgjeruar dhe intensifikuar dialogun, sikurse theksohet dhe në publikimin e Komisionit Europian, nëpërmjet samiteve ndërmjet vendeve të Bashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit si dhe nëpërmjet kontakteve ministrore. Pritshmëritë janë të mëdha në këtë drejtim, duke nisur që me samitin e parashikuar të BE-së me Ballkanin Perëndimor në maj 2020, fati i të cilit duhet ende qartësuar në kaosin e krijuar nga pandemia COVID-19. Dimensioni politik theksohet dhe shkallëzohet në këtë mënyrë përtej kuadrit të Konferencave Ndër-Qeveritare.

Në të njëjtën kohë, sipas metodologjisë së rishikuar, pesha e vendeve anëtare do mund të ndihet edhe në kontributin e drejtpërdrejtë në monitorimin e vendeve aspiruese. Metodologjia e re parashikon jo vetëm monitorim të pavarur nga shtetet anëtare, por edhe kontribute të tyre në raportet vjetore për vendet aspiruese. Ekziston një rrezik në këtë pikë që kontributi i vendeve anëtare në hartimin e raporteve vjetore të varet më shumë nga interesat kombëtare të tyre se sa nga një ekspertizë e mirëfilltë. Kjo metodologji nuk krijon ndonjë barrierë ndaj politizimit të integrimit në sensin e vendosjes së përparësive kombëtare të vendeve anëtare dhe mundësisë së presionit kundrejt vendeve aspiruese.

Procesi i zgjerimit ka njohur fenomene të tilla në të shkuarën, por mundësia për ushtrimin e trysnive dhe mbivendosjes së interesave kombëtare dhe çështjeve dypalëshe ndërmjet vendeve aspiruese dhe vendeve anëtare ekzistonte vetëm në momentet kyçe si hapja e negociatave ose finalizimi i kapitujve. Sigurisht që problematikat dypalëshe mbeteshin në vëmendjen e vendeve, por si pjesë e tryezave dypalëshe dhe larg procesit formal të zgjerimit.

Formati i ri krijon hapësirë të re për instrumentalizimin e procesit të zgjerimit nga vendet anëtare për hir të problematikave minore, por edhe krijon një dyshim për seriozitetin e vetë procesit. Prandaj, nevojitet një rishikim i mëtejshëm i këtij elementi për të evituar mundësitë e shfryëzimit të zgjerimit – ky i fundit një proces për të mirën e përbashkët të unionit dhe të vendeve aspiruese – në kurriz të interesave të mundshme dhe të ngushta kombëtare të vendeve të caktuara anëtare.

Problematika tjetër që mund të ekzistojë tek roli më aktiv i vendeve anëtare është, në mënyrë dramatike, rreziku se vetë ato mund të jenë shembuj për t’u ndjekur ose aktorët më të mirë për të shërbyer si shëmbëlltyrë për vendet aspiruese. Në Ballkan është krijuar një asimetri ndërmjet vlerave të cilat qëndrojnë në themel të Bashkimit Europian dhe respektimit të tyre nga disa prej vendeve më aktive dhe të përkushtuara për zgjerimin.

Sundimi i ligjit në vendet aspiruese është një gurthemel, jo vetëm i diskursit të përfaqësuesve europianë, por edhe i metodologjisë së rishikuar. Por, hezitimet e shtuara të disa prej vendeve të BE-së kanë krijuar mundësi që vende si Hungaria dhe Polonia të paraqiten ndër mbështetësit më të fortë të zgjerimit. Mjafton të kujtojmë dhe faktin se Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi, u përzgjodh si pasojë e këmbënguljes së Hungarisë për të marrë portofolin e zgjerimit në Komisionin aktual.

Prandaj, është e pritshme që vende të tilla të marrin edhe një rol më aktiv në çështjet e parashikuara për diskutimin politik në vazhdën e zgjerimit. Problemi qëndron se vende si Hungaria nuk janë shembujt më të mirë në çështjet e sundimit të ligjit, teksa ajo po përballet me kritika të shumta brenda unionit për sundimin e ligjit, kufizimit të lirisë së mediave dhe intimidimit të opozitës. Rritja e ndikimit politik të vendeve të BE-së që kanë investuar në demokraci joliberale dëmton vendet aspiruese dhe zhvlerëson aftësinë e kërkuar transformuese të procesit të integrimit. Metodologjia e re nuk merr parasysh këto dispozita dhe hapësira të krijuara, si dhe nuk krijon barrierat e nevojshme për të penguar zhvillime të tilla.

Autoritetet e BE-së kanë përdorur një gjuhë të vagullt në raport me drejtimin politik dhe rolin e shtuar të vendeve anëtare, çka lë hapur mundësinë për të pasur një fërkim me perspektivën meritokratike të anëtarësimit në BE për vendet aspiruese. Kjo nuk do të thotë që gjithë procesi është i kompromentuar. Ndikimi i modeleve problematike për shtetin e së drejtës dhe respektimin e shtetit ligjor mund të limitohet në rast se në konkaktet e shtuara të vendeve anëtare me vendet aspiruese procesi qendërzohet nga shtetet më të konsoliduara demokratike të unionit. Gjermania ka pasur një rol parësor në të shkuarën dhe tendenca është që të vazhdojë ta ketë atë në të ardhmen e afërt.

Metodologjia e re e prezantuar nga Komisioni Europian e thjeshtëzon nga ana teknike procesin dhe provon të ulë barrierat që mund të krijohen përgjatë procedimit. Teksa ka vend për optimizëm, nisur dhe nga vendimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, metodologjia lë hapësira për shqetësime që lidhen me rolin e shtuar të vendeve anëtare. Gjithsesi, në fund elementi kryesor në avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit mbetet vullneti i mirë dhe përkushtimi. Këto përfshijnë padyshim vendet aspiruese, mbi të cilat bie barra e demonstrimit të dëshirës dhe aftësisë reformuese. Por, përfshijnë dhe vendet e BE-së, të cilat duhet të tregojnë maturinë e nevojshme për të parë rëndësinë gjeostrategjike të zgjerimit dhe tejkalimin e interesave të vogla për të ndihmuar ose, të paktën, mos krijuar pengesa artificiale në rrugëtimin europian të vendeve të Ballkanit.

Akri Çipa, prill 2020

*Akri Çipa është një hulumtues dhe ekspert i politikës së jashtme, specializuar në çështjet europiane dhe ato të sigurisë. Çipa është diplomuar në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan në Bullgari dhe ka Master Shkencor në Zgjidhje Konfliktesh nga Columbia University në Nju Jork. Vitet e fundit ka botuar rregullisht në shtypin shqiptar dhe ndërkombëtar analiza për çështje politike dhe gjeopolitike, sikundër ka realizuar dhe publikuar studime dhe përkthime. 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk