Politika e zgjerimit të BE-së është konsideruar një sukses falë integrimit të shumë vendeve të Europës Juglindore të cilat arritën të shkëputen nga komunizmi dhe ndikimi lindor.
Modeli i zgjerimit që BE-ja ka ndjekur në Ballkanin Perëndimor është duke vlerësuar progresin e bërë dhe meritat individuale të zbatimit të reformave të çdo vendi (e quajtur edhe politika e karrotës dhe shkopit).
Së pari, BE-së i është dashur të merret me një sërë problemesh të brendshme lidhur me shumë kriza që kanë prekur institucionet dhe vendet e BE-së gjatë viteve të fundit, siç mund të përmendim atë të eurozonës, krizën e refugjatëve/migracionit, Brexit, si dhe krizën shëndetësore të COVID-19. Të gjitha këto kriza kanë çuar në rritjen e ekstremizmit të djathtë dhe në këtë mënyrë udhëheqësit europianë janë të shqetësuar për ruajtjen e integritetit dhe të ardhmes së BE-së . (Devrim, D., and Schulz, E., 2009).
Së dyti, BE-ja përballet me mungesë unanimiteti në vendimmarrje në lidhje me procesin e integrimit. Vitet e fundit, interesi i shteteve anëtare për zgjerimet e reja është ulur dhe kjo reflektohet në një proces më të ngadaltë, me kushte më rigoroze dhe përdorimi i të drejtës së vetos (Keil, S., and Arkan, Z., 2014) që çoi në bllokime të ndryshme, siç mund të përmendim shembullin e Francës, Gjermanisë, Holandës dhe së fundmi Bullgarisë.
Së treti, vitet e fundit, zgjerimi nuk ka qenë prioritet në agjendën e BE-së për shkak të sfidave më të cilat janë përballur vendet e BE-së siç janë problemet klimatike, duke e zhvendosur politikën e zgjerimit në plan të dytë.
Së katërti, mospërmbushja e reformave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka çuar në rritje të hezitimeve dhe skepticizmit të BE-së pasi përgjegjësia më e madhe bie mbi vendet që dëshirojnë të aderojnë në familjen europiane të cilat ende nuk i kanë përmbushur kriteret e BE-së, ku problemet më të mëdha lidhen me kapitujt 23 (Gjyqësori dhe të drejtat themelore) dhe 24 (Drejtësi, liri dhe siguri).
Por cilat janë sfidat me të cilat po përballet Ballkani Perëndimor sot ?
Korrupsioni, polarizimi politik, klientelizmi politik dhe “kapja e shtetit” janë fenomene me të cilat janë përballur ndër vite vendet e Ballkanit Perëndimor dhe që vazhdojnë paraqesin një sfidë për të ardhmen e rajonit. Rrjete të ndryshme klienteliste kanë “kapur” institucionet shtetërore duke përdorur kanale zyrtare për të mbrojtur interesat e tyre. (Lemstra, M., 2020)
Korrupsioni vazhdon të jetë një problem madhor për rajonin, ku shpesh ndihmat e institucioneve të BE-së, të cilat duhet të përdoren për të realizuar reformat, përfundojnë në duart e elitave te korruptuara. (The European Court of Auditors, 2022). Kjo shpjegon edhe mungesën efektive të ndihmave të ardhura nga BE. Sipas një raporti të publikuar nga Gjykata Europiane e Audituesve në fillim të vitit 2022, thuhet: “pavarësisht përpjekjeve të BE-së për të bërë të mundur sundimin e ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor, problemet themelore vazhdojnë”. Ky raport vlerëson se Investimet e BE-së së fondeve 2014-2020 që janë ndarë në kuadër të IPA II nuk prodhuan efekte të rëndësishme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
IPA u krijua me synimin për të përgatitur vendet kandidate dhe kandidate potenciale në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit në BE, duke i mbështetur këto vende në zbatimin e reformave politike, ekonomike, institucionale, sociale, ligjore dhe administrative. Duke marre në konsideratë problemet që ishin të pranishme në IPA I dhe II tashmë BE po aplikon një qasje të bazuar në performancën e vendeve kandidate, në mënyrë që të jenë përfituese të IPA III. Pra kjo ndihmë do të jetë e kushtëzuar nga respektimi i demokracisë dhe shtetit të së drejtës, në të kundërt BE do të marre masa deri në pezullimin e ndihmës. Qëllimi i kushtëzimit është rritja e efikasitetit të Fondit IPA III në Ballkanin Perëndimor, si dhe ulja e abuzimeve nga këto vende.
Shqipëria pozicionohet në shkallë të ulët për sa i përket gjenerimit të ideve në krahasim me vendet fqinje, për më tepër këto fonde duket se nuk kanë sjellë ndryshime të mëdha dhe efektiviteti i tyre duket se është i ulët duke qenë se progresi ynë në rrugën e integrimit është i ngadaltë. Sipas Eurobarometrit Shqipëria ka realizuar vetëm 45% të projekteve të IPA II.
Disa nga mangësitë thelbësore të IPA-së në Shqipëri janë:
Mungesë iniciativash për të aplikuar mbi projekte të ndryshme;
Ka një mungesë në koordinimin e institucioneve dhe aktorëve të cilët përfshihen në këtë proces;
Mungesa e informacionit dhe transparencës në lidhje me projektet, fondet dhe implementimin e tyre;
Keq-menaxhimi i këtyre fondeve për shkak të korrupsionit në nivele të larta.
Do të ishte i nevojshëm një reflektim mbi të gjitha këto problematika dhe ky reflektim do të sillte një përmirësim të efektivitetit të IPA III në mënyrë që Shqipëria të gjenerojë sa më shumë projekte dhe implementimi i tyre të bëhet me efikasitet.
Një tjetër fenomen negativ me të cilin përballen vendet e Ballkanit Perëndimor është klientelizmi politik ku partitë politike ofrojnë shërbime në këmbim të përfitimit personal (Lemstra, M. 2020), dhe me një lidhje të tillë midis elitës politike dhe grupeve të caktuara të individëve, qytetarët përballen me mungesën e llogaridhënies nga elita politike, e cila është në thelb të demokracisë. “Sot, vendet e Ballkanit Perëndimor tregojnë elemente të qarta të kapjes së shtetit, duke përfshirë lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administratës publike…” (The European Court of Auditors, 2022).
Të gjitha këto fenomene të tilla si korrupsioni dhe “kapja e shtetit” janë dukuri të ndërlidhura që ndikojnë në zhvillimin e demokracisë dhe i distancojnë vendet e Ballkanit Perëndimor nga vlerat europiane. Ashtu si vendet fqinje as Shqipëria nuk bën përjashtim nga fenomenet e sipërpërmendura. Sipas Raportit të Transparency International dhe Freedom House 2022 dhe 2021 dhe, Shqipëria është përballur me nivele të larta të korrupsionit ndër vite dhe vazhdon të përballet me këto fenomene si “kapja e shtetit’’, korrupsioni në sistemin gjyqësor si dhe “ligjet e bëra me porosi”.
Kapja e shtetit në Shqipëri u rrit ndjeshëm midis 2008 dhe 2019, kjo u mundësua nga mungesa e mekanizmave institucionalë të kontrollit, si dhe politizimi i administratës publike. I gjithë sistemi gjyqësor dhe i drejtësisë që nga viti 2016 është në gjendje ristrukturimi total për të luftuar korrupsionin sistemik të nivelit të lartë si kriter i BE-së, por kjo reformë është bërë në faza shumë të ngadalta dhe nuk ka dhënë rezultatet e pritura në luftën kundër fenomenit të kapjes së shtetit, përkundrazi, sipas raportimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, situata është përkeqësuar vitet e fundit.
Këto dukuri të sipërpërmendura fillimisht mbështeten nga klasa politike, në të cilën, sipas raporteve të Komisionit Europian (2019-2022) dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, mosndëshkimi i korrupsioni lidhet mbi të gjitha me ndikimin dhe presionin e ushtruar nga klasa politike ndaj autoriteteve përgjegjëse. Më pas, ajo mbështetet nga një sistem gjyqësor i korruptuar që garanton mosndëshkueshmërinë e autorëve të veprave penale dhe së fundi mbështetet nga ekzistenca e një kulture të mosndëshkimit ose e dënimeve të buta ndaj korrupsionit të nivelit të lartë (Transparency International and The Institute for Democracy and Mediation, 2021).
Megjithëse gjatë këtyre viteve, Shqipëria është përballur me sfida të ndryshme në rrugën drejt integrimit në strukturat e BE-së, vendi ka ndërmarrë një sërë reformash për të transformuar sistemin ekonomik dhe politik me një ekonomi tregu, me një shoqëri pluraliste dhe një demokraci liberale të bazuar në të drejtat e njeriut. Shqipëria ka bërë përparim gjatë 20 viteve të fundit, por progresi ka qenë i ngadaltë dhe i pamjaftueshëm për t'u anëtarësuar në BE. Megjithatë, për Shqipërinë dhe për shumë vende të Ballkanit, BE-ja mbetet qendra kryesore e veprimtarisë ekonomike, politike dhe diplomatike.
Duhet theksuar se procesi i integrimit të Shqipërisë është një proces kompleks që ndikohet nga qëndrimet e BE-së ndaj politikës së zgjerimit nga njëra anë dhe nga ana tjetër nga zhvillimet e brendshme në Shqipëri.
Pavarësisht dëshirës së shqiptarëve për të qenë pjesë e projektit europian, janë disa faktorë të brendshëm si polarizimi politik, ekzistenca e fenomeneve si p.sh korrupsioni, “kapja e shtetit”, që kushtëzojnë demokracinë dhe një ekonomi e brishtë e cila karakterizohet nga një numër i lartë papunësie, një borxh i lartë publik i shoqëruar nga një nivel i lartë i varfërie, të gjitha këto arsye ndikojnë në procesin e integrimit të vendit.
Pavarësisht të gjithë faktorëve dhe sfidave që ndikojnë procesin e integrimit, Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet më pro-europiane dhe e konsideron integrimin në BE si të vetmen alternativë për të ardhmen e vendit. Sot, rajoni i Ballkanit Perëndimor është një rajoni i pandashëm i Europës, dhe perspektiva e integrimit europian konsiderohet si alternativa më e mirë për të ardhmen e rajonit. Procesi i integrimit në Bashkimin Europian (BE) konsiderohet si prioritet për vendet e Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, ky rajon është i rëndësishëm për BE-në në kontekstin e sigurisë. Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE mbetet alternativa e besueshme, e cila garanton, paqen dhe stabilitetin.
Lorela Alia, gusht 2023
Lorela Alia ka përfunduar studimet e larta për Shkenca Politike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe masterin për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në “Universite De Belgium”, Belgjikë. Aktualisht, ajo punon në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme si specialiste pranë Drejtorisë së Përgjithshme. Lorela zotëron aftësi të forta analitike, organizative dhe negociuese të cilat i ka zhvilluar duke marrë pjesë në trajnime të ndryshme kombëtare dhe nërkombëtare. Ajo është njohëse e gjuhës angleze, frënge dhe spanjolle.