Instrumenti i Para-anëtarësimit (IPA) i cili shtrihet në shtatë vite është një nga incentivat më frytdhënëse të përdorura nga Bashkimi Europian për promovimin e vlerave dhe nxitjen e reformave në vendet që synojnë anëtarësimin.
IPA I filloi në vitin 2007, në periudhën ku BE ishte në kërkim të një mjeti financiar të unifikuar për të rritur rendimentin e punës në vendet kandidate. Baza ligjore ishte Rregullorja e Këshillit Europian 1085/2006 e miratuar më 17 korrik 2006. (Komisioni Europian) Ky instrument përbëhej nga pesë elementë - asistenca për tranzicion dhe ndërtim institucionesh; bashkëpunimi ndërkufitar; zhvillimi rajonal; burimet njerëzore dhe zhvillimi rural, ku i jepej përparësi vendeve kandidate (Kroacisë, Maqedonisë së Veriut (tani) dhe Turqisë) që kishin më shumë arritje në përmbushjen e kërkesave për anëtarësim. Ndërsa kandidatëve potencialë si (Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës) u lejohej të përfitonin vetëm nga dy elementë. Fondet orientoheshin kryesisht drejt çështjeve sociale duke evituar temat që ishin tashmë pjesë e skemave të tjera të financuara nga BE si programi CARDS (Asistenca Komunitare për Rindërtim, Zhvillim dhe Stabilizim). IPA I kishte një zarf specifik për secilin shtet ku Shqipëria përfitoi rreth 591 milion euro.
IPA II, me mësimet e nxjerra nga zbatimi i IPA I vendosi t’i sheshojë ndarjet dhe t’i japë mundësi të barabarta aplikimi të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor pa marrë parasysh nëse e kanë apo jo statusin e vendit kandidat. Buxheti për IPA II ishte 11.7 miliardë euro ku Serbia përfitoi mbështetjen më të madhe prej 1.5 miliardë eurosh ndërsa Shqipëria arriti të merrte rreth 649.4 milion euro. Ndryshe nga IPA I që i shpërndante fondet në bazë të projekteve, IPA II solli si risi mbështetjen sektoriale.
Por si bëhet menaxhimi i fondeve IPA?
Komisioni Europian mund të vendosë ta zbatojë buxhetin në mënyrë direkte, indirekte dhe me ndarje përgjegjësish. Në mënyrë direkte, Komisioni i ndan fondet duke marrë rolin e autoritetit kontraktues nëpërmjet departamenteve, delegacioneve ose agjencive ekzekutive europiane. Në rastin e dytë, Komisioni ia beson menaxhimin e fondeve autoritetit kontraktues (mund të themelohen struktura të reja) të vendit përfitues. Kjo strukturë ka për detyrë të kontraktojë dhe menaxhojë anën financiare dhe administrative të projekteve. Struktura Koordinuese Kombëtare për fondet IPA (NIPAC) është përgjegjëse për monitorimin dhe shpërndarjen e asistencës financiare brenda vendit. Raportimi që bëhet nga NIPAC siguron që fondet të përdoren në përputhje me objektivin kryesor të anëtarësimit në BE. Ndodh që detyrat të delegohen edhe te ministritë udhëheqëse për çdo kapitull të Acquis. Mënyra e tretë e cila përdoret më rrallë ndodh kur KE i delegon disa detyra për zbatim vendeve anëtare të BE-së nëpërmjet programeve të përbashkëta operacionale ndërkufitare të zbatuara nga një autoritet i përbashkët menaxhues. Propozimi i Komisionit Europian për fillimin e IPA III (2021-2027) u bë në qershor të 2018 ndërsa në tetor të 2019 vijuan takimet rajonale ku KE ofroi më tepër informacion mbi prioritetet dhe ndryshimet që do të sjellë ky program. (europeanwesternbalkans.com)
Cilat janë risitë që sjell IPA III?
Buxheti i këtij instrumenti është më shumë se 14.2 miliardë euro dhe përfituesit vazhdojnë të jenë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia. Ky instrument synon që nëpërmjet ekspertizës dhe financimeve të promovojë standardet europiane dhe të mbështesë reformat sociale, politike dhe ekonomike që rajoni të integrohet në BE. Për më tepër, parashikon të ndikojë në rimëkëmbjen e vendeve në periudhën pas pandemisë. IPA në vetvete ka një ndikim afatgjatë duke qenë se fondet jepen përmes huave dhe investimeve në projekte sektoriale brenda shtetit, programeve të bashkëpunimit ndërkufitar, asistencës për zhvillimin rural, si dhe programeve të posaçme si Plani Ekonomik dhe Investimeve që përbëhet nga disa fusha.
Këtë herë qasja është më strategjike dhe e bazuar në vlerat themelore të BE-së duke krijuar një koherencë më të madhe. Pas vendimit pozitiv të Këshillit më 7 shtator 2021, Parlamenti Europian e miratoi IPA III më 15 shtator 2021. Zbatimi pritet të fillojë në datën e publikimit në Fletoren Zyrtare me efekt prapaveprues nga 1 janari 2021. Këtë herë fushat tematike përfshijnë: shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të drejtat themelore; qeverisjen e mirë; politikat e BE-së dhe Acquis, konkurrencën, zhvillimin social dhe ekonomik; bashkëpunimin territorial dhe ndërkufitar. Një vëmendje të veçantë merr Axhenda e Gjelbër dhe ndryshimet klimatike ku parashikohet të shkojë rreth 30% e buxhetit.
Vlen të theksohet se ndryshe nga programet e mëparshme, këtë radhë fondet do të ndahen në mënyrë objektive në bazë të performancës së vendeve aplikuese. Pra, shtetet duhet të formulojnë projekte cilësore dhe të garojnë për të fituar duke qenë se nuk ka një shumë të paracaktuar për secilin prej tyre.
Ndryshe nga IPA I dhe IPA II, për IPA III ndarja e fondeve mund të pezullohet ose ngrijë nëse nuk respektohen vlerat themelore të BE-së. Instrumenti IPA III është bërë më strategjik duke vendosur indikatorë të detyrueshëm të performancës për të vëzhguar progresin e përmbushjes së objektivave të lartpërmendura. (Rregullorja për IPA III 2021/1529). Në vijim, Komisioni planifikon Kornizën e Funksionimit të IPA III, dokumentin strategjik për ndihmën financiare. Kjo realizohet nga idetë e ofruara nga shtetet anëtare të BE-së, Parlamenti Europian, shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare. Për sa i përket organizatave të shoqërisë civile, në rregullore thuhet se roli i tyre duhet të rritet në programet që zbatohen nëpërmjet instancave shtetërore dhe si përfitues të drejtpërdrejtë të asistencës së BE-së, kryesisht e atyre me fokusin te mbrojtja e të drejtave të njeriut. OSHC-të inkurajohen të përfshihen në hartimin dhe monitorimin e programeve të ndryshme sipas fushave të interesit. Gjatë kësaj periudhe, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia kanë filluar me hartimin e propozimeve.
Çfarë duhet të bëjë vendi ynë në këtë pikë?
Procesi i programimit fillon në momentin që Shqipëria harton plane strategjike me prioritetet kryesore. Për Programet Kombëtare të Veprimit bëhet dhe planifikimi sektorial. Palët, pra Komisioni Europian dhe Shqipëria diskutojnë dhe zhvillojnë konsultime me synimin për t’i kthyer strategjitë në Plan Veprimi. Konkretisht Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR) bën një vlerësim të Planit të Veprimit duke dhënë rekomandimet e nevojshme për finalizimin e dokumenteve përbërëse. Më tej, e njëjta strukturë zhvillon kontrolle të përputhshmërisë ligjore të dokumenteve përpara se ta dërgojnë para komitetit të IPA. Takimi i këtij komiteti që përbëhet nga shtetet anëtare të BE-së jep një mendim paraprak për Programin e Veprimit dhe më pas Komisioni bën miratimin e tij. Hapi tjetër konsiston në firmosjen e një marrëveshjeje financiare mes DG NEAR dhe NIPAC në Shqipëri duke lënë vend për vijimin më tej të procedurave për shpërndarjen e granteve, ndarjen e buxhetit etj.
Endrita Shehu, Stafi i Eurospeak, tetor 2021
Referenca:
https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=CELEX%3A32021R1529
https://ec.europa.eu/regional_policy/en/funding/ipa/framework/
https://europeanwesternbalkans.com/2021/06/03/european-parliament-and-council-reach-agreement-on-e14-billion-ipa-iii/
http://www.eupolicyhub.eu/wp-content/uploads/2017/06/The_indirect_management_of_EU_funds_in_A.pdf
"Instrument for Pre-Accession Assistance and the countries of the Western Balkans“, European Movement in Montenegro, June 2018